E enjte, 18.04.2024, 08:52 AM (GMT+1)

Mendime

Eshref Ymeri: Bujkrobi-servil i Ramës me emrin Pirro Prifti

E shtune, 11.06.2022, 09:45 PM


Bujkrobi-servil i Ramës me emrin Pirro Prifti

Nga Eshref Ymeri

Tek po shtegtoja nëpër faqet e internetit, fare rastësisht hasa në një artikull të Pirro Priftit, në të cilin, midis të tjerash, shkruante

“Lobi i politikanëve shqiptarë të kryesuar nga Berisha, së bashku me disa analistë të konsumuar që paguhen prej tij,  duan të përdorin kundërshtimin e Kryeministrit dhe Presidentes së Kosovës ndaj Nismës Ballkan i Hapur,  për të luftuar Kryeministrin Edi Rama i cili ka fituar tre mandate  katërvjeçare nga populli shqiptar,  por edhe për të krijuar destabilitet në Shqipëri që ti shpëtojnë përgjegjësive ligjore të së kaluarës… Apollogjetët e Berishës që nxijnë nëpër emisone në  tv  me anti-amerikanizmin e tyre duke e justifikuar me nacionalizmin politik  për të fituar elektorat, vazhdojnë të minojnë çdo përpjekje të qeverisë shqiptare në drejtim të integrimit europian, por u ka dalë boja dhe populli po i sheh me përçmim dhe zemërim (Citohet sipas: Pirro Prifti.“Përse Kosova kundërshton  Projektin “Ballkan i Hapur””? Faqja e internetit e gazetës “Sot”. 10 qershor 2022).

Së pari, Pirro Prifti, në shprehjen “… që ti shpëtojnë përgjegjësive ligjore…” duhej që, në vend të trajtës së shkurtër të përemrit vetor  të vetës së tretë në rasën dhanore të numrit njëjës i, të përdorte trajtën e shkurtër të përemrave vetorë në rasën dhanore të numrit shumës u. Kështu, shprehja duhej shkruar “që t’u shpëtojnë përgjegjësive ligjore…”. Veç kësaj, edhe trajtës së shkurtër të përemrit vetor në numrin njëjës, të përdorur gabim, nuk i ka vënë apostrof t’i. Pra, Pirro Prifti, para se t’u drejtohet lexuesve me shkrimet e veta, t’i studiojë mirë rregullat gramatikore të drejtshkrimit gjatë përdorimit të trajtave të shkurtra të përemrave vetorë në numrin njëjës dhe shumës, në mënyrë që të shmangë gjysmakësinë e vet në kulturën e të shkruarit.

Së dyti, në artikullin e lartpërmendur, Pirro Prifti del në mbrojtje të Ballkanit të Hapur, duke u rreshtuar në krah të kryetradhtarit Rama, i cili është turpi i mbarë kombit shqiptar, si armiku i tij me damkë. Rama, duke u puthur dhe përputhur me kriminelin e Dardanisë Vuçiç, ndjek hullinë e kryeargatit të serbosllavizmit Enver Hoxha, i cili, duke mos pasur kurrfarë besimi në aftësitë dhe në energjitë krijuese të popullit shqiptar, në mbledhjen e Byrosë Politike të 15 dhjetorit të vitit 1947, pati kërkuar që Shqipëria të bëhej, faktikisht, koloni e Jugosllavisë, por nën maskën e republikës së shtatë. Në atë mbledhje ai pati deklaruar:

“Duhet ta fitojmë kohën e humbur e të bëjmë sa më shpejt bashkimin DE FACTO të Shqipërisë me Jugosllavinë në të gjitha fushat (parti, ekonomi, ushtri, etj.), se Shqipëria nuk mund të qëndrojë si shtet i pavarur dhe aq më pak të ndërtojë socializmin pa u bashkuar me Jugosllavinë…”.

Një deklaratë e turpshme kjo që ia ulte keq dinjitetin kombëtar dhe ia nxinte faqen vendit tonë para opinionit ndërkombëtar dhe sidomos atij evropian. Me kësisoj xhevahiresh pati vazhduar Enver Hoxha edhe në vitin 1951, kur pati deklaruar se, demek,  Bashkimi Sovjetik na qenkej dielli, uji dhe ajri për vendin tonë.

Pirro Prifti, duke veshur lëkurën e bujkrobit-servil shembullor para Ramës, deklaron me paturpësinë më të madhe se Rama “ka fituar tre mandate katërvjeçare nga populli shqiptar”.

Se si i ka fituar ato mandate kryehajduti i votës Rama, dihet mirë nga të gjithë shqiptarët me vetëdije kombëtare. Por të deklarosh se populli shqiptar i paska dhënë votat Ramës për tre mandate, do të thotë të mashtrosh ditën në drekë, duke u zhveshur kokë e këmbë nga çdolloj dinjiteti personal. Por Pirro Prifti s’e ka për gjë të zhvishet nga një dinjitet i tillë, sepse psikologjinë e bujkrob-servilit e ka të rrënjosur me kohë dhe me vakt në qenien e vet, si lepitkë dhe paçavure e Janullatosit.

Në artikullin e vet, Pirro Prifti sulmon Profesor Berishën dhe mbështetësit e tij. Sipas këtij mendjelliut trulajthitur Pirro Prifti, ata populli po i sheh me përçmim dhe zemërim”. Për cilin  popull e ka fjalën Pirro Prifti? Me sa duket, sipas trurit të tij të mykur, populli shqiptar na qenka krejtësisht “pronë” e kryetradhtarit Rama. Të sulmosh Profesor Berishën, i cili po mbron  fuqimisht Dardaninë, duke i  nxjerrë bojën jo vetëm kriminelit Vuçiç dhe bandës së tij fashiste, si edhe Ramës e bujkrobërve të tij socialistë, por edhe kryetradhtarit të Dardanisë Thaçi, do të thotë të radhitesh në krahun e armiqve të kombit shqiptar, të veshësh petkun e tradhtarit.

Pirro Prifti shkon aq larg me paturpësinë e vet, saqë sulmon Presidenten Vjosa Osmani dhe Kryeministrin Albin Kujrti, duke deklaruar se “këta politikanë të Kosovës kanë kufizime ideore dhe  paragjykime të së kaluarës…”.

Me sa duket, Pirro Priftit i  vjen  keq për Hashim Thaçin dhe bandën e tij dikur në pushtet, të cilët, e kishin nxjerrë Dardaninë në bregun e pazarit të serbosllavizmit me marrëveshjet tradhtare që kishin nënshkruar në Bruksel. Pra, Pirro Prifti sulmon qëndrimin burrëror të Presidentes Osmani dhe të Kryeministrit Kurti para Beogradit dhe Brukselit, i cili, me dy “kujdestarët” që ka caktuar për dialogun me Serbinë, njërin nga Sllovakia dhe tjetrin nga Spanja, qëllimisht nga dy shtete që vazhdojnë të mos e njohin pavarësinë e Dardanisë, gjithmonë është rreshtuar në anën e Serbisë.

Sipas Pirro Priftit, Presidentja Osmani dhe Kryeministri Kurti, duhet të pranojnë Ballkanin e Hapur të Vuçit dhe të Ramës, të cilët, në fshehtësi, në takimin që patën zhvilluar në Nish,  bënë  plane për ndarjen e Kosovës. Pirro Prifti nuk mund të mos ketë qenë i  painformuar për lajmin  në vijim:

“Në 2016, në Nish, Vuçiç filloi bisedimet me Ramën për ndarjen e Kosovës…”. (Citohet sipas: Sonja Biserko: “Jo Bolton as Grenell, ja kush filloi bisedimet më 2016 për ndarjen e Kosovës”. Faqja e internetit e gazetës “Bota Sot”. 06 korrik 2020).

Pirro Prifti nuk mund të mos ketë qenë i informuar për betimin e Vuçiçit, i cili, më 19 dhjetor 2020, më Tv “Borba” të Beogradit, pati deklaruar:

“Serbia nuk do ta njohë Kosovën sa të jem unë president”.

Pra, Pirro Prifti, si një bujrob zvarranik para Ramës, armikut të Dardanisë, kërkon që Presidentja Osmani dhe Kryeministri Kurti të pranojnë Ballkanin e Hapur, paçka se Serbia nuk e njeh pavarësinë e Dardanisë dhe, për pasojë, nuk ka kurrë ndër mend të kërkojë ndjesë publike për krimet, për masakrat shtazarake dhe për gjitha ato shtatërrime që u pati shkaktuar ekonomisë dhe banesave të Dardanisë. Domethënë, sipas mendjendryshkurit Pirro Prifti, Dardania të pranojë Ballkanin e Hapur që të vetëposhtërohet dhe të shndërrohet në një koloni të Serbisë, siç kërkon kryetradhtari Rama ta shndërrojë atdheun amë në koloni të saj.

Pirro Prifti, si një njeri pa shtyllë kurrizore, deklaron se Rama ka marrë votat e popullit në tre mandate. Po në qoftë se popullit i qenka djegur barku për Ramën, si shpjegohet që, gjatë qeverisjes së tij, që prej shtatorit të vitit 2013, vendin  e kanë braktisur qindra mijëra qytetarë?

Para më shumë se tre vjetësh, në fund të shkurtit 2019, Rama ishte i ftuar në programin televiziv TG2 të RaiDue në Itali, në studion e analistit Alberto Negri. Ai i tha Ramës se “nga vendi janë larguar 500 mijë njerëz”, një shifër kjo, e cila pas një viti, sipas të dhënave të Instatit, u ngrit në 610 vetëm prej shtatorit të vitit 2013, kur socialistët morën  pushtetin, deri në shtator të vitit 2020. Dhe Alberto Negri shtoi:

“Nëse njerëzit emigrojnë, do të thotë se aty gjërat nuk janë mirë” (Citohet sipas: “Gazetari italian “gozhdon” Ramën: Ju jeni establishment, ish-ministri në trafik droge”. Faqja e internetit “Syri.net”. 28 shkurt 2019).

Pirro Prifti ka pasë qenë dekan dhe pedagog i Shkollës së Lartë të Infermierisë. A thua që ai të mos ketë dijeni fare për deklaratën e një infermieri, ish-student i asaj Shkolle, të cilin vetë mund ta ketë pasur student në auditor? Ja çfarë ka deklaruar ai student për arsyhet e  braktisjes së vendit nga shqiptarët, çka Pirro Priftit, si bujrob-servil i regjur, të cilit i është bërë lëkura shollë para çifligarit të tij Rama, nuk i bën përshypje absolutisht:

“Vitet e fundit numri i shqiptarëve që janë larguar nga vendi është shtuar në masë, aq sa shifrat janë të frikshme. Një nga shkaktarët kryesorë që renditet për largimin e shqiptarëve nga vendi janë pagat e ulëta dhe kostoja shumë e lartë e jetesës. Një i ri që ka mbaruar studimet e larta për infermieri tregon se nuk mund të qëndrojë në Shqipëri me një rrogë prej treqind mijë lekësh të vjetra. I riu thotë se nuk mund të qëndrojë as edhe një sekondë më shumë në Shqipëri dhe se i bëhet mishi kokërr, kur mendon se si mund të qëndrojë në Shqipëri kur e pret një e ardhme e ndritur në Gjermani. Ai thotë se i kanë ofruar një kontratë pune 2800 mijë euro në muaj dhe se muajin e ardhshëm do largohet. I riu thotë se nuk ka asgjë kundër Shqipërisë dhe se e gjitha është kundër sistemit, i cili po i largon të rinjtë nga Shqipëria” (Citohet sipas: ““Patriot jam në gjak edhe në zemër!”. Infermieri i ri që do të largohet nga Shqipëria jep mesazhin e madh”. Faqja e  internetit “lajme”. 26 qershor 2019).

Mirë do të ishte që Pirro Prifti të bëhet vetvetja, të zhvishet nga ndjenjat e bujkrobit zvarranik para Ramës, të respektojë shumë më tepër dinjitetin personal, të vetëdijësohet për gjëmat që i ka shkaktuar majtizmi kombit shqiptar, me përfaqësues të tillë kryetradhtarë në pushtet, si Rama në Tiranë, Thaçi në Prishtinë dhe Ali Ahmeti në Shkup. Mirë do të ishte që Pirro Prifti të ketë parasysh ca fjalë të arta të kryeministrit hungarez Viktor Orban, i cili ka thënë:

“Kur të majtët janë në pushtet, historia përfundon në varfëri dhe kriza”.

Mirë do të ishte që Pirro Prifti t’i ketë parasysh këto fjalë të kryeministrit hungarez, sepse me servilizmin e tij të pështirë para një njeriu të neveritshëm, si Rama, më kujton ca qytetarë rusë, të intervistuar nga gazetarë të ndryshëm nëpër këmbësoret e Moskës se ç’mendim kanë për luftën në Ukrainë. Përgjigjet e atyre qytetarëve janë përgjigje prej bujrobërish të kohës së carizmit: të gjithë shprehin ngazëllimin e tyre për kryekriminelin e shekullit Putin për masakrat fashiste që ushtria e tij agresore po kryen në Ukrainë. Më vjen shumë ndot kur i ndjek ato intervista në youtube, të cilat dëshmojnë se deri ku ka degjeneruar natyra shoviniste e shumicës dërrmuese të popullit rus, i cili ka qenë dhe ka vazhduar të mbetet skllav brezi pas brezi, duke mos marrë parasysh absolutisht këshillën e shkrimtarit të madh Anton Çehov (1860-1904), i cili thoshte:

“Duhet të mundohemi që skllavin ta nxjerrim nga vetja me zor pikë e nga një pikë”.

Nuk do të ishte keq që edhe Pirro Prifti, pikë e nga një pike, t’i nxirrte nga vetja me zor ndjenjat e bujkrobit dhe të skllavit para agait të tij Rama.

Feniks, Arizona

10 qershor 2022



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora