E premte, 23.04.2021, 04:07 AM (GMT+1)

Mendime

Albin Kurti: Drejt zugzwang për në zeitnot

E premte, 19.12.2008, 08:56 PM


Albin Kurti
Albin Kurti
Drejt zugzwang për në zeitnot
 
Me Hashim Thaçin, Kosova e pavarur por pa sovranitet po futet në një situatë që shahistët e quajnë zugzwang. Je i detyruar të luash, anipse secili potez i ardhshëm ta keqëson gjendjen.

Nga Albin Kurti

Në këta dy muajt e fundit nënshtetasve të Kosovës iu është bërë brutalisht e qartë se ngecja e Kosovës nuk është ngecje në numrin 52 a 53 të shteteve që na kanë njohur, porse është ngecje në marrjen e sovranitetit dhe vendosjen e integritetit territorial.

Dhe, gjersa të jetë kështu, statusi i Kosovës përherë do të mbetet temë aktuale që i nënshtron por edhe i bllokon temat e tjera. Kur s’ke plan dhe nuk organizon forcë për ta bërë Kosovën sovrane, atëherë doemos përfundon në negociata (të reja me ose pa ty). Statusi i Kosovës konsiderohet gjithnjë e më i pazgjidhur dhe pretendimet e Serbisë rriten pa marrë parasysh se kush është president a kryeministër në Beograd.

Kohëzgjatja e brishtësisë së brendshme të shtetit të Kosovës përkthehet në rritje të gravitetit të jashtëm për apetitet e Serbisë. Dy dekada më vonë tashmë disi e kemi harruar se si u bë që aspirata për bashkim kombëtar u pat zëvendësuar me aspiratën për pavarësi. Mirëpo, s’kemi se si të mos e mbajmë mend që aspirata për pavarësi të plotë zbriti në pavarësi sipas Planit të Ahtisaarit dhe tash së fundi edhe kjo pavarësia e Ahtisaarit në pavarësi sipas gjashtëpikëshit të Ban Ki-moon-it.

Rënia nuk do të ndalet sepse sëmundja është e njëjtë: politikanë të vetëkënaqur e lënë politikën pa forcë, që më tutje e lë pavarësinë pa sovranitet e që, për pasojë, rrokulliset teposhtë duke i rënë copat. Problemi kryesor i Kosovës sot nuk është që Hashim Thaçi është kryeministër, por që Hashim Thaçi nuk don që të bëhet përnjëmend kryeministër. Problemi kryesor i Kosovës është vetëmjaftueshmëria e Thaçit që ta quajnë kryeministër dhe të duket si i tillë, anipse nuk është me të vërtet.

Problemi kryesor i Kosovës është lehtësia me të cilën Thaçi pranon që dikush tjetër të ketë fuqi ekzekutive mbi të. Hashim Thaçi nuk mund ta merr seriozisht punën e Kosovës gjersa ai nuk e merr seriozisht as postin e tij. Sigurisht se ai thotë që vetëm kaq është e mundur, se ai ka bërë krejt çfarë ka qenë e mundur deri më tani, mirëpo gjërat e mëdha nuk realizohen sepse janë të mundura, por sepse duken të pamundura! Secila e arritur kapitale ka qenë e pamundur para se të nisej përpjekja për të.

Madje, perceptimi i saj paraprak si ‘e pamundur’ i kontribuon thelbësisht kualifikimit si ‘madhore’ pas realizimit. Realiteti nuk ndryshon cilësisht për shkak se shfrytëzohet mundësia që përgjithësisht pranohet se ndodhet përbrenda realitetit, por për shkak të vullnetit njerëzor të pareduktueshëm në koordinatat e një konteksti e që synon një qëllim të caktuar. Në vend se të na rrëfejë për kufizimet e rrethanave objektive, Hashim Thaçi dhe njerëzit e tij do të duhej të na e dëshmojnë vullnetin e tyre subjektiv për ta bërë Kosovën sovrane.

Ai, dhe njerëzit e tij, mund të thonë edhe që veprimi i njëanshëm na rrezikon së tepërmi dhe përdorimi i forcës do të shfrytëzohej si pretekst nga Serbia që Kosova të bëhet Gjeorgji kurse Serbia Rusi, mirëpo pikërisht duke mos vepruar, Kosova po degradon drejt një niveli të tillë.

(Po ashtu, një pohim i tillë tregon se edhe Thaçi dhe të afërmit e tij, e dinë se miqtë ndërkombëtarë nuk janë bash miq përderisa duhet të llogarisim se ata mund të mos na mbrojnë ndaj një agresioni të ri të Serbisë!). Sa më gjatë që nuk do të veprojmë, aq më vështirë do ta kemi të veprojmë suksesshëm mandej.

Gjithsesi duhet pasur strategji dhe taktikë në veprimet për ta bërë Kosovën sovrane, duhet menduar mirë para veprimeve dhe për hir të suksesit të tyre, ama pa dyshim se nuk ka më keq sesa të mos veprohet fare. Duke e mbajtur lart vetëm prioritetin e njohjeve të mëtutjeshme të pavarësisë nga jashtë dhe duke mos u angazhuar për sovranitetin dhe integritetin territorial brenda vendit, shteti i Kosovës ka dërguar sinjal negativ në botë:

Kosova nuk i konsideron çështje urgjente sovranitetin dhe kontrollin e territorit e të kufijve të vet! Faktorët ndërkombëtarë konstatuan se për këto gjëra që janë esenciale për çdo shtet, krerët e Kosovës nuk e kanë ndërmend të bëjnë gjë dhe se Kosova mund të presë ende. Serbia nuk priste dhe erdhën 6 pikat të cilat s’do të jenë të fundit pa i dhënë fund kësaj sjelljeje moskokëçarëse të Qeverisë së Kosovës lidhur me sovranitetin e vendit.

Sa më gjatë që të pritet aq më shumë do të dalin arsye për të pritur akoma më shumë, por Kosova po dëmtohet e do të dëmtohet pakthyeshëm. Mosveprimi ynë i zgjatur vazhdimisht e ngushton hapsirën për veprim më pas ndërkohë që Serbia nuk rresht së vepruari. Me Hashim Thaçin, Kosova e pavarur por pa sovranitet po futet në një situatë që shahistët e quajnë zugzwang. Je i detyruar të luash, anipse secili potez i ardhshëm ta keqëson gjendjen.

E, kur je në zugzwang, atëherë e vetmja alternativë, përveç rrënimit të pozicionit duke luajtur, është që të mos luash asnjë potez: minutat ikin dhe përfundon në zeitnot, i cili t’i ofron dy rrugë, secila më e keqe se tjetra: të provosh t’i luash shpejt e shpejt të gjithë potezat e mbetur drejt humbjes së sigurt me mat ose me rënie të flamurit, apo të dorëzohesh paraprakisht në mënyrë që të dukesh ca më i dinjitetshëm.

Shtetet janë bërë sovrane atëherë kur populli i atij shteti dhe sidomos elita politike e tij ka thënë: “Ne jemi të mirë!” (pra, vetërespekt) dhe “Ne mundemi!” (pra, vetëbesim). E neve në Kosovë kemi aq shumë politikanë e analistë të afërt me ta që thonë se ne nuk jemi të mirë dhe aq më pak mundemi. Ne kemi aq shumë politikanë e analistë të afërt me ta që e mbivlerësojnë veten dhe e nënçmojnë popullin, që kanë ambicie tepër të larta për veten e tyre e tepër të ulëta për popullin.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora