Mendime
Dilaver Goxhaj: UÇK & NATO, ishin si dy duart që lajnë njëra tjetrën
E merkure, 15.06.2022, 07:50 PM
UÇK & NATO, ISHIN SI DY DUART QË LAJNË NJËRA TJETRËN
NGA KOLONEL DILAVER
GOXHAJ
Nga koha në kohë
po na shtohen "analistë", "filozofë", ushtarakë nga
uniforma po edhe nga ata me shkollë; thënë më saktë, politikanë dhe
intelektualë të të gjitha fushave, duke u munduar të bindin opinionin shqiptar
se Kosovën nuk e çliroi dhe nuk kishte mundësi ta çlironte Ushtria Çlirimtare e
saj (UÇK-ja), por veç Amerika. Dhe po guxove t'i kundershtosh, nuk
përtojnë të të cilësojnë "antiamerikan", apo heretik, (një lloj
inkuizicioni), pse guxojmë të themi të vërtetën e mundësive të UÇK-së. Dhe për
këtë na paraqesin argumenta nga me absurdët.
Më të zellshëmit e
këtij "inkuizicioni" janë ata që nuk kane lexuar fare histori
ushtarake, janë nga ata që kur u luftua në Kosovë gjatë viteve
1997-1999 ose nuk kanë ditur se çfarë bëhej në Kosovë, ose nuk u
vjen mirë të flitet për aftësitë e popullit shqiptar në Kosovë; ndoshta ashtu
ua kërkon servilizmi që kanë në gjak. Dhe, "argumenti" më bindës që
përdorin këta zotërinj të gjithëdijshëm, na është përgjigjja: "As mos u
shkoi ndërmend që UÇK-ja e vogël ta mundëte ushtrinë dhe politicinë
e madhe serbe!".
Kjo përgjigje e
këtyre zotërinjve të bind se nuk e njohin aspak historinë e Shqipërisë e të
gjithë popullit shqiptar. Harrojnë këta zotërinj se Shqipëria e Skënderbeut, që
atëhere nuk ishte as gjysëm milioni, iu kundërvu me sukses për një çerek
shekulli Perandorisë më të madhe të kohës? Nuk e dinë këta zotërinj se edhe
ushtria shqiptare vullnetare e Lidhjes së Prizërenit mundi ta përballonte
reagimin e po asaj Perandorie, edhe pse ne atëherë nuk kishim shtet shqiptar?
Nuk e dinë këta zotërinj që e ngrenë zërin në qiell për pamundësinë e çlirimit
të Kosobës nga UÇK-ja, që në 1920 në Vlorë 4-5 mijë fshatarë shqiptarë hodhën
për 3 muaj në det Perandorinë Italiane? Nuk e dinë këta zotërinj të
"ditur" se edhe gjatë LANÇ-it Ushtria Vullnetare
Nacionalçlirimtare Shqiptare, e lindur nga guerilja, arriti ta çlironte këtë
Shqipëri që kemi sot me forcat e veta, si asnjë shtet tjetër në Evropë, edhe
pse përbëheshim me një popullsi njëmilionëshe? Ajo ushtri partizane përballoi
ushtrinë e Italisë fashiste që mbajti në Shqipëri lart nga 100 mijë
ushtarë, dhe më pas atë ushtri të Gjermanisë naziste lart nga 70 mijë ushtarë,
edhe pse të dy këto ushtri pushtuese shkatërruan ose na rrafshuan
përtokë 850 qytete dhe fshatra nga 2.500 që kishte atëhere Shqipëria.
Ishte ajo ushtri e vogël, (sikundër ishte edhe UÇK-ja), që u shkaktoi të dy
pushtuesve, (italianë e gjermanë), 58.639 të vrarë, të plagosur ose të zënë
rob, u shkatërroi afro 100 tankse dhe autoblinda, 1,334 topa e mortaja, 2.855
mitraloza dhe 1.934 kamjona, pa llogaritur pushkët, municionet dhe depot që u
shkatërruan ose u kapën.
Luftën e bën
morali dhe jo armët
Apologjetët e
kësaj propagande antishqiptare, duke qenë skeptikë, nuk duan ta pranojnë se
Serbia angazhoi në Kosovë gjithsej: 145.554 forca; prej tyre 15.779 pjesëtarë
të MPB; 61.892 nën komandën e Korpusit të Prishtinës; 13.000 Njësitë
Speciale Policore; 200 trupa Njësia Speciale Antiterroriste (të cilët përdornin
uniforma të kamufluara ngjyrë gjelbër-hiri dhe çizme të modelit
"Gore-Tex"); 54.683 trupa ishin forcat rezervë –policore, që përbëhej
kryesisht nga pjesëtarët e ish "Beretave të kuqe" të formuara më
1991, të cilët kishin marrë pjesë në luftrat në Kroaci e Bosnjë-Hercegovinë.
Mos
harrojmë, se 95.000 prej atyre
forcave sulmuese kriminale kishin ardhur në Kosovë një vit më herët se të
angazhohej NATO-ja me aviacionin e saj, gjë që e dëshmoi në Gjyqin e Hagës
kundër Millosheviçit, ish-Komandanti NATO-s, Gjenerali Uesli Klark. Ato forca
agresore-kriminale serbe, edhe pse vranë mbi 13 mijë civilë duke
i varrosur në mbi 530 varreza masive, përfshi 1 mijë e 400 fëmijë të moshës nën
18 vjeç; edhe pse shkatërruara
100 mijë e 589 shtëpi; edhe pse dëbuan jashtë Kosove mbi 1 milion shqiptarë,
megjithatë ndodhi ajo që e deklaron edhe Presidenti Klinton më 23 maj 1999: "Megjithse
Millosheviçi ka dëbuar me qindar-mijëra shqiptarë kosovarë nga shtëpitë e tyre,
ai nuk e ka eleminuar Ushtrinë Clirimtare të Kosovës. Madje radhët e saj po
shtohen dita-ditës, ajo ka filluar të ndërmarrë ofensiva kundër forcave serbe,
të cilat fshihen skutave për t'u shpëtuar goditjeve ajrore. Tani Millosheviç po
përballet me sigurinë e vazhdimit të situatës ajrore, me këmbënguljen e UÇK-së
dhe me mundësinë për t'u përgjigjur përpara popullit..." ("Ne
luftën, ju paqen", 1999, f.82), duke arritur në fund mbi 25 mijë
luftëtarë fronti, të organizuar në
28 Brigada, të ndara në 7 Zona Operative.
Madje UÇK-ja u
rrit duke i shtuar sulmet, edhe pse iu bë Kosovës embargo nga Perëndimi, gjë që
vërteton moralin e lartë të UÇK-së. Nëse edhe UÇK-ja do të furnizohej nga
Perëndimi sikundër furnizojnë sot Ukrainën, UÇK-ja e kishte çliruar vetë
Kosovën, pasi morali nuk i mungonte. "Në luftë, - ka thënë
Napoleon Bonoparti,- gjendja morale përbën tre të katërtat e lojës.
Pjesa që mbetet varet nga fuqitë fizike". Si kujtoni ju trimat e
paneleve televizive, se ky moral nuk mund ta çlironte Kosovën?!
Kjo ushtri popullore
i asgjësoi armikut 1.166 ushtarë
e policë, (deklaruar prej ish-kryeministrit të Serbisë, Mirko Cvetkoviç,
me rastin e 11-vjetorit të fillimit të bombardimeve, në 2010). Ndërsa Fondi për
të Drejtën Humanitare në Serbi (Natasha Kandiç) ka dhënë shifrën 276 ushtarë e
policë të Serbisë të vrarë nga bombardimet e NATO-s, duke i dhënë me emra. Kjo
do të thotë se në çdo 4 armiq të asgjësuar, 3 janë asgjësuar prej UÇK-së.
Sipas dëshmisë
së Oficirit të sigurimit të Serbisë, Zoran Milovan Stojoviç, dhënë në 1
prill 2003, vetëm nga 1 janari deri në 30 nëntor 1998 numëri i sulmeve të kryera
prej UÇK-së ishte 1486. Në këto sulme u vranë, 105 anëtar të MPB-së dhe 37
anëtar të UJ-së si dhe u nxuar jashtë luftimit 481 nga të cilët 96 civilë serbë
vendas të armatosur, 283 anëtarë të MPB-së dhe 102 anëtar të UJ-së.
Sipas raportit të
Komisionit Special të NATO-s, të 16 shtatorit 1999, (vetëm) në Kosovë janë
shkatërruar: 93 tanke, por nga Serbia pranohet se vetëm 3 janë asgjësuar
nga aviacioni i NATO-s, sikundër thuhet në Uikipedia, të tjerët i ka asgjësuar
UÇK-ja.
Është vetë
Millosheviçi që e pranon në Hagë që vetëm në muajin nëntor 1998 UÇK-ja ka kryer
470 sulme kundër forcave ushtarako-policore të tij, ndërsa në muajin dhjetor
1998, 1854 sulme, duke i shkaktuar atyre vetëm për dy muaj 244 të vrarë dhe 566
të plagosur, gjë që e pranon në parim edhe Gjenerali Klark. ("Kosova
Sot", 24.12.2003).
Skeptikët kundër
UÇK-së
Jo, mor, jo, o ju
skeptikë ndaj aftësive të popullit tuaj, nuk jemi antiamerikanë, jo, por jemi
realistë. Jepi Qezarit atë që i takon Qezarit, ka thënë dikur Krishti. Jo më
kot Koltunov thotë: "Për të vërtetën jam gati të ulërij si ujku".
