E premte, 29.03.2024, 11:52 AM (GMT)

Kulturë

Skulptori shkodran Pjetër Frroku dhe 1 mijë punimet e tij në skulpturë

E shtune, 18.03.2006, 12:00 AM


Vepra e parë e Pjetrit do t’i kushtohej Aleksandrit të Madh dhe është vendosur në hotelin me të njëjtin emër të Kretës, më 1998. Ndërkohë që tani e tutje, porositë për punime të ndryshme në skulpturë të ardhura nga të katër anët e Greqisë do të zinin radhën për t’u punuar nga duart e tij të arta

Kur talentet shpërthejnë në mërgim


Shumë pak është dëgjuar në Tiranë për skulptorin e njohur shkodran Pjetër Frroku (Lala), ose “Tigrin e Gurtë”, i cili çuditi atdheun e helenëve me mbi 1 mijë punimet e tij në skulpturë. Kanë kaluar gati 10 vjet nga dita kur shkodrani Pjetër Frroku (Lala) shkeli tokën greke si emigrant i thjeshtë. Në atë kohë, artistit 30-vjeçar, që ishte diplomuar për profesioninin e ekonomistit, vështirë do t’i kishte shkuar ndër mend se gjatë këtyre viteve do të bëhej i njohur jo vetëm në Greqi e sidomos në Rrethimno të Kretës ku edhe vazhdon aktivitetin, por edhe në Evropë e më gjerë, me profesionin që në Shqipëri vetëm sa e pat ëndërruar, atë të skulpturës.
Kësaj rruge të vështirë, siç e pohon edhe vetë, i hyri krejt rastësisht teksa po kërkonte një punë çfarëdo, sa për të mbijetuar në momentin e përballjes së parë me dheun e huaj. Puna në vilën e një pasaniku, duke instaluar pllakat zbukuruese të ambjenteve të saj do t’i rizgjonte ndjeshëm pasionin e tij të hershëm, atë të gdhendjes…

Vështirësitë e fillimit

Vepra e parë e Pjetrit, një punim në gravurë i vitit 1998, do t’i kushtohej Aleksandrit të Madh dhe është vendosur në hotelin me të njëjtin emër të Kretës. Pronari i tij do të mbetej i shtangur pas këtij punimi ndërkohë që tani e tutje, porositë për punime të ndryshme në skulpturë të ardhura nga të katër anët e Greqisë do të zinin radhën për t’u punuar nga duart e tij të arta. Kuptohet se ndaj një emigranti, sidomos në fushën e artit, duke patur si kundërshtarë vetë skulptorët grekë, ishte më e lehtë që atij t’i mbylleshin shtigjet me qëllim moslejimin e ecjes së tij përpara sipasojë e futjes në tregun e tyre. Siç shprehet edhe vetë gjatë bisedës, “format ishin nga më të ndryshmet deri në presione. Por në të njëjtën kohë, i vetëdijshëm që i kisha hyrë në këto kushte të pabarabarta rrugës së vështirë të artit, kisha më të fortë se ndërhyrjet dhe presionet, vullnetin dhe pasionin tim ndaj artit të skulpturës.”
Kjo periudhë mbijetese zgjati rreth dy vjet.Në nëntor të vitit 1998, televizioni shtetëror i Kretës i pat kushtuar një kronikë të zgjeruar ceremonisë së zhvilluar në bashkinë e Porsesë me rastin e përurimit të monumentit të heroit, vepër e skulptorit shkodran. Monumentin në fjalë e patën zbuluar drejtuesit vendorë si organizatorë të kësaj ceremonie në qendër të qytetit. Kjo vepër shënoi edhe startimin e tij të parë të fuqishëm. Megjithatë do të duhej të kalonte edhe një vit që emri i Pjetrit të zinte vendin që i takonte. Kjo ndodhi kur u prezantua me ekspozimin e parë vetjak të organizuar nga bashkia e Kretës në vitin 1999, ku merrte pjesë si i ftuar special në një ekspozitë kolektive krahas shumë skulptorëve të njohur grekë. Mediat vendase do ta cilësonin si e ardhmja e skulpturës. “Ishte reagimi masiv i kolegëve vendas që më pranuan detyrimisht përpara opinionit.” shprehet Pjetri. Megjithatë ai nuk harron të përmendë edhe dashamirësit që e ndihmuan dhe e inkurajuan në rrugën e vështirë të artit pas ekspozitës së tij të parë vetjake, duke veçuar këtu, sekretaren e Prefekturës së Kretës, Maria Plutinaqi.

Artisti ekstraterritorial ose “Tigri i Gurtë”

Me kalimin e kohës veprat që do të tërhiqnin më tepër vëmendjen e opinionit artdashës vendas do të ishin “Poseidoni”, “Vajza dhe delfini”, “Kali i Trojës”, “Pusi i Krishtit”, “Dionisi, mbret i verës”, “Nusja”, “Apolloni”, “Delfinët”, monumenti kushtuar emigrantëve grekë etj.
Tashmë Pjetër frroku numëron mëse 1 mijë punime të ndryshme skulpture në gur, mermer, mozaik e granit, të punuara sipas porosive për sheshe, hotele, muze, vila e kisha të Greqisë si dhe të vendeve të evropës Perëndimore dhe SHBA-së. Nisur jo vetëm nga sasia, por edhe cilësia e këtyre veprave, rasti i mësipërm është unikal për një artist shqiptar të kësaj fushe, për të paktën 15 vjetët e fundit.
Ndërkohë, maestrot e kulturës helene do ta quanin atë që prej 6 vjetësh, “kaliteknis”, vlerësim ky mjaft i lartë që në Greqi përdoret vetëm për mjeshtrat e mëdhenj të skulpturës. Ndërsa në mediat e Rrethimnos, Pjetri është cilësuar si “tigri i gurtë”, që me talentin e tij bën që edhe shkëmbin të flasë. Por ndërkohë që emri i Frrokut ka marrë dhenë si skulptor i përmasave ndërkombëtare, në Shqipëri ai njihet pak ose aspak. Skulptori ynë i njohur Kujtim Buza pat dhënë vlerësimet e tij maksimale për kolegun e tij virtuoz nga Shkodra në ekspozitën që ky i fundit pat hapur në Tiranë në shtator të vitit 2001.

“Talentin ia kam kushtuar vendit tim”

Pjetri ka refuzuar prej kohësh marrjen e nënshtetësisë greke që i është ofruar sa e sa herë nga autoritetet e atjeshme, pavarësisht se kjo do t’i sillte avantazhe. “Jam i vendosur që të filloj të punoj në skulpturë të lirë ku do të zënë vend kryesor motivet shqiptare. Nëse talenti im shpërtheu në Greqi, mendjen dhe talentin ia kam falur vendit tim”, shprehet ai duke vijuar: “Gjatë këtyre viteve kam punuar shumë skica. Eshtë një punë mjaft voluminoze, gati e barabartë me punën time në terren. Shumë prej tyre i përkasin fushës politike si dhe temës së emigracionit. Mendoj që së shpejti, këto projekte do t’i realizoj në Shqipëri, natyrisht kur edhe të krijohen kushtet e përshtatshme. Sepse, për hir të së vërtetës, ende nuk po gjenden rrugë dhe hapësira për të realizuar më shpejt në praktikë planet e mia”. Në të njëjtën kohë, artisti i njohur shkodran nuk është indiferent edhe ndaj zhvillimeve të prekshme, atje në Rrethimnon e largët të Kretës. Dy muaj më parë, Pjetri ishte një ndër organizatorët kryesorë të mitingut të protestës së mbajtur në qendër të këtij qyteti nga emigrantët shqiptarë, vetëm pak ditë pas vrasjes nga ksenofobia të emigrantit adoleshent shqiptar po në këtë qytet, natën e ndërrimit të viteve.


(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora