E enjte, 28.03.2024, 09:21 PM (GMT)

Mendime

Florim Zeqa: Deklarimi i pasurisë, real apo mashtrim!?

E merkure, 15.06.2022, 07:07 PM


Deklarimi i pasurisë, real apo mashtrim!?

Prej së është bërë i aplikueshëm dhe ligjërisht i obligueshëm i deklarimit të pasurisë së zyrtarëve të lartë shtetërorë, nga viti 2013 e këndej, asnjëherë nuk kemi pasur deklarim real, por vetëm fshehje të pasurisë! Thënë ndryshe kemi pasur ndarje dhe tjetërsim të pasurisë mes anëtarëve të familjes së politikanëve të nivelit të lartë

Shkruan: Florim Zeqa

Deklarime sa reale, po aq të dyshimta!

Sipas statistikave të Agjensionit Kundër Korrupsionit, presidentja e shtetit na del të jetë bukur e pasur. Vjosa Osmani-Sadriu së bashku me bashkëshortin e saj, Prindon Sadriu kanë pasuri të majme brenda dhe jashtë shtetit!

Përderisa sipas deklarimit në Agjensionin Kundër Korrupsionit, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani duket të jetë më reale në të ardhurat zyrtare, e cila ka pagë vjetore prej 32 mijë e 922 euro si presidente e Kosovës, plus 6 mijë e 223 euro që i ka marrë nga mëditjet në udhëtimet përgjatë gjatë vitet 2021.

Në anën tjetër të hyrat zyrtare të kryeministrit Albin Kurti nuk duken të jenë aq reale dhe nuk përputhen me pagën mujore, i cili ka deklaruar të hyrat e tij vjetore prej vetëm prej 12 mijë e 903 euro. Sipas kësaj shume të deklaruar, i bie se paga mujore e kryeministrit është vetëm 1.075, 25 euro!

Kjo është më pak se gjysma e pagës mujore!

Në këtë rast shtrohet pyetja logjike për pjesën tjetër të padeklaruar, e dërgon kryeministri për bamirësi apo mbetët në thesarin e shtetit!?

Përderisa pasuria e patundshme e presidentes Vjosa Osmani është e ndarë në dysh me bashkëshortin e saj, zotriun e parë të shtetit, zyrtarin e lartë në të gjitha mandatet e qeverive paraprake, e gjithfuqishmit Prindon Sadriu, pasuria e patundshme e deklaruar e kryeministrit Albin Kurti e tëra është në emrin e bashkëshortes së tij, përderisa ky për “gjynah” të Zotit mbijeton me një banesë të vogël me qera në Prishtinë!

Të pasur, por në borxhe bankare

Sikurse presidentja Vjosa Osmani, ashtu edhe kryeministri Albin Kurti, shkaku i “varfërisë” janë detyruar të futen në kredi bankare në Kosovë për të paguar borxhet për banesat dhe shtëpitë luksoze!

Sa më të pasur, aq shumë të varfër në aspektin formal. Fundja, kjo është logjika e të gjithë zyrtarëve paraprak, të cilët para syve të qytetarëve deklarohen modest, por në realitet bëjnë jetë “sheikësh” në Kosovës!

Për vërtetimin real të pasurisë së deklaruar të zyrtarëve të lartë shtetëror, duhet angazhim urgjent i prokurorisë së shtetit në koordinim me Agjensionin Kundër Korrupsionit dhe jo vetëm. Duhet angazhim i të gjithë qytetarëve dhe institucioneve relevante të vendit për të zbuluar të gjitha fshehtësitë e atyre që nuk e kanë deklaurar tërë pasurinë, gjegjësisht për të grumbulluar të gjitha informacionet e sakta që e vërtetojnë pasurinë e deklaruar dhe prejardhjen e saj!

Pasi dyshimet janë se një pjesë e konsiderueshme e pasurisë së zyrtarëve të lartë është tjetërsuar duke u bartur tek familjarët ose personat e besueshëm të tyre!

Në të gjitha rastet ku nuk ka përputhje mes pasurisë së deklaruar dhe të dhënave nga institucionet përkatëse të shtetit, Agjensioni Kundër Korrupsionit duhet të ngre padi ndaj deklaruesve të rrejshëm të pasurisë.

Ndryshe, sipas ligjeve në fuqi, mos deklarimi i pasurisë apo deklarimi i rrejshëm janë vepra të rënda penale të cilat sanksionohen me dënim me burgë dhe gjobë të lartë, varësisht prej shumës së padeklaruar.

Edhe pse Agjesioni Kundër Korrupsionit nga viti në vit ka ngritur kallxime penale për fshehje të pasurisë së zyrtarëvetë lartë shtetërorë, deri më sot nuk e kemi asnjë zyrtarë të lartë të dënuar dhe asnjë “peshk të madh” në grepin e drejtësisë.

Pasuria e tyre e paligjshme ka mbetur e pakonfiskuar!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora