Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sabile Basha: Prizreni nuk është si dikur

| E enjte, 16.06.2022, 06:40 PM |


Sabile Keçmezi-Basha

PRIZRENI NUK ËSHTË SI DIKUR

Sot,

Duke ecur rreth Shatravanit

Dikush më tha

Zonjë, e shikon

Se as Prizreni

Nuk është si dikur

Gur mbi gur

Kujtimet vijën nga baladat

Sokakët janë ngushtuar

Si hartat e atdheut

Atje në theqafje

Blerimi e lumi

Kanë marr trajtë të Rozafës

Pa pra lëngon Lumëbardhi

Vetëm dielli e liria

Si dikur

Kanë të njëjtën ngrohtësi

Të dashur miq

Prizreni nuk është si dikur

Retë shkërmoqen nga rrufet

Mesazhet me tri të panjohura

Vijnë turrshëm

Nga Kalaja e Krujës

Tek Kulla  e Ymer Prizrenit

Prizreni nuk është si dikur

Ekuacion me tri të panjohura

E unë,

Edhe ju,

Në çdo kohë

Folëm e flasim ilirisht

Pa u dridhur qerpiku

Në kalanë që prore sogjeton

Kohët beronjë

Megjithatë,

Prizreni nuk është si dikur

I ringjallur nga rrebeshet

Në stinët që shkojnë e vijnë

Duke u puqur në mes veti

Me të njëjtin zjarr