E diele, 25.09.2022, 12:02 AM (GMT+1)

Editorial

Ramiz Lushaj: Serbia e Vuçiçit e Daçiçit po don me e kthye Luginën e Preshevës në një “Sanxhak të Dytë”

E diele, 03.07.2022, 09:09 PM


Serbia e Vuçiçit e Daçiçit po don me e kthye Luginën e Preshevës në një “Sanxhak të Dytë”

-Përballja e pestë e 30 qershorit në Tërnoc të Madh në mes Shaip Kamberit e Ivica Daçiçit nuk është vetëm përballje elektorale për një ulëse (vend) në Kuvendin Popullor të Serbisë, por gjithçka ma shumë e ma tepër: është një përballje titanike e shqiptarëve me Doktrinat e Shenjta Serbe; për me e sigurue përfaqësimin e shqiptarëve në Kuvendin e Serbisë përballë demokracisë së deformuar keqas në Serbi; për me e mbrojt Luginën e Preshevës mos me u kthye në një “Sanxhak të Dytë” nën Serbi-

Nga Ramiz LUSHAJ

1.

Serbia, edhe kësaj here, e ka shënue një rekord tjetër të zi në serialin e të zezave të saj ndaj shqiptarëve, një rekord të papamë në historinë politike të saj, të Ballkanit, të Europës e të botës: votohet për herë të pestë për deputet në Tërnocin shqiptar, në lokalitetin ma të madh të komunës shqiptare të Bujanocit.

Përballë njani-tjetrit janë shqiptari i madh, Shaip Kamberi, deputeti popullor i legjislaturës së fundit në Kuvendin e Serbisë, kryetar i Partisë shqiptare për Veprim Demokratik (PVD) dhe Ivica Daçiç, kryetar i Partisë Socialiste të Serbisë (SPS), aktualisht dhe Kryetar i Kuvendit Popullor të Serbisë, që e ka aty kandidatin e vet elektoral, të cilin me forcën e të gjitha pushteteve të tij e të Serbisë shtet, me të gjitha mënyrat e mjetet ma antidemokratike të Serbisë së Pashiqëve e Millosheviçëve po don me e ba gjithsesi e gjithqysh deputet të tij, andaj nesër, të enjten, prej nga Elektoriada e 3 prillit 2022 do të votohet për herë të pestë në Tërnocin e Madh.

Përballë njani-tjetrit janë 58 vjeçari shqiptar Shaip Kamberi që ka 58 shekuj trojenik shqiptar, djalë e burrështetas i Tërnocit të Madh dhe Luginës trekomunëshe të Preshevës dhe antishqiptari i përbetuar Daçiçi me partinë e tij 30-vjeçare që ka tre shekuj kalendarik si mishërues e zbatues i “Doktrinave të Shenjta Serbe” kundër shqiptarëve (me copëtime territorial të Shqipërisë, me gjenocid, asimilim e spastrim etnik, me përçarje fetare) prej nga princi serb i pushkës, i penës, i pushtetit, Millosh Obranoviq, nga Ilija Grashanini i “Naçetanjës” mbi zhdukjen e shqiptarëve, nga akademiku, politikani e historiani Vaso Çubrolloviq (që vdiq sokohe kur lindi partia e Daçiçit), nga diplomati e shkrimtari Ivo Androviq, nobelist në letërsi (libra të të cilit i mbante nën jastekun e gjumit), deri tek Millosheviçi (sherbestar karierist e servil i tij, në gjithçka e në të gjitha detyrat, derisa e quajten edhe “Slloboja i vogël”).

Doktrina e Shenjtë Serbe e tre shekujve, nga princi serb Obrenoviq e deri tek kryeparlamentari Daçiç me të Tijët, vazhdimon me pasivizimin e adresave në trekomunat shqiptare, me futje të ndasive e përçarjeve politike partiake si në 3 prillin 2022 për në Kuvendin e Serbisë dhe shkarkimi e uzurpimi i kryesimit të komunës së Preshevës, me mospunësimet e shqiptarëve sipas ligjeve në fuqi duke pasë diskriminim politik e racial përballë serbëve të ardhur e rezidentë në trekomunishin etnikisht shqiptar, etj.

Kësaj here, në Ternocin e Madh kemi të bëjmë me një çështje tejet të madhe: fitorja e Shaip Kamberit për deputet është një tjetër fitore e shqiptarëve kundër Doktrinave të Shenjta Serbe, që përfaqësohen gjithanshmërisht e pandashmërisht tek kryesocialisti e kryeparlamentari serb, Ivica Daçiç, i cili në çdo detyrë të tij të lartë shtetërore, si Ministër i Informacionit, dy herë Ministër i Jashtëm, Zv/Kryeministër e Kryeministër apo, tashti, Kryetar i Kuvendit të Serbisë, deklarohet e veprimtaron kundër Kosovës, kundër Shqiptarëve nën Serbi, kundër Shqiptarëve atdhetarë në Europë e Amerikë.

Nëse ndodh humbja e Shqiptarëve në Tërnoc të Madh, nëse nuk sigurohen mbi 610 vota për deputet për shqiptarin atdhetar Shaip Kamberi, atëhere do të kemi fitoren e Doktrinave të Shenjta Serbe, të cilat Daçiçi i Beogradit, së bashku me “Dy Aleksandar e rinj të Serbisë”, me Vuçiçin e ish-Ministrin e Mbrojtjes e tashti Ministër i Brendshëm, Vulinin, përbajnë “banden politike treshe” kundër shqiptarëve etnikë në trekomunshin e Luginës dhe në Kosovë, Sanxhak etj.

Tërnoci i Madh është i Madh se me 30 qershor 2022 ka me fitue kundër Doktrinave të Shenjta Serbe, kundër këtyre doktrinave antishqiptare, ka me votue për birin e vet për deputet në Kuvendin e Serbisë.

2.

Njeriu i të gjitha pushteteve e gjithë atyneve pushtlleqeve në Serbi e në politika të saj sllave e ndërkombëtare, Ivica Daçiç, ky skuth politik e diplomatik i Serbisë, ky “buçko” në adoloshencën e tij, i thirrun “Slloboja i vogël” qyshce në rininë e tij politike, kërkon me çdo kusht e mjet ta shtrijnë pushtetin e tij politik, partiak, administrative në të gjithë Serbinë Jugore, në të gjithë kufinin me Kosovën dardane.

Kjo duket ashiqare në marrjen e kryesimit të komunave në distrikte/qarqe në Serbinë Jugore, ku përfshihet edhe Lugina e Preshevës me tri komunat e saj, nga të cilat në komunën e Medvegjës (564 km2) e kryetarin e saj nga Partia Socialiste Serbe e Daçiçit, ku edhe shqiptarët i kanë problematikat ma të mëdha, i kanë çpopullimet më të mëdha, etj. etj. Pra, historikisht e aktualisht, Daçiçi është fitues 2 me 1 ndaj Shqiptarëve në Luginën e Preshevës, sepse e ka “të veten” Medvegjën në Qarkun e Jabllanicës, por në ardhmëri synimon ti marrin edhe dy komunat e tjera në Qarkun e Pçinjës, komunat e Preshevës e Bujanocit. Me 2 prill 2022 ia morën Luginës tre deputetët shqiptarë e, tashti, në raund të pestë elektoral, nuk po duan me e lejimue daljen deputet të të vetmit shqiptar në Kuvendin Popullor të Serbisë.

Daçiç është i rrezikshëm në pushtet e për çdo pushtet, është i rrezikshëm për çdo shqiptar, edhe kur ata përballen me Gjuhën Shqipe e Flamurin Kombëtar Shqiptar deri në Kuvendin e Serbisë si Shaip Kamberi, edhe për ata politikanë minorance në Luginë, të partive të vogla që i banë një dam të madh Shqiptarisë me mosbashkim në një koalicon të vetëm zgjedhor, që votuan keqas për Vuçiçin President të Serbisë, etj., është i rrezikshëm edhe për një fëmijë të porsa lindur në Prizren, edhe për çdo luftëtarë e invalid shqiptarë të Qarkut të Kukësit, pjesmarrës në Luftën e fundit në Kosovë.

Daçiçi don të jetë “buçko” e të bëhet “Sllobo” edhe në pushtetin lokal në Serbinë Jugore. Në Qarkun e Pçinjës, ku përfshihen administravisht edhe Preshevë e Bujanoc, i ka marrë dy komuna nga 6 gjithsejt, si atë të Surdulicës e të Vranjës, dy ma të mëdhatë e ma kryesoret. Në Qarkun e Jabllanicës nga 6 komuna i ka marrë 3 prej tyre: Medvegjë, Leskovac e Lebona. Në Qarkun e Nisavës nga 6 komuna i ka marrë 5 prej tyre. Në Qarkun Pirot nga 3 komuna i ka marrë 2 prej tyre. Në Qarkun e Borit nga 3 komuna e ka marrë  1 prej tyre. Në Qarkun e Toplicës i ka marrë të gjitha, të tri komunat. Edhe në Qarkun e Zajeçarit i ka marrë të gjitha, të katër komunat.

Pra, Ivica Daçiç, kryesocialist e kryeparlamentar i Serbisë, është mbisundues në pushtetin lokal në të gjithë Serbinë Jugore, në shumicën e komunave, në të gjitha trevat etnike shqiptare të Sanxhakut të Nishit, edhe në disa komuna në kufi me Kosovën dardane.

I ceka gjitha këto numeracione komunare elektorale në Serbinë Jugore për të dëshmuar para shqiptarëve të Tërnocit të Madh e para gjithë shqiptarëve të botës se sa i rrezikshëm është për shqiptarët një antishqiptar i përbetuar e i dëshmuar, si Ivica Daçiç, që “kurvëron” politikisht ku ti jepet rasti për karieren e tij, për pushtetet e tij.

Pikërisht për servilizmat e tij jargavane, për skuthlleqet politike, për dredhinat nga floku i kokës deri tek gishti i vogël i kambës së majtë të tij, për karrierizmin e tij pa okë e cak, për të gjitha këto, gruaja e Sllobodan Millosheviqit e kishte inat deri në kulm “Sllobon e vogël” se mos ia zinte vendin “Sllobos së Madh”, ndaj me të vetët në shtet e çonte në detyra periferike politike, larg tapetave të kuq të politikës së madhe.

Me 30 qershorin e sivjetëm ka ardhë koha fatmirë e fatlume që për herë të pestë të gjithë shqiptarët e Tërnocit të Madh, si në vendlindje, në Kosovë e kudo tjetër në botë, të bashkimohen tek kutitë e votimit duke i dhanë një “fshesë politike” edhe ma të randë e ma të ashpër se vet gruaja e , këtij “Sllobo të Vogël” të Beogradit, pjesë e “Bandës Politike” Antishqiptare së bashku me Dy Aleksandrat: Vuçiç e Vulin.

Me 30 qershor ka ardhë dita dhe ka mbrri koha o sot o kurrë. me dorë të Zotit e të shqiptarëve atdhedashës, për me e fut në “rreth të kuq” Daçiçin antishqiptar të Beogradit, siç ia pati ba dikur Bashkimi Europian që e shpalli “Non Grata” duke mos e lejue me hy përkohor në bashkësinë e kancelaritë e Bashkimit Europian.

3.

Kryesocialisti Daçiç në Zgjedhjet e 3 prillit 2022 doli në vend të tretë me koalicionin e trepartiak, duke marrë vetëm 32 deputetë si koalicion dhe vetëm 23 deputetë si Parti Socialiste e Serbisë.

Në rast se Daçiçi do të ketë një deputet ma pak si parti apo koalicion, pas humbjes së pritshme në Tërnoc të Madh, nuk fiton dhe as nuk humbet asgja në tabelen elektorale paszgjedhore, sepse as nuk bie në vendin e katërt, sepse duhet të ketë 17 deputetë ma pak, po as nuk mund të ngjitet në vend të dytë, siç ishte para 3 prillit 2022, sepse i duhen edhe 6 deputetë.

Atëherë çka don Daçiçi i faqes së zezë, që don me ua nxi jetën shqiptarëve të Luginës së Preshevës e Sanxhakut e kudo tjetër, që po e kërkon këtë duel politik e elektoral me shqiptarin e shquar Shaip Kamberi i Tërnocit të Madh, i Bujanocit, i Luginës së Preshevës e Kombit Shqiptar?!

Daçiçi aq ma pak e as ma shumë nuk don nga Tërnoci i Madh veç “kokën politike” të djalit të Tërnocit të Madh.

Ne kena ba mjaft beteja luftarake të përgjakshme në historinë tonë shumëshekullore “duke dhanë koka në tepsi” për Beograd, Stamboll, Çetinë, ndaj nuk është koha e as vendi, nuk është mënyra e mundshme, nuk lejon Tërnoci i Madh me ia dhanë “kokën” e Shaip Kamberit një antishqiptari të përjetshëm si Ivica Daçiçit.

Mjaft na e morën tradhtisht, na e vranë pabesisht njëzet vjetë ma parë, (24 maj 2001) snajperistat serbo-sllavë të kohës së Millosheviçit e Daçiçit, liderin ushtarak, Ridvan Qazimin “Komandant Lleshin”, ndaj nuk kemi “koka” as “për të prerë” për Daçiçat e as për të falur për Aleksandrat e sotëm të Serbisë edhe në kohë paqeje, nëpër elektoriada të tilla, se na u kanë deshtë nja tre dekada me e rritë e me ngritë një figurë politike shqiptare e për shqiptarët, politikanin e përmasave kombëtare shqiptare, Shaip Kamberin.

4.

Ajo çka don Daçiçi i Beogradit në të pestën elektoriadë në Tërnoc të Madh të Bujanocit ka të bëjnë me një fakt të ditun, të dhimshëm, të papranueshëm:

Nuk duan Zërin Shqiptar në Kuvendin Popullor të Serbisë.

Nuk don asnjë deputet shqiptar në Kuvendin e Serbisë, e aq ma tepër një deputet shqiptar, politikan atdhetar, si Shaip Kamberi ynë.

Mos prania e shqiptarit Shaip Kamberi, i të vetmit shqiptar në Kuvendin e Serbisë, dëshmon se Kuvendi i sotëm i Serbisë nuk asht popullor, siç titullimohet e keqbesohet, sepse prej 3 prillit 2019 aty nuk përfaqësohen me deputetët e tyre të gjithë popujt në Republikën e Serbisë.

Aty përfaqësohen Hungarezët e Vojvodinës. Aty përfaqësohen Kroatët e Vojvodinës. Aty përfaqësohen Boshnjakët e Sanxhakut.

E, aty, deri më tash, me 29 qershor 2022, nuk përfaqësohen Shqiptarët e Luginës së Preshevës (Bujanoc, Preshevë e Medvegjë) dhe në Sanxhak, Beograd, Vojvodinë e kudo tjetër në Republikën e Serbisë.

Kjo duhet të jetë alarmante për Bashkimin Europian, për OSCE, për Këshillin e Europës, për SHBA, sepse Serbia “Dashnorja e përhershme e Perëndimit” nuk duhet të lejohet të japin leksione demokracie lideri i saj, Vuçiç në foltoret e larta të Bashkimit Europian si në qershorin e sivjetëm në Bruksel, e asnjëherë tjetër, e askund tjetër, kur ka një Parlament që nuk përfaqësohet prej të gjithë popujve të shtetit të vet, prej Shqiptarëve etnikë, tashma pakicë nën Serbi, sepse nuk dashkan Daçiçt e Beogradit, sepse kështu duan Dy Aleksandrat e Serbisë!

Kjo gjendje, kjo situatë, duhet të marrin fund, duhet ti jepet përgjigje trimërie e demokracie nga vet Tërnoci i Madh, pikërisht me 30 qershor 2022, duke e zgjedhë birin e tyre të nderuar, Shaip Kamberin - deputet në Kuvendin e Serbisë.

5.

Perëndimi ka përgjegjësi të larta e të mëdha për gjendjen e sotme të Luginës së Preshevës (në tre komunat e saj) dhe për të Sanxhakut (me gjashtë komunat e saj: Novi-Pazar, Tutin, Sjenicë, Prijepolje, Nova Varosh, Priboj), ku në legjislaturën e kaluar (21 korrik 2020-3 prill 2022) i lejojë Serbisë një demokraci të deformuar, tejet të deformuar, një autokraci të tepërt, të tepruar, i përkdheli padenjësisht Daçiçin e Beogradit e Dy Aleksandrat e Serbisë: Vuçiçin e Vulinin, edhe kur këta iu vërsulen me gjithfarë sulmesh Luginës së Presheëvës e Sanxhakut nën Serbi dhe shtetit të ri të Kosovës etj. derisa edhe median tonë panshqiptare e ndërballkanike, “Gazeta e Alpeve”, teksa shkonte e paketuar për në Gjermani, me 24 tetor 2021, i versulen me thika e shqelma në PKK në Hogoshtit mes Serbisë e Hungarisë apo drejtorin e “Gazeta e Alpeve” për Sanxhak e kryetar i Shoqatës “Kosova për Sanxhakun”, studiuesin e gazetarin e njohur Ismet Azizi, u ndalua me 27 qershor 2022 nga policia kufitare serbe në Bërnjak dhe u mor në pyetje nga njësiti për terrorizëm, i stacionit policor të Novi Pazarit!

Perëndimi ka përgjegjësi të pafalshme pasi për dy vite i lejoi Serbisë që të jepte leksione demokracie në Europë e Amerikë dhe gjithandej nëpër botë, ndërkohë që Kuvendi i Serbisë me 250 vende (ulëse) kishte një opozitë parlamentare me 6 deputetë shqiptarë të Luginës së Preshevës e boshnjakë të Sanxhakut (përndryshe: edhe shqiptarë të boshnjakëzuar), të cilët për fat të mirë e kishin njohur të gjashtët edhe Pavarësisnë e Kosovës.

Një rast i tillë politik parlamentar ku Parlamenti me 250 deputetë të ketë një opozitë të vetme parlamentare me 6 deputetë të dy etnive, popuj në pakicë popullsie, ndoshta nuk ka ndodhë në të gjithë historinë e Europës plakë apo të re, të Europës së Versajës apo Brukselit etj.!

Po, kjo opozitë e vetme, duke qënë e tillë, kishte hapësirat e saj më të mëdha në Kuvendin Popullor të Serbisë, çka iu jepte mundësira për të ngritë problematikat e veta të Luginës së Preshevës e të Sanxhakut, sikurse edhe i gjithë Kuvendi i Serbisë, me Daçiçët e Aleksandrat e Serbisë, iu kundërvunë për t’i shkatërruar si Grup Parlamentar, që të mos jenë Opozitë e Daçiçit e Vuçiçit, që të mos kemi rizgjim, integrime e zhvillime ekonomiko-sociale të Luginës e Preshevës e Sanxhakut, që janë nga zonat ma të varfra në globin e sotëm tokësor.

Ia arritën Daçiçët e Beogradit e Aleksandrat e Serbisë: nga 3 deputetë në Luginën e Preshevës nga Partia e Shaip Kamberit në koalicion tashti do të ketë vetëm një deputet shqiptar nga zgjedhjet e nesërme në Tërnocin e Madh; nga 3 deputetë të Partisë SDA të Sanxhakut e Ugljaninit fituan vetëm 2 prej tyre: në Novi Pazar e në Tutin.

Pra, sivjet, deri më 30 qershor 2022 kemi vetëm dy deputetë nga ky Grup i Opozitës së kaluar, e, pas ditës së nesërme, do të jenë 3 deputetë, me Shaip Kamberin, që zgjedhja e tij është një shërbim i shquar kombëtar shqiptar.

Po çështja është ndryshe: Serbia e Vuçiçit, e Daçiçt, e Vulinit, po don me e kthye Luginën e Preshevës me tri komunat e saj në një “Sanxhak të Dytë”, në një “Sanxhak të ri”, ku shqiptarët të mos mbetën shqiptarë, por të sanxhakizohen prej Beogradit shovinist. Gjithçka ka minuse për shqiptarët nga përvoja e keqe e Sanxhakut po duan me i përcjellë në Luginën e Preshevës, politikanët serbë të tipit të Daçiçit, si asimilimi i shqiptarëve, shpërngulja e shqiptareve, ndarja e shqiptarëve në dy koalicione elektorale (siç ngjau në Zgjedhjet Parlamentare të 3 prillit 2022), në konceptimin e komunës së Preshevës si të ishte “kështjellë mesjetare” për pushtime politike partiake, etj.

E, për të mos e harrue, e - për ta theksue fort e ma fort, iu bajmë me dije faktin e njohur se shef i Grupit Parlamentar Lugina e Bashkuar dhe SDA Sanxhak në Kuvendin Popullor të Serbisë, ishte politikani i mirënjohur Shaip Kamberi i Tërnocit të Madh, i Bujanocit, i Luginës së Preshevës e Sanxhakut, i Kombit Shqiptar. Daçiçët e Vuçiçët, së bashku me Vulinët e Ministrisë së Brendshme, ban çka s’ban, si askush në botë, si asnjë tjetër mbi tokë, duke luftimue me çka munden, kur mundem e ku munden, për mos me dalë deputet Sahip Kamberi, ndaj u banë pesë votime elektorale, tuj e rendime edhe këtë të 30 qershorit.

Shaip Kamberi e ka nderue Tërnocin e Madh e krejt Luginën e Preshevës me Sanxhak, me Kosovë e Shqipëri, me krejt Shqiptari, duke mbajtë qëndrime që dënojnë krimet e Luftës së Serbisë, mohimin e të drejtave të shqiptarëve aktualisht nën Serbi dhe ka folun shqip në Kuvend kur i denoncoi këto qëndrime të institucioneve të Serbisë.

Tani është koha fatlume e dita finale që Tërnoci i Madh të ritregohet përseri i Madh në këtë Betejë të Madhe, duke votuar masivisht e tanësisht për deputet djalin e vet trojenik, Shaip Kamberin, duke nderuar edhe Vetveten e krejt Shqiptarinë nga Australia në Amerikë.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora