E enjte, 18.04.2024, 01:20 PM (GMT+1)

Kulturë

Resmi Osmani: Me sytë e fëmijës (16)

E marte, 14.06.2022, 07:38 PM


Resmi Osmani

Roman-vazhdimi

ME SYTË E FËMIJËS

Gjashtëmbëdhjetë

Idriz, e bëre gjumin me copa, me ëndrra dhe vegime, zgjoheshe, rrotulloheshe në shtresa dhe sërish të zinte gjumi.Prisje të gdhihej dita e madhe. U ngrite ndenjur. Me kujdes e në majë të gishtave, që të mos zgjoje të tjerët, dole përjashta. Mesnatë. Heshtje, agjë nuk pipëtitnte. Oh sa e gjatë kjo natë, e mbushur me mistere. Qielli i kthiellët, pa një re, i mbjellë me yje, që sodisnin hënën e plotë që u shkonte përmes e derdhte dritën e zbetë që ndrinte gjithësinë. Tu duk vetja fillikat mbi tokë, por ama që yjet dhe hëna rrinin e të vështronin nën kupën e qiellit, ashtu siç i vështroje dhe ti.U flisje me fjalë, të rrëfenin fatin tend, përgjigjeshin me dritë në gjuhën qiellore, që e shihje por s’arrije ta kuptoje.

Ishte nata e fundit që përcillte gushtin vapëshumin, që e linte vallen e harbuar të verës dhe i hapte rrugën shtatorit! Një shtatori, i vjeshtës së artë, kur ti do të hidhje hapin e parë , fillimisht  të drojtur e të pasigurtë, si i fëmijës që sapo mëson të ecë, në atë rrugë të panjohur, që do të ishte e gjatë në kohë, me të përpjeta e tatëpjeta, e do të përpinte pararininë dhe rininë, me gëzime dhe zhgënjime,  do të shtrihej në vite dhe  ti, me kryeneçësi,durim dhe dashuri për dritë e dituri, nuk do t’i ndaheshe. Sa herë do të rrëzoheshe, do të ngriheshe dhe do të shihje përpara, ku fekste dhe të thërriste drita e yllit të diturisë. Ti, dymbëdhjetë vjeç, që tashmë të dukej vetja i rritur, këto mendoje, teksa hyre brenda dhe të mundi gjumi.

Ishte zëri i ëmbël i nënës që të zgjoi. Brofe vrokthi nga shtresat. Përjashta ishte bërë ditë bobo, mos jam i vonuar! Por nëna ta hoqi atë dyshim Shkove te sqolli dhe u hodhe një grusht ujë syve. Krehe flokët. Hengre me ngut sillën, përshesh i ngrohtë me qumësht. Nëna të ndihmoj të visheshe, vërtet që s’ishin të reja,e pak të dala boje, por pa arna,të pastra e që të rrinin mirë pas trupit.  More trastën e leshtë për librat dhe ushqimin për drekë: kulaç tigani(që ti e pëlqeje shumë) vezë të ziera dhe djathë deleje.Drekë si për mbret!  U nise. Nëna të përcolli një copë rrugë, pastaj të përqafoj. Ti iu shtrëngove pas gjoksit  me ngashërim  dhe thithe me ashk atë aromën e njohur mëmësore të saj. Pe që një lot iu rrokullis nga syri në faqe “ Pse qan moj nënë? Thonë që ndjell ters”- “Qaj nga gëzimi që mu rrite. Jo bir, lotët e gëzimit ndjellin mirësi. Falma Zot këtë djalë!” Të puthi në gushë e faqe, dhe të mbrisi në kokë,  të puthi flokët, ti ndjeve frymën e saj të ngrohtë dhe u lumturove. U shkëpute nga krahët e saj, se s’doje të ligështoheshe dhe more rrugën , duke kthyer herë pas here kokën pas. Nëna rrinte në vend dhe të përshëndeste me dorë.

Për ty  do të vinin edhe shumë dit të tjera dhe ngjarje në jetë, por e sotmja do të mbetej e pashlyer, e skalitur në kujtesë.

Për të prerë rrugën shkurt, i re nga çairet e kosovarëve. Ishte freskët, dielli ende s’kishte filluar të ngrohte. Vesa e barit t’i lagu këpucët dhe ti freskoj këmbët. Zogjtë të përxillnin me cicërima e në ecje e sipër, ngriheshin fluturim shkurtat e trembura që u fërfëllinin krahët. Nguteshe se mos vonoheshe. S’kishe orë, por ishe mësuar ta masje kohën nga lartësia e diellit.Kjo ishte ora jote, që rrall gabonte.

Dole në rrugën e madhe, të drejtë që çante fushën mespërmes. E pa asfaltuar,shtruar me gurë e zhavor e tërë gropa.Në të kalonin qerret e karrot, kalorësit që shkonin e ktheheshin nga Fieri dhe më të rrallë ndonjë kamjon. Nga lindja të çonte në qytet, nga perëndimi në detin e Semanit. E vreje rrugën me kujdes sepse do ta bëje atë përditë vajtje- ardhje dhe e ndave në stacione, që secili për mbritje donte kohen e tij. Kur lije fshatin, në të djathtë të rrugës, rrethuar me mur të gurtë të verdhëremë  dhe vënde-vende, i jeshilosur nga myshku, ishte varri i vetmuar,misterioz i Kadiut: thoshin se natën prej tij dilte një flakë e kaltëreme dhe rrotull silleshin fantazma e lugetër!  Pastaj ferma, me shtëpi të ulta e magazina. Më pranë qytetit, një vilë e bukur dhe e vetmuar me një kopsht pemësh, e një gjirokastriti.Më së voni ti mësove dhe njohe Vason, që u bë pilot dhe të motrën Letën e bukur, që u martua me një doktor. Ca më tej në krah të majtë shtëpia e “Pulave të bardha”, shtëpi e drunjtë, ndërtuar nga tre vëllezër të ardhur nga Amerika,tw tre beqarë. Rrethuar me avlli, që kishin një fermë me pula të gjitha të bardha dhe më tej, hyrja në qytet, ku spikaste nga lartësia shumkatëshe, dhe ngjyra e përhinjtë fabrika e miellit e Nebi Gjatës. Rruga nuk të lodhi ,por të emocionoi padurimi për të sosur sa më par te shkolla.

Hyre në qytet.

Shkolla Unike, ashtu i thoshin, kishte emrin “Naim Frashëri”dhe ishte në lagjen Kastriot. Gjë e madhe ta mbaroje atë shkollë. Djemtë e  rritur, që ishin të vonuar nga vitet e luftës, kur mbaronin , shkonin mësues në shkollat e fshatrave. Gjimnaz atë kohë në Fier nuk kishte. Vç fëmijëve të qytetit, aty vinin edhe ata të fshatrave rrotull. Edhe pse ti e kishe parë kur erdhe dhe bëre regjistrimin, t’u duk e bukur , e madhe, plot hapësirë dhe dritë. Ku kjo dhe, ku ajo shkolla në dhomat e kishës së Shënmarisë. As kish të krahasuar. Në oborr kishin filluar të vinin nxënës e prindër.

Koridori i gjatë, plot dritë. Ndjehej aroma e gelqeres dhe bojës. Në hyrje, të uroj mirseardhjen  portreti i Naimit. Ti iu përgjigjigje dhe të mbetën sytë te bukuria, hijeshija, buzëqeshja e mezidukshme e gojës që tu bë se pëshpëriste vargjet e mrekullueshme që ti i kishe mësuar përmendsh: ”O malet e Shqipërisë, dhe ju o lisat e gjatë….” dhe ai vështrimi i përmalluar hedhur diku  larg që rrokte hapësirën e gjithë shqipërisë. I bukur e fisnik poeti, të bukura gjer në magjepsje vjershat e tij.

Ece më tej. Tabela e nderit, djem e vajza të qeshur,më të mirët e të mirëve. Tu duk se të thoshin”Eja këtu ka vend edhe për ty! Dhe ti u premtove: më prisni se do të vij!

Gazeta e murit, mbushur me vjersha dhe hartimet më të mira të klasave të larta.

Ece më tej, ora e madhe në mur,  penduli i saj lëvizte majtas e djathtas, pa pushim, maste minutat që iknin, minutat që vinin, minutat bënin orët, orët dit-netët, muajt vitet, lumin e kohës që s’kishte të ndalur dhe ngiste përpara vetëm përpara dhe ti e ndjeve veten si të rrëmbyer në shtjellën e saj, në një udhëtim të pandërprerë.

Në të djathtë dyert e mbyllura të klasave, që prisnin të hapeshin, të gjallëroheshin e zhurmoheshin nga nxënësit. Ti ende se dije cila prej tyre do të ishte jotja. Mbi njerën nga dyert lexohej “Sekretaria”. Gjete atë që kërkoje dhe trokite. Dikush nga brenda tha “hyrë”. Hape derën me droje. Pas tryezës mbushur me shkresa rrinte sekretarja, veshur me të zeza, e ngrysur, diç po lexonte dhe bëri sikur s’të pa. U kolle lehtë që ti kujtoje që ishe aty. Ngriti kokën, hoqi syzet dhe të  pyeti se ç’farë kërkoje. E pikëlluar, akull e ftohtë .E pse vallë? Mendove se mbase ishte e përzitur. I dhe një shkresë ku vërtetohej vobekësia jote. E pa dhe të dha një triskë buke, ti firmose, pastaj të tha se ishe në klasën e pestë A dhe uli kokën sërish mbi shkresa. Në fund të koridorit gjete magazinën e librave. I the se të duheshin librat e klasës së pestë. Pagove,i  more dhe dole përjashta. Nuk e di pse t’u duk vetja i ngathët  i plogët e i pa mirëpritur.

Oborri ishte mbushur cit me fëmijë, që nga ata që vinin në klasë të parë deri ata të klasës së shtatë. Të gjithë të gëzuar, të gjithë të qeshur, edhe me tufa lulesh në duar,të shumtët me shami pionieri të kuqe në qafë. Vetë oborri ngjante me një tufë të madhe lulesh njerëzore. Ra zilja, me tinguj gazmorë, si një brohoritje tingëlluese, që jepte thirrjen për tu rreshtuar. Në ballinë, urimi shkruar me të kuqe në një rrip bezeje të bardhë:Mirë se erdhët nxënës të dashur!

Mësuesit dhe mësueset kujdestarë, vunë rregull në rreshtim. Ti u fute në rreshtin e tretë të së pestës A. Vrejte se të shihnin pak si të habitur, sikur donin të thoshin: po ti ç’kërkon këtu, prej nga vjen?

Ti ishe ca ndryshe nga ata djem e vajza të asaj klase.

Ata të veshur bukur , me të reja.

Ti me këmishë pëlhure të trashë, prerë e qepur nga nëna në shtëpi, me mëngë të gjata, jakë të vogël, e të hapur gjer në mesgjoks. E vetmja gjë e bukur e saj ishin komçat e sedefta që ndrinin me një dritë të ëmbël. Pantallonat kadife të kafejta, kishin nisur të ripeshin te gjunjët.                Ata, me sandale e këpucë të reja dhe çorape, ti këmbët veshur me ato që nuk ishin as tamam këpucë por as tamam opinga: shojet gomë makine, sipër lëkurë e trashë ngjyrë kafe , me llapë që mbërtheheshin me rrip e tokëz, veshur me çorape leshi.

Ata dhe ato: me çanta lëkure, të bukura, me ngjyra të ndryshme, kapakë me mbërthecka metalike që ndrinin.

Ti një trastë të leshtë me gjalmë të trashë që e varje në sup.

Ata dhe ato, me baballarët që i përcillnin, të zënë për dore apo krah për krah, të qeshur e të gëzuar.

Ti fillikat. Pa baba. Ah, ai baba që gjithmonë të mungonte, pamjen e të cilit mezi e sillje  turbull e si në mjegull ndërmend, e që për ty ishte si hyjni që nuk i jepje dot një formë, e që sa herë mendoje për të, të therte në zemër, të dhimbte shpirti e sytë të mbusheshin me lote pikëllimi.

Por kishte ama një gjë që , pavarësisht nga pamja e veshja, as ti as ata nuk mund ta dinin: sa mençuri , zgjuarsi dhe zell për të mësuar kishte te secili prej jush. Ajo që do të ishte vlera e vërtetë. Duhej kohë ta merrnit vesh.

Hytë në klasë. Dy rreshta bangash, në mes hpësirë e mjaftueshme për të lëvizur. U ulën dy e nga dy, sipas pëlqimeve të njeri –tjetrit. Ti mbete i vetëm, dhe u ule në një bangë nga fundi.

Askush nuk deshi të ulej me ty!Por pse vallë? Kur se prisje, nga rreshti tjetër u shkëput një vajzë, me grykse atllasi të zi ,me jakë dantelle të bardhë dhe t’u afrua.

- Mund të ulem me ty? Të pyeti.

I buzëqeshe me mirënjohje dhe i bëre me shenjë që të ulej.

-Mua më quajnë Melani Ngresi, po ty?

-Idriz Mazreku.

-Vjen nga fshati?

-Po. –I the.Ajo e kuptoj si ta kem të shkruar në ballë-mendove ti.

- Është larg?

-Po të ecësh mirë, vajtje ardhje nja dy a tri orë.

-Qënka larg, do ta kesh vështirë në dimër .

Kishte zë të këndshëm, melodioz, e vështrove me sy miqësorë, ajo të buzëqeshi me ngrohtësi. Pe që Melania  ishte e bukur në pamje,e këndshme në sjellje dhe të erdhën vetiu vargjet, që ti i mendove por që nuk guxove t’i thoshje me zë:Melani me sytë e zi/ flokët kaçurrele,/ Lidhur me kordele/ Melani e bukur/ E lehtë si flutur! E ndjeve se ajo do të ishte shoqja jote e mirë për shumë vite.

Në ballinë, ishte portreti I Skënderbeut dhe ndën të dy harta të mëdhaja, ajo e botës dhe e Shqipërisë. Në klas hyri mësuesja kujdestare, zonja Ariste. Asnjë pipëtimë. U ngritët për nderim në këmbë. E hollë, e gjatë, me fund e setër blu, bluzë të bardhë me jakë mbi setër, fytyrëhequr e në dukje të rreptë, autoritare, por në sy kishte një dritë mirësie, flokët të shtrirë  dhe të mbledhur topuz pas koke.  Ishte mësuese e letërsisë dhe gjuhës shqipe. Zuri vend te tryeza e vendosur mbi katedër, hapi regjistrin, lexoi një për një emërat. Kishte zë të plotë si të burrave. Kush dëgjonte emrin ngrihej më këmbë dhe thoshte “këtu”. Ajo i bënte secilit ndonjë pyetje dhe e vërente me kujdes që ta mbante mënd. Kur u ngrite ti, ajo të pa me vëmëndje dhe gjatë sa ti u ndjeve në zor. Të pyeti nga ishe dhe ku e kishe kryer shkollën fillore. Ajo sefte shprehu në pamje një si keqardhje, por që në çast u shndërrua në shprehje miradie. Më pas ajo do të donte si të kishte fëmijën e saj.

Ora e parë ishte ajo e njohjes.

Dhe erdhën në orët e tjera: zoti Llaqi, mësuesi i gjeografisë, në mesmoshë, me syze, e kokën tullë që i ndrinte si pasqyrë, pantallona sportive dhe çorape gjer te gjunjët, kravata blu me pika të bardha Shikim të vemendshëm e zhbirues.

Zoti Islam, që tu duk burrë i vjetër, mësues i historisë, me kapele republikë, hundëmadh, me dy rrudha të thella në ballë, me zë të zvargur, i qeshur e hokatar. Thoshin që lëndën e historisë e tregonte si përrallë dhe si çfaqje teatri!

Zoti Hamit, mësuesi i fizikës, fytyrë kuqërremtë, me qeska mavi poshtë syve e me majën e hundës të skuqur, trup të rënduar , me flokë të tallazitur, të plotë e të lyrshëm. Beqar, që thoshin se ishte i dhënë pas pijes.

Orën e fundit, zysh Xhina, mësuesja e algjebrës dhe aritmetikës, shkodrania që e kishte vitin e parë të punës,  topolake, fytyrë rrumbullake,  bardhë e kuq që i bëheshin dy gropëza në faqe kur buzëqeshte. Të folurën e saj shkodranishte,  kishte qejf ta dëgjoje me atë shqiptim të ëmbël  e ligjwrim si cicërtima e kanarinës.

Si pa kuptuar, dita e parë e shkollës mbaroi. Ishte fillimi i asaj rruge të dijes që aty do të zgjaste tri vite dhe ti sapo kishe hedhur hapin e parë.

Vijon

Qershor 2022.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora