E enjte, 25.04.2024, 08:11 PM (GMT+1)

Kulturë

Bardhyl Maliqi: Kur flasim për poezinë

E marte, 21.06.2022, 07:00 PM


KUR FLASIM PËR POEZINË...

Nga Bardhyl Maliqi

Të flasim për poezinë për ne profesionistët është relativisht e lehtë, por kur është fjala për poezinë e fëmijëve tanë apo motrave tona edhe për ne është relativisht e vështirë. Mos  e teproj me lëvdata apo me qortime. mos nuk më kuptojnë si dhe sa duhet së pari ato vetë, pastaj dhe fëmijët e tyre? Mos unë bëhem peng i mungesës së objektivitetit, me fjala të tjera mos vështrimi im është subjektiv, qoftë edhe pa dashje!? Të gjitha këto më shkuan ndërmend kur ime motër më tha për librin dhe për mundësinë e redaktimit. I thashë jo, dhe mbase gabova, pasi disa gjëra në këtë libër do të ishin ndryshe dhe ndoshta edhe më mirë. Në këtë mendim definoj pasi leximi i librit më bëri të kuptoj se burimi kryesor ku ka pirë ujë frymëzimi i Nuries është familja jonë e madhe, bota jonë e fëmijërisë dhe vëllazërisë së vërtetë. Një burim tjetër i rëndësishëm është përvoja jetësore e vetë poetes, si vajzë, grua, si mësuese dhe si nënë. që mbeti në banesën e saj e vetme, si klloçka me dy zogj.

Kështu, vetë titujt e poezive të saj shpesh të brishta e të hajdhshme bëhen dritare për të kundruar shpirtin e poetes. Në ciklin e parë : ”Përse qante deti me shami në dorë”, fjala çelës është deti, ai det, që ajo do ta kundrojë nga afër, sa herë vjen në Sarandë. pasi aty është vendi që rrjedhat e ujit si kristal të pastrojnë brengat e saj. Ndaj ishte vërtet koha kur vargu e thërret, duke ia shtruar rrugën me guralecët e bardhë të detit, që të zhytet në kaltërsitë a pafundme duke rrëshqitur mbi valë. Këtu dilema gati hamletiane “Ç’ t’i bëj lajmit për ty” ka një shumësi kuptimesh, ku e trishta dhe e dhimbshmja qëndrojnë në njërën anë dhe e në tjetrën dëshirat duhet të jetësohen, të bëjnë dritë! Këtu kënaqësitë shpirtërore lidhen ngushtë me melhemet e lumturisë, ato bëhen balsam për plagët e jetës. Kështu pakëz verë shpesh bëhet simfoni, bekim, mall, shpresë dhe frymëzim.

Bisedat me detin ndodhin sa herë ajo u qaset brigjeve dhe zhytet në kaltërsinë e ujërave, se lotët e detit për ne janë margaritarë. Por lotët e detit dhe zërat e detit shpesh janë edhe të hidhur, ata lulojnë dhimbje mërgimtarësh me kurmin dhe shqipen e sakatuar brigjeve të tij. Natyrisht në det ka edhe dashuri që burojnë pikëllime: “Pulëbardhat shfaqen në dritëza të vogla, /e ndriçojnë shumëngjyrshëm imazhin tënd,/duket se ke mall për gjithçka përreth.//Armën e artë prej dorës e hedh, ngultas sytë i ndal,/ dhe unë hesht...../ Me britmat gati ne shpërthim gjithë qenia ime thërret emrin tënd,/por e ndjej , nuk ka rikthim.” Agim, Agim! Ky është emri që në fakt në vargje mungon, por në të vërtetë është protagonisti kryesor i poezisë “Dashuri e Pikëllime”. Ky është shkaku që atë nuk mund ta prekë dhe lotët rrjedhin. në këtë poezi vargu i fundit do të thosha se është jashtë kontekstit, pra i tepërt.

A tretet puthja? Autorja thotë po, tretet me pijen farmak, ndaj është e ligjshme dhe normale të thuhet; “Mos prit vocërrak..../Grua mos prit, Puthja u tret.....” E gjithë kjo ndodh se në jetë mbeten vetëm gjurmët dhe arkitektura e hijeve e njerëzve që ikën, ndaj brenda librit ka poezi që të kujtojnë lirikët antikë të stilit të Mimnermit dhe të Safos, që ruajnë normat e etikës dhe njëherësh kultivojnë bukur lirizmin. Trishtohet gjethja që dje ishte zonjushë pranvere, ishte por nuk është më, se bukuritë dhe vlerat tani i ka gjenerata e gjetheve të reja. E megjithatë kujtimi dhe imazhi i saj i bukur mbeten. Por nuk është e njëjta gjendje në të gjitha poezitë e këtij libri, p.sh tek poezia “Gjumi i Arratisur”, si në lojën kukafshehthi, ku herë fshihen sytë e herë fshihet ai, e gjitha kjo ndodh se mesnata me gongun e saj e vret edhe heshtjen. Mungesa e detajeve jetësore bëjnë që poezi të kësaj natyre të mbeten pak të përgjithshme, sepse oazi i kujtimeve nuk mund të rilindë risi në një shpirt me bosht të trazuar. Kështu, kur ti të ecësh me vjeshtën dorë për dorë ajo di të të thotë hiqe trishtimin ti vajzë vjeshtore, pasi dimri do t’ia lerë vendin pranverës, ndaj me gjallëri duhet t’i presësh e t’i përcjellësh stinët plot gaz. Por që jeta të rrjedhë normalisht nuk duhet të shkelësh përmbi fjalë. Duhet të mësohesh të mos fshish dhe të mos humbasësh, por t’i përballosh problemet, qoftë edhe kur dikush të ofendon dhe fjala e tij si një plis i tharë të mbetet në duar.

Disa prej poezive me strukturë metrike si p.sh “Përmbi zabel” janë të mirë strukturuara, e ruajnë gjatësinë e vargut, ritmin, rrymën dhe figuracionin, por ajo ç’ ka thonë nuk është e qartë, u mungon kumti kryesor, ose është i pa kthjelluar, e megjithatë janë të këndshme. Një nga shkaqet pse kjo ndodh është mungesa e orientimit, kur ecën por nuk mbërrin askund, poetja thotë kur destinacioni yt është pa koordinata, kur si gjithë poetët je në kërkim të shpirtit tënd, shpesh të çapëlyer e të gjakosur vetëm me bishën përbri. nuk mjafton vetëm të japësh kurajo, por t’i prish asaj, kështu jeta do të duket më e bukur. zakonisht dashuria nuk njeh kafaze, ajo i shkallmon ato, mund të kemi dhe zhgënjime, por duhet të dimë t’i përballojmë, se sot fjalët vrasin më shumë se armët, por ne duhet të dimë t’ua heqim barutin, gjithsesi poetja thotë se vet përmbajtja është zgjidhje,, kur je femër, ke një emër dhe një profesion të nderuar, të ndodh të përtypesh e të kapërdihesh, por ka dhe përjashtime, kur je në timon edhe mund t’i shash e  ironizosh të tjerët, por provo ta kthesh këtë tek vetja për të parë çfarë efekti kanë, gjë që zakonisht ne nuk e bëjmë. Çështja që shtrohet është jo thjesht të flakësh vallëzimin e vdekjes trotuareve, por të mësosh kuptimin e jetës dhe kuarteteve të saj, që rendin si akrepat e sahatit në një pikë takimi, p.sh në orën 21 të datës 21 të viti 21 të shekullit 21, si në një përvjetor të këndshëm apo të përmortshëm si tek kjo poezi.

Në ciklin e dytë të titulluar “Erdha siç vijnë dallëndyshet”, ka një kalim të gjendjeve shpirtërore që në poezi të ndryshme kanë sasi vargjesh e ritmesh të ndryshme. Për njerëzit e tjerë që nuk e njohin jetën e autores, poezia me titull “45” duket se flet pak, për mua flet shumë, Çfarë thotë poezia, “4, 5, fati më preu në besë, numër tek, unë tek!” E pra është mosha kur ajo mbetet në mes të Tiranës vetëm me dy vajzat e saj, pa bashkëshortin. Atë fati e preu në besë. Kjo duket tek mbresat e poezisë “18 Prill” dhe në gjithë librin, edhe kur autorja lëvron motive të tjera lirike. Sepse dhimbja nuk shqitet lehtë prej shpirtrave, edhe kur  shërohen plagët. Kështu në poezinë “Ajo sofër”, është pikërisht sofra që mbërthen vëmendjen edhe  pse salla është luksoze. Asaj i kujtohet gjyshja dhe vëllezërit që thyenim urinë me lakra dhe rrënjë apo fruta bimësh të egra. “Dhe hëngra mes luksit ushqim pa shije, / Ato copëza zemre nuk i pashë aty, / Më mungoi gazi i gjyshes kur na mblidhte, / në tryezën pranë asaj sofre nuk ishin vëllezërit e mi.”, sepse kështu na deshi Perëndimi, si krahë pune për veten. Ndaj ne u shpërndamë si zogjtë e korbit. Dhe mbetëm peng i të tjerëve ose pengje të vetes. Mallin s’e shuajnë dot as kambanat  e urtësisë, as malli frymëmarrës që lodron në fushnaja lotësh. të një prilli të thyer. Kështu është kur të vdes perëndia tënde Babai, apo perëndia e fëmijëve të tu, Burri!

Poezia e prillit të vitit të shkuar ka protagoniste Nunë, kështu i thonim ne fëmijët nënës së mamasë, që në të vërtetë ishte njerka, që ne  na donte, aq sa fare vonë e kuptuam, pas një rrofm prekës të nënës sonë që ajo nuk ishte nëna e saj. Ka emra që shkaktojnë brenga, por jo emri i saj. As nëna jonë që pas  largimit nga jeta duket sikur do të ringjallet si Kostandini, ajo vjen fytyrë praruar apo si re e bardhë. Na qortoi, por nuk na qëlloi kurrë me pëllëmbë, edhe kur ishte e tej lodhur dhe s’kishte kohë të merrej me ne. Ndërsa babin tonë, Nuria e quan Zot, edhe kur lirshëm mendon për të i duket se e përndjek dhimbja e ikjes së tij të beftë. Por jeta ka edhe çaste magjike, që lindin mbase si kompensim i dhimbjeve. Kështu lindje  e fëmijëve të vajzave apo djemve tanë vijnë tek ne gjyshërit si engjëjt e parajsës. Për ata ne i ndriçojmë urimet edhe kur u vijmë në ëndrra nga viset e parajsës.

Një poezi e bukur është ajo që i kushtohet qytetit tonë të lindjes, Konispolit. Pse sepse brenda ka përshkrime të bukura dhe një aureolë malli. Të gjithë poetët me orgjinë nga Konispoli kanë shkruar poezi të bukura dhe të veçanta për të, sepse shkëlqimi i madhështisë, i lavdisë ose i nderimit, që rrethon atë është i veçantë, ashtu siç është 27 mijë vjeçare Shpella  e Kreshmoit, sipas arkeologëve amerikanë, emri i një vendbanimi më të hershëm në Ballkan, emër që na kujton kreshnikët, Mujët dhe Halilët tanë! E bashkë me mallin për Konispolin vjen dhe malli për shkollën, lagjen, rrugicat e fëmijërisë, çapkënllëqet e para, Tek poezia për rrugicat e fëmijërisë Nuria i ka thënë të gjitha aq bukur, sa jam mahnitur, sepse jenë veprime jetësore dhe përvoja  ku kemi kaluar të gjithë ne fëmijët. Baçen me bar ku bridhnim dhe rrokulliseshim, shoqërimin me gjyshen, qenin dhe macen kur shkonim në krua për të mbushur ujë, rrugën ku na priste nëna, apo nga ku na përcillte babai. E sot i kuptojmë prindërit tanë vërtet. Sot që jemi bërë gjyshër edhe vetë ndihemi ndryshe, mrekullisht bukur. Shikoni si thotë poetja: “E shoh të rritet, / është e magjishme, / mjaltë nga mjaltë, / sa mirë ndihem gjyshe”

Një shpirt i tillë i bukur lind “Imazhe drithëruese” si poezia që mban këtë titull. Janë imazhe që lodrojnë horizonteve e luajnë me ne kukafshehti, janë dëshirat tona që shfaqen si vegime dashurie për njerëzit që kemi dashur e i duam. Një formë e veçantë e këtij imazhi është dëshira për të parë nga afër ça,ërinë, për të jetuar në trojet e të parëve tanë. “Erdha po siç vijnë dallëndyshet, / foletë e vjetra i gjejnë ku i kanë lënë, / bashkë do ecim rrugëve të thyera, / ë Çamërinë tonë folenë të ribëjmë.” Imazhe drithëruese poetja nga edhe për bjeshkët, për viset tona veriore, se ju e dini që ekstremet puqen, Po ju kujtoj një fakt. Shoqatë Çamëria ka edhe në Kosovë, ndoshta është dhimbja që na bashkon. Kështu Terri kthehet në Ag, “Dimër, verë, vjeshtë, pranverë, butë, bukur, nxehtë akull, /tok përqafuar, / dashuri e përmallur.” Pikërisht kjo më çoi mua një ditë në viset shqiptare nën Serbi, ku shkrova edhe poemën “Presheva nuse përdëllimi”. Kështu prej zbrazëtisë së ikjeve lindin zgjimet e përmallura, aty ku e ndjejmë më tepër mungesën, në shpirtrat tanë të etur, në staturat e pikturuara, aty ku përflaken tokë e det.

“Do t’i vesh hiret me dritë” është jo vetëm emri i një poezie, por edhe emri i ciklit dhe i librit. Nuk është lajthitje, as shenjtërim i dashurisë, por më tepër se kaq. Është dashuri nën dëborë, nën cenzurën e kohës, një pamundësi ligjësimi, që s’marrin udhë në kartë se nuk i lë biografia apo paragjykimi. Kështu ndodh kur je këtu, pranë detit. Por nuk mjaftojnë meloditë e trishta, që veshin buzët dhe sipërfaqet e kaltra. Lind domosdoshmëria e një uniteti të brendshëm mes burrit dhe gruas  që me eros dhe pathos të krijohet gjithësia. Janë fjalët si hoje mjalti që ribëjnë gjithçka në jetë, në këngë në dashuri. Vetëm një hir apo një nur mund t’ia arrijë kësaj, sepse të shohësh me adhurim, por pa xhelozi fjalët hoje të çifteve të reja duhet të kesh një shpirt poetje, një shpirt të bukur, mos të të brejë cmira dhe xhelozia. Në trutë tanë fshihen imazhet dhe kujtimet e viteve rinore, që duket sikur i kemi harruar, por shpesh i kujtojmë dhe themi me vete: Do të doja të ishte tjetër kohë, që të lulëzonim te njeri-tjetri unë dhe ti, që me çele stinën e zemrës. Vetëm kështu nuk gabon kur bën të lumtur një grua, kur dashuritë nuk vdesin, por shndrijnë përjetësisht si diamante dhe nuk kërkojmë gjysmën tjetër në errësirën e natës, për ta gjetur në agun e një dite të re. Kështu nuk bëjmë pakte me të huaj, të panjohur që shfaqen njerëzishëm, por janë ujq. Ata ta prishin gjumin, por jo si dashuritë apo vargjet e bukura, që krijojnë klimakset shpirtërore dhe hapësirat qiellore i sjellin mbi bardhësitë e çarçafëve në netët e bukura, kur ne duhemi siç duhen retë, që krijojnë vorbulla në hapësirat qiellore. Këto ndodhin kur bëhet e mundur kur harlismi në sytë e njeri-tjetrit, kur lozim me buzët tona duke krijuar vise përrallore me lodrime puthjesh, kur mbështetemi dhe tretemi në kurmet e njeri-tjetrit dhe fshihemi në zemrat e njeri-tjetrit. Por kjo ndodh jo vetëm kur ke lindur në maj kur çelin lulet dhe dashuritë e reja, kur lidin fëmijët dhe  sendërtohen ëndrrat. Dhe dimë të jetojmë stinët e luleve, kur i besojmë lindjes së frutave. Kjo ndodh kur thyhet heshtja. Të gjithë e dinë se buzët janë bërë për t’u puthur, Dje këtë nuk e shkruanim  dot, megjithëse e vërteta s’ka nevojë të shpallet ajo ekziston, edhe kur nuk mundesh që me krahët e drerit të rrokësh drenushën, qoftë edhe në ëndrra. Kështu i vesh hëna hiret me dritë, lodron nëpër hapësira dhe çmallet me erën.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora