E enjte, 28.03.2024, 05:53 PM (GMT)

Mendime

Enver Bytyçi: Djalli në Beograd, këta e kërkojnë te Vjosa Osmani!

E hene, 13.06.2022, 06:19 PM


Djalli në Beograd, këta e kërkojnë te Vjosa Osmani!

Nga Enver Bytyçi

Në marsin e vitit 1999 delegacioni i Kosovës në Rambuje u kthye për në Prishtinë përmes aeroportit të Tiranës. Të gjithë anëtarët e delegacionit zbritën nga avioni për ta takuar presidentin e kohës në sallonin e VIP-ave të këtij aeroporti përpos Ibrahim Rugovës! Mediet e qeverisë së kohës e akuzuan presidentin historik për "idhnak", "hakmarrje" dhe "përçarje"! Ai nuk u përgjigj. Kur mbërriti në Prishtinë gazetarët e lidhur me qeverinë e Tiranës zyrtare të tipit Kreta, mes tjerave e pyetën se "Kur do ta vizitonte Shqipërinë"! Ai tha: "Në rastin më të parë"! Nuk shau. Nuk iu kundërpërgjigj akuzave që i frymëzonte Rexhep Qosja në gojën e presidentit socialist, Meidani, apo eksponentëve të tjerë të qeverisë, përfshirë dhe ministrin e Jashtëm, Milo!

Asnjëherë nuk foli. Nuk shau! Nuk kritikoi! Por ama ndryshonte rrugë kur përballej me renegatët e Kosovës që banonin në Tiranë. Nanos i tha se "Ju kujtoj që parlamenti i Shqipërisë e ka njohur Republikën e Kosovës në vitin 1991"! Sepse Nano u pajtua me Milosheviçin gjatë samitit të Kretës që Kosova të mbetej nën Serbi! Ndërsa pas çlirimit të vendit, kur presidenti i Shqipërisë vizitoi Prishtinën, Rugova iku e shkoi në Bruksel. Rastësisht! Jo! Por ikja e tij ishte ikje prej konfliktit! Sepse Ibrahim Rugova nuk kishte njëqind fytyra. Nëse do takohej me presidentin Mejdani, do të duhej t'i kërkonte llogari, pse ky i fundit e quajti pengmarrjen e Rugovës nga Milosheviçi si tradhti dhe vetë Rugovën "tradhtar"?! Do të duhej t'i thoshte se "Ti zoti president i Shqipërisë fole me mendjen, inatin dhe urrejtjen e Rexhep Qosjes dhe në emër të tij u hakmore"! Prandaj iku! Nuk e donte sherrin. Por edhe e urrente shpifjen, të ligën, maskarallëkun!

Sot është 23 vjetori i çlirimit të Kosovës nga pushtimi dhe sundimi kolonialist i Serbisë. Dhe më duket se jemi në një dezhavu të asaj çfarë ka ndodhur para kësaj dite të shenjtë. Kryeministri i Shqipërisë së sotme, përtej maskave, ka dalë hapur në krah e në mbrojtje të Serbisë dhe presidentit të saj dhe kundër Kosovës. Nuk gjen rast pa atakuar kryeministrin dhe presidenten e vendit. Presidenten Osmani e injoroi kur ajo foli në parlamentin e Shqipërisë para një viti. Kërkesave të saj që Shqipëria duhej të përkrahte Kosovën dhe të bënte kujdes në marrëdhëniet me Serbinë, iu poërgjigj me një arrogancë të pashoqe. E etiketoi dhe fyu rëndë presidenten e vendit. Kurrë, në  asnjë rast, në asnjë rrethanë nuk ka kritikuar Rama Aleksandër Vuçiqin qoftë dhe me fjalë këshilluese!  Ndërkohë nuk ka lënë fyerje dhe akuzë të paskrupullut që nuk e ka vënë në gojën e tij kundër Vjosa Osmanit dhe Albin Kurtit.

Sejmenët e Edi Ramës luftën e kryeministrit të Shqipërisë kundër kryeministrit të Kosovës e lidhin me pjesmarrjen në zgjedhjet e vitit 2021 të Vetëvendosjes në Shqipëri. Alibi e besueshme. Por nuk është ky shkaku. Lepuri fle në Beograd. Eshtë e njohur tashmë se të gjitha elaborimet ekademike e të Kishës Ortodokse të Serbisë rekomandojnë përçarjen e shqiptarëve e sidomos të politikës shqiptare. Këto programe e projekte anti-shqiptare konsiderojnë si suksesin më të madh përçarjen e politikës së Shqipërisë dhe të Kosovës! Dhe nëse ka ndonjë politikan në historinë e re të shqiptarëve, që ia ka arrit me shumë sukses ta realizojë këtë kërkesë të vjetër e të re të Serbisë, ky është Edi Rama!

Askush nuk mund të m'i hedhë poshtë këto argumente, sepse gjithçka na shfaqet çdo ditë para syve. Megjithatë në rastin e publikimit të një fotoje në darkën e shtruar në Selanik të Greqisë me kancelarin Scholz jo pak miopë dhe argatë të së keqes fajësojnë Vjosa Osmanin. Po, është e vërtetë se presidentja Osmani publikoi foton e kësaj darke. Ndoshta e postoi edhe dikush tjetër para ose pas saj. Por nuk i tha Vjosa Edi Ramës qëndro dy metra larg saj e mbaje gojën mbyllur! Nuk e bëri protokollin e asaj darke presidentja e Kosovës. Ai protokoll u zbatua nga mikpritësit. Unë e pranoj se Ramën e kishin vënë qëllimisht në një pozitë të tillë denigruese. Ndoshta mikpritësi ka zbatuar një skenar të tillë. Por Ramës i takonte të afrohej e të bisedonte me Vjosa Osmanin! Asnjë që do ishte në krah të kancelarit gjerman nuk do ta kishte mendjen te një persomazh tjetër! Dhe Rama doli vetë bllof në një cep të tavolinës e në pamundësi të bënte shoqëri me Aleksandër Vuçiq! Ai do të donte të ishte përballë Vjosës e në krah të presidentit të Serbisë. Por nuk ia dhanë këtë mundësi! Për mua kanë bërë shumë mirë!

Megjithatë shumë analistë e kolegë kërkojnë të fajësojnë presidenten e Kosovës për këtë. Pse? Sepse publikoi atë foto. Megjithëse askush nuk mund të thotë nëse ishte Vjosa apo dikush tjetër që e postoi i pari foton në fjalë. Nuk fajësojnë Edi Ramën që urren dhe hakmerret, madje pa u maskuar, me presidenten e Kosovës, por fajësojnë viktimën e kryeministrit të Shqipërisë për llogari të presidentit të Serbisë. Djalli është në Beograd dhe këta e kërkojnë në presidencën e Kosovës. Me djallin është bashkuar Edi Rama dhe këta fajësojnë Vjosa Osmanin! Njësoj si para 23 vitesh. Milosheviçi e mori peng presidentin Rugova dhe Tirana zyrtare nuk e fajësoi pengmarrësin e nuk i kërkoi Milosheviçit ta lirojë pengun e tij, Dr. Rugovën, por pengut Rugova i vunë etiketën e "tradhtarit"! Tradhtarët thërrisnin "dënojëni tradhtarin", dmth atdhetarin e madh Ibrahim Rugova! Tradhtarët e sotëm paguajnë miliona e bërtasin me të madhe "Dënojeni viktimat e duetit Rama-Vuçiq", pra Vjosa Osmanin e Albin Kurtin, pra Kosovën! Deri kur?



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora