| E diele, 19.06.2022, 01:22 PM |
Thirrje ndërgjegjës së veteranit mashtrues!
Vjedhja
dhe mashtrimi janë dy dukuri të ndërlidhura njëra më tjetrën. Pa qenë mashtrues
nuk mund të bëhesh hajn dhe anasjelltas. Vjedhja dhe mashtrimi janë dukuritë më
të shëmtuara në Kosovën e pasluftës, të cilat për fatin e keq të vendit tonë po
vazhdojnë edhe në ditët e sotme!
Shkruan:
Florim Zeqa
Hajnia dhe mashtrimi
rrënjet i kanë tek politika
Rrushi
e sheh rrushin e piqet, e thotë një fjalë e urtë popullore. Një pjesë e
qytetarëve të pandërgjegjshëm apo me vetëdije të ulët, duke parë dhe dëgjuar
për pasurimin e paligjshëm të një pjese të politikanëve të pasluftës, filluan
të mendojnë edhe ata për përfitime të sojit të tillë!
Në
fillet e pasluftës, abuzimet e para filluan me ndihmat humanitare. Përderisa
ata (politikanët) që ishin të “presa” u bënë përfituesit më të mëdhenjë të
ndihmave humanitare, qytetarët e papërgjegjshëm gjetën forma të tjera të
përfitimit.
Shkaku
se në Kosovën “multietnike” të parët që përfitonin ndihma humanitare ishin
pakicat minoritare, “patriotët” shqiptarë si mundësi përfitimi e gjetën
konvertimin në minoritar, në çergash, boshnjak, turk dhe ashkali për të
përfituar asistencë sociale në kohën e UNMIK-ut.
Përderisa
politikanët dhe zyrtarët që ndodheshin tek “presa” i ushqenin qentë e tyre me
kaçikë të pulave, “minoritarët” e rinjë i ushqenin familjet e tyre me lëmoshën
nga shteti “multietnik”.
Pas 17 shkurtit 2008
ndryshoi forma e abuzimit me shtetin
Pas
shpalljes së pavarësisë ndryshoi rrënjësisht forma e mashtrimit dhe hanjisë.
Pas kalimit të fazës së ndihmave humanitare me konsolidimin e institucioneve të
shtetit fillojë një etapë e re e abuzimit me shtetin.
Si
gjithnjë të parët që abuzuan me shtetin ishin bartësit e institucioneve
shtetërore, me punësimin e familjarëve dhe militantëve partiak nëpër
institucione, borde dhe agjencione, kompani publike dhe private.
Nxjerrja
e një gjysëm ligji për kategoritë e dalura nga lufta ishte mundësi e artë
përfitimi në emër të luftës çlirimtare. Futja në një thes e pseudoveteranëve me
veteranët e vërtetë të luftës çlirimtare i ka dëmtuar rëndë imazhin e vlerave
të luftës.
Përderisa
përllogaritjet preliminare të ish krerëve të UÇK-së, të organizatave vendore
dhe ndërkombëtare që e kishin monitoruar luftën çlirimtare flitnin për më pak e
jo më shumë se 13 luftëtarë nën uniformën e ushtrisë çlirimtare dhe jo vetëm,
paradoksalisht numri i tyre u ngrit deri në 60 mijë!
Fryerja e listave të
veteranëve për motive korruptive dhe elektorale
Dihet
mirëfilli se fryerja e listave të veteranëve është bërë për motive të ndryshme,
filluar nga ato të interesave personale e deri tek ato elektorale të partive të
caktuara politike!
I
takon Kuvendit të Kosovës, përkatësisht të zgjedhurëve të popullit që ta
nxjerrin një projektligj të veçantë për kategoritë e dalura nga lufta, për
verifikim të thellë të listave të veteranëve nëpër të gjitha zonat e luftës,
përmes komandatëve të ish Shtabeve të UÇK-së për nxjerrjen e numrit real të ish
ushtarëve të uniformuar dhe atyre pjesëmarrës të drejtëpërdrejtë në luftën
çlirimtare, për shkak se jo të gjithë çlirimtarët ishin të uniformuar.
Përveq
komandantëve të Zonave Operative, përgjegjësinë për zbardhjen e listave të
veteranëve i bartin edhe ushtarët që ishin në vijat e frontit, të cilët e kanë
obligim kombëtar identifikimin e secilit bashkëluftëtar, e jo të mbetet kjo
Veteranomani e krijuar nga komisionet e papërgjegjshme dhe të pandërgjegjshme.
Më
mirë sesa ushtarët e vërtetë të UÇK-së, askush tjetër nuk mund t’i ç’fryejë
listat e veteranëve, filluar nga strukturat udhëheqëse e deri tek ushtari i
fundit në pikë!
Thirrje kombëtare
pseudo-veteranëve
Edhe
pse nuk e kam të drejtën të thirrem në emrin e gjithë popullit shqiptarë, në
emrin tim personal ju bëjë thirrje kombëtare dhe njerëzore të gjithë atyre që
nuk e ndjejnë veten veteranë të vërtetë të UÇK-së, le t’i dorëzojnë
vullnetarisht çertifikatat e veteranit në shenjë respekti për gjakun e
dëshmorëve dhe martirëve, në shenjë respekti për invalidët dhe veteranët e
vërtetë të luftës çlirimtare.
Tërheqja
e vullnetshme nga listat e veteranëve e përfituesve pseudo-veteran, përveqse
akt i lartë kombëtar, është nder dhe dinjitet njerëzor i cili do të mirëpritet
nga të gjithë, e në veçanti nga familjet e dëshmorëve.
Nuk
është etike dhe as njerëzore, e ligjshme dhe as humane barazimi i dezertorëve
të luftës me luftëtarët, nuk është i ndershëm barazimi i atyre më buzëkuq të
nuseve në fytyrë dhe kokë të mbuluar që ikën nga lufta me ata që qëndruan tërë
kohën nën flakët e luftës.
Është
fyes dhe i paskrupullt barazimi i tradhëtarëve (bashkëpunëtorëve të Serbisë) me
atdhetarët dhe idealistët e lirisë së atdheut me të njëjtin statut të veteranit
të UÇK-së!
Kuvendi
i Kosovës duhet të caktojë një afat kohorë prej 3 muajsh për tërheqje
vullnetare nga listat të veteranëve mashtrues, pa asnjë konseguencë ligjore, në
të kundërtën ata që nuk tërhiqen brenda afatit të përcaktuar ligjor, qofshin
ata veteranë mashtues apo abuzues me listat e veteranëve duhet të përballen me
ligjin, përkatësisht me kthimin në mënyrë retroaktive të pensioneve apo
beneficioneve që i kanë marrë ndër vite në emër të veteranit të UÇK-së!