Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Feti Zeneli: Ligji dhe “lepuri” i dosjeve

| E premte, 19.12.2008, 08:02 PM |


Ligji dhe “lepuri” i dosjeve

Nga Feti Zeneli

Nuk është rastësi dhe ligji “për pastërtinë e figurave zyrtare” apo i ashtuquajturi “ligj i dosjeve” ka rreshtuar në një front të përbashkët të gjithë kundërshtarët e qeverisë “Berisha”. Në përbërje të këtij grupimi, krahas politikanëve të opozitës janë përfshirë edhe disa ish-djathistë, gazetarë, juristë dhe specialistë të fushave të tjera të jetës ekonomiko-shoqërore në Shqipëri, të cilët plotësimin e interesave të tyre personale e e kanë parë dhe e shohin gjithnjë tek pushteti i majtë. Megjithatë, pavarësisht përbërjes heterogjene në dukje, askush nuk mund ta fshehi faktin që, ky është një rreshtim i mirëfillt politik, sipas parimit enverist të artit ushtarak popullor: “mbrojtja më e mirë është sulmi”. Është një sulm i paprincip, me objektiv goditjen dhe dekurajimin e kreut të qeverisë, i cili simbolizon politikanin kurajoz dhe këmbngulës për ndërmarrjen e një sërë reformash të rëndësishme integruese, me synim nxjerrjen e Shqipërinë nga “gjysma e errët në gjysmën me dritë të Hënës”, siç thotë vetë zoti Berisha. Ky sulm që vazhdon prej kohësh nuk ka asgjë të përbashkët me opozitarizmin e mirëfillt politik, si një parim i rëndësishëm demokratik. Sepse opozitarizmi është betejë alternativash me kundërshtarin politik, gjë e cila nuk ka ndodhur kurrë me social-komunistët shqiptarë dhe mbështetësit e tyre “të pavarur”. Madje një qëndrim i tillë opozitar nuk është mbajtur as për ngjarjet e rëndësishme me interes të përgjithshëm kombëtar, që ka përjetuar vendi ynë këtu 3-4 vitet e fundit siç kanë qënë; nënshkrimi i MSA-së, marrja e ftesës për anëtarësimin në NATO, përgatitja e kërkesës për statusin e vendit kantidat në BE, hartimi i strategjisë kombëtare për zhvillimin ekonomiko-shoqëror të vendit tonë, aplikimi i strategjisë antikorrupsion, etj. Përkundrazi, mentaliteti dhe xhelozia komuniste e opozitarëve tanë “të dashur” i ka shtyrë ata në ndërmarrjen e veprimeve penguese dhe dhënien e opinioneve kundërshtuese për këto reforma historike. Parë nën këtë këndvështrim, qëndrimi i tanishëm për “ligjin e dosjeve”, përveçse pjesë e kësaj strategjie kundërshtuese është edhe pasojë e një rrebelimi i natyrshëm në mbrojtje të të shkuarës së tyre.
Për këtë kategori social-komunistësh, të varur e të pavarur, e shkuara e tyre është një eksperiencë e tërë “korrektësie dhe devotshmërie për zbatimin e ligjeve të kohës”, siç thonë ata. Këtë pohim e bëjnë me krenari, të gjithë pa përjashtim, duke filluar nga Ramiz Alia e Nexhime Hoxha dhe duke përfunduar tek politikani më perfierik i këtij grupimi. Dikush mund të thotë se, ç’hyn Ramizi me Nexhmijen këtu? Hyjnë mor zotëri, si s’hyjnë, përderisa të dy i japin këshilla atërore të majtës që, “...të bashkohet, sepse vetëm kështu mund ta mundin “bajlozin”-Berisha”. Faktet tregojnë se, këshillat e tyre janë udhrrëfyese jo vetëm për majtistët e tipit Gjinushi, por edhe për ata të standartit Meta e Blushi. Ishte kjo arsyeja që, në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu për ngjarjet e dhjetorit ‘90, kreu i LSI-së, Ilir Meta pohoi, pas a shumë se, nostalgjia për Luftën Nacional-Çlirimtare e pengoi atë të rreshtohej në radhët e Partisë Demokratike. Më e sinqertë do të kishte qënë të thoshte “nostalgjia për komunizmin”, pasi, siç dihet, platforma fillestare e krijimit të Partisë Demokratike ishte ndryshimi i sistemit politik nga monizëm në pluralizëm, dhe s’ishte koha për detaje të tilla, siç është dhe qëndrimi politik ndaj një ngjarje të caktuar, siç është dhe Lufta Nacional-Çlirimtare, e cila kishte përfunduar plotë para 45 vjetësh nga ky moment. Megjithatë, qëndrimi i mëvonshëm i Partisë Demokratike për këtë ngjarje historike ka qënë plotësisht korrekt, gjë e cila faktohet jo vetëm me nderimin që krerët e kësaj force politike kanë për të rënët, por edhe me përpjekjet institucionale që janë bërë herë pas here prej saj për të zbardhur sa më shumë të vërteta rreth kësaj ngjarje. Mbase të majtët kërkojnë që Enver Hoxha të konsiderohet ende “luftëtar legjendar” i kësaj lufte dhe Shefqet Peçi apo Hetem Gjinushi si “trima me famë”, por etiketime të tilla s’kanë të bëjnë me të vërtetën. Kush e ka ndjekur me kujdes këtë emision ka konstatuar se Meta u ndje keq, dhe nuk tha asnjë fjalë kur Fevziu e pyeti se, “kush ka qënë qëndrimi i PD-së ndaj Luftës?” .
Pa u zgjatur më shumë rreth një fakti të tillë, gjithkush që ka dy pare mend në kokë e kupton shumë mirë se, kush ka qënë shqetësimi real i Metës atëherë dhe tani, ose siç thotë populli, “se ku fle lepuri”. “Lepuri” i frikës së Metës është rehabilitimi i “zogistëve, ballistëve e lagalistëve” të Luftës nga Partia Demokratike dhe njollosja e biografisë së tij familjare nga mundësia e bashkëjetesës me “armikun e klasës”. Dhe kur këtë kompleks e manifeston një politikan i ri i së majtës, që përveçse mentalitetit dhe nostalgjisë komuniste nuk ka arsye tjetër të refuzojë, tashmë jo më anëtarësimin në një forcë të re politike, por iniciativën që kjo forcë ka marrë për të pastruar shtetin dhe politikën nga mëkatarët e së shkuarës, merret me mend qëndrimi i atyre që kanë kryer krime në emër të “Partisë dhe Pushtetit Popullor”. Nuk ka fatkeqësi më të madhe për një forcë politike që edhe në Demokraci vazhdon të mbetet peng i të shkuarës moniste. Ky fakt tregon se sa fallco ka qënë rinovimi i Partisë së Punës në 6 qershor ’91, duke u shndërruar në Parti Socialiste. Por duke qënë se kjo forcë politike përfaqëson institucionin e opozitës, një fatkeqësi e tillë i shtrin pasojat në të gjithë shoqërinë shqiptare, duke e penguar atë të reformohet dhe motivohet për të ecur më shpejtësi përpara. Një nga reformat më të rëndësishme për konsolidimin e demokracisë dhe shtetit ligjor, që ka inicuar qysh në ditët e para të pushtetit të saj mazhoranca aktuale ka qënë reformimi i organit të akuzës dhe sistemit të drejtësisë në përgjithësi. Molepsja në këtë drejtim është aq e madhe sa që edhe ndryshimi i drejtuesve kryesor të tyre rezulton pa efektivitet. Shëmbulli më domethënës në këtë drejtim është organi i Prokurorisë së Përgjithëshme, ku ndryshimi i kreut të akuzës nuk ndryshoi asgjë në trashgiminë komunisto-partiake të këtij institucioni. Kësisoj, Ina Rama po rezulton të jