Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Frank Shkreli: 60 vjet nga themelimi i Lidhjes Katolike Shqiptaro-Amerikane në New York

| E diele, 19.06.2022, 06:55 PM |


60-VJET NGA THEMELIMI I LIDHJES KATOLIKE SHQIPTARO-AMERIKANE NË NJU JORK

“Jemi nji shkëndi e vogël, që me ndihmë të Zotit do bahemi dritë e madhe, me shëndritë dhe votrat e errësueme në Atdhe.’’ - Dom Zef Oroshi, New York, 1962

Nga Frank Shkreli

Të dashur e të nderuar klerikë,Shkelqësi Imzot Rrok Mirdita, Arkipeshkëv i Tiranë-Durrësit Dom Pjetër, Dom Viktor, Dom Marjan... të nderuar zonja e zotëri, anëtarë të vjetër e të ri të famullisë Zoja e Shkodrës, miqë e dashamirë.  Si njëri që ka shërbyer si Sekretar i Lidhjes Katolike Shqiptaro-Amerikane (LKSHA) dhe si anëtar i Këshillit Redaktues të organit të LKSHA në fillim të 1970-ave,  e ndjejë  veten të nderuar me ftesën për të thënë dy tri fjalë dhe i privilegjuar që jam këtu sot për të shënuar këtë datë historike - jo vetëm për Kishën Katolike Shqiptare në mërgim, por edhe për Kishën e shumë vuajtur në Shqipëri dhe në të gjitha trevat shqiptare - për të shënuar 50-Vjetorin e themelimit të Lidhjes Katolike Shqiptaro-Amerikane, (LKSHA) më 16 Qershor, 1962.

Është këjo një datë historike, pasi i parapriu asaj që sot është famullia e parë  katolike shqiptare në Amerikë,  Famullia e Zojës së Shkodrës këtu në Hartsdale të Nju Yorkut, dhe në të njëjtën kohë shënon fillimin e një veprimtarie të larmishme fetare, kombëtare, gjuhësore e kulturore për komunitetin shqiptaro-amerikan. Ideja largpamëse e krijimit të Lidhjes Katolike Shqiptaro-Amerikane ishte e meshtarëve të atëhershëm të komunitetit katolik, Dom Zef Oroshit dhe At Andru Nargaj, të përkrahur nga një grup i vogël por entuziast bashkpuntorësh, disa prej të cilëve janë këtu, të pakën një e di se është këtu, Z. Tonin Mirakaj.

Për qëllime historike, meriton të përmendet fakti se në mbledhjen e parë të përgjithëshme të Lidhjes Katolike Shqiptaro-Amerikane u zgjodh Këshilli i parë prej shtatë anëtarësh, e që përbëhej prej Dr. Enrik Gurashi, Kryetar, Tonin Mirakaj,  Sekretar,  Loro Stajka Arkatar dhe anëtarët  Zef Çupi, Mark Bajraktari,  Zef Pashko Deda dhe Zef Hasani.  Me këtë rast dëshiroj të falenderoj njërin prej këtyre aktivistëve dhe anëtarëve origjinal të LKSHAs, Z. Tonin Mirakaj për ndihmën që më dha - me dokumentacion dhe dëshmi personale, me burime të dorës së parë, në rrëfimin e historisë dhe të veprimtarisë së Lidhjes Katolike gjatë 50-vjetëve të kaluara, veprimtari këjo në të cilën, në një mënyrë ose në një tjetër, ai ishte vet pjesëmarrës i drejtë për drejtë.

Anëtarëve të Lidhjes Katolike Shqiptaro-Amerikane u lëshohej një librezë (si kjo, të cilën unë e ruaj qysh se jam bërë anëtar me 8 Mars, 1971), me një kuotë anëtarësie prej një dollari në muaj.   Si anëtar i denjë i  Lidhjes Katolike me qëllimin përpara,  me  moton e punës për objektivin e rëndësishëm në të ardhëmen “Për Fe e Atdhe”, të lidhura e të bashkuara me unazën “Përparim” trashëguar nga para-ardhësit kishtarë atdhetarë shqiptarë, -  çdonjëri që dëshironte të bëhej anëtar i kësaj lëvizjeje të re në Amerikë, vullnetarisht i vënte vetes detyrë për të qenë: a) ‘’Katolik i mirë, praktikues i  fesë; b)  Shqiptar  Amerikan i ndershëm; c) Vijues i Traditave të mira Kombëtare, të gërshetueme me kulturën e shëndoshë perëndimore-amerikane.” Themelimi i LKSHA dhe i kishës eventualisht ishte më urgjent, po të merrej parasyshë në atë kohë politika e regjimit komunist të Tiranës kundër Kishës Katolike, që kishte në plan të zhdukte të gjitha fetë, por sidomos e kishte ferrë në sy klerin katolik, të cilin brutalisht e vrau, e burgosi dhe e torturoi deri në zhdukje.  Mbylli kisha e xhamia, dhe si asnjë shtet tjetër në botë, komunistët shqiptarë morën vendimin absurd me shpalljen e Shqipërisë shtetin e parë ateist në botë, duke ndaluar me ligj edhe të Madhin Zot.  Themelimi i LKSHAs u bë me vetdije të plotë nga klerikët Dom Zef Oroshi dhe At Nargaj me bashkpuntorët e tyre të ngushtë se sipas fjalëve të At Shtjefën Gjeçovit, “Atdhetarë vllazën, mos kjoftë thanun prej kujt se pa besim të vërtetë, mund të bahena atëdhetarë të vërtetë! Ku t’ zhduket emni i madhnueshëm i besimit, mos pyetni për atë komb, se nana e zezë do ta haje, e vendin e vet e qet në flakë... dhe se ai që përbuzë besimin, i del i pabesë si besimit si atdheut...pasi ata që punojnë këso dore nuk kanë farë dashnije as për njënin as për tjetrin...”

Lidhja Katolike e krijuar në bazë të parimeve të lartpërmendura, por pa qenë pjesë e asnjë grupimi politik, favorizonte dhe vazhdon edhe sot të bashkpunojë me çdo grup a individ që përpiqet t’i shërbejë interesave të Atdheut dhe kombit shqiptar pa dallim feje e krahine.  Ajo fillimisht përbëhej nga anëtarë të ardhur nga Shqipëria e Veriut, shumica të arratisur për të shpëtuar nga këthetrat e komunizmit, të ardhur nga malet e nga fushat, nga trojet shqiptare anë e mbanë Ballkanit, ruajtës të traditave tona shekullore, por dhe njerëz të shkollës.    Vështirsitë ishin të mëdha, por një ndër hapat më energjetikë dhe frymëzues të Dom Zef Oroshit ishte apeli që ai i bëri, më 1968, të gjithë komunitetit shqiptaro-amerikan pa dallim feje, krahine a ideje që të përkrahnin krijimin e një qëndre fetaro-kombëtare.  Kësaj thirrrjeje iu përgjigjën shqiptarët katolikë, muslimanë e ortodoksë, me ndihma morale dhe materiale, duke shënuar si gjithmonë një dëshmi të gjallë e konkrete tolerance, bashkpunimi e vëllazërimi midis shqiptarëve.

Duke folur për përpjekjet vendimtare të krijimit të qëndrës së re, Dom Zef Oroshi pat thënë se kishte mësuar nga përvoja e Peshkop Fan Nolit vite më parë dhe se ajo përvojë e kishte bindur atë, se nëqoftse komuniteti shqiptar në Amerikë nuk duhej të shkrihej - duke humbur gjuhë, kulturë e tradita - atëherë ishte e nevojshme ndërmarrja e çdo sakrifice për të përballuar çdo sfidë e çdo pengesë për themelimin e qëndrës katolike.

Ky përvjetor ka një rëndësi historike, pasi shënon fillimin e një fushate që pat mbjellë farën e parë duke mbledhur fillimisht 4000 dollarë për blerjen e Qendrës Katolike Shqiptare, e që tre vjetë më vonë u pasua me botimin e rëvistës Jeta Katolike Shqiptaro-Amerikane, pasi Lidhja Katolike kishte nevojë për një botim zëdhënës, por për më tepër këjo ishte edhe revista e vetme katolike shqiptare në botë, që shërbeu për të mbajtur gjallë lidhjet me të afërm dhe me të largët.  Para se të fillonte botimi i revistës Jeta Katolike, popullarizimin e Lidhjes së re në komunitet dhe më gjërë, e kishte marrë përsipër Tonin Mirakaj me artikujt e tij të botuar në gazetën Shqiptari i Lirë.  Kështuqë në një mënyrë Tonini, si sekretar i parë dhe gazetat  Shqiptari i Lirë dhe Dielli  ishin propaganduesit e parë të veprimtarisë fetare dhe patriotike të Lidhjes së re Katolike.

Megjithëse  gjatë kësaj periudhe, shërbimet fetare të komunitetit katolik shqiptar bëheshin  nepër kisha të ndryshme amerikane,  puna e rëndë e Kryetarit Dom Zef Oroshit dhe anëtarëve të  Lidhjes Katolike  Shqiptaro-Amerikane si dhe serioziteti i kësaj nisme të komunitetit  të vogël katolik,  50-vjetë më parë,  u kurorëzua natën e Krishtlindjes  të  Dhjetorit  1969, kur u tha mesha e parë në Qëndrën Katolike Shqiptare në 4221 Park Avenue  të lagjës Bronks.  Kryetari i Lidhjes Katolike Dom Zef Oroshi, në predikimin e tij me këtë rast përshëndeti grigjën e tij duke u thënë: “Mirë se u pruni Zoti në shtëpinë tuej.  Siç pat thenë vite më parë, në krijimin e Lidhjes Katolike me 1962, Dom Zefi rithkesoi edhe me ketë rast se “Këjo sot është një shkëndi e vogël që me ndihmë të Zotit do të bahemi dritë e madhe, me shëndritë edhe votrat e errësueme në Atdhe” – duke shtuar se ‘’Rruga e jonë është dhe mbetet ajo e Krishtit: drejtësi, dashuni e paqë për gjithkënd dhe me gjithkënd.”

Kishës së parë katolike shqiptare në Nju Jork, me dekret të Arqipeshkvit  të atëhershëm të Nju Jorkut,  Eminences së tij Terence Kardinal Cooke, iu njohën  të gjitha të drejtat si  famulli e plotë, me përjashtim të emërtimit famulli, përfshirë të drejtën e rezidencës së famullitarit në Qëndër, si dhe të drejtën për të pasur vulën zyrtare dhe të drejtat për të kryer shërbimet fetare si pagëzime, kurorëzime dhe funeralet.

Akordimi nga Kardinali Terence Cooke, Qendrës Katolike Shqiptare i të drejtave kanonike për të kryer të gjitha shërbimet fetare aty, ishte shumë i rëndësishëm pasi me këtë të drejtë, shqiptarët katolikë nuk ishin më të detyruar të shkonin nga një kishë amerikane në tjetrën për nevojat e tyre shpirtërore e fetare, duke emëruar Mons.  Zef Oroshin Administrator të Qëndrës dhe bashkpuntor të tij Dom Rrok Mirditën, i ardhur nga Arqipeshkvia e Tivarit, i cili me entuziazmin e tij sjellë një bashkpunim të zellëshëm e të frutshëm duke i dhënë një hov të ri veprimtarisë së Kishës së parë katolike në Amerikë.  Por, ndërsa komuniteti i besimtarëve katolikë sa vinte e shtohej  gjatë viteve,  nevoja për një kishë më të madhe po bëhej më urgjente.  Nga shënimet historike mbi jetën dhe veprimtarinë e Lidhjes Katolike Shqiptaro-Amerikane del se meshtarët, në marrëveshje me Këshillin e Kishës vendosën t’i lëshojnë një thirrje të re mbarë popullit të komunitetit shqiptaro-amerikan për një ndihmë të posaçme për të bërë të mundur ndërtimin e një kishe të re, më të madhe, pasi numëri i emigrantëve sa vinte e shtohej sidomos i atyre nga trojet tona në ish-Jugosllavi.  Pas lejeve dhe aprovimeve të nevojshme nga autoritetet shtetërore dhe kishtare amerikane, më 24 Shtator, 1978 bëhet inaugurimi i kishës së re me një meshë madhështore dhe pjesëmarrje të madhe bashkatdhetarësh nga i mbarë komuniteti shqiptaro-amerikan, me përfaqsues të të gjitha feve dhe nga mbarë viset shqiptare.  Nuk ishte këjo një ndërmarrje aspak e lehtë.  Në një editorial të gazetës Dielli të asaj kohe, Kryeredaktori  Xhevat Kalljaxhiu përshëndet hapjen e kishës katolike shqiptare në Bronks, si “një vepër me të vërtetë të madhe”, dhe uron e përgëzon ‘’iniciatorin e vjetër e kryesor, Monsinjor Zef Oroshin, të Përndershmin Rrok Mirditën, këshillat dhe besimtarët, që nuk kursyen prej shumë vjetësh, ndihmën morale dhe materiale për këtë vepër të shenjtë fetare e kombëtare’’, si “ndërgjegjës të misjonit të tyre jo vetëm si predikues të fjalës së Zotit, por edhe si predikues të Shqiptarizmit e të vëllazërimit midis shqiptarëve’’, përfundoi editorialin ish-gazetari i njohur  i Zërit të Amerikës Xhevat  Kallajxhiu.Në këtë ndërkohë, shqiptarët katolikë të Nju Jorkut kishin ndezur edhe një shkëndi tjetër atë të ‘’ Shën Pjetrit e Palit’’, nën udhëheqjen e meshtarit Dom Lazër Shëldija, e cila në Shkurt të vitit 1987, me miratimin e  këshillave dhe të meshtarëve të tyre, Dom Rrok Mirdita dhe At Andrew Nargaj ndërmorën vendimin për bashkim historik, në një kishë të përbashkët, kushtuar Pajtores së Shqiptarëve,  Zojës së Shkodrës.  Ishin përpjekje të vështira këto për të bashkuar shqiptarët e shpërndarë anë e mbanë Nju Jorkut dhe në shtete të tjera.  Por me vullnetin e pandërprerë, me sakrifica e mundime të mëdha që vetëm pjesmarrësit dëshmitarë të asaj periudhe i njohin mirë, Komisioni fillestar dhe komisionet e këshillat e kishës në vazhdim, kapërcyen kundërshtimet, apatitë, ndërhyrjet qëllim-këqia, dhe ia dolën më në fund objektivit  të lartë fetar e kombëtar.

Mbas shumë përpjekjeve, u gjet vendi i përshtatshëm prej 12 hektarësh e gjysëm, në 361 West Hartsdale Avenue, Hartsdale, New York, këtu ku jemi sot.  Kontrata e blerjes u nënshkrua me datën 26 shtator 1989, në zyrën e avoketënve “Piro & Mansell” në White Plains.  Kisha përfaqësohej nga avokati George A. Phillips i firmës, “Cusack & Styles”, në emër të cilës kontrata u nënshkrua nga i Përndershmi Dom Rrok Mirdita, në prani të anëtarëve të komisionit të bashkimit të dy kishave, zotërinjve Tonin Mirakaj, Lekë Gojçaj, Prelë Sinishtaj dhe Ndue Shala.

E gjithë këjo veprimtari prej disa dekadash e shumë mundimesh, nga klerikët dhe komuniteti katolik shqiptar në Amerikë përfundon më në fund në kurorëzimin e ndërtimit të Kishës së re, Zoja e Shkodrës këtu në Hartsdale.  Por është me rëndësi historike të përmendet fakti se vetëm dy ditë mbas blerjes së tokës, me 28 shtator 1989, Eminenca e Tij John Cardinal O’Connor i Nju Jorkut njoftoi themelimin e “Famullisë së parë Katolike Shqiptare në Amerikë me emërin e bukur “Zoja e Shkodrës” dhe emëroi famullitar të Përndershmin Dom Rrok Mirdita dhe bashkfamullitar të përndershmin Dom Pjetër Popaj.  Në vend që të pushonte krahët mbas një pune jashtzakonisht të rëndë,  Dom Rroku, merr thirrjen  e shëjntë për tu këthyer dhe për të ndezur  në Atdhe atë  “shkëndinë e vogël” nga Amerika, për të cilën pat profetizuar Dom Zef Oroshi me krijimin e LKSHA me 1962, që falë punës së rëndë dhe sakrificave të vet Imzot Rrok Mirditës dhe Konferencës së ipeshkvijve shqiptarë, sot “është bërë dritë e madhe, që shëndritë votrat e errësueme në Atdhe” nga dekadat  e ideologjisë komuniste, që kishte zhdukur çdo dukuri fetare me shpalljen absurde të Shqipërisë si vendi i parë ateist në botë.  Emërimi dhe shugurimi i Dom Rrok Mirditës  Arqipeshkëv për Durrës- Tiranë nga Shëjtënia e tij Papa Gjon Pali i Dytë solli pra, largimin e tij nga Amerika për në Atdhe, duke pranuar kështu privilegjin historik që veprën e filluar në Amerikë ta vazhdonte në Atdhe, - për të filluar  atë që gazeta New York  Catholic  e cilësoi si “A New Dawn for Albania” (Një Agim i Ri për Shqipërinë)-për hir të dashurisë për të Madhin Zot dhe Kombin e tij, si edhe për hir të dinjitetit  dhe në falënderim të përjetëshëm të para-ardhësve të mëdhej të klerit katolik shqiptar të përsekutuar dhe të martirizuar nga regjimi komunist i Enver Hoxhës.

Por barra e rëndë për shërbimet fetare dhe për mbarimin e punimeve të kishës së re, ra mbi  krahët e  të Përndershmit Dom Pjetër Popaj, një prifti të ri e energjetik, i edukuar dhe i shuguruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe i cili me përpjekje të palodhëshme njerëzore, me dedikim, sakrifica dhe vetmohim iu përvesh punës për të realizuar objektivin madhor të filluar 50-vjet më parë, dmth, të realizimit  të misjonit të lartë fetar e kombëtar, që sot është famullia “Zoja e Shkodrës”. Dom Pjetri iu përvesh punës me vrull e vendosmëri të pashoqtë për fillimin dhe mbarimin e këtij objekti fetar e kombëtar, të cilin Kardinali John O’Connor e pat quajtur një gur i çmueshëm, një diamant ose xhevahir, me fjalë popullore me të vërtetë një vepër madhështore, pat thënë ai -- dhe që sot -- fal aktivitetit të saj fetar e kombëtar - është jo vetëm krenaria e komunitetit katolik por e mbarë komunitetit shqiptaro-amerikan.

Me datën 3 dhjetor, 1995 bekohet guri i parë i themelit të kishës së re, në prani të një numëri të madh besimtarësh dhe udhëheqsish nga tri besimet.  Ndërtimi dhe inaugurimi i kishës ‘’Zoja e Shkodrës’’ shënoi përmbylljen e një kapitulli të lavdishëm të komunitetit katolik shqiptar në Shtetet e Bashkuara dhe fillimin e një veprimtarie  të gjithanëshme aktivitetesh fetare, kombëtare e kulturore, jo vetëm për komunitetin katolik, por për të gjithë komunitetin shqiptaro-amerikan, pa marrë parasyshë përkatësinë fetare.

Arqipeshkvi i Nju Jorku, John Kardinal O’Connor, një mik i vërtetë i shqiptarëve, me rastin e shugurimit të kishës së re, të cilën, siç thashë më lartë e quajti një

diamant  i çmueshëm, tha se konsekrimi i kishës ‘’Zoja e Shkodrës’’ ishtë me të vërtetë një celebrim e gëzim po të marrim parasyshë historinë e kombit shqiptar dhe dëshirën e tij për të qenë i lirë për t’iu lutur Perendisë.

Është e pamundur që mbrenda një kohe të shkurtë prej disa minutash të përfshihet një historik aq i pasur siç është veprimtaria e Lidhjes Katolike Shqiptaro-Amerikane gjatë 50-vjetëve të fundit, e sidomos e 20-vjetëve të fundit nën udhëheqejn e Dom Pjetër Popaj dhe bashkpuntorëve të shumtë.   Por do të përpiqem që në pika kryesore dhe shkurtimisht të nënvijoj ato aktivitete fetare, kombëtare e kulturore që e kanë dalluar dhe e dallojnë Famullinë Zoja e Shkodrës, këtu në Hartsdale të Nju Jorkut.  Një Qëndër këjo, me veprimtari të larmishme në shumë fusha, ku po mësohet dhe thellohet besimi në të Madhin Zot, por në të njëjtën kohë e si gjithmonë - dhe në traditën më të mirë të klerikëve tanë dhe të Kishës Katolike Shqiptare, që gjatë të gjithë historisë së kombit tonë ka vazhduar të ruaj dhe të promovojë zakonet dhe traditat tona si edhe ndjenjat kombëtare për të gjithë edhe këtu në botën amerikane në të cilën jetojmë.  Rëndësinë e përurimit të Kishës së parë Katolike Shqiptare në Nju Jork, e shprehu më së miri në atë kohë,  Ernest Koliqi, i cili në revistën ”Shëjzat” pat shkruar me atë rast se përveç  dobisë shpirtërore,  ‘’Na tue u nisë nga pikëpamja shqiptare  dëshirojmë të theksojmë këtu, vlerën e një organizimi i cili në flakë e në dritë të fesë – nevojë urdhnore e njerëzve sidomos kur mjerohen nga goditjet e fatit si janë të mërguemit – synon të mbajë gjallë zakone e doke thjeshtë kombtare, dmth të ruaj në vend të huaj pasuninë ethnike të trashigueme nga të parët, pasuni që na lejon m’u quejtë Shqiptarë në botë.’’

Përveç shërbimeve fetare dhe në përputhje të plotë me traditën historike të rolit që Kisha Katolike Shqiptare ka luajtë gjatë shekujve, në mbrojtjen dhe në kultivimin e vlerave të historisë kombëtare, gjuhës, kulturës, folklorit dhe të traditave tona shekullore, Kisha Zoja e Shkodrës dhe udhëheqsit e saj klerikë dhe laikë vazhdimisht, kanë ndërmarrë aktivitete të ndryshme duke organizuar folklore, seminare e akademi.  Kështuqë, këjo kishë e ka bërë këtë qëndër gjithashtu një mjedis ku të rinjtë e të rejat e tri besimeve tona zhvillojnë edukimin e tyre patriotik dhe me qëllim të ruajtjes dhe të zhvillimit të mëtejshëm të traditave dhe të ndërgjegjes kombëtare të fisit shqiptar.

Është me vend që të përmenden disa prej tyre -më të rëndësishmet - siç ishte akademia e mbajtur me rastin e 300-vjetorit të Imzot Pjetër Bogdanit, kur u ftua Dr. Ibrahim Rugova për të mbajtur ligjëratë. Këjo ishte vizita e parë e Ibrahim Rugovës në Amerikë dhe mund të thuhet lirisht se Kisha Zoja e Keshillit të Mirë mund të marrë kredinë se me këtë ftesë, konsiderohet që ai të ketë filluar karjerën e tij politike, që pak më vonë e konsolidoi atë si udhëheqsin e Kosovës që e njihte e gjithë bota, si udhëheqës i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe më vonë si President i atij vendi.

Ndër të tjera, janë organizuar gjithashtu edhe seminare në përkujtim të At Gjergj Fishtës dhe Dom Ndre Mjedës.  Çdo vit me 28 Nëntor, Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë organizohej dhe organizohet meshë dhe aktivitete për të përkujtuar dëshmorët e kombit dhe për t’iu lutur Perendisë për një të ardhme më të mirë për shqiptarët.  “Dita e trashëgimisë shqiptare”, edhe këjo një nga veprimtaritë e shumta vjetore të organizuara nga Kisha Zoja e Shkodrës, është këthyer  tashti në një aktivitet masiv që synon të mbaj gjallë  traditat kulturore dhe të forcojë lidhjet  e miqësisë midis gjithë shqiptarëve dhe t’i bëjë ata krenarë për prejardhjen e tyre.

Pasi Shqipëria nën regjimin komunist kishte marrë një emër të keq në Amerikë, ishte gjithmonë qëllimi i klerikëve katolikë, që botës amerikane t’i paraqiteshin vlerat pozitive të shqiptar duke paraqitur kulturën, kostumet dhe traditat më të mira, duke filluar me pjesëmarrjen e komunitetit në Festivalin e Arteve të Ballkanit në mesin e 1970-ave.  Festivali muzikor që kisha organizon për çdo vit, nën drejtimin e të palodhëshmit Mark Koliqit-Shkreli është bërë si të thuash një institucion kulturor e kombëtar—në të cilin marrin pjesë mijëra shqiptarë nga mbarë komuniteti, por edhe më gjërë, pa dallim feje, krahine apo ideologjie – e që mbulohet jo vetëm nga media shqiptare, por edhe nga ajo amerikane, përfshirë, ndër të tjera edhe gazetën me famë botërore Nju Jork Tajms.   Grupi Rozafati që ekziston pranë kishës për më shumë se 30-vjetë ka përfaqsuar komunitetin shqiptar në organizime e çfaqje të ndryshme artistike e kulturore të komuniteteve etnike në Amerikë.  Folklori i Kishës Zoja e Shkodrës ka zbukuruar  paradat  vjetore në  bulevardet e Nju Jork si edhe darkat e festimet kombëtare të komunitetit shqiptaro-amerikan, siç ishte kohët  e fundit festimi i 100-vjetorit tëthemelimit të organizatës mbarëshqiptare Vatra.  Dom Rroku e Dom Pjetri, mbi të gjithë angazhimet që kishin mbi supet e tyre, disi kishin gjetur kohë që të përgatisnin dhe të drejtonin edhe radio programin ‘’Zëri Katolik Shqiptar’’, që transmetohej çdo të shtunë në mengjes.

Aktiviteti i gjithanshëm i famullisë ka përfshirë edhe organizimin e udhëtimeve ose shtegtarive me karakter fetar, si për shembull vizita në Vatikan dhe Gennacano, ku grupi nga Zoja e Shkodrës u prit në audiencë nga vet Papa Gjon Pali i dytë.  Të rëndësishëm ishin shtegtimi në Tokën e Shenjtë dhe udhëtimi në Shqipëri me rastin e vizitës historike të Papës Gjon Palit të dytë, me ç’rast ai shuguroi katër ipeshkvijë, përfshirë edhe ish famullitarin e kishës tonë, tashti Imzot Rrok Mirdita, Arqipeshkëv Metropolitan i Tiranë-Durresit duke e ringjallur kështu hierarkinë e Kishës Katolike Shqiptare, e cila ishte zhdukur nga regjimi komunist i Enver Hoxhës.

Përveç veprimtarive fetare, ekumenike, kulturore dhe atdhetare, komuniteti katolik shqiptar nepërmjet kishës, e me ndihmën e klerikëve dhe të këshillave të ndryshme drejtuese, shpesh është marrë edhe me veprimtari humanitare në shërbim të bashk-atdhetarëve  tanë në Shqipëri, Kosovë e vise të tjera.  Vlenë të përmendet se gjatë 1990-ave, Kisha Katolike Shqiptare ka organizuar gjithsejt 22 transportime ushqimesh dhe veshmbathjesh, si edhe fonde me qindëra mijera dollarë për njerëzit në nevojë në Shqipëri dhe për refugjatët shqiptarë nga Kosova. Megjithëse larg nga atdheu dhe trojet tona në Ballkan, besimtarët katolikë  të kësaj famullie– gjatë këtyre 50-vjetëve histori të Lidhjes Katolike Shqiptaro-Amerikane - nuk kursyen kurrë dhe asgjë për bashk-atdhetarët  tanë në vendlindje duke dërguar, sipas mundësive këtu dhe nevojave atje, ndihma për ndërtimin e rrugëve, shkollave e qendrave fetare e kulturore, përfshirë edhe ndihmën e konsiderueshme dhënë për ndërtimin e Katedralës ‘’Nënë Tereza’’ në kryeqytetin e  shtetit  sovran e të lirë të Kosovës  -  dhe kur thirri Atdheu për mbrotjen e interesave kombëtare nuk munguan as ndihmat materiale e madje-madje as ato njerëzore.

Përveç veprimtarisë kombëtare, fetare e kulturore, Kisha Katolike nga koha në kohë organizonte, me ndihmën e mjekëve shqiptarë të kryesuar nga Dr. Agim Leka, edhe përkujdesje shëndetsore për fëmijtë e emigrantëve të ri të çdo feje e krahine, duke hapur  hapësirat e kishës për imunizime dhe nevoja të tjera shëndetsore për komunitetin shqiptaro-amerikan.  Megjithëse sot ka lloj lloj organizatash politike e kulturore të komunitetit, ishte Lidhja Katolike Shqiptaro-Amerikane, ajo që u parapriu këtyre kur në fillim të 70-ave mori iniciativën, që së bashku me qëndrat si motra myslimane dhe ortodokse të formohej Organizata ethnike shqiptaro- amerikane që do të përfaqsonte interesat e komunitetit pranë Bashkisë së qytetit të Nju Jorkut.

Nuk është pra këjo një “qyqesh”, siç i cilësonin apologjetët e regjimit të Enver Hoxhës,  mërgimtarët shqiptarë në Amerikë,  që shumë prej të cilëve patën fatin të shpëtonin nga terrori i egër i stalinistëve të Tiranës komuniste, e që  disa prej të cilëve,  50-vjetë më parë morën guximin dhe themeluan këtë Lidhje Katolike Shqiptaro-Amerikane.   Ky pra, është një komunitet i cili shpirtërisht dhe fizikisht,  gjithmonë  ka qenë dhe është afër dhe i gatëshëm të mbrojë interesat kombëtare dhe të punojë për “Fe e Atdhe”.   Është ky komunitet i Lidhjes Katolike Shqiptaro-Amerikane, me Kishën ‘’Zoja e Shkodrës’’ - i cili pa marrë parasyshë se ç’thanë kritikët dashakeqës atëherë, e ndoshta edhe sot - ai që po shkruan historinë e diasporës shqiptare në Amerikë dhe që është bërë pjesë e pa-ndashme edhe e historisë së Kishës Shqiptare në Atdhe.  Si i tillë, ky komunitet meriton një kapitull të denjë edhe në historinë e kombit shqiptar, ashtu siç  zë vend  edhe historia e arbëreshve të Italisë, të cilët gjatë 500-vjetëve ç’prej largimit të tyre nga Atdheu për të shpëtuar nga otomanët, ruajtën fenë, dashurinë për Atdheun, traditat,  gjuhën shqipe dhe kulturën.  Ashtu si edhe arberëshët e Italisë, edhe komuniteti shqiptaro-amerikan, pjesë përbërse dhe  e rëndësishme e të cilit është edhe komuniteti katolik i Nju Jorkut me rrethe, me aktivitetin e tij të palodhshëm 50-vjeçar, të udhëhequr nga klerikët  tanë që kemi privilegjin t’i kemi këtu sot, si dhe ata që kanë shkuar në atë jetë – vazhdon të jetë flamurtar i përhapjes dhe i forcimit të idesë kombëtare, i ruajtjes së vlerave fetare e morale si edhe i kulturës dhe traditave të bukura shqiptare, e që nepërmjet shembullit të Nënë Terezës e kanë bërë kombin tonë të njohur anë e mbanë botës.

Roli i famullisë Zoja e Shkodrës në jetën fetare, kulturore, shoqërore, humanitare dhe në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve kudo dhe pa dallim është vlerësuar nga të gjithë, përfshirë edhe udhëheqsit politikë dhe diplomatë nga Shqipëria, Kosova dhe vise të tjera shqiptare, të cilët e kanë bërë vizitën në këtë qendër si një ndalesë të doemosdoshme gjatë qendrimit të tyre në Amerikë.  Famullia Zoja e Shkodrës është shpesh edhe në qëndër të aktiviteteve ekumenike duke marrë iniciativën dhe duke organizuar lutje ndërfetare me udhëheqës të besimeve të tjera për qëllime mbarëkombëtare, si për shëmbull lutjet që mbaheshin për pavarësinë e Kosovës, dhe për fatin e shqiptarëve në përgjithësi. Një ndër ndërmarrjet më me rëndësi të kësaj qendre, siç thashë edhe më përpara, ka qenë botimi i revistës Jeta Katolike ku shkruanin e vazhdojnë të shkruajnë jo vetëm intelektualë e shkrimtarë të famullisë, por ajo është e hapur për të gjithë, dhe e cila ka siguruar respektin e meritueshëm, përmbajten e së cilës e ka vlerësuar edhe shkrimtari Ismail Kadare.  Këshilli redaktues nën drejtimin e Dom Pjetrit dhe të Mark Koliqit meriton lëvdata për një punë të mbrekullueshme edhe në fushën gazetareske.

