Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kastriot Dervishi: Vizita te 'popujt vëllezër të Jugosllavisë', çelikosi miqësinë dhe vëllazërimin

| E enjte, 23.06.2022, 05:44 PM |


Vizita te “popujt vëllezër të Jugosllavisë”, çelikosi miqësinë dhe vëllazërimin

Nga Kastriot Dervishi

Kryeministri i Shqipërisë Enver Hoxha vizitoi Jugosllavi më 23 qershor – 2 korrik 1946. Nuk la cep pa bredhur, me përjashtim të viseve shqiptare. Me të mbërritur në aeroportin e Beogradit, nuk e mbajti dot gëzimin që ndjente. Ja një pjesë e fjalës së E.Hoxhës:

“Të dashur popuj vëllezër të Republikës Federative të Jugosllavisë. Nga kryeqyteti juaj heroik kam nderin e madh t’ju transmetoj përshëndetjet më të thella e më të zjarrta të popullit vëlla shqiptar, t’ju transmetoj përshëndetjet e nxehta të qeverisë sonë dhe të miat personalisht. Sot gëzimi im është i patreguar se ndodhem në gjirin tuaj të ngrohtë, se ndodhem pranë udhëheqësve tuaj të shquar, të cilët e udhëhoqën me aq sukses luftën heroike të popujve të Jugosllavisë, që ndihmoi aq shumë në çlirimin e vendit tonë. Ju siguroj se sot gjithë populli shqiptar është çuar në këmbë dhe brohoret për popujt e Jugosllavisë. Sot zemrat e njerëzve të Shqipërisë rrahin për ju dhe ndjenjat më të pastra dhe më vëllazërore janë për ju. Sot zemrat e njerëzve të Shqipërisë rrahin për ju me ndjenjat më të pastra dhe më vëllazërore të tyre janë për ju se në malet tona kur luftonim, se në fshatrat dhe qytetet e Shqipërisë kur binin heroikisht bijtë e popullit tonë, përpjekjet tona legjendare e lufta e përbashkët ishin për ne një forcë e madhe kur përmendej emri i mareshalit të madh Tito....

U puqën zemrat tona në momentet më të rrezikshme të historisë sonë kombëtare, gjaku i bijve tanë më të mirë u derdh së toku e këtej lindi u çelikosën miqësia e vëllazërimi që do jenë të përjetshme se këtej varet e ardhmja e popullit tonë, se ky vëllazërim e kjo miqësi e mirë është një nga faktorët më kryesorë të vëllazërimit të popujve të Ballkanit, është një faktor nga më të rëndësishmit për mbrojtjen e paqes e të demokracisë. Popujt e Jugosllavisë dhe populli shqiptar do të venë të gjitha forcat dhe zemrën ta forcojmë dita-ditës këtë vëllazëri e miqësi.

U çelnikos miqësia dhe vëllazërimi do të jetë i përjetshëm pse prej këtej varet e ardhmja e lumtur e popullit tonë, pse ky vëllazërim dhe kjo miqësi është e ngushtë është një nga faktorët më kryesorë të vëllazërimit të Ballkanit dhe është një faktor për mbrojtjen e paqes dhe demokracisë….

Të rrojë pra sa malet miqësia dhe vëllazërimi midis popullit shqiptar e popujve të Jugosllavisë. Rrofshin popujt vëllezër të Jugosllavisë. Rroftë mareshali juaj i madh dhe miku i madh e i dashur i popullit shqiptar Josip Broz – Tito”.