Mendime
Fran Gjoka: Gëzim Tushi – Patologjia e krimit? Nuk është metaforë…
E marte, 14.06.2022, 09:01 PM
Intervistë me Gëzim Tushin, sociolog dhe politolog, mban titujt “Mjeshtër i Madh”, “Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut” dhe “Personalitet i Shquar i Labërisë”
PATOLOGJIA E KRIMIT? NUK
ËSHTË METAFORË, POR REALITET SOCIAL I BANALIZUAR….
Intervistoi:
Fran Gjoka
Sociologu Gëzim Tushi
është një nga intelektualët e njohur në këto tre dekadat e jetës demokratike.
Me kontribute të njohura dhe të afirmuara, me zë të plotë në fushën e
sociologjisë, politologjisë dhe jetën shoqërore. Është një nga figurat me
prezencë intelektuale dhe aktivitet publik të pandërprerë. Gjithnjë aktiv dhe i
përfshirë në në mënyrë intensive në debatet e gjëra publike, diskutimet
akademike e politike dhe sidomos në ofrimin e ideve për zgjidhjen e problemeve
sociale që preokupojnë shoqërinë shqiptare dhe që shqetësojnë nevojën e
orientimit të shëndetshëm të individit. Është autor i 20 librave ose afërsisht
10 mijë faqe krijimtari në politologji e sociologji. Ka shkruar qindra e qindra
artikuj teorikë, politikë e socialë, pothuaj në të gjitha organet e shtypit
periodik.
Gëzim Tushi është një
nga personalitetet e jetës publike me kontribute në rubrika, emisione e debate
radio-televizive. Ai botoi brenda vitit 2021 dy libra me vlerë me titull
“Pandemia ose asgjë nuk do të jetë si më parë” si dhe librin tjetër “Pse vriten
dhe vetëvriten shqiptarët?”.
Pyetje: -Pse po shtohen krimet në Shqipëri?
Mund të ketë shumë shkaqe me natyrë morale dhe
materiale, por sipas mendimit tim ka një shtysë të thellë, një nxitje me natyrë
ontologjike, që po bëhet pjesë paradoksale e kulturës tonë qytetare, nga që
njerëzit që kanë vese private, që pasurohen në rrugë kriminale, kanë filluar të
kapardisen në shoqëri. Për fat të keq shpeshherë ka një opinion të deformuar në
cilësimin e tyre, sepse në shumë raste ka njerëz që me naivitet kriminal i
konsiderojnë këtë lloj “specieje” si njerëz që shfaqen si tipa social të aftë,
të shkathtë, të zotët. Kjo është arsyeja që vesi i krimit dhe natyra e
kriminelit (jo vetëm në kuptimin e ngushtë nominal të vrasësit), nga që ka humbur
kufiri ndarës midis njeriut të ndershëm që pasurohet me punë dhe atij që
pasurohet me vjedhje, vrasje, krime, etj., ka bërë që në heshtje krimi të
konsiderohet gati si “virtyt publik”. Në kuptimin që nuk është më aq shumë
shqetësues për qytetarin, shoqërinë, moralin, ligjin, etj.
Kjo është arsyeja pse është lëshuar në ofensive
krimi dhe kriminelët kanë dalë në “fushë të hapur” për të vjedhur, grabitur,
madje dhe vrarë, nga që duket sikur po kalojmë gjatë një fazë delikate të
adoptimit me kulturën e krimit dhe të bashkëjetesës pa shumë shqetësime sociale
e personale me njeriun kriminel. Nuk mund të mos alarmohemi me faktin, që kjo
situatë gradualisht synon ta fshijë kufirin e ndarjes së prerë midis “shoqërisë
së mirë” dhe “shoqërisë kriminale”. Për pasojë, është rritur në përmasa të
frikshme mungesa e reagimit të vërtetë, shpeshherë për dukje e butafori
sociale. Kjo është tejet e rrezikshme, sepse ndikon që gradualisht shoqëria
jonë po pajtohet me kulturën e mosndëshkimit adekuat ligjor e social të krimit,
një mentalitet social që fillon nga “lart” dhe përhapet deri “poshtë”.
Pyetje: -A nuk ju duket se krimi po kapërcen “kufirin” midis
normales dhe patologjikes?
Mbase niveli i sjelljeve asociale, qëndrimet ekcentrike
anormale janë shtuar aq shumë në shoqërinë shqiptare kohët e fundit, sa që me
sa duket, është e domosdoshme të diskutohet, bëhet debat publik për një çështje
që më duket se tani është kruciale dhe me shumë rëndësi. Është fjala për të
rivendosur kufirin human të dallimit midis sjelljes normale dhe veprimeve
patologjike. Unë besoj se në kohën e tanishme perceptimi i drejtë i këtij
“kufiri”, nuk është më thjeshtë problem i pastër mjekësor apo psikiatrik.
Në kohën e sotme, në shoqërinë shqiptare të
kapluar nga krimi, veprimet ekcentrike dhe qëndrimet asociale të shumë njerëzve
duket qartë që vendosja e “kufirit” që ndan sjelljen humane nga ajo asociale,
normalen nga patologjikja, është problem social, moral, fetar me shumë rëndësi
dhe që në mënyrë të drejtpërdrejtë ka rëndësi sociale për organizimin e
sjelljes personale dhe ndërtimin e parametrave të funksionimit normal të
raporteve dhe marrëdhënieve midis shoqërisë dhe individit.
Pyetje: -Cilat janë kostot sociale të krimit në shoqërinë
tonë?
Ne duhet të mendojmë dhe veprojmë ndryshe, lidhur
me situatën e krimit dhe veprimet e kriminelëve në shoqërinë tonë. Kjo do të
thotë, që duhet të ripërcaktojmë qëndrimet sociale dhe qytetare, që janë kundër
me dëshirat dhe veprimet e kriminelit për të vrarë, vjedhur banka, shtëpinë dhe
pronën e qytetarit, për të ngjallur frikë dhe pasiguri, për të ulur kokën e
shoqërisë përballë forcës së krimit.
Të gjitha planet, dëshirat, synimet, qëllimet,
veprimet, mjetet, metodat e krimit dhe kriminelëve janë përtej “finisheve
morale” të shoqërisë, në kundërshtim me interesat, sjelljen humane të qytetarit
të ndershëm. Prandaj e vetmja rrugë, i vetmi qëndrim që duhet mbajtur, është
përpjekja komplekse ligjore, morale, fetare, qytetare, në mënyrë që të bëjmë
“alenacën e madhe” të shtetit me qytetarin, të ligjit me moralin, si kusht që
krimi dhe kriminelët të bëhen “zap” nga shoqëria, shteti dhe instrumentet e
institucioneve të disiplinës. Sepse “dëshirat” e njeriut kriminel nuk mund të
lejohet që të jenë as jashtë moralit, ligjit, arsyes së shëndoshë, as mund të
ekzistojnë, pavarësisht nga kufizimet morale dhe ligjore që vendosin
institucionet e përbashkëta të shoqërisë tonë.
Ky është një problem tejet delikat. Sidomos kur
në kohën e tanishme shpeshherë interpretohet, duke ngatërruar lirinë e vërtetë
të qytetarit me kohën abuzive të lirisë individuale të kriminelit, dëshirave të
tij anormale për të relativizuar në rrugë kriminale sjelljen e vet individuale.
Kjo çështje duhet trajtuar mirë, duhet marrë dhe interpretuar seriozisht, saktë
nga pikëpamja ligjore, morale, filozofike. Nuk është rastësi që me këtë
çështje, në kohën tonë janë marrë dhe e kanë trajtuar me optikë moderne,
filozofë të mëdhenj të kohës si Zhan Fransua Loytard dhe Mishel Fuko, etj.
Pyetje: -Si duhet vepruar në betejën me krimin në shoqërinë
tonë?
Nuk mund të mposhtet krimi nëse nuk ndahet mirë
sjellja normale nga ajo patologjike dhe, në të njëjtën kohë, nuk sinkronizohet
qëndrimi dhe arsyeja qytetare me forcën e ligjit dhe veprimin e vendosur
antikriminal të shtetit, të cilat jo vetëm nuk duhet të jenë të ndara, por të
të bashkuara sa më fort, në mënyrë që të bëhen “një forcë” dhe veprojnë së
bashku në mënyrë kompakte, për të mbajtur të mbrojtur nevojën e përbashkët të
shoqërisë për “rregull social”.
