Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Fatmira Beqja-Veseli: Një gjerdan të artë për gruan shqiptare

| E diele, 26.06.2022, 07:08 PM |


NJË GJERDAN TË ARTË PËR GRUAN SHQIPTARE

Vilhelme Vrana-Haxhiraj, në librin: “Lidhja demokratike e gruas. Vlorë”

Nga Fatmira Beqja-Veseli

Jam njohur me znj. Vilhelme Vrana-Haxhiraj, nga bisedat me mikun tonë, krijuesin dhe studiuesin Kadri Tarelli, i cili flet me admirim për këtë vlonjate nga Kanina, të fisme nga rrënjët, por edhe shkrimtare, poete e studiuese mjaft e njohur në letrat shqipe e cila mban titullin “Mjeshtre e Madhe e Penës” dhe është anëtare e Akademisë së Shkencave dhe Arteve, Shqiptaro- Amerikane, me seli në New-York. SHBA.

Ky perifrazim disi i gjatë, më ndihmon të formoj një përshkallëzim: Emri në pesë rasat e mundshme, mbiemri në tre shkallët e tij dhe folja në tre kohët themelore.

Nuk e di në më besoni, por u mahnita nga kompozimi në ballinë: Një tufë vjollcash, mbirë dhe shpërthyer në grushtin e dy duarve të brishta e të lidhura. Një ide krijuese e vetë autores së librit, që flet në heshtje sa një det fjalësh. Ky qe edhe magneti që më shtyu ta marr librin dhe ta lexoj duke mbajtur shënime. Është vërtet mjaft i bukur dhe interesant, madje më shumë i dobishëm, pasi libra të tillë, që i kushtohen gruas dhe përpjekjeve të saj për liri dhe barazi shoqërore, janë të rrallë. Për fat të keq, besoj se është i vetmi në llojin e tij, në letrat shqipe. Në këtë rast do të isha e lumtur të gaboja.

Që në fillim, dua të theksoj gjuhën dhe leksikun e përzgjedhur, thjeshtësinë dhe qartësinë e shprehjes, gjeografinë e gjerë që ngërthen vepra, përfshi edhe forcën dhe magjinë e fjalës artistike, aq sa shumë shprehje mund të gjejnë vend në citate për t’u përdorur si ilustrim në literaturë, apo në mendimin filozofik.

Libri në vetvete është vepër studimore, publicistike, politike dhe shoqërore, ku gjejmë një informacion të bollshëm, sa historik, aq analitik edhe bashkëkohor, madje tepër jetësor, pasi prek edhe qelizën e jetës, familjen, fëmijët, marrëdhëniet me burrin dhe mjedisin që na rrethon. Pikërisht këtu, në shumicën e herëve mbizotëron edukata dhe mjedisi mashkullor, jo vetëm në vatrat e familjeve shqiptare, por edhe në mjedisin politik. Më vjen mirë që në këtë vepër është përfshirë edhe gruaja e Dardanisë Shqiptare, mbase do të duhej të flitej më shumë edhe për vlerat dhe heroizmin e tyre. Megjithatë edhe kaq nuk është pak.

Meqë jam e diplomuar për gjuhë-letërsi, jam e dashuruar me letërsinë dhe leximin. Kështu që e prita me kënaqësi librin më të fundit të saj, “Lidhja demokratike e gruas. Vlorë”, ku njoha edhe një “Vivra” tjetër, një intelektuale e përfshirë në veprimtari shoqërorë, e cila ishte nismëtare e themelimit dhe drejtimit për një kohë të gjatë të “Lidhjes demokratikë të grave”, në qytetin e Vlorës.

E lexova të gjithë librin. Autorja pa e kërkuar, të bën pjesë të ndjesive të forta, kur ndeshesh me ngjarje ku luhet me jetën dhe mbijetesën e vetes, familjes dhe mbarë kombit. Këtu, si çdo lexues apo lexuese e ndjeshme, i jap të drejtë vetes të shprehem, se nga kënaqësia u ndala e rilexova, sidomos pjesën e parë, ku flitet me adhurim për gratë shqiptare, jo thjesht si nëna të përkushtuara ndaj familjes dhe fëmijëve, por më shumë si personalitete, që në kohën e tyre kanë shkëlqyer, duke lënë gjurmë në histori, si brenda botës arbërore, si trimëresha dhe luftëtare të shquara në beteja për liri kombëtare, por edhe në botën e madhe të dijes, artit, shkencës, humanizmit, pse jo edhe në legjenda, që na mahnisin e mrekullojnë me bukurinë, mençurinë, durimin dhe guximin deri në madhështi.

Unë, pavarësisht se jam mjaft e kënduar në letra, çuditërisht në gjerdanin e artë të gruas shqiptare, mes emrave shumë të njohur,  ndeshem për herë të parë me figura që Vivra i vendos në “Elitat e mohuara” të kombit, por që për shumicën nga ne janë të panjohura. Them “çuditërisht”, sepse unë e kam jetuar kohën, arsimimin, punën, administratën, hallet dhe vështirësitë e të gjithë shoqërisë, në veçanti të grave.

Nuk jam e para që e them, pasi ja dhe jemi ndeshur, me mungesën e informacionit, që koha dhe më shumë politika na i ka mohuar, diku me heshtje, diku edhe me fshehje të qëllimshme. Ndaj e adhuroj autoren Vivra, që ka guxim të gjejë e të thotë të vërtetën, madje edhe të diskutojë e të polemizojë me faktet, fitoret, humbjet, dështimet e ngadhënjimet. Unë mund të them pa frikë, se znj. Vivra bëhet edhe gjyqtare, jo vetëm rrëfyese. Besoj është shumë, sepse këtu mësojmë më shumë nga ç’ mendojmë.

Vepra, si pa dashje të shtyn të ecësh në udhën e vështirë të historisë, në rrugicat e kalldrëmta, shumica plot pluhur, baltë e llucë, që në shekuj të spërkatura e ngjyrosura me gjakun e bijve dhe të bijave. Vivra si grua, studiuese, më shumë edhe si përjetuese e ndjeshme, i njeh mirë këto udhë, ku varfëria, mentaliteti, prapambetja, zakonet, turpi dhe ndëshkimi, madje edhe politika e përçarjes dhe përbuzjes, bëni ligjin. Pikërisht këtu, gruaja shqiptare ka ecur, ka shkelur dhe është penguar, gjakosur e vrarë, rrëzuar e ngritur, rrudhur e rritur, në përpjekjet për vazhdim të jetës, për emancipim dhe liri shoqërore.

Jam në një mendje më autoren, se fitore ka, por jo të mjaftueshme, se liria fitohet nuk dhurohet dhe barazia shoqërore meritohet, aq më pak, nuk jepet si lëmosh mëshire. Një formë, që Vivra e përbuz deri në neveri.

Pak më lart theksova, “Pjesa e parë”, megjithëse libri është unik në tërësi, por unë në mendjen time e ndaj në dy pjesë, pasi pjesa e dytë përfshin veprimtarinë e grave në lëvizjen demokratike, pas ndryshimit të sistemit, ku përballemi me të gjithë problematikat e shoqërisë shqiptare, ekonomike, politike dhe shoqërore, të ndërthurura aq gërshet në jetën dhe me jetën e gruas shqiptare.

Unë jam vetë grua dhe më pëlqen që autorja, në fjalorin e saj me theks logjik, vendos në çdo gjymtyrë të fjalisë: Nëna nënë, nëna edukatore, nëna që mbjell dashuri dhe edukatë, përkushtim e ndershmëri, atdhetari e trimëri, shpresë e optimizëm, forcë shpirtërore, plot guxim dhe durim, për luftë e përparim.

Çuditërisht, në vepër autorja e vuajtur, por trimëreshë, nuk ngre konflikt me askënd. Mospajtimi qëndron mes saj dhe autoriteteve të të gjitha kohëve, sepse edhe sot e kësaj ditë, plagët e së djeshme nuk janë shëruar e mbyllur, megjithëse bëhet shumë zhurmë nga daullet e propagandës.

Jam në një udhë me autoren, se shkaku kryesor është gjendja ekonomike, varfëria dhe papunësia, që dobëson pozitat e saj, si në familje dhe në jetën shoqërore. Kushtet i detyrojnë gratë të mos jenë të pavarura, aq me pak në vendimmarrje. Megjithatë Vivra ngre zërin, se vetëm arsimimi, ngritja në kulturë dhe përpjekjet e vetë grave mund ta zgjidhë barazinë gjinore, dhe askush tjetër. Mos të lodhen kot duke pritur. Burrat nuk lëshojnë pushtet.

Jam e vetëdijshme se nuk kam hyrë në analizë të hollësishme të veprës, duke i lënë lexuesit, apo më shumë lexueses, mundësi për të vlerësuar vetë, atë çka mëson e përjeton, duke qenë e bindur se ndjesitë e bukura nuk do të mungojnë, edhe kur mbyll faqen e fundit.

Kam mendimin se kjo vepër duhet lexuar, mësuar e përtypur mirë, për t’u ndeshur me të keqen dhe të shëmtuarën, për t’u larguar sa më shumë nga e shkuara, nga varfëria, dhuna, plumbi, litari dhe errësira, që koha dhe njerëzit na e kanë lënë peshqesh në vatër.

Faleminderit znj. Vivra! Mësova shumë nga ju. Mësova për ato gra që analfabetizmi nuk i pengoi t’i vinin shpatullat kombit, të varrosnin bijtë e tyre me armë në dorë, të duronin dhimbjen dhe lotët e shpirtit të lënduar, të luftonin në krah të burrave, shpesh edhe në krye të tyre. Zotësia dhe vepra e tyre i bën të adhuruara në përjetësi.

Mirënjohje znj. Vivra! Grave shqiptare u ngrite një monument, që hyn e ze vend në çdo shtëpi, shkollë apo bibliotekë.

Urime! Jetë, shëndet dhe krijimtari të bukur, plot dashuri, fisnikëri dhe atdhetari.

Fatmira Beqja-Veseli.

Durrës. Qershor 2022.