Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Policia në gjurmët e kirurgut, Agim Karaj fshihet në Tiranë

| E premte, 19.12.2008, 06:08 PM |


Karaj është parë tek disa të afërmit e tij, ndërsa mjeku Ardian Nelaj është arratisur jashtë vendit

Dy mjekët e hetuar për korrupsion vazhdojnë tu fshihen drejtësisë, megjithëse janë gjurmuar në vendstrehimet e tyre të “fshehta”. Burime nga prokuroria e Tiranë thanë për gazetën “Sot” se kirurgu i njohur Agim Karaj ndodhet në Tiranë, ndërsa mjeku tjetër Ardian Nelaj, të dy të hetuar për korrupsion pasiv, është “arratisur” jashtë Shqipërisë. grupi hetimor i ngritur nga Task-Forcë kundër krimit ekonomiko-financiar në prokurorinë e Tiranës thanë se nga verifikimet paraprake ka rezultuar se mjeku Agim Karaj është parë duke lëvizur në fshehtësi tek disa të afërm të tij. “Ai ka mundur të shmangë punonjësit e policisë që e kërkonin, duke mos u dorëzuar, megjithëse ndaj tij Gjykata e Apelit Tiranë vendosi disa ditë më parë masën e sigurisë “arrest me burg” deri në përfundimin e hetimeve” tha dje prokuroria e Tiranës, e cila saktësoi edhe hetimet e fundit për mjekun tjetër, Ardian Nelaj. Sipas saj, Nelaj është larguar jashtë Shqipërisë. “Nga pyetja e familjarëve të tij ka rezultuar se mjeku që punonte në Spitalin e Burgut, megjithëse ndodhej nën masën e sigurisë “arrest me burg”, është larguar ën drejtim të paditur. Edhe ndaj tij gjykata e Apelit ndryshoi masën e sigurisë së shkallës së par, duke e lënë mjekun në arrest në burg, tashmë në mungesë” saktësuar burimet nga akuza. .

Akuzat ndaj mjekëve

Agim Karaj, shefi i Onkologjikut, u arrestua nga policia më tre nëntor të këtij viti. Gjykata e Tiranës lëshoi fillimisht një mandat arresti, i cili u ekzekutua brenda pak orësh nga specialistët e Antikorrupsionit. Kjo e fundit në bashkëpunim me Taks-Forcën e Prokurorisë, kishin më shumë se një muaj që hetonin mjekun Agim Karaj dhe provat e mbledhura ndaj tij iu depozituan gjykatës së Tiranës, e cila dha miratimin e saj për arrestimin e kirurgut. Disa javë pas vendimit të Gjykatës së Tiranës për të caktuar masën e sigurisë “arrest shtëpie” për mjekun kirurg Agim Karaj, Apeli e rikthen sërish në qelitë e burgut atë. Shefi i Pavijonit të Kirurgjisë u arrestua me akuzën e “mitmarrjes” pas masës së caktuar në mungesë nga Gjykata e Tiranës, por ditën e vlerësimit të kësaj mase, po e njëjta gjyqtare ndryshoi qëndrim duke e liruar me “arrest shtëpie”, pavarësisht se nga organi i akuzës u paraqitën të njëjtat prova dhe rrethana për të vërtetuar akuzën e tyre. Kjo solli reagimin e organit të akuzës, por edhe atë të KLD-së, e cila filloi menjëherë hetimin e dy masave të caktuara nga gjykata për mjekët Karaj e Nelaj. Sipas akuzës, sapo është bërë publik arrestimi i mjekut Karaj, në prokurori janë regjistruar edhe disa kallëzime të tjera penale në ngarkim të tij. Ndërkohë që po sipas akuzës, gjatë verifikimit të llogarive bankare të dy mjekëve, kanë rezultuar shuma të konsiderueshme parash, të cilat mjekët i kanë justifikuar me punën në spital, klinika private dhe mësimdhënie.
 
 Pasuria e majme e mjekëve

Shefi i kirurgjisë së Onkologjikut në QSUT ishte pritur nga policia të mbarojë detyrën e tij dhe sapo kthehej për në banesë ai u ndalua nga specialistët e Antikorrupsionit, të cilët i komunikuan mandatin e arrestit për veprën penale të “mitmarrjes”. Ndërkohë pas verifikimeve të vendndodhjes së mjekëve, puna e prokurorisë së Tiranës po përqendrohet në identifikimin e pasurive të tyre. hetuesit kanë verifikuar llogarinë bankare të mjekut Agim Karaj. Nga informacionet e marra në një bankë private ka rezultuar se mjeku shtonte për çdo muaj shumën e 1500 euro në muaj. Kjo shumë është derdhur për vite me radhë. Por, gjatë verifikimit të llogarisë bankare ka rezultuar se në të ka pasur vetëm 5 mijë euro. prokuroria ka të dhëna se llogaria bankare është tërhequr nga të afërmit e Karajt jashtë Shqipërisë. Sipas informacioneve të marrë, rezulton se familja e tij jeton në Kanada, prej nga dyshohet se janë tërhequr paratë. të ardhurat e fituara nga veprimtaria e agim Karajt në Shqipëri, shërbenin edhe për mbajtjen e familjes në Kanada. Gjithsesi prokuroria thotë se ka prova të pakundërshtueshme që vërtetojnë akuzën e korrupsionit pasiv ndaj mjekut Agim Karaj. Ekzistojnë përgjime dhe vëzhgime në dy raste të marrjes së ryshfetit, ku mjeku i ka marrë klientëve të tij shuma të konsiderueshme të hollash. gjithashtu ka dyshime edhe për raste të tjera, të cilat po verifikohen nga prokuroria e Tiranës. 

G. Sot