Si skeptikë që jeni, ju i ngjasoni atij ekstravagantit që del me fener për të
parë a ndriçojnë yjet. Prandaj, nuk keni pse prishni gjakun duke ulëritur:
"U BuBuuuu! U mohua Amerika!"
Mos u trondisni,
se ne nuk na lejon ndërgjegjia dhe nderi i ushtarit të popullit që
ta mohojmë ndihmën që na dha Amerika dhe Anglia, ndryshe do të ishim tipikë si
ju që jeni mosmirënjohës ndaj luftës së UÇK-së, e cila më së shumti u vjen nga
padija se lexoni vetëm veten.
Ne, pjestarët e
UÇK-së e dimë më së miri se kushdotjetër, se nga 1.000 avjonat e NATO-s që u
angazhua në atë luftë kundër Serbisë, 80 për qind ishin avjonë të SHBA; e dimë
dhe atë, se nga rreth 38.000 fluturime aksionesh që u kryen nga NATO-ja, 85% e
tyre u kryen mbi Sërbi dhe vetëm 5.100 fluturime u kryen kundër forcat serbe në
Kosovë. Besoj se këto shifra e fakte u bindin se peshën kryesore të asaj lufte,
edhe kur u angazhua NATO-ja, e mbajti mbi shpatulla UÇK-ja, të cilën e pagoi me
gjakun e 2.131 dëshmorëve dhe mbi 4.000 të plagosur e invalidë, duke u "përballur
me një kundërshtar, i cili është munduar që të maksimizonte vdekjet dhe
mizeriet e shqiptarëve në Kosovë",(Uesli Klark, "Kosova
Sot", 25.12.2003).
Por ne, nuk
mohojmë gjithashtu edhe përkrahjen politike e diplomatike të Amerikës,
përkrahje e cila e rriti shumë e më shumë besimin tonë për fitore si dhe
kurajon për të luftuar; gjithashtu, ne e dimë më rë se ju, se angazhimi i
NATO-s me aviacion, jo vetëm që e shpejtoi fitoren e luftës sonë, duke na
shpëtuar mijëra e mijëra jetë njerëzish. Për këtë i jemi edhe më shumë mirënjohës
Amerikës, por edhe atyre shteteve të BE-së që i detyroi Amerika të
angazhoheshin në atë luftë.
I gjithë ky sulm
mediadik kundër "pamundësisë luftarake të UÇK-së për çlirimin e Kosovës"
gjatë këtyre 23 viteve të pasluftës, e që sapo vjen e po intinsifikohet (!),
është një presion i qëllimshëm që ne, pjesmarësit e asaj lufte të heshtim, që
Gjykata Speciale e ngritur qëllimisht, të mos nguroi ta shpalli UÇK-në "grup
i organizuar terrorist" sikundër thuhet në akuzën e asaj Prokurorie,
që nesër ajo luftë të shpallet luftë civile dhe Kosova t'i kthehet Serbisë. Ju
ndoshta e keni të pamundur ta kuptoni se nuk u lejon vetëmburja duke u hequr si
shumë të zgjuar. Por lusim që ta keni nga injoranca dhe jo ga urrejtja ndaj
UÇK-së.
Por, zotërinj
kundërshtarë të UÇK-së, fiksojeni mirë, se UÇK-ja u përball me një ushtri nga
më të fuqishmet në Ballkan, u përballëm me një ushtri që kishte përvojën e 5-6
viteve luftë me Kroacinë e Bosnjën, që drejtohej nga oficerë me përvojë të
fituar në ato vite lufte ndërshtetërore. Duke qenë se Serbia kishte një ushtri
të atillë, po të mos ishte lufta e UÇK-së, NATO-ja as që kish për t'u angazhuar
në atë luftë; por, edhe nëse angazhohej vetëm me aviacion, pa ekzistencën e
UÇK-së, do ta kishte të pamundur fitoren me Serbinë. Po të mos ishte lufta jonë
çlirimtare, të cilën ata që e nisën as që e kishin menduar kurrë se do t'u
vinte në ndihmë NATO-ja, të jeni të bindur se ushtria e Serbisë nuk do qe
shkulur edhe sot nga Kosova. E dinim edhe atë, që nëse nuk do qe angazhaur
NATO, lufta do të vazhdonte gjatë, të bindur, se shumica e kombit shqiptar do
t'i ishte bashkuar UÇK-së, ndoshta edhe ju atdhetarët e sotëm.
As mund të
çlirohet ose të pushtohet një vend vetëm me aviacion
Mos u duket çudi dhe as vetëmburje që po u flas me këtë gjuhë. Sepse, së pari,
"Historia nuk njeh ndonjë rast që fuqia ajrore të ketë pasur sukses e
vetme",... "ngaqë e keqja e fuqisë ajrore kur është e vetme është se
e len inisiativën në duart e armikut",... "Në çdo luftë është
këmbsoria që duhet të ngrejë flamurin e fitores në fushën e betejës.",
( sikundër shkruan Shefi i Shtabeve të Bashkuara Amerikane, Kolin Pauell,
"Udhëtimi im amerikan", f.371,381,388). Dhe,së dyti, duke i mbajtur
UÇK-ja të angazhuara forcat tokësore serbe duke i ekspozuar në terren, vetëm kështu
aviacioni amerikan e angles mundi të plotësonte misionet e tij.
Nuk ka ushtarak me përvojë që të mos e dijë se një nga parimet operative bazë
është që komandanti në terren ka gjithmonë të drejtë. Dhe ai komandant ishim
ne, UÇK-ja, ndërsa komandantët e NATO-s e shikonin situatën nga larg, në
Televizorë, të cilët, pa ndihmën tonë do të ishin përherë të gabuar. Ne ishim
në skenë, ne e preknim terrenin, duke u përballur me forcat serbe dhe duke i
gjykuar ato. Aviacioni i frontit, sado i shumtë e i fuqishqëm që të ishte, po
mos të kish bashkëveprimin tonë që luftonim nga toka, po të mos kish
informacionin tone të shpeshtë në çdo kohë për gjendjen në front dhe në
thellësi të armikut, (i cili në terminologjinë ushtarake quhet shenjëtregim),
do ta kish pothuajse të pamundur nënshtrimin dhe kapitullimin aq shpejt të
Serbisë, sikundër e thekson edhe vetë Gjenerali Kolin Pauell.
Dhe këtë detyrë të
domosdoshme UÇK-ja e kreu 24 orë gjatë 24 orëve të çdo dite të asaj lufte 78
ditore. Informacionin e jepnim ne, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së. Kush
nuk e di, le ta mësoi: INFORMACIONI ËSHTË FUQI. Planifikimi jo vetëm i
luftës, por edhe i çdo sulmi nga toka dhe ajri kundër objektivave tokësorë të
kundërshtarit, është një mozaik i dhjetra e qindra detajeve shqetësuese; dhe
këto detaje i jep informacioni që është në kontakt me forcat tokësore të
armikut.
Avionët e NATO-s,
por edhe ne, me të vërtetë synonim të bombardoheshin forca serbe të fshehura
nëpër qendrat e banuar e nëpër pyje, por duhej të bënim kujdes që mos të bombardoheshin
populli i thjeshtë, gratë dhe fëmijët, si dhe forcat tona, dhe që edhe ndodhën.
Lista e
objektivave që raportonim ne në çdo 2-3 orë, por shumë herë edhe më shpesh,
përfshinte që nga dislokimi i instalimeve dhe pozicionimet e forcave serbe,
deri dhe te tanke të veçuar e të groposur, si në front e në thellësi, deri ku
kalonte vija e çdo transheje të armikut; përfshi gjithë linjat e tij të
furnizimit e të ndërlidhjes, pa harruar vijën e ndodhjes së forcave tona dhe
vendgrumbullimet e popullsisë së zhvendosur nga qendrat e banimit.
Këto i pranon edhe
Gjenerali Uesli Klark kur i bëhet pyetje në Gjykatën e Hagës: "Cilat ishin
burimet tuaja të informimit?" Ai përgjigjet: "Këto ishin
burime të besueshme të inteligjencës amerikane, plus raportimet nga vetë
terreni", ("Kosova Sot", 26.12.2003, f.15).
Prandaj e thashë
dhe e them me zë të fortë, se po të mos ekzistonte UÇK-ja, ushtria serbe edhe
sot nuk do qe tërhequr nga Kosova dhe ne do të ishim ende duke luftuar.
Nuk e besoni rolin madhështor e tepër të domosdoshëm të UÇK-së? Po u jap një
mori shembuj të hershëm e të tashëm.
Të gjithë e dimë që edhe pse zgjati 10 vjet fushata e bombardimeve sistematike
"Rrolling Thunder" e SHBA kundër Vietnamit të Veriut (RDV), prej
Gushtit të vitit 1964 deri në vitin 1975, nuk e nënshtruan dhe nuk e nënshtruan
dot amerikanët. Dhe atë luftën "e vetme nga ajri" e bënte po kjo
Amerikë që veproi edhe mbi Serbi, superfuqia më e madhe e gjithë kohrave, e
cila bombardoi me të gjitha llojet e armëve e municioneve, si dhe me të gjithë
teknologjinë më të sofistikuar ushtarake për atë kohë, duke hedhur mesatarisht
7 (shtatë) kg bomba për çdo vietnamez, ose 3 (tri) herë më shumë bomba se sa u
hodhën gjatë gjithë Luftës së Dytë Botërore. Në total, vetëm në periudhën 5
gusht 1964- 5 gusht 1966, numëri i avjofluturimeve amerikane mbi RDV ishte 240
mijë; në 1967 ishin 30 mijë në muaj, në 1968 edhe më shumë. (Davidson F.B.
"Lufta në Vietnam 1946-1975", M. 2002). Dhe përfundimi?
Përgjigjen na e
jep ish-sekretari DASH-it, z.Henri Kissinger: "Me kalimin e muajve,
debati i brëndshëm u përqëndrua gjithnjë e më shumë në parakushtin e Hanoit që
Shtetet e Bashkuara të caktonin në mënyrë të njëanshme një datë për tërheqjen,
si formë për përfundimin e luftës.", ("Diplomacia", Tiranë
1999, f.689). Kjo do të thotë, se ishte pala sulmuese, SHBA që kërkuan të
uleshin në bisedime dhe jo pala që goditej. Përherë, është pala humbëse ajo që
kërkon bisedime, thotë Kissinger. Edhe pse kundër Vietnamit u përdorën bombat
me napalm dhe lëndët kimike, madje edhe bomba me peshë 7 (shtatë) ton, të
hedhura nga aeroplanët e rëndë bombardues B-52, të cilat shkrinin gjithçka në
një rreze prej 100 metrash atje ku binin dhe që shkaktonin një tërmet
disaballësh në një rreze prej 3,5 kilometrash, e përsëri pala mbrojtëse nuk
kapitulloi.
Dhe, si e
shpjegoni nga ana ushtarake ju apologjetët mohues të UÇK-së atë tërheqje të SHB
nga Vietnami?
Mësojeni! Sepse
aviacionit amerikan i mungonte informacioni nga toka. Ishte kjo mungesë e
rëndësishme që e çoi Amerikën në atë heqje dorë nga lufta, sikundër shprehet
vetë pjesmarrësi në atë luftë, Gjenerali Kolin Pauell: "Ne kishim humbur
lidhjet me realitetin. Gjithashtu ishim mashtruar nga teknologjia. Armiku ishte
primitiv, ndërsa ne ishim vendi me teknologji më të përparuar në botë. Kështu,
nga dyqani i Maknamarës dilnin mrekulli të tilla si "nuhatësi i
njerëzve", një pajisje që mund të diktonte që nga avjoni edhe koncetrimin
e urinës në tokë. Nëse diktohej urinë në territorin armik, e kuptonim që aty
kishte përqëndrim të tyre dhe ky përbënte një objektiv për goditjen tonë.",
("Udhëtimi im amerikan", SH.B.U, Tiranë 1999, f.114).
Për mungesë bashkëveprimi nga toka dështoi edhe operacioni i koduar
"Desert one", i 24 prillit 1980, për të shpëtuar 53 pengjet amerikane
të kapur nga iranianët e që mbaheshin robër në ambasadën amerikane në Teheran
që prej pesë muajsh. "Plani parashikonte, - shkruan Kolin Pauell,
- që helikopterët të transportonin trupat në një zonë pranë Teheranit
dhe agjentët e SHBA në Iran do të sillnin aty kamjonët për të dërguar komandot
në ambasadën amerikane, ku do të përpiqeshin të eleminonin rojet... Por ishin
dobësitë në zinxhirin e komandim- komunikimit që kontribuan në dështimin e
misionit.", (Po aty, f. 179-180)
Për të bindur edhe më skeptikun, por jo analistët e mirëpaguar e mohues të
mediave servile shqiptare, sepse ata edhe pse janë të bindur nuk mund ta kapërdijnë
një të vërtetë të tillë sado shkencore të jetë analiza, prandaj dhe po i
referohemi luftës së 29 shteteve më të fuqishme të botës, përfshi këtu edhe
Rusinë, që luftuan gati 10 vjet kundër ISIS-it, madje në një terren krejtësisht
fushor, kundër një ushtrie pothuajse guerile, duke kryer jo më pak se 100
aviofluturime në ditë, dhe nuk e mundën dot. Përkundrazi, ISIS-i vijonte të
zgjeronte territoret e veta! Pse? Sepse aviacionit të 29 shtetve u mungonte
informacioni nga terreni ku zhvillohej lufta; u mungonte ai informacion që i
jepte UÇK-ja NATO-s.
Edhe në Luftën e Gjirit, në vitin 1991, "Zbulimi në fushëbetejë ishte
një faktor me rëndësi të jashtëzakonshme dhe Shvackopfi kishte në dispozicion
të tij të dhëna nga disa burime shumë të rëndësishme... Rëndësi kishte çdo e
dhënë që të jepte informacion për vënien në lëvizje të forcave armike... Për ta
bërë atë sa më efektiv, Shvarckopfi hartoi plane të veçanta dhe tepër sekrete
për të përdorur në thellësi të frontit irakian, forcat speciale zbuluese.",
(M.E.Morris "Stuhia e Shkretëritrës", Tiranë 1992, f.63-64).
Ndërsa gjatë
Luftës në Kosovë NATO nuk e pati të nevojshme të përdorte forcat e veta
speciale të zbulimit, sepse ishte UÇK-ja.
Këta shembuj plot fakte që unë solla nuk janë të vetmit, ka edhe shumë e shumë
raste të tjerë. Por çfarë na tregojnë këta shembuj?
Tregojnë atë që e
pranon Gjenerali Kolin Pauell: "Historia nuk njeh ndonjë rast që
fuqia ajrore të ketë pasur sukses e vetme", nëse nuk ka tradhëti nga
pala që goditet me aviacion, sikundër ndodhi në Luftën e Irakut në vitin 2003.
Mund të lindë natyrshëm pyetja se ku e mbështeste UÇK-ja besimin në fitore,
vallë vetëm te zgjatja e luftës?
Edhe atje, pasi
është strategji e domosdoshme për një luftë guerile, të cilën e thekson edhe
Henri Kissinger: "Çdo vend që angazhohet në luftë guerile duhet të
përgatitet për një luftë të gjatë. Ushtria guerile mund të vazhdojë për një
kohë të gjatë taktikat: "godit e tërhiqu", edhe me forca shumë të
pakta".("Diplomacia",f.629).
Dhe këtë strategji
të suksesshme, "godit e tërhiqu", UÇK-ja e bëri formën kryesore të
luftës së saj ditën që Serbia u largoua nga Rambujeja dhe filloi Operacionin
"Potkoi". Kjo strategji e re u bë tmerr për ushtrinë serbe. Këtë e
kanë pohuar edhe vetë gjeneralët serbë në Gjyqin e Hagës. Njëri prej tyre është
gjenerali Bozhidar Nikolla Deliç, i cili gjatë Luftës në Kosovë ishte
komandanti i Br.549 e Këmbësorisë së Mekanizuar, me bazë në Prizren, i cili
deklaroi: "Mënyra e luftimit të UÇK-së ishte duke iu shmangur çdo lloj
luftimi të drejtpërdrejtë. Ata përdornin taktikën: godit dhe ik".
Ishte kjo
strategji që bëri të mundur dështimin e operacionit "Potkoi", me të
cilin "Serbia desh të bënte pastrimin etnik në shkallë të gjerë kundër
popullatës shqiptare në Kosovë", (U.Klark,"Kosova
Sot",22.12.2003).
Vlen të theksohet se këtë objektiv të Operacionit "Potkoi", UÇK-ja,
me strategjinë e re të saj, kish arritur ta dështonte para se aviacioni i
NATO-s të fillonte sulmet kundër forcave serbe në Kosovë, qysh në 1 prillin e
vitit 1999. Dihet që sulmet e aviacionit të NATO-s kundër forcave serbe në
Kosovë filluan në 14 Prill, tre javë më pas si kishin filluar luftën nga ajri;
si rrjedhojë e kushteve të vështira meteorologjike.
Dhe këtë mision ne
e arritëm pa ndihmën e NATO-s, të cilën e pranon në Hagë edhe vetë Gjenelari
U.Klark: "Sqaroj, unë nuk e kam komanuar UÇK-në. Ne kurrë nuk e kemi
ndihmuar UÇK-në. Ne nuk e kemi udhëzuar UÇK-në. Ne nuk e kemi ndihmuar
formacionet e saj.", ("Kosova Sot", 24.12.2003).
Duke pasur parasysh se NATO e kish luftën e saj të parë dhe, si e tillë, ajo
kish hyrë në një luftë të kufizuar, me mandat të kufizuar, për një qëllim të
kufizuar, ndaj dhe duhej të përmbushej sa më shpejt.
Mirëpo, dihet që lufta
është një ndërmarrje që thith gjithçka. NATO e filloi luftën, por po të mos e
kish afruar UÇK-në për bashkëveprim, kish gjasa ta humbiste perspektivën e
përfundimit të asaj lufte. Ajo perspektivë e NATO-s nuk humbi, falë UÇK-së;
ishte UÇK-ja ajo që ia mundësoi NATO-s ta realizonte atë luftë për 78 ditë, sa
dyfishi i kohës së Luftës së Gjirit, "Stuhia e Shkretëtirës", e vitit
1991, edhe pse kishin të bënin me një ushtri 3 herë më të vogël se ajo e
Irakut, si në forca edhe në mjete, edhe pse zotëronin totalisht ajërin.
Prandaj kemi të
drejtën morale të themi: Me të vërtetë që SHBA dhe NATO na ndihmuan të
çliroheshim shumë më shpejtë e shumë më lehtë se sa ne parashikonim, por ama
ishte UÇK-ja ajo që ua zbardhi faqen atyre. NATO-ja dhe UÇK-ja ishin si dy duar
që lajnë njëra-tjetrën.
Dikush edhe mundet me kokëfortësi prej budallai ta kundërshtoi këtë të vërtetë.
Por po sjell këtu faktin tjetër që e njëjta situatë ishte edhe në Bosnjë, luftë
e cila zgjati tre vjet. Do pyesni: Pse tre vjet? Sepse nuk u vendos
bashkëveprimi luftarak midis forcave ajrore të NATO-s dhe forcave tokësore të
Bosnjës, sikundër u vëndos me UÇK-në gati 8 orë para se të kryhej sulmi i parë
ajror. Dhe këtë nuk e them vetëm unë që u ngarkova ta mbaja atë bashkëveprim
luftarak, por e pohon edhe vetë Shefi i atëhershëm i Shtabe të Bashkuara të
SHBA, Gjenerali Kolin Pauell: "Zgjidhjet tona varionin nga goditjet e
kufizuara ajrore përreth Sarajevës deri në bombardimet e serbëve në të gjithë
teatrin e luftimit. Unë theksova se asnjëri nga këto aksione nuk garantonte që
të ndryshonte sjelljen e serbëve. Vetëm trupat tokësore mund ta bënin këtë.
Bombardimet e rënda mund t'i bindnin ata të lëshoni diçka, por nuk mund t'i
detyronin t'i ndërprisnin luftimet. Dhe, përballë goditjeve ajrore të kufizuara,
serbët nuk do ta kishin të vështirë t'i fshihnin tanket dhe artilerinë në pyjet
dhe mjegullën e Bosnjës, ose t'i mbanin ato afër popullsisë civile.",
("Udhëtimi im amerikan", f.454).
Prandaj u desh t'i
ofrohej Milloshit Çmimi Nobel i Paqes që të ndërpritej lufta dhe Amerika të mos
angazhohej në Bosnjë me forcat e saj tokësore.
Ato taktika që përdorën në Bosnjë, ato taktika përdorën forcat serbe edhe në
Kosovë. Këtë na e pohon vetë Komandanti i NATO-s, Gjenerali Uesli Klark, duke e
pranuar faktin se ishte UÇK-ja, ajo që i nxirrte forcat, tanket dhe artilerinë
serbe nga pyjet, qendrat e banuara dhe mjegullat e Kosovës, duke i ekspozuar
para aviacionit amerikan dhe angles: "Ne gjithashtu pranonim informata
nga UÇK - ja, që kishin të bënin me luftën, e cila zotëronte vijën dominante,
vijën kyçe të komunikacionit në veri, në drejtim të Beogradit...Lufta e
vazhdueshme e saj i detyronte shpesh forcat serbe të delnin në terren të hapur,
ku na jepej neve mundësia t'i godisnim ato. Ne kishim informata të konsiderueshme
rreth planeve të UÇK-së për të sulmuar brenda në Kosovë... UÇK-ja i nxirrte
batalionet serbe nga fshatrat, permes dyluftimeve, duke na dhënë neve mundësinë
t'i sulmonim nga ajri.", ( Uesli K. Klark " Waging Modern
War", Oxford, UK, 2001, f. 330)
Por Gjenerali Uesli Klark pranon edhe atë çka shprehëm më lartë, se fitorja e
asaj lufte nuk erdhi vetëm prej NATO-s. Ajo ishte fitore e përbashkët, e NATO-s
dhe e UÇK-së. Si e tillë, prandaj e kanë urdhëruar z.Uesli Klark që atë luftë
të mos e quaj luftë, por thjesht një operacion; një stërvitje, me demek! Dhe
ai, duke i qëndruar besnik kodit të nderit të oficerit amerikan, nuk mundet ta
mohojë të vërtetën, prandaj, qysh në hyrje të librit të tij, ("Waging
Modern War", Oxford, UK, 2001,f.V), shkruan: "Ne është dashur ta
festojmë suksesin tonë, por për arsye se nuk mund ta cilësonim si luftë, nuk
mund ta cilësonim atë as si fitore, edhe përkundër faktit se e tillë ishte".
UÇK-ja nuk ishte
organizatë terroriste
Por, menjëherë,
sikundër është bërë e njohur, KFOR-i, me në krye Gjeneralin anglez Xhekson,
pasi e mori gjithë dokumdntacionin e luftës së Shtabit të Përgjithshëm të
UÇK-së, në nëntorin e vitit 1999, ia ka dorëzuar edhe Serbisë! Pse, vallë,
Amerika dhe Anglia nuk i deklasifikojnë dokumentat e luftrave të tyre para një
çerek shekulli e më shumë, ndërsa dokumentat tona luftarake ia dha agresorit
kundër të cilit luftuam edhe ne edhe NATO?
Prandaj dhe Serbia
ka deklaruar se këto dokumenta do t'i përdorë si fakte për ata që kanë dalë e
do dalin para Gjykatës Speciale Ndërkombëtare kundër UÇK-së, e cila është
instaluar në Belgjikë, me vendim të Parlamentit të Kosovës. O tempora! O Mores!
Dhe, mos harrojmë se atje do të shkojnë ëndërrimtarët, edhe pse Gjenerali Uesli
Klark deklaroi me zë të lartë para Gjykatës Ndërkombëtare në Hagë: "Unë
nuk e pranoj definimin e UÇK-së si organizatë terroriste... ajo ishte një
shpërthim i një lëvizjeje të rezistencës.Unë dua ta them këtë për tu
regjistruar si e dhënë." ("Kosova Sot", 25.12.2003).
Por, me sa duket,
kjo Gjykatë ka qenë paravendosur qysh në Rambuje, duke e pranuar edhe vetë
delegacioni i Kosovës me në krye drejtorin politik të SHP të UÇK, Hashim Thaçin
dhe Presidentin e atëhershëm të Kosovës Ibrahim Rugovën, ndryshe pse NATO do të
rrëmbente ditaret tanë luftarakë dhe t'ia dorëzonte Serbisë? Këto lajme na
bëjnë të hedhim dyshime se cilat kanë qenë arsyet që Komanda e TMK nuk i ka
dorëzuar ato dokumenta në Arkivin e Kosovës, por i mbajti deri sa një ditë ka
pranuar t'ia dorëzoi KFOR-it? A duhet të ketë pasur vallë një marrëveshje të
papublikuar politike a ushtarake, që komanda e KFOR-it t'ia dorëzonte Serbisë
dokumentat e SH.P. të UÇK-së? Apo kjo të ketë ndodhur ngaqë Rezoluta 1244 e OKB
e quan ende Kosovën pjesë integrale të Serbisë? Derisa edhe zotërinjtë Hashim
Thaçi e Kadri Veseli nuk kanë reaguar kur Serbia deklaroi se i ka marrë këto
dokumenta nga KFOR-i, mos vallë do të thotë se kanë qenë edhe ata dakort? Mos
vallë kjo ka qenë arsyeja pse u çarmatos tak-fak UÇK-ja, për të cilën znj.
Medlin Ollbrajt, në librin e saj "Zonja sekretare", (Tiranë 2003,në
f.493-494), shpreh habinë: "Për habinë e disave, UÇK-ja nënshkroi një
marrëveshje çmobilizimi me Xheims Rubin-in, i cili kishte qenë ndërmjetësi i
bisedimeve, por megjithatë vazhdonte të kishte shumë dyshime për qëllimet e këtij
grupi".
Duke u bazuar në
Marrëveshjen e Rambujesë, ku UÇK-së as që i përmendet emri, por veçse
nënkuptohet, atje përcaktohet që të çarmatoset dhe t'i jepet gjyqit, gjë që u
vërejt edhe në sjelljen armiqësore ndaj UÇK-së nga ana e forcave të KFOR-it, gjatë
periudhës së pasluftës kur ajo ende nuk ishte çarmatosur, duke mospranuar që të
quheshim më ushtri aleate. Edhe terheqja prej KFOR-it i ditarëve të luftës
sonë, na jep të drejtën të dyshojmë se KFOR-i e ka bërë për t'ia fshehur
historisë veprimtarinë luftarake të bashkeveprimit të UÇK-së me NATO-n. Dhe kjo
na bën të dyshojmë se qëllimi ka qenë i hershëm, për ta shuar nga historia
UÇK-në.
E shprehim këtë
dyshim, bazuar, jo vetëm në unanimitetin "patriotik" të mazhorancës
parlamentare në Kosovë (PDK+LDK+AAK e Nisma), për dërgimin e UÇK-së në Hagë me
akuzen: "ushtri terroriste", por edhe në mohimin që i bëhet UÇK-së
nga politikanët shqiptarë, "analistët" dhe "filozofët",
andej e këtej kufirit, duke ia dedikuar tërë lavdinë e asaj fitoreje vetëm
Perëndimit. Tradhëtia nuk ka brirë, bërë kjo me ndërgjegje apo nga idjotësia.
Jo më kot edhe Presidenti Kroat, Ivo Josipoviç, në takimin me Presidentin serb
Nikoliçin, midis të tjerave, tha : "Ne nuk veprojmë si të mjerë, siç
veprojnë shqiptarët e Kosovës, të cilët harrojnë gjithçka për asgjë!",(notification+zrdoog=1irpz@facebookmail.com).
Por, me sa duket,
politikanët tanë dhe inteligjenca jonë kombëtare përfitojnë nga ajo që ende
populli ynë është në stadin që e pat konstatuar para një shekulli Faik
Konica: "Mjerimi i shqiptarëve ka qenë në tërë kohërat të kapej
pas individëve dhe jo pas ideve... Historia e Shqipërisë është e mbushur fund e
krye me prova të tilla të përngjashme. Të përpiqemi me të gjitha forcat tona të
shërojmë shqiptarët nga dashuria për individët. Ata duhet të mësojnë të duan
Shqipërinë – jo t'i bëjnë qejfin këtij apo atij shqiptari".
("Albania" nr.16, dt.15-30 korrik 1898).
Tiranë, 12 qershor 2022.