Në situata të tilla, kur liria shoqërohet me kaos
social dhe dëshirat e njeriut me nivele të larta të ekcentrizmit individual,
sidomos kur ato bëhen të dukshme në shoqëri, kjo tregon në mënyrë sintetike e
statistikore praninë e kushteve që ndihmojnë të shtohen njerëzit kriminelë patologjikë,
tek të cilët në shumë raste arsyeja e tyre e difektuar personale nuk është
instrument i mjaftueshëm për të ndarë sjelljen dhe dëshirat e arsyeshme nga
veprimet patologjike, irracionale e kriminale. Kufiri i “relativizuar”
subjektivisht keq, ka bërë që të ngatërrohet dëshira e natyrshme humane nga
anormaliteti i dëshirave dhe sjelljes asociale, pse jo edhe kriminale.
Ndaj me të drejtë, duke analizuar rreptësisht
situatën e krimit në Shqipëri, duke vlerësuar logjikën e çalë të arsyes
individuale të kriminelëve, dëshirat e tepërta anormale dhe antiligjore, që
janë me natyrë individuale, por që shoqërisht janë ekcentrike, kundër të mirës
së përgjithshme, është koha kur duhet të veprojmë ndryshe. Kjo kërkon veprim
dhe janë të gjitha gjasat që shoqërisht dhe individualisht të veprojmë. Sepse
në këtë kohë të turbulencave, dëshirave personale, nevojave për të krijuar
koncept të gjerë qytetar për të “mirën publike”, është i nevojshëm që në
shoqërinë shqiptare të vendoset kufiri midis “dëshirave normale” të qytetarit
dhe kërkesave patologjike të kriminelit.
Padyshim, brenda hapësirave të dëshirave dhe
veprimeve të njeriut, nuk ka mjet tjetër për të ndarë të drejtën nga e
padrejta, normalen nga patologjikja, përveçse nëpërmjet veprimit të vendosur të
institucioneve sociale, morale, juridike, jetës publike. Ato kanë aftësi që
përtej arsyes, dëshirave normale dhe qëndrimeve patologjike të njeriut, të
vendosin “kufirin ndarës”, midis lirisë së arsyeshme individuale që duhet të
jetë e pacënuar nga askush përveç arsyes së individit dhe veprimeve anormale,
instiktive, patologjike, kriminale të njerëzve që me tipologjinë e dëshirave të
tyre, dëmtojnë seriozisht të mirën publike të shoqërisë, sepse, sikurse duket,
krimi në shoqërinë tonë është në zgjerim, nga që gradualisht ka hyrë në
terrenin e frikshëm, nga mungesa e kufirit të qartë kur hyn në terrenin e
palejuar të të paligjshmes dhe të papërligjshmes. Kjo duhet të na shqetësojë
seriozisht. Është e vërtetë që jeta e lirë dhe moderniteti social nuk bëhen
duke vendosur “gardhe ndalues”. Por ndërkaq, është po aq e vërtetë, që shoqëria
shqiptare nuk mund të jetë arenë e paqes sociale, nëse lihen të lirë të
livadhisin, të bëjnë ligjin social “luanët e krimit”. Egocentrizmit të njeriut ekcentrik, veçanërisht atij me prirje
kriminale, i duhen vënë shtrëngesa ligjore, duke i treguar qartë “kufirin
social”, si mjet dhe mënyrë për t’u mbrojtur prej veprimeve destruktive dhe
kriminale të tij. Ndryshe krimi do të bëhet plagë e madhe sociale, që me siguri
do zmadhohet në shoqëri, që në një farë mënyre mund të bëhet nxitës i
destabilitetit social, kaosit, pasigurive që po e shqetësojnë seriozisht
shoqërinë tonë. Ndaj duhet të veprojmë bashkërisht dhe institucionalisht. Por
jo në mënyrë parciale, me struktura të paintegruara për ta sulmuar krimin, por
me synimin e qartë dhe objektivin, që të rritet rezistenca masive antikrim e
shoqërisë. Pa këto qëndrime strategjikisht të vendosura të shtetit dhe
shoqërisë, krimi nuk tërhiqet. Ai do të jetë në sulm po qe se ndjen, e kupton
me intuitën kriminale, se “mishi i shoqërisë” shqiptare, rezistenca sociale dhe
forca e ligjit janë të dobta.
Pyetje: -A
mund të demotivohet kundërkultura e krimit në shoqëri?
Sociologët
dhe psikologët e kohës sonë janë të mendimit se krimi dhe shfaqjet antinjerëzore,
tek disa njerëz nuk janë rastësore dhe të paparashikuara. Për arsye sociale,
edukative, familjare e personale krimi është bërë natyrë e dytë, madje duhet
konsideruar sikurse e klasifikon filozofi dhe politologu spanjol, J. Ramoneda
si e “metë e kësaj lloj specieje” antihumane. Madhësia e plagës sociale të
krimit në shoqërinë tonë, jo vetëm është një fakt në përmasa shqetësuese, duke
e vlerësuar nga pikëpamja sasiore, por është tregues se krimi po cënon rëndë
cilësinë e bashkëjetesës sociale në shoqëri, duke ulur përtokë atë që është
kryesore “çmimin e jetës”.
Në
këto kushte është bërë imperative, madje në shumë
aspekte është urgjente ndërtimi i strategjisë,
hartimi i planeve të veprimit sa më parë të jetë e mundur për t’iu kundërvënë
krimit, synimeve diabolike afatshkurtëra e “strategjike” të tij për ta përgjumur
dhe bërë indiferent shtetin, policinë, institucionet e edukimit, familjen,
shkollën e shoqërinë. Të mos e marrim me shaka këtë situatë sociale, e cila
akoma është në kushtet kur mund të kontrollojë, monitorojë e madje ta bëjë
“zap” krimin. Akoma shoqëria e ndodhur përballë krimit nuk është në “sallën e
urgjencës”, kur mund të ndodhemi dhe të mos dimë se çfarë duhet bërë më parë për
të shpëtuar “shëndetin e shoqërisë” nga metastazat në zgjerim të krimit në
familje, shkollë, jetën publike e shoqërinë në tërësi. Megjithatë, me mendje të
kthjellët duhet të fillojmë të mendojmë, të diagnostikojmë me përgjegjësi shoqërinë
dhe të identifikojmë se cilat janë shkaqet dhe rrethanat që favorizojnë
“prodhimin e krimit”.
Nuk
ka pse bëjmë naivin, nuk ka pse të kemi iluzione utopiste e romantike për natyrën
e “njeriut kriminel”. Ai është asocial, kriminel, që kryen veprime të
planifikuara apo rastësore, qoftë në gjaknxehtësi apo me “gjak të ftohtë”. Në këto
kushte për të demotivuar krimin është e nevojshme të ndërgjegjësohemi për të këputur
fijet sociale që bëhen me dashje apo pa dashje “aleatë të krimit” në shoqërinë
tonë. Dy mendoj unë se janë “aleatët kryesorë” të krimit: e para, është
zgjerimi i një lloj “indifference qytetare” që buron përgjithësisht nga
sindroma e “sigurisë së budallait”, duke menduar se “krimi nuk ka të bëjë me
mua dhe unë nuk kam pse merrem me të”. Një mentalitet fatal me pasoja
retrograduese. E dyta, është një lloj zbutje e forcës goditëse të ligjit,
veprimit policor dhe shtetëror për t’u përballuar pa kompromis, por me
intransigjencë ligjore me krimin dhe kriminelët.
Janë
disa gjëra që duhen vlerësuar më mirë dhe duhet vepruar më me shpejtësi.
Javashllëku I reformës në drejtësi dhe pengesat e natyrshme dhe artificiale të
procesit janë në favor të krimit. Ka një aksiomë të vërtetë që nuk do mend për
vërtetim: krimi ngjallet kur shteti dhe ligji dobësohen. Personalisht mendoj se
analizat, gjykimet dhe debatet që bëjnë politikanët, shtetarët dhe ata që shoqëria
i ka vendosur në “bordin” e saj, duhet të jenë krejt ndryshe. Ata nuk janë
analistë por njerëz që kanë përgjegjësi strategjike e operative. Dhe duhet ta
mbajnë atë. Kjo është rruga nëse kemi ndërmend t’i futemi një procesi të gjerë
të “dekriminalizimit” të familjes, shkollës, shoqërisë dhe jetës publike në tërësi.
Politikanët tanë duhet të jenë të bindur sociologjikisht se jemi në momente
kruciale, kur krimi në shoqërinë tonë nuk është vetëm dhe thjeshtë një
“infeksion social” i përhapur në tërë qelizat e jetës sonë, por ajo që është më
e keqja është se krimi po zgjerohet. Ai është në procesin e “banalizimit
masiv”. Nuk është fare pesimiste të pranojmë tezat se jemi në kushtet kur krimi
po shfaqet si e metë serioze e njeriut individualisht, apo që sipas
parashikimit të Eric Fromm-it, breznitë po vijnë duke u përkeqësuar dhe që
qytetarët kanë prirje për indiferencë dhe adoptim me krimin.