Rëndësia e këtij përvjetori, e vërteta është, qendron në faktin se themelimi i Lidhjes Katolike Shqiptaro-Amerikane 50-vjetë më parë, kur të shikohet nga këndveshtrimi i sotëm, ishte gur themeli, ishte hyll i dritës dhe agimi i parë i mengjezit që zbardhi ditën dhe të ardhmen e Kishës Katolike Shqiptare në përgjithësi.  Kur të marrim parasyshë historinë e vuajtjeve e të mundimeve të  klerit dhe të Kishës Katolike në Shqipëri gjatë diktaturës hoxhiste komuniste, është e qartë se Shpirti Shënjtë kishte dorë të drejtë për drejtë në këtë krijesë të re, në këtë vend të madh të lirisë e demokracisë, me qëllim jo vetëm për të mirën e  komunitetit katolik shqiptaro-amerikan , por edhe për fatin e Kishës në Shqipëri dhe për të mirën e mbarë kombit shqiptar.  I Madhi Zot vepron në mënyra misterioze.  Siç thashë lartë, nga kjo famulli doli një arqipeshkëv, në personin e Imzot Rrok Mirditës, dy meshtarë Dom Pjetri e Dom Nikolin Përgjini, si dhe diakoni Marash Shkreli të cilët shërbyen për disa vjetë në këtë famulli.

Historia 50-vjeçare e Lidhjes Katolike Shqiptaro-Amerikane është një periudhë evenimentesh historike siç ishte, ndër të tjera, edhe organizimi i meshës solemne në Katedralën e Shën Patrikut në Nju Jork më1997 në kujtim të Nënë Terezës, bijës që Kombi shqiptar i ka dhuruar njerëzimit, e ku mori pjesë një mori e madhe shqiptarësh dhe të huajsh, pa dallim. Me ç’rast Profesor Sami Repishti, i emociounar nga këjo çfaqje fetare e kombëtare e organizuar nga Kisha Zoja e Shkodrës, e përmblodhi  më së miri misjonin dhe aktivitetin  e kësaj veprimtarie duke shkruar me atë rast: “Këtu në Katedralën e Shën Patrikut  u duk fëtyra pak e njohur e popullit  tonë të vjetër e fisnik, u duk i qartë besimi jonë në vetvehten, besnikëria ndaj traditave tona kombëtare, dashuria jonë e madhe për gjuhën tonë amtare, toleranca jonë fetare (i cili popull fton imamin mysliman të flasë nga altari i Katedralës) dhe vendosmëria jonë për të qenë pjesëtarë të një kombi që na jep nder dhe na jep emërin shqiptar...Megjithë sakrificat e shumëta që keni bërë, o vëllëzër e motra shqiptarë katolikë, për fe e atdhe’’ vazhdon Profesor Repishti, “ju jeni një grup fetar e kombëtar që do të mbijetoni çdo provë  e vështirsi në të ardhmen... dhe në këtë rrugë ju keni përkrahjen e miljona shqiptarëve myslimanë e ortodoksë që ju kuptojnë dhe ju duan”,  ka përfunduar artikullin e tij Profesor Sami Repishti.

50-vjetori i Lidhjes Katolike Shqiptaro-Amerikane është pra, një kurorëzim i denjë dhe i mbrekullueshëm i një veprimtarie në fushën e fesë dhe të shqiptarizmit.   Me urimet e mia i lutëm të Madhit  që Qëndra Nënë Tereza dhe famullia e Zojës së Shkodrës, nën drejtimin e famullitarit  Dom Pjetër Popaj, të vazhdojë punën e saj frymëzuese bazuar në binomin Fe e Atdhe me Përparim, të trashëguara nga parardhësit kishtarë shqiptarë, në misjonin e saj për të ndihmuar Kishën e shumë vuajtur dhe institucionet fetare të cilat gjithmonë kanë qenë qendra, jo vetëm e vlerave fetare por edhe vatër e promovimit  të patriotizmit  të pastër, të kulturës arbërore dhe të tolerancës ndërfetare këtu në Amerikë dhe në të gjitha trojet tona shqiptare në Ballkan.

Ju falenderoj për durimin, (Ribotim me rastin e 60-vjetorit)

Frank Shkreli*

*Autori ka shërbyer si Sekretar i Lidhjes Katolike Shqiptaro-Amerikane dhe ka qenë anëtar i grupit redaktues të revistës ‘’Jeta Katolike Shqiptare’’, për periudhën 1971-1974.

(Salla Nënë Tereza, Kisha ‘’Zoja e Shkodrës’’) 10 Qershor, 2012 – në 50-vjetorin e Lidhjes katoliko-Shqiptaro-Amerikane

Darkë e shtruar nga Këshilli i Kishës Katolike Shqiptare në Bronx me në krye Monsinjor Dr. Zef Oroshin në shenjë mirënjohjeje dhe falënderimi për Sekretarin e Lidhjes Katolike Shqiptare, Frank Shkreli me rastin e largimit të tij nga Nju Jorku për në Washington, për të filluar punën në Zërin e Amerikës, Qershor, 1974

Frank Shkreli falënderon me këtë rast, Monsinjor Dr. Zef Oroshin për ndihmën dhe këshillat e tija dhe njëkohësisht edhe Këshillin e Kishës Katolike Shqiptare për bashkpunimin dhe ndihëmesën e tyre gjatë periudhës që kishte shërbyer si Sekretar i Lidhjes Katolike, të themeluar nga Monsinjor Dr. Zef Oroshi.