E shtune, 13.08.2022, 11:09 PM (GMT+1)

Mendime » Radovani

Fritz Radovani: Vdes prej torturash Don Ejëll Deda

E hene, 27.06.2022, 07:54 PM


Nga Fritz RADOVANI

Pjesa Nr.42. Zamak i Flamurit Kastriotit…

VDES  PREJ  TORTURASH DON  EJËLL  DEDA

“Kam ndigjue keq per komunistat, aq sa vetë Mehmet Shehu ka pi gjak njeriut.” - Don E. DEDA (1947)

Shpesh njeriu mbetet para një fotos tue mendue me vete: “Sa shumë i ka takue me kalue një popullit aq të vogel, sa ishte Populli i vuejtun Shqiptar!”

Don Ejëll Deda ishte djali i një familjes qytetare të Shkodres, i lemë me 23 Mars 1917. Shkollen fillore e kreu nder Freten, ndersa të mesmen n’ Jezuit.

Asht Shugurue meshtar me 24 Shkurt 1943, në kishen e Jezuitve nën kujdes të Don Mikel Koloqit. Meshen e parë e thotë në kishen Kathedrale Shkoder.

Emnohet famullitar në Bushat. Per fat studjuesi Pjeter Pepa ka lanë kujtime të sakta per Priftin e rij dhe të perkushtuem, në rrugen e vështirë të Tij.

Ishte vertetë i rij po shumë i përgatitun dhe me një oratori shumë terhjekse per besimtarët e asaj famulli, ku gjithnjë shquheshin klerikët e saj.

Shpesh besimtarët e këshillonin me pasë kujdes kur predikonte, se mos bije në sy të sigurimit dhe e arrestojnë dhe po mbeten pa Prift. Po Don Ejëlli i thonte i lutem Zotit, që të mos rreshtohej në burgje me të martirizuemit, dhe të vujtunit e, sa per Famullinë e Tij do të mendonte Zoti. Në fakt kishte ra në sy si antikomunist, po tue kenë prift dhe predikatar i mirë, sa vinte dhe vështirsohej gjendja e Tij, mbasi sigurimi atë detyrë kishte faj e pafaj: Vumje prangash dhe formime akuzash ku ishin ma të rrebtat per klerin.

Arrestohet me 12 Nandor 1947 dhe provon turturat ma mizore të sigurimit kriminal e vrastar të diktatorve barbar të Shqipnisë “porsa të çliruar”!!

Hapet “Dosja 7327” nga hetuesi i njohun Ali Xhunga, masakrues i njohun.

Fillon deponimet Don Ejëlli nga shkollat e perfundueme dhe idea që i ishte formue per komunizmin, kur kishte ndigjue që Mehmet Shehu ka pi gjakun e njeriut. Tregoi keqardhjen per mbylljen e Revistave fetare e perndjekjen e klerit pafajshem Katolik. Flet edhe per diktaturen ruse që asht në pushtetin e qeverisjes shqiptare. Tregon edhe një ngjarje të disa fshatarve që ishin aso kohe në mendimin e arratisjes, po nuk ishte takue prej kohësh me ata.

Aspirant Ali Xhunga tregon edhe inventarin e pasunisë gjetun tek qela e Tij.

Kryesisht në dosjen e Don Ejllit bie në sy perpjekja e hetuesit Ali Xhunga, që me lidhë Don Ejllin me Organizatën “Bashkimi Shqiptar” të Shkodres. Ajo që randon procesin e Don Ejllit asht akuza se: Gjoja ka nxitë grupin politik të Bushatit, me dalë nder male dhe nën drejtimin e Vlash Çunit, me luftue kunder pushtetit popullor bashkë me një grup të paknaqun fshatarësh. Kur shperthej Lëvizja e P0stribës nuk kam dijtë gja, e mora vesht nga populli.

Po ashtu, edhe mbas pak kohe kur flitej se tek Kisha e Fretenve janë gjetë nën elterë armë e dokumenta, unë nuk e kam besue ate ngjarje. Ky klerikë shenohet në proces nga Ali Xhunga, ka pasë lidhje edhe me Dom Tom Lacen me të cilin, kanë organizue simbas udhzimeve të marruna nga naltë, luftë të armatusun kunder Pushtetit. Don Ejlli asht organizator i kësaj Lëvizje.

Në Proces verbalin e gjykatës shenohet: Prokuroria Publike e Prefekturës së Shkodres, me aktakuzen e saj nr. 8, (datë s’ka) i solli kësaj gjykatë aktet hetimore të rrjedhura kundra të pandehurit Dom Ejëll Deda, nga Shkodra dhe banues në Bushat, famullitar i këtij fshati, per fajin se: Si klerik ka punuar vazhdimisht per të përgatitur terrenin per okupimin e vendi tonë nga fashizmi. Gjatë luftës ka propaganduar kunder Lëvizjes N. Çl., duke e paraqitur komunizmin si të pafe e komunistët si njerëz që pijnë gjak njeriu.

Mbas çlirimit, tue fillue nga lidhjet me Organizaten “Bashkimi Shqiptar” e, tue vazhdue procesi si masiper, mbyllet tue paraqitë vetë Dom Ejëll Deden, si organizator i grupit antikomunist, per me rrëzue pushtetin popullor. Në famullinë e Tij shenohet se edhe ka propaganduar tek fshatarët t’ arratisen.

Trupi Gjykues i përberë nga kryetar: Kapiten II Pertef Alizoti, anëtarë toger Basri Idrizi e Anastas Koroveshi, në prani të prokurorit Qemal Llazani, solli të pandehurin nga burgu, u pyet dhe tha se, quhej Dom Ejëll Deda, i biri i të Ndjerit Gjon dhe i Drandes, vjeç 30, i lindun në Shkoder e banues në Bushat me shkollë të naltë teologjike. I arrestuem me daten 12 Nandor 1947. U pyet per akuzen dhe tha: Studimet e nalta i kam krye në vitin 1943 në Shkoder e u emnova në Bushat. Nuk më ka ardhë mirë per pushtimin nga Italia. Unë e kam urrye Lëvizjen N. Çl., e nuk doja të vinin ata në qeverisje t’ Shqipnisë.

Vendim i Gjykatës:

Persëritet edhe njëherë materiali i përgatitun nga Aspirant Ali Xhunga. 

Ai shenon: “Sado që i pandehuri Dom Ejëll Deda u mundua të mohojë të vertetën. Kjo provohet nga atribuimet që i bëjnë njeritjetrit.” (Dosja 7327)

“E verteta” nder dosjet e Sigurimit ishte vetem ajo që shkruente hetuesi ose prokurori dhe, që merrej per bazë nga gjykata me të shkurtue edhe jeten.

Në bazë të nenit.., Ligji 372, i dt. 12 Dhjetor 1946, mbi fajet penale kunder Shtetit e Popullit, e cilëson fajtor Dom Ejëll Dedën dhe, e dënon 10 vjetë me privim lirije e punë të detyruar. I ngarkohen dhe shpenzimet e gjyqit, 54 L.”

I dënuemi Dom Ejëll Deda, nuk bani as dy vjet burg nga dënimi i dhanun, mbasi torturat shnjerzore e kishin ba të veten. Kaloi pjesen ma të madhe të kohës në spitalin e burgut, ku Don Ejlli edhe vdes në moshen 31 vjeçare.

Ishte 31 vjeç kur u nda nga kjo jetë plot vuejtje, mundime, tortura e shpifje!

31 vjeç mbytet nder tortura pa asnjë provë fajsije, vetem me hamendje tue u nisë sesi Klerik Katolik, ky nuk na do ne, prandej edhe duhet zhdukë. Edhe tortura ishte mjet shfarosje per njerzit që urrente Sigurimi i shtetit. E kjo që ka ngja me Klerikët Katolik në Shqipni, nuk besoj se njihet nder vendet tjera komuniste jo vetem të Lindjes, po as në ata ma të mbrapambetunat.

Nga jeta e Këtij Martiri të Kishës Katolike në Shqipni, ruhet një Kujtim:

Nga një dëshmi e Don Lazer Sheldisë në Brazil aso kohe, tregon sesi kishin rreshtue persekutuesit 11 vetë per ekzekutim të menjëhershem me 4 Mars 1946, mbas Vorreve të Rrëmajit në Zallin e Kirit. Aty ishte i pranishem dhe Dom Ejëll Deda e një doktor italian, që do të dëshmonte ekzekutimin e tyne.

Reshti i të burgosunve i fali ekzekutorët e tyne e thirrën, per lavdinë e Zotit e të Shqipnisë, nderkohë që armët filluen me hapë zjarr.

Ata ranë përtokë tue perqafue njeni-tjetrin.

Dom Ejllit ju dha një mundësi e pazakontë, që t’i ndante aty t’ekzekutuemve

Sakramentet e fundit. Ndersa vepronte kështu, Ai zhyste një copë të madhe pambuk në Gjakun e sejciles viktimë. Sot kjo Rrelike pambuku asht ruejtun në një prej Familjeve katolike të Shkodres. (Dëshmi e Don L. Sheldisë).

E pa kalue viti në burgun e Shkodres, i shkatrruem fizikisht nga torturat mbi trupin e Tij, vdiq edhe Don Ejëll Deda, në moshen e bukur 31 vjeçare.

Po me humbjen e jetës së Tij, humbi edhe Trupi i Atij Meshtari Martir!

Kujtimet e atyne ditve të zeza që ka kalue Shqipnia dhe kryesisht Shkodra, sot shumica janë të pabesueshme nga vetë rinia Shqiptare. E kur njeriu hapë një bisedë per me tregue një ngjarje si kjo, e 31 vjeçarit Don Ejëll Deda po, në qytetin e Shkodres ku janë zhvillue këto tmerre të mnershme, shumë vetë të pranishem hapin sytë e të shikojnë të çuditun dhe habiten sesi asht e mujtun me pasë ngja një barbarizem si ky, me një djalë universitar 31 vjeçar në qytetin e kulturuem të Shkodres, e pse? – Ishte Klerik Katolik Shqiptar!

Sot Rinia Shqiptare asht para fakteve dhe detyrave të mëdha, ndonse pjesa ma e madhe kerkon shpetimin me ikjen jashta shtetit “rilindur” komunist.

Nuk asht e gjetun rruga e vertetë e shpetimit! E njëditë, Europës do të vijnë e ti kujtohet se, kjo Rini Shqiptare që po përhapet nëper Botë pa asgja mbas shpirtit: Asht Rinia trashigimtare e Zamakve të Flamurit Gjergj Kastriotit, bash e Atij Skenderbeut, që Ju la trashigim Gjakun e Shqiptarit!

Melbourne, 27 Qershor 2022.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora