Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Pëllumb Gorica: Magjia e parrëfyer Lin

| E marte, 05.07.2022, 09:00 PM |


MAGJIA E PARRËFYER LIN

Nga Pëllumb Gorica

Sa herë udhëtoj drejt Ilirisë së Poshtme, është ajo grimca e kënaqësisë që rrotullohet me shpejtësi marramendëse për t’u kthyer në ortek kënaqësie. Një dëshirë me forcën e një pasioni për Natyrën e saj.

Zbres Qafën e Thanës (gjithmonë kam hapur sytë se mos shikoj ndonjë dru thane në anë të rrugës). Është verë dhe ka shumë lëvizje autoveturash, furgonësh, autobuzësh, mjete transporti mallrash të ndryshme, etj.

Para syve hapej kaltërsia e liqenit të Ohrit, si dritare magjike e Parajsës. Nuk mund të vazhdoj më tej pa qëndruar disa çaste përballë këtij peizazhi, të paanë që e sodit këndshëm (nuk më pëlqen të jem veç një "kalimtar" i rastit).

E shkrep syrin e aparatit fotografik. Natyra dhe relievi bëhen më të bukur, nga pamjet çlodhëse për syrin, trupin dhe shpirtin. Qielli dukej si një atelie gjigande, me retë si gjerdan perlash të çmuara. Liqeni i Ohrit i krijuar në zemrën e bukurive të Ballkanit, është një bekim i perëndive të hershme. E kanë quajtur Lychnidas, “Liqeni i Dritës”. Ai të ngjan me atë vajzën lozonjare, e cila krihet dhe lahet në çdo stinë, si e dashura e banorëve. Dashuri e Enkelejdëve e Desaretëve dhe banorëve të sotëm. Aty, ndanë ujrave të tij, janë ngritur qytete dhe fshatra, që i shtrohen më gjunjë, si kostumet popullore veçanërisht vezulluese natën, nga spektri i shkëndijuar në mijëra drita.

Vështrimi shkon nga shkon dhe pushon në horizontin përballë, të qytetit të Ohrit, që dukej sikur ishte ndezur në zjarr e flakë nga rrezet e diellit. Ja dhe mali i Thatë, të cilin shumë shekuj më parë gjeografi dhe historiani i lashtësisë, Straboni e quante Sation.

Dy maune greke e ngadalësonin ndjeshëm shpejtësinë në gjarpërushen e të tatpjetave. Më mbërthyen kujtimet e këqija të vitit ’97, kur rrugët ishin mbushur me banda. Ndërtesat e tabelat e sinjalistikës rrugore ishin bërë shoshë nga plumbat. Disa djem me maska, teksa zgërdhiheshin me histeri, shkrepnin karikatorë pas karikatorësh, mbi tabelën që shënonte emrin e Pogradecit derisa e ndanë më dyshë, që ra përtokë si një shpend i ngordhur… Askush nuk guxonte të kalonte rrugën, dy anët e të cilës u bënë vargan makinash... Pritëm gjatë e me tmerr derisa ata u larguan.

Buzë liqenit shtrihet Lini, që shpalos bukurinë mitike; i pa shoq në të gjitha: nga historia, nga bukuria, nga mirësia, që daton nga Epoka e Hekurit, si i vetmi vendbanim (nga Qafë-Thana në Plloçë), i cili mban edhe sot emrin e Linkidëve, duke i qëndruar presioneve të të gjithë qytetërimeve që kanë kaluar. Sa e largët dhe e afërt është koha, sa e pa fundme dhe misterioze, aq e lexueshme dhe e prekshme është historia e tij. Legjendat thonë se: Ushtarët e Jul Çezarit, kur kalonin rrugën “Egnatia” që nisej nga Durrahu, u mahnitën nga drita e diellit që prekte dhe vezullonte një rrip të ngushtë toke që zhytej në liqen si pykë e trekëndësh dybrinjënjëshëm, ai shkëmb i fortë, ai karakoll i qëndresës shqiptare në shekuj. "Lyn i dias! latinisht (lindi dita)". Dhe i mbeti për jetë të jetëve emri Lin, që ngjan si një peizazh poetik, me një lloj ngrohtësie në shpirt.

Të mrekullon rruga e bukur, në të cilin buisnin filiza të rinj drurësh. Në hapësirat e arave gjen njerëzoren, veshjen e natyrës me ngjyrën karakteristike të stinës, e cila në përshtatje me klimën krijon madhërisht ndërrimin e mbulesës bimore, bashkëjetesën dhe një energji të pashtershme. Gjallon eleganca e lëkundjes së grurit të pjekur, si i zënë në faj; ngashënjimi që përcjell një kalë i bardhë teksa kullot në krye të një mezhde të pjerrët; një shitës qershish, dardhash e peshk të freskët liqeni, bashkë me nipin, në një fole perfekte në pikë të vapës, që më shumë është kthyer në rrëfimtar për ata që nuk dinë të lexojnë tabelat, por dijnë se ku do shkojnë, sidomos ai që nuk di cili është, nga ka ardhur e ku do shkojë. Tepsia e aluminit mbi arkën plastike të zezë, plotë me qershi të kuqe, të sapo vjela më zbriti nga makina. Bleva ca qershi. Të gjitha këto e të tjera të bënin t’i ikje vetes e të ndihesh fëmijë, që në gjirin e natyrës shuan etjen e përjetshme.

Lini është një parajsë, në çdo cm katror të sipërfaqes së tij, por edhe për njerëzit e qeshur, të sjellshëm, punëtorë, modestë e mikpritës, ashtu siç historikisht punohet dhe jetohet bukur, duke arshivuar dhe faqosur përherë copëzat e jetës, të gëzimit, të dhimbjes e fatkeqësive. Sa më shumë që i afrohemi Linit dhe liqenit, aq më joshës bëhej ajri, që sikur e zbut të nxehtin e verës. Nuk ngopesh duke parë liqenin me llastimet lozonjare të valëve që përkëdhelin bregun, si një melodi më vete. Humb në këtë botë të së gjallës, humb në pasqyrën madhështore të liqenit dhe dukurisë tërheqëse të ujit, që shndërrohej aq shpejt nga e purpurt në të kaltër, nga e gjelbër në të përhimtë prej qiellit. Vështrimi kap varkat si të përgjumura në breg, që të kujtojnë arratisjen e atyre pak pogradecarëve në vitet e diktaturës.

Qëndron një çast me vështrimin mbi atë masiv të ujtë, që shfaqej tej kallamishteve me heshtjen e gjallesave natyrore. Liqeni të flladit me ajrin e pastër dhe aromën e tij, të josh e të bën për vete. Banorët janë munduar ta mbrojnë, ta kultivojnë dhe herë pas here ta ledhatojnë, duke e parë gjithmonë si një foshnjë që kërkon përkujdesje. Kupton lidhjen e fortë që ka njeriu me ujin në tërësi, si burim jetëdhënës. Dhe shkon përtej pikëpamjeve gjuhësore. Banorëve u pëlqen ta emërtojnë “gjoli “, duke ruajtur autoktoninë e vjetër shqipe edhe pse në poezi Lazgushi i thotë liqer. E normalisht, nëse thua “liqeri” të vjen ndërmend gurgullima e fjalëve të tij magjike dhe sintagmat lidhëse, që të bëjnë të përjetosh fëshfërimën e pemëve, përplasjen e dallgëve në breg, mjellmat dhe këngën e Nositit.

Hyjmë në Lin. Ecën në rrugën e ngushtë përmes shtëpive të vendosura në radhë. Rruga ka lëvizje që dëshmon se Lini ka vizitorë, çka e bëjnë të frekuentohet për burimet e panumërta të kënaqësive për pushuesit. Pushtohesh nga ndjesia e soditjes së arkitekturë ndërtimore popullore shqiptare, të lulëzuar me shumëllojshmëri lulesh e pemësh. Vështrojmë liqenin, ngjyrat, aromat, bukuritë, tingujt: një tablo të rrallë, një copë jete që të fton, si shami të bardha mikëpritëse, ku dallohen tabelat e emërtimeve të bujtinave, bareve, shtëpive që janë shkruar thjeshtë e bukur sipas mbiemrave, toponomastikës apo dukurive të tij.   

Dëgjon lehje qensh, kakarisje pulash, këngën e gjelit krekosur në një vend të lartë, shikoj pulbardhat duke qëmtuar  peshqit, tufat e rosave të bardha, si zambakë uji, që notojnë hareshëm, duke të sjellë në mendje peizazhet e Vangjush Mios; blegërima qengjash e kecash, të qeshurat me shpirt e vajzave kur djemtë i tregojnë me këmbë e duar historitë e bukura. Në majën e kupolës së praruar të kishës së Shën-Varvarës, kënga e mjelmave dhe kërcitjet e sqepave të tyre e shtonin simfoninë e tingujve të kambanës. Shpirti të humbet në mistikën e saj e të bëhet se dëgjon zëra shënjtorësh që zbukurojnë muret.

Nëpër takime mrekullohesh me mikëpritjen e vendasve, zejen e peshkatarit, talentin e shërbesës nga turizmi familjar, pastërtinë dhe nikoqirllëkun e amvisave. Njeriu në çdo kohë krijon brenda mundësive kushte për një jetë normale dhe elementët bazë të jetës janë, banesa, uji, ushqimi, rruga dhe mundësia e lëvizjes dhe e jetesës me hapin e kohës në shoqëri.  Nuk di çfarë të sjell më parë nga bisedat me njerëzit paqësorë e të mirë të Linit, që e duam jetën, që përcjellin pozitivitet me buzëqeshjen, me qytetarinë dhe fjalën e ngrohtë. Mes atyre njerëzve të mirë vërtetë ndihesh i mbështjellë me respekt, besim e miqësi.

Pak e nga pak, biseda me Naim Bicjen dhe Roland Sulollarin hyri në hullinë e punës dhe shqetësimeve të përditshme. Ata të rrëfejnë histori, që ndonjëherë janë aq të fisme, sa mund t’i mbash gjatë në mëndje, si stoli me cipë magjike të Linit në shekuj. Banorët e Linit për të siguruar takimet e tyre me perëndinë kishin ngritur shtatë kisha. Mirëpo, fati i keq e deshi që, diktatura i shkatërroi edhe më të bukurën, kishën Paleokristiane të Shën-Nikollës, me simbole mitike, që besohet se dikur dritën e perëndisë e shpërndante në pasqyrën e liqenit, por edhe i bekonte peshkatarët të nxirrnin peshk në liqen nga rrjetat, ndaj dhe i faleshin shenjtërisht; aty edhe vinin kurora, martoheshin dhe më pas lindnin fëmijë të bukur. Ato janë edhe sot dëshmi e gjallë e një jete aktive, të bekuar nga Zoti.  

Fshehur mes kodrës gadishull, me formacione shkëmbore të veshura me drurë dhe shkurre, hyn në magjepsjen e një kulti të rrënuar (Bazilika Paleokristiane të Shën-Nikollës), që ruan një mozaik të veçantë, të thurur me copëza të vogla gurësh mermeri e tulla të kuqe gjithë ngjyra. Mozaiku i përket shekullit IV-V, në periudhën e sundimit të Perandorit Romak Justiniani. Mozaiku rrethohej nga një kornizë e vogël dhe pasqyron zogj, peshq, bletë e dominues motivin e pjergullës së hardhisë me një kupë vere, këto simbole të jetës dhe civilizimit të lashtë të ilirëve.   

Nisëm shëtitjen në liqen me një varkë të drunjtë, në njërën anë uji i kristaltë, ngjyer me një blu hyjnore, ndërsa në krahun tjetër shkëmbi, lartësia e tij shtypëse. Dielli reflektonte në ujrat e pastra, duke i dhënë peizazhit magjinë e artë të dritës. Ngjyra e ujit të liqenit është e gjelbërt si ulliri, ndërsa sa më shumë të futesh në brendësi të liqenit, uji bëhet më i kaltër si një qielli i pastër. Diku laheshin disa pushues. Notonin zhurmshëm, duke ngritur stërkalat uji qelibar, që shndrisnin si vesë, në rrezet e diellta. Vajzat, ato çamarroke si shtojzovalle dalin nga liqeni. Unë dhe admiruesit e këtij peizazhi, të ulur në tavolinat e bujtinës, buzë liqenit shijojmë një drekë të shijshme, të shtruara me verën, “gjakun e krishtit”, apo rakinë, këtë lëng të bekuar dhe peshk të freskët të sapo gatuar.

U largova nga Lini i dehur, por nuk e di nga se. Nga vera apo mjelmat, si në vargjet e Lasgush Poradecit. Bukuria dhe magjia janë atje. Nga lindja e diellit deri në perëndim. Peshkatarët nisen në liqen me varkat e tyre të vogla, si felluket ilire, herë vetëm fillikat e herë nga dy a tre, me pllaquritjet në liqen sikur kërcejnë një vals në muzg.