E shtune, 13.08.2022, 10:45 PM (GMT+1)

Kulturë

Satira nga Sevdail Hyseni

E diele, 26.06.2022, 06:21 PM


Sevdail Hyseni

Satirike

“Bomba” zgjedhore

Bomba në Strukar

Na doli me bisht,

Dikush po i fryn

Zjarrit qëllimisht!

Mjaft se na çmendën

Votimet në rresht,

-Nuk digjet jorgani

Vetëm për një plesht!

Nga zgjedhjet serike

Po na shkon vera…

Dhe aspak s’na vjen

E mira nga dera!

Lojërat pa kufij

Nuk i kap kalemi,

Edhe pse e dimë

Ku qëndron problemi!

T’ia vëmë shulin

Sa nuk është vonë,

Se nesër nuk dihet

Ç’na pjell në sezonë!

Urtia na mëson

Duke na këshilluar:

-Kush e sheh rrezikun

Është gjysmë i shpëtuar!

E ne po e shohim

Me dy sytë në ballë,

Dhe pa bërë hopa,

Kërcejmë nëpër shkallë!

Pa menduar mirë

Nganjëherë na kruhet,

E prekim arushën

Aty ku nuk duhet!

Prandaj edhe gjërat

Na shkojnë për dreq,

Në këtë botë mizore

Ka edhe më keq!

Drejtorllëku

O sa mirë me qenë drejtor,

Nuk e prek punën me dorë!

Veç një "send" e ke patjetër,

Kur e vë firmën në letër..!

Edhe atë në tridhjetë ditë,

Sepse n'paga s'ka me pritë!

Ato vijnë e shkojnë si shkumë,

Pa lënë prapa asnjë gjurmë!

Ndaj drejtori është i mbarë,

Ç'e zë gjumi në orar..!

Jo se lodhet në detyrë,

Por, që natën e ka vështirë!

T'i mbyll sytë nga pagjumësia,

Herë nga gruaja dhe fëmija...

E bezdisin me gjithë mend

Për pushime  në vikend.

Të vendos s'e ka aq lehtë,

Se pushimi ka lezet!

Ndaj vendos si në Pazar,

Për vikend n'udhëtim zyrtar!

Po sa zgjat ky marifet?

Çdo mandat në katër vjet!

Lobimi

Sa paraja derdhet

Në botë për lobime,

Mos qenka vonuar

Kjo Lugina ime?!

Është dashur kaherë

T’eci me ngadalë,

E jo të dalldiset

N’pushtetin lokal!

E kur pulës voja

I erdhi në bythë,

Hajde nëpër botë

Të dalim të gjithë!

Fondin për Luginën

Ta bëjmë copë e grimë,

A nuk kemi qenë

Gjithmonë për bashkim?!

Nëse kësaj Evrope

Nuk i mbushim sy,

Në Ballkan të hapur

Jemi, gjithsesi!

Kjo paria jonë

E politikës lokale,

Më shumë është marrë

Me çështje globale!

Më mirë të shëtisin

Lirshëm nëpër botë,

Veç t’kthehet rinia

Që na mungon fort!

Planeti i majmunëve

Kujt i ka rënë hise

Të shoh film ekspres,

-Plantin e majmunëve

E mban në kujtesë!

Këtij farë regjisori

Mos i qofsha falë,

Me këtë kryevepër

Na ka lënë pa fjalë!

Kështu dhe Darvini

Mbështet teorinë:

Njeriu nga majmuni

Del me origjinë!

Tani vjen dhe lija

Nergut prej majmunit,

Po na fut virusin

Me madhësinë e kunjit!

E sa majmunllëqe

Të tjera n’Evropë,

Fatin e njerëzimit

E mbyllin në gropë!

N’këtë botë ndryshe

Që e quajmë planet,

Sa shumë na shtohen

Majmunët n’pushtet!

Nëse kështu vazhdon

E ndërrojmë teorinë,

Majmuni prej njeriut

Është me origjinë!

Bombat fiktive

Po zgjohet rajoni

Mbi bombat fiktive,

S’ka si të lirohemi

Njëherë prej sh’pive!

Jemi mbyll si pelat

Gjatë dimrit në stallë,

Të dalim pa frikë

Sikur kemi mall!

Deri dje na ndalën

Për shkak pandemisë,

Tani vjen alarmi

Mos lu’ni prej sh’pisë!

Gjithçka në “online”

Brohorit trumbeta,

Me lajme të rreme

Është mërzitur jeta!

Jemi bërë si lepuri

Me veshtët në krah,

Me shumë të papritura

Si loja në shah!

Askush nuk e di

Nesër çka na pret,

Bombat fluturojnë

Vetëm n’ internet!

Bomba në shkolla

Spitale e n’qarshi,

Por, askush nuk thotë

Bomba n’Qeveri!

Specialja

(Varianti i ri)

S’ka si Specialja

Gjykatë më të rëndë,

Kokën në Kosovë

Bishtin në Holandë!

S’e morëm me mend

Se kjo farë Gjykate...

Mund t’i pjell gjërat

Mbushur me mëkate!

Me gjyqtarë të huaj

E porotë robotë,

Seancat gjyqësore

Sillen sikur rrotë!

Dënohen luftëtarët

Trimat e lirisë,

Qoftë kjo specialja

Kulm i çmendurisë!

Si do që të jetë

Nga ky marifet,

Liria ka emër

Nder dhe respekt!

Kthehet nga beteja

Edhe më e fortë,

Vlera çlirimtare

Qershia mbi tortë!

Kjo Evropa plakë

Le t’krihet po deshi,

Vjen një ditë e drejta

Dhe e kap për veshi!

T’ia bëj me dije

Kësaj kurve pa fund:

-Krimi dhe dënimi,

Gjenden tjetërkund!

Virgjëresha

Dikur nga Krahina...

Një gruas sojli,

Nuk i eci mbarë

Jeta n’dashuri!

Zgjodhi për burrë

Maestron për kopsht,

Çdo natë e nuhaste

Vetëm atje poshtë!

Ishte mësuar lulet

T’i erëmonte shumë,

Provon me nuhatje

Ta bëjë dhe atë punë!

U mërzit nusja

Me këtë marifet,

Vendosi nga burri

Të ndahet urgjent!

Të gjej ndonjë tjetër

Mashkull me zanat,

Që i kryen detyrat

Me rregull në shtrat.

Pa e zgjatur shumë

Doli si turist…

Duke begenisur

Një ëmbëltorist.

Edhe ky si tjetri

E kishte fiksim,

Lëpirjen e akullores

Deri n’pambarim.

Nuk e joshte nusen

Ky stil bashkëkohor,

E donte më ndryshe

Burrin me kurorë.

U nda dhe nga ky

Për një të tretë,

Ta gjej ku s’është

Burrin e vërtetë!

E zuri në fund

Burrin politikan,

Me fjalë e premtime

Përlyente dynjanë!

Sa herë kur binin

N’krevat me fjet,

I thoshte atë punë

Nesër me kësmet!

Kalonin me nesër

Netët varg e vi…

Burri i dalldisur

Zhdukej në Parti!

Nga mbledhjet serike

E fushatat zgjedhore,

Nuk i binte n’mend

Për atë punë fare!

Të ndahet nga shoqi

Nuk e pat vështirë,

Iku e zhgënjyer

Pa një lamtumirë!

Gruas së trazuar

Shpirti i çohej peshë,

Pas tri martesave

Ngeli virgjëreshë!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora