E enjte, 25.04.2024, 02:05 AM (GMT+1)

Kulturë

Helmut Njuton, Legjenda e fotografisë

E enjte, 29.01.2004, 01:03 AM


Historia e fotografit të “Playboy” dhe “Vogue”, në objektivin e të cilit kaluan personalitetet e viteve ‘60-’70

Aq sa e ndritshme dhe e suksesshme ishte e gjithë jeta e fotografit me famë botërore Helmut Njuton, aq i vetmuar, i pafat dhe tragjik ishte ai në fundin e jetës së vet. Gjeti vdekjen ditët e fundit në një aksident automobilistik në Los Anxhelos. Fotografi i famshëm australian me origjinë gjermane, pak kohë pasi doli nga parkingu i hotelit “Chateau Marmont”, ku jetonte dhe kishte lënë bashkëshorten e tij, përshkoi një nga rrugët e gjëra të Los Anxhelos dhe pas përplasjes fatale në një mur anësor, gjeti vdekjen e menjëhershme. E gjithë bota artistike, sidomos ajo e modës, tha se u shua një legjendë e fotografisë së modës. Mjeshtrit të madh të fotografisë, vdekja i erdhi nga një automobil i firmës së famshme “Kadillak”, të cilin e kishte blerë vetëm disa ditë përpara ditës më fatale të jetës së tij.
Por ai la pas një pasuri të paçmueshme, një vepër që prej shumë kritikëve më në zë në tërë botën cilësohet si një pasuri, rreth së cilës do të bëjnë referenca breza të tërë artistësh të botës së magjishme të fotografisë. Eshtë fotografi që u bë i famshëm në gjithë botën me fotografitë bardhë e zi të artisteve dhe fotomodeleve më në zë në të katër anët e globit, të cilat u botuan në shumë revista të njohura, sidomos në “Vogue” dhe “Playboy”.
Kancelari gjerman Gerhard Shreder shprehu me fjalë emocionuese dhimbjen e tij për vdekjen tragjike të fotografit të madh. Ndërkohë iu referua me krenari vendimit të fundit të Helmut Njuton që tërë përmbledhjen e fotografive të tij t’ia dhuronte qytetit të Berlinit. Mbi 1.000 vepra të tij të famshme do të ekspozohen, duke filluar qysh nga vera e sivjetme, në një muze të Berlinit Perëndimor.

Prekja e aparatit fotografik
Helmut Njuton nuk ishte një fotograf i zakonshëm. Ishte, gjithnjë sipas kritikëve, një talent i madh, që i impresionoi të gjithë me ato çka ai fiksonte në celuloidin e filmit fotografik. Ishte ndër ata njerëz që vlerësohen se ndryshuan modën dhe fotografinë. Kohët e fundit temat e fotografive të tij ishin peisazhet impresionuese si dhe portrete të personaliteteve të njohura, të cilat i shtangnin njerëzit për talentin e fotografimit, ashtu sikurse dikur fotografitë shokuese të femrave, të cilat për disa dhjetëvjeçarë të tërë, trazuan ujërat e botës së modës. Helmuti lindi në Berlin në vitin 1920 nga prindër të pasur çifutë dhe studioi në një shkollë amerikane. U rrit nën një përkujdesje të veçantë, aq sa çdo kërkesë e tij plotësohej menjëherë. “Sapo më blinin një lodër të re, unë luaja pak me të, e shumta dy ditë, dhe e braktisja për të më blerë diçka tjetër. Dhe mua kurrë nuk më thoshin “jo” në kërkesat që kisha” – rrëfen fotografi i madh në një libër autobiografik që qarkulloi para disa muajsh në Amerikë. Helmuti ishte mësuar që të ishte “Princi i Vogël” i familjes.
Aparati i parë fotografik që ai preku me duart e tij ishte ai i babait të tij, një “Kodak”. Por në vitin 1932, në moshën 12 –vjeçare, me kursimet e tij Helmut Njuton bleu një aparat “Agfa Tengor” dhe me të ai shkrepi fotografitë e para. “Filmin e parë e përdora për të bërë fotografi në metronë e Berlinit”, -tregon ai në autobiografinë e vet, duke shtuar se qysh atëherë filloi të ëndërrojë për karrierën artistike të një fotografi. E tërhiqnin sidomos pamjet e femrave bjonde që qëndronin brenda automobilave të markës BMW, siç ishin ato që botoheshin në revistat “Berliner Illustriente” dhe “Das Magazin”. Kler, nëna e tij, e solli në kontakt me një fotografe të njohur berlineze, (Iva Simon quhej ajo), e cila ishte në kërkim të një praktikanti. Kjo fotografe me një talent të madh u bë idhull për 16 –vjeçarin Njuton. Kjo gjë duket fare qartë nga ky rrëfim i sinqertë i Helmut Njuton, i cili shkruan : “Isha i çmendur pas asaj gruaje. Puthja tokën ku shkelte këmba e saj dhe adhuroja fotografitë e saj”.

Revistat që e bënë të famshëm
Bashkëpunimi i Njuton me Iva Simon zgjati vetëm 2 vjet, sepse në moshën 18 –vjeçare, Helmut u detyrua së bashku me prindërit e tij të lërë Gjermaninë naziste dhe të vendoset në Singapur dhe më pas të përfundojë akoma më larg, në Australi, ku fitoi dhe nënshtetësine australiane. Fillimisht hapi një studio të vogël fotografike në Melburn pas luftës, por deri në vitin 1957 ai nuk paraqiti ndonjë gjë të veçantë që të tërhiqte vëmendjen e botës artistike. Por atë vit, pra më 1957, Njuton udhëtoi për herë të parë në Londër. Ishte një udhëtim që do të linte gjurmë të thella në tërë karrierën e tij të mëpasme të mbushur me suksese. “Kisha vështirësi të kuptoja stilin e jetës angleze”, shkruan ai në kujtimet e tij, por me Londrën nis dhe ngjitja e këtij mjeshtri të fotografisë. Por ishte Parisi dhe revista franceze “Vogue” që rrëmbyen si me magji zemrën e këtij artisti. Me këtë revistë ai nisi bashkëpunimin në vitin 1961 dhe e vazhdoi për 20 vjet me radhë. Periudha më krijuese për këtë fotograf, sikurse shkruan në kujtimet e tij, ishin dhjetëvjeçarët ‘60 dhe ‘70. Në ato vite, fotografi jetonte në Paris dhe me syrin e tij të sprovuar tashmë prej artisti të formuar ndiqte dhe vëzhgonte stilin e femrave të rrugës. Një stil që e “derdhi” në fotografitë e tij me “penelata” shpesh magjepsëse. Ishin pikërisht ato fotografi q e bënë Helmut Njuton të njohur në të gjithë botën dhe që bënë të mundur bashkëpunimin e tij me revista kolos si “Vanity Fair” dhe “Playboy”.
Fotografi i sensualitetit të natyrshëm, pa silikon

Adhurimi i nudos natyrale
Për ironi të fatit, atë njeri që me aq mjeshtëri solli në fotografitë e tij bukurinë dhe sensualitetin e femrës, si pakkush tjetër deri atëherë, e kishin cilësuar si “njeri që nuk i adhuron femrat”, si një “përbindësh”. Shumë të tjerë më vonë e pranuan se ai ishte një gjeni në botën e magjishme të fotografisë, ndërsa ai vetë me modesti e cilësonte veten e vet si “një tip i çuditshëm”. Fotografitë e tij nuk pasqyronin jetën e tij, por botën ashtu siç ai donte që ta shikonte. Truri i tij ishte i mbushur plot me peisazhe, por gjithsesi ato nuk pasqyronin shtrembërim të realitetit. Fotografonte njerëz që i quante të bukur, pavarësisht nëse ishin gra apo burra. E adhuronte nudon, jo për t’u bërë tërheqës përmes provokueses, por për të dhënë magjinë e të bukurës. Këtë e vërteton më së miri fakti që kurrë nuk fotografonte femra nudo që përdornin silikonin në gjinjtë e tyre, edhe pse për shumë fotografe femra të tilla përbënin dhe përbëjnë një “gjueti” të majme. Në portret ai preferonte jo njerëz në moshë të re, por të mëdhenj në moshë, sepse në fytyrat e njerëzve të tillë ndodhej e “shkruar” një histori e tërë. Një shembull konkret: Sa herë që fotografonte kryeministren britanike Margaret Thacer, thoshte se “sa më shumë që ajo fitonte pushtet dhe bëhej më e fuqishme, aq më shumë përmirësohej dhe paraqitja e saj e jashtme”.
Fotografoi shumë yje të njohur të modës, duke u bërë tepër i kërkuar nga vetë ato, sikurse edhe nga kompani të ndryshme, nga revistat po se po. Tepër kërkues dhe rigoroz në kërkesat artistike. Natyrisht, edhe egoist, gjë që nuk e fshihte. “Jam shumë egoist. Në çdo rast mendoj përpara veten time”, shkruan ai ndër të tjera në autobiografinë e vet. Edhe pse nuk e fshehu narcizmin e vet, ai ishte megjithate një njeri që e respektonte tjetrin, të tjerët. Vetë fakti që ai ishte aq rigoroz në kërkesat e veta artistike, tregon më së miri se si i respektonte të tjerët. E tërë pasuria artistike që ai la pas, është në vetvete një homazh për bukurinë dhe fisnikërinë e njeriut.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora