Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Fritz Radovani: Don Jak Bushati

| E shtune, 02.07.2022, 09:23 PM |


Nga Fritz RADOVANI:

Pjesa Nr. 43, Zamak i Flamurit Kastriotit…

DON JAK BUSHATI

Jak Kolë Bushati asht le në Shkoder me 8 Gusht 1890. Nga dukumentacioni i ruejtun shihet kjartë origjina e Familjes së Tij qytetare Shkodrane.

Jaku nga vllau i madh Filipi merr me andje dëshiren per shkollim dhe, tue Ju kushtue thirrjes shpirtnore hyn në shkollen Françeskane të Shkodres.

Asht nder studentat që bije në sy per perkushtim dhe sjellje shembullore.

Rregjistrohet në Seminarin papnuer në Shkoder ku, në vitin 1909 dhe, i ka perfundue studimet e nalta si Meshtar shekullar në Maji 1915, plot 25 vjeç.

Fillon detyren meshtarake në Abacinë e Mirditës, në Nderfanë, një krahinë shumë e vorfen, me zakone tipike të egra të Mirditës, ku Meshtari i ri në një periudhë të shkurtë njifet me boten e tyne të panjoftun, kryesisht në lidhje me gjakmarrjen dhe vrasjet shpesh edhe të dhunëshme, ku me guxim dhe një perkushtim të veçantë shpesh me rrezik koke, zbaton detyren e vet.

Njohja e gjendjes ekonomike e shtynë per zbatimin e dy veprave të mëdha e sidoemos per kohen mbeten historike: Ngritja e një Kishe të bukur në Gëziq dhe, hapja e një shkolle në vitin 1936, dy vepra të perjetëshme që e daltojnë emnin e Nderuem të Don Jak Bushatit në Historinë e Lavdishme Shqiptare.

Duhet theksue se Kleri Katolik Shqiptar kudo që ka vue kamben e zbathun, kishte parim kryesor dhe detyrë shpirtnore formimin kulturor të vendasve, gja që fatkeqësisht pushtimi sllavokomunist ka punue dhe punon gjithnjë per fshimjen e atyne fakteve të pamohueshme nder shekuj të shekujve. Asht fakt moszanja në gojë e Shkollës së Shirokës nga Don Zef Ashta në 1874.

Don Jak Bushati në vitin 1946 transferohet në Kallmet të Zadrimës, fshat ma i mirë nga gjendja ekonomike, por i mbikqyrun dhe i kontrolluem nga Sigurimi shtetit shumë ma teper se zonat tjera të Zadrimës. E nuk duhet të harrojmë asnjëherë se bahet fjalë per vitin 1946, viti i mnershem kur Kleri Katolik Shqiptar masakrohet si asnjëherë në historinë e Tij Dymijvjeçare.

Ishte muej Prill 1949 kur, Don Jak Bushati arrestohet nga Sigurimi i shtetit komunist dhe prej Dosjes Tij shenohet nga studjuesi Dr. Pjeter Pepa akuza: “Në materialet arkivore ndodhen dokumentat se Don Jak Bushati në disa procese del se ka qenë prift. Në kishen e tij janë organizuar mbledhje...”

E, si gjithnjë vazhdon hetuesia me shpikjet e saja per zhdukjen e Don Jakut.

At Aleks Baqli ka tregue se Don Jaku merrej në pyetje disa herë në ditë dhe kthehej në birucen e Tij i pergjakun në gjendje kome. I kerkohej të mohonte Krishtin, dhe se eprorët i kerkonin organizim veprash kunder pushtetit. Ai jo vetem nuk i pranonte po dhe i mohonte si shpifje të paverteta kunder Tij.

Dosja e Don Jak Bushatit duhet studjue per të pa si u masakrue Ky Klerik?

E kanë lanë të varun per shpatullash nder trenat e hetuesisë me disa ditë.

Në trupin e Tij kanë provue me ngulë gozhda të skuquna derisa ftohen.

I kanë ngulë kunja pishe nder thonjët e gishtave per ditë të tana.

E kanë lanë pa ngranë dhe e rrahnin në kamxhik deri sa i gjakosej trupi.

Po, Don Jak Bushati kishte vendosë me vdekë Klerik i Vertetë i Fesë Krishtit e, per asnjë moment jo vetem s’u ligështue, po Besimi e forconte ma shumë.

Ishte fillimi i vitit 1949, kohë dimni dhe të ftohtit fortë, kur po në hetuesinë e Lezhës ishte i arrestuem dhe At Konrrad Gjolaj. Më ka tregue dy momente që At Konrradi i ka pa me sytë e Tij, kur po torturonin mizorisht Don Jakun që, n’ atë kohë aq të akullt, kur trupi nuk ju ngrohte me muej të tanë, kishin marrë të shkretin Prift në të 60 vjetë dhe, e kishin zhytë në ujë të pistë, në një podrum të hetuesisë, ku edhe dritaret ishin pa xhama. Trupi i Don Jakut ishte i zhytun deri nenstjetulla dhe duert’ e lidhuna mbrapa. Kjo torturë me Don Jakun vazhdonte me ditë e natë paasnjë ndërpremje, madje jo vetem i mungonte ushqimi, po edhe ujin e pinte të pistë. Nga ora 23.00 e natës, ate e merrnin policët dhe e dergonin në birucë, ku mbyllte pak orë sytë.

E, pa dalë drita rreth orës 6 të mengjesit e sillnin prap dhe ashtu të lidhun me hekra, e zhytnin prap në ujin e ndytë të podrumit hetuesisë. Koha kur Ate e rrahnin e torturonin në ndonjë zyre hetuesije, ishte koha që nuk ishte i zhytun në ujin e pistë. E kjo vazhdonte me muej të tanë panderpremje.

Shpesh, thonte At Konrradi, kam mendue me vete këte gja: “Ku ishte gjithë ajo urrejtje e mbledhun tek ata hetues kunder Don Jak Bushatit?!”

Asnjëherë s’ mujta me u perqendrue në një mendim që të më dukej i saktë!!

Kishin kalue ditë e muej, kur njëditë një polic disi ndryshej, m’u afrue tek biruca ime dhe më tha: “Don Jakun e nxorem nga uji të vdekun, ishte ngri nga të ftohtit dhe ka dhanë Shpirtë!!” Mu mbushen sytë me lot dhe u ula nder gjunjë dhe u luta per Shpirtin e Don Jakut, që me siguri ishte pranë Jezusit, per të cilin Ai edhe u flijue! E pashë kur kaluen me Trupin e Tij në korridor...Vazhdova me u lutë per Atë Burrë që vdiq: “Ushtar i Krishtit!

Don Jak Bushati asht kenë një Klerik Katolik, që vuejtja nuk e ka thye, po deri me 12 Shtator 1949, Ai ishte Zamak i Flamurit Kastrotit – Skenderbeut.

Melbourne, 1 Korrik 2022.