Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ndue Ukaj: Durim Taçi - Extra time

| E merkure, 29.06.2022, 07:43 PM |


Durim Taçi: Extra time

Nga Ndue Ukaj

Sa herë e lexoj ndonjë vepër të mirë, pyes veten: a ka kuptim të thuhet diçka përballë një universi magjik?

Mendimet kritike e teorike në këso raste më ngjajnë të shkreta, sepse, përballë gjallërisë së këtij libri, ose letërsisë së mirë, ato vërtet janë pajetë.

E ky libër ndonëse një rrëfim zie për vdekjen, ka në vetvete shumë jetë e gjallëri e jetë letrare.

A mjafton të thuhet se ky roman është një vepër e shkëlqyer letrare, që në mënyrë të shkëlqyer i gjen lidhjet mes jetës dhe letërsisë?

Dhe më vjen ndërmend shkrimtari im i dashur Garbiel Garcia Marquezi, i cili diku thotë:

"Në fiksion një fakt i vetëm që është i vërtetë i jep legjitimitet gjithë veprës."

Por çka nëse një vepër e tërë, si Extra Time është një kronikë jete e vërtetë. Ku faktet janë evidenca dhe personazhet krejt realë.

Përgjigje s' ka. Ka habi. Hulumtime në universin e veprës, ku jeta e vërtetë e shkruan veprën e vërtetë.

Pra, ky roman, në mënyrë të shkëlqyer i gjen këto lidhje, mes jetës e letërsisë, në fakt këto lidhje janë tronditjet që përjeton autori e të cilat i kujton nga një distancë kohore shtatëvjeçare, për të rrëfyer jetën e tij nëpër trajektoret e gëzimit e trishtimit, të jetës e vdekjes, nëpër episodet e së cilës ka tregime të shumta, personazhe, ku rrëfehet për transformimet politike në Shqipëri, trazirat, ikjet, absurditetet...dhe në epiqendër: vdekja tragjike e të birit, Atisit.

Autori me mjeshtri rrëfen në vetën e dytë, për të krijuar një distancë me dhimbjen e humbjes së birit, dhe në dritën e kujitimeve të tij, përshkruan ngjarjet e shumta të Shqipërisë, ku realiteti transfigurohet mjeshtrisht në fiksion.

Ky roman është një dramë e thellë njerëzore dhe si çdo dramë, të shtang, të trondit dhe njëkohësisht të jep forcë e guxim që të lundrosh në detet e trazuara të jetës, ku letërsia hulumton ekzistencën e thellë njerëzore.

Libri transmeton një dhimbje tronditëse, shkruar për shtatë ditë dhe këtu autori sikur i kthehet zanafillës së kohëve dhe krijon një botë për shtatë ditë, si Hyji në zanafillën e kohëve, dhe pas shtatë vjet zie, krijon një botë me bukuri, sfida, humbje, tragjedi, dhe në fund del i pamoplepsur.

Sepse, është extra time që vjen si kohë e përjetësisë, si ringjallje e përhershme, si miti i Atisit.

Porsa e përmbylla leximin e parë, sepse kjo vepër meriton të rilexohet, thashë me vete: Atisi ringjallet, e ka mundur vdekjen.