E marte, 02.03.2021, 11:31 PM (GMT)

Mendime

Arben Llalla: Shteti që është kontradiktor me vetveten

E shtune, 20.12.2008, 07:52 PM


SHTETI QË ËSHTË KONTRADIKTOR ME VETVETEN

 

Nga Arben LLALLA

 

Problemet e shumta që ka shteti maqedonas nuk janë vetëm për emrin dhe identitetin me Greqinë, por edhe ato të racizmit etnik që nxisin strukturat shtetërore në këtë qoshe të Ballkanit. Republika që i bie “Borisë” për harmoninë dhe vëllazërimin e etniteteve është mashtrim i vetvetes. Ka raste të shumta ku vetë Institucionet shtetërore janë nxitësit kryesor të luftës midis etnive. Një nga këto raste për nxitje urrejtje etnike është edhe shkresa që Ministria e Brendshme kur më shpalli person të rrezikshëm për Integritetin e Republikës së Maqedonisë. Rastin në fjalë tregon se vetë kjo ministri bie në kundërshtim me vetveten sepse në bazë të ligjeve duhej të më përzinte jashtë territorit të Maqedonisë dhe jo për çdo vit të japi leje qëndrimi. E shpjeguar më qartë për lexuesin, Ministria e Brendshme bie në kundërshtim me Drejtorinë e Zbulimit DBK. Por nuk është vetëm Ministria e Brendshme që ka probleme serioze me Drejtorinë e Sigurimit DBK, por probleme ka edhe Ministria e Kulturës së Maqedonisë. Më 26 mars 2008 Ministria e Brendshme më mohon të drejtën e shtetësisë maqedonase në bazë të ligjit famkeq sepse jam person i rrezikshëm që rrezikoj Republikën Multietnike të Maqedonisë. Pasi bëra ankesë për mohimin e shtetësisë pa baza dhe fakte, Komisioni i shkallës së dytë të Ministrinë e Brendshme më 12 maj 2008 e rrëzon vendimin e parë si të pa drejtë dhe e këshilloji Drejtorinë e Zbulimit DBK që në bazë të ligjit brenda 30 ditëve të bëj ankesë për të mbrojtur tezën e saj. Pas 30 ditëve Drejtoria e Zbulimit nuk bëri ankesë duke u pajtuar në heshtje me Komisionin e shkallës së dytë që më dha të drejtë për fitim e shtetësisë në bazë të plotësimit të kushteve të parapara me ligj. (Ligji thotë se në afat prej 60 ditësh i parashikuar për procedurë të përgjithshme drejtuese, Gazeta zyrtare e RM” numër 44/02. Risi e aprovuar me ndryshimet e Ligjit për shtetësi të RM-së e vitit 2004 në frymën e nenit 11 të Konventës evropiane për shtetësi, është sqarimi plotësues i këtij kushti në nenin 5 të të njëjtit nen 7). Pra, Drejtoria e Zbulimit (DBK) duhet të jepte përgjigje negative ose pozitive me baza dhe fakte për personalitetin tim si person i pastër apo i rrezikshëm në afat prej 60 ditësh. Por kanë kaluar 200 ditë dhe ende nuk kanë marrë një përgjigje përfundimtare për problemin në fjalë nga Ministria e Brendshme - Drejtori e Zbulimit DBK, Avokati i Popullit, Organizata e Helsinkit, OSBE dhe unë personalisht. Edhe pse janë dërguar dhjetëra letra në adresë të Ministrisë së Brendshme.

            Ministria e Brendshme më shpalli person i rrezikshëm, ndërsa Ministria e Kulturës së Maqedonisë më lëshon në bazë të kërkesës për botimin e librit tim me titull: “Aristidh Kola dhe Shtypi shqiptar”, rreth 80 mijë denar, po ashtu kjo ministri më ka lëshuar edhe 16 mijë den për librin, “Gjurmë të letërsisë së vjetër të shqiptarëve të Greqisë 1860-1889”. Nuk e di se si mund të shpjegohet fenomeni kur në të njëjtën kohë të shpallin “TERRORIST” dhe po të njëjtët të sponsorizojnë në të holla për botimin e veprave si njeri i shkencës, i kulturës dhe i paqes. Nuk e di a ka shtet në botë që mund të botojë libra të personave që i shpallin të rrezikshëm?. Hajde gjeje të vërtetën dhe të drejtën në këtë vend ku çudirat ndodhin brenda natës!

 

Pse më kanë shpallë njeri të rrezikshëm?!

 

Çështja që unë jam njeri i rrezikshëm nuk ka të bëjë direkt me personalitetin tim, por ka të bëjë me aktivitete kombëtare të bashkëshortes time në vite Teuta Kamberi-Llalla. E them këtë në bazë të pyetjeve që më kanë bërë dy herë nga 6 orë tre Inspektorët e Zbulimit të Tetovës, më 2 nëntor 2006 dhe në mars të vitit 2007. Të mjerët Inspektorë më ofruan shumë shpërblime të majme dhe nuk ia arritën qëllimit të tyre dashakeqës. Pasi dështuan me metodat e vjetra të ish-Jugosllavisë që për shqiptarët në Maqedoni janë të njohura e ndryshuan kursin duke hedhur baltë mbi personalitetin tim se ndoshta diçka do mbetej. Në shërbim të tyre u vunë disa shqipfolës, disa antishqiptar që në një gjysmë gazete që botohet në gjuhën shqipe në Shkup dhe na ushqen me lajme të shkurtëra u vunë në shërbim të qëllimeve antishqiptare për të shpifur kundër një shqiptari prej Elbasani(shumë i ulët xhesti i këtyre “kolegëve gazetarë”). Opinioni i gjerë në Maqedoni duhet të mësojë të vërtetën se për dy vite disa bukshkelës shqiptarë u vunë syqorrazi në shërbim të atyre që kërkonin të hedhin baltë mbi figurën time duke shpifur nëpër gazeta kundër meje dhe familjes sime. Puna arriti deri në kërcënime haptazi nga këta shqipfolës që turpi i botës do i ndjekë pas gjithë jetën bashkë me fëmijët e tyre. Të mjerës Inspektorë nuk lanë gjë pa shpifur kundër deri në Shqipëri. Këto të gjitha i bënë për të paralizuar aktivitetet e mia kulturore dhe humane në të mirë të paqes, por dhe aktivitetet e bashkëshortes sime Teuta Kamberi e cila rrjedh nga një familje e madhe atdhetare nga Tetova. Vetë Teuta Kamberi-Llalla ka qenë që kur ishte studente bartëse e lëvizjeve kombëtare studentore në Universitetin e Tetovës. Shtëpia e saj ishte njëra nga bazat e drejtimit të UT, por edhe të UÇK. Kur trokiti lufta në vitin 2001, bashkëshortja ime Teuta Kamberi iu bashkëngjit UÇK me shpresën se diçka do të bëhej në të ardhmen për popullin shqiptar për të fituar të drejtat që i takojnë. Por pas luftës së 2001 si shumë ish-ushtarë të UÇK edhe familja ime po bëhet shënjestër e ndjekjeve dhe e shpifjeve nga strukturat e caktuara shtetërore. Nuk e di se çfarë do të thonë ish-Komandantët e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK pas këtyre gjërave që po ndodhin me ish-ushtarët e tyre?! Por një gjë duket në horizont si drita e diellit që lind çdo mëngjes se ish-ushtarët e UÇK do të ndiqen gjithnjë jetën në këtë vend të çuditshëm që quhet “Maqedoni”.

 

Luftë nëpërmjet rrugëve paqësore

 

Për të fituar të drejtën time unë nuk do të lë asnjë gurë pa lëvizur. Nuk do të lë gjykatë Kombëtare e Ndërkombëtare pa e ngritur çështjen për shkeljet e të drejtave të njeriut në Maqedoni. Sepse familja ime ka nevojë që të kujdesëm për të pranë saj. Për këtë çështje kam lajmëruar të gjithë krerët e partive shqiptare në Maqedoni që në maj të vitit 2008. Më tej lajmërova Avokatin e Popullit z.Ixhet Mehmeti i cili bëri një punë shumë të madhe (e falenderojmë) duke e ngritur këtë çështje në çdo Institucion shtetëror, por përsëri as Avokatit të Popullit nuk iu përgjigjen, jo për të më dhënë shtetësinë, por për të sqaruar me ç’të drejtë dhe baza juridike më shpallën person të rrezikshëm. Lufta për të mësuar të vërtetën nuk e ka ndalë ende Avokatin e Popullit z.Ixhet Mehmeti. Ai vazhdon të trokasë në dyert e Ministrisë së Brendshme, por merr vetëm heshtje nga përfaqësuesit e saj. Pra, ministria nuk respekton Institucionin e Avokatit të Popullit. Më tej çështjen time e kam ngritur në selinë e Helsinkit në Shkup. Kjo organizatë joqeveritare po merret me çështjen në fjalë si shkelje të të drejtave të njeriut, por edhe kjo organizatë me përmasa të mëdha Ndërkombëtare nuk është përfillur nga Ministria e Brendshme për një përgjigje. Po ashtu çështjen e ka ngritur edhe Forumi Ndërkombëtar i të Drejtave të Njeriut - seksioni i Maqedonisë. Drejtoria e Zbulimit në Tetovë i përplasën derën në fytyrë kryetarit të saj z.Idriz Sinanit kur u paraqit javën e shkruar. Pas kësaj u lajmërua qendra e OSBE për mospërfillje dhe shkelje të të drejtave të njeriut nga Shefi i Drejtorisë së Zbulimit(DBK) në Tetovë. Në të njëjtën kohë kam ngritur procedurë gjyqësore në Shkup për shpifje dhe shkelje të të drejtave të njeriut nga ana e Drejtorisë së Zbulimit. Avokatët e mi që janë Organizatat Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut kanë ngritur procedurë edhe në Gjykatën e Strasburgut. Në këtë Gjykatë do të kërkohet edhe dëmshpërblim në të holla për shkelje të të drejtave të njeriut me pasoja dëmtim ekonomik dhe psikologjik.

Siç duket në Maqedoni dikush punon që ky shtet të ketë probleme serioze me të drejtat e njeriut ligje që bota e përparuar i ka si kushte kryesore për në NATO dhe BE. Në qoftë se Institucionet e këtij shteti kanë vendosur të bëjnë dallime raciale atëherë dryni për në NATO dhe BE zë ndryshk për Maqedoninë përgjithmonë. Sepse nuk bëhet fjalë për Arben Llallën, por për mijëra njerëz që kanë krijuar familje në Maqedoni dhe u mohohet e drejta e shtetësisë nga ana e strukturave shtetërore maqedonase kur në të njëjtën kohë mijëra shqiptar nga Shqipëri dhe Kosova duke u deklaruar maqedonas brenga pak ditëve e fitojnë këtë shtetësi pa plotësuar kushtet e parapara me ligj. Këtu kemi të bëjmë me racizëm shtetëror kolektiv gjë, që bota e përparuar perëndimore nuk fal askënd qoftë edhe shtetin e Maqedonisë. Të mos harrojmë si ç’i punoji bota Gjermanisë së Hitlerit për racizëm ndaj hebrenjve, po ashtu Serbisë së Millosheviçit për racizëm ndaj shqiptarëve. E drejta mund të vonojë, por nuk do më harroj.

 

*Autori është Historian dhe Publicist



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora