E merkure, 30.11.2022, 08:24 AM (GMT)

Editorial » Entela

Entela Binjaku: Kontribut i arsimtarëve fierakë në edukimin e fëmijëve nga Kosova

E merkure, 08.06.2022, 08:13 PM


Kontribut i arsimtarëve fierakë në edukimin e fëmijëve nga Kosova

Nga Entela Binjaku

Pikënisja e këtij shkrimi ishte një shënim në librin me titull: “Media dhe integrimi evropian” i autorit Arben Fetoshi. Në jetëshkrimin që shoqëron librin e gazetarit dhe studiuesit nga Kosova përmendet Lushnja si qyteti ku kishte përfunduar gjimnazin. Fetoshi e ka veçuar këtë periudhë të jetës në Shqipëri duke treguar mirënjohjen për qytetin me të cilin e lidh kjo periudhë e rëndësishme e jetës. Nëpërmjet këtij akti ai ka vendosur pranë e pranë dy virtyte: mirënjohjen dhe sakrifikimin për arsimim. Edhe pse artikulli niset nga një fakt individual, ai të sjell në vëmendje sprovat që shoqëria shqiptare ka kaluar. Lufta në Kosovë ishte një shembull i tillë. Ngjarja e përmasave të mëdha për kombin tonë i përfshiu jo vetëm njerëzit por edhe institucionet. Në Shqipëri fëmijët dhe të rinjtë ardhur nga Kosova u organizuan  nëpër shkolla. Mjedise dhe burime njerëzore të orientuara nga drejtoritë arsimore të kohës  u vunë në dispozicion të tyre. Shkolla “Andon Xoxa” në qytetin e Fierit ishte një ndër to. Kjo shkollë  e njohur dhe me prestigj të lartë shoqëror gjatë muajve të verës ishte një vatër edukative për fëmijët e familjeve nga Kosova.  Në shënimet që ka lënë ish drejtori i shkollës Thoma Binjaku, tashmë i ndarë nga jeta, ai e përshkruante këtë fakt duke përmendur 474 fëmijët nga Kosova që nën drejtimin e tij u morën në këtë shkollë.

Në kujtimet e tij ai shkruan:  “Ishte një kohë e vështirë për kombin. Shkolla që drejtoja ishte nga më të mëdhatë  në Republikën e kohës me 2000 nxënës. Qyteti i Fierit hapi dyert për shumë familje kosovare.  474 prej fëmijëve nga Kosova, i mora të studionin në shkollën që drejtoja dhe në 15 shtator me trupën e mësuesve i përcollëm fëmijët në Kosovë”.  Këtë dëshmi ai e ka përmendur edhe herë të tjera, si përshembull në intervistën e dhënë për televizionin “Vizion Plus” me rastin e “Festës së Mësuesit” pak muaj para ndarjes nga jeta.  Shumë nga aktivitetet e zhvilluara në shkollë nga mësuesit dhe nxënësit ai i kishte ruajtur në kaseta që i mbajti në sirtar për shumë vjet por që koha bëri dëmin dhe sot ato nuk gjenden më.

z. Adem Latifi, ish mësues dhe protagonist në këtë periudhë  i pyetur për origjinën e fëmijëve të rregjistruar në këtë shkollë shprehet: “Ata ishin nga e gjithë Kosova, nga Peja, nga Prizreni etj., dhe  gjetën një ngrohtësi nga ana e qytetarëve fierakë”. Pas përfundimit të luftës thotë ai një pjesë u kthyen menjëherë ndërsa të tjerë të cilëve u ishin shkatërruar shtëpitë vijuan të qëndrojnë në Fier. “Sot ata janë rritur, janë martuar e bërë madje edhe prindër,- thotë z. Latifi i cili shprehet se  “dhe ai vetë  kishte në mesin e fëmijëve të afërm të tij të ardhur nga Kosova. Drejtoria arsimore bëri një punë të madhe sepse i shpërndau në shumë shkolla, por punën më të madhe e bëri Thomai që i mori një pjesë të madhe në shkollën “Andon Xoxa”.

Të tjerë arsimtarë e aktorë të asaj periudhe z. Leandër Omari dhe znj. Anila Piperi flasin për përfshirjen e mësuesve të kësaj shkolle në ato kohë të vështira, pasditet e kaluara me fëmijët nga Kosova, gjithmonë krenarë për gadishmërinë dhe seriozitetin e tyre.

Në shërbim të procesit edukues u vunë jo vetëm mësuesit e kësaj shkolle,  por edhe familjet e tyre që sot e pohojnë me krenari kontributin e dhënë në atë periudhë të vështirë. Mjaft prej arsimtarëve të përfshirë në edukimin e fëmijëve nga Kosova ishin edhe aktorë me peshë në arsimin kombëtar, që angazhimin e kuptonin si të rëndësisë patriotike.

Vetë z. Binjaku, ish drejtuesi i shkollës “Andon Xoxa” për 10 vjet ka qenë pjesëmarrës në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe në Tiranë në vitin 1972, ai mbajti për shumë vite titullin “Mësues i Merituar” dhe ishte  dekoruar me urdhërin “Naim Frashëri” të klasit I, II, III. Me nismën e tij në fshatin e lindjes në Peshtan të Fierit u  ngrit shkolla “Hamdi Metaj”, shkollë e cila vazhdon edhe sot. Ai kishte punuar edhe si inspektor në Ministrinë e Arsimit  dhe zotëronte një njohje të gjerë të zhvillimit të arsimit në Shqipëri.  Deri në fund të jetës punoi duke kontribuar në çeljen e shkollave të reja, por punën e bërë me ekipin e mësuesve të shkollës “Andon Xoxa” veçanërisht në  kohën e luftës në Kosovë e kishte në zemër.

Shkolla “Andon Xoxa” një krenari për qytetin e Fierit në kohën e luftës në Kosovë u drejtua me vizion kombëtar dhe i përcolli shoqërisë modelin më të lartë të një institucioni jetik për kombin. Roli i saj në edukimin e fëmijëve nga Kosova e dalloi këtë veçori, që sot ka nevojë të njihet më mire, të vlerësohet dhe pse jo, të nderohet me titujt që i takojnë! A nuk do të ishte mirë që një ish nxënës nga Kosova të veçonte kontributin e kësaj shkolle në jetën e tij? Mendoni sikur kjo të ndodhte, e jo vetëm nga një prej tyre: ishin më shumë se 400 fëmijë! Ata sot janë rritur e mund t´u rrëfejnë ndoshta edhe fëmijëve të tyre sesi mësuesit fierakë të “Andon Xoxës” i pritën, i edukuan dhe i përcollën me dashuri.



(Vota: 7 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Entela Binjaku: Nxënësit fierakë sjellin në skenën e Beratit dramën “Kush e solli Doruntinën?” Entela Binjaku: Studentët e “Shëndetit publik” paraqesin temën “Vaksinimi në Shqipëri-sfidë apo realitet?” Entela Binjaku: Të rinjtë fierakë prezantojnë në Gjirokastër kompaninë e tyre të shërbimeve online Entela Binjaku: Arumunët që kam takuar, një udhëtim kulturor tek bashkëkohësit e mi Entela Binjaku: Në një vjetorin e ndarjes nga jeta të intelektualit të njohur Vasil Moçka! Entela Binjaku: A është ky moshimi aktiv që dëshirojmë për më të moshuarit e shoqërisë sonë? Entela Binjaku: Lamtumirë artistit dhe mikut të madh të Shqipërisë, Jon Karamitru! Entela Binjaku: Thoma Binjakut në përvjetorin e lindjes! Entela Binjaku: Sekretarja e Shtetit për Rumunët e Kudogjendur mes banorëve të Mekatit Entela Binjaku: Ajrina Dimo - “Ruajtja e elementëve identitarë, e rëndësishme, e dobishme dhe shumë e nevojshme" Entela Binjaku: Laboratori "Dr. Limbach" tashmë edhe në Tiranë "Pasditja ime blu" - Entela Binjaku: Përdorimi i gjuhëve të huaja tek fëmijët Entela Binjaku: Në Mekat, mes miqve dhe dashurisë për gjuhën Entela Binjaku: Vetëvrasjet e qytetarëve – kur dukuria do të nisë të shqetësojë shoqërinë? Entela Binjaku: Shtatori i ri po afron, në nderim të kujtimit të arsimtarëve fierakë Entela Binjaku: Viti arsimor po afron, a duhet të mendojmë edhe për standardet pedagogjike? Vrasja horror në Pogradec, sociologia Entela Binjaku: Familjet shqiptare, të vetme përballë çrregullimeve mendore Entela Binjaku: “Darlin dhe shoqet”, vajzat fierake shkëlqejnë në garën skenike Entela Binjaku: 24 qershori një ditë për trashëgiminë kulturore rumune Entela Binjaku: Bashkë për edukimin, të gjithë për të ardhmen e vendit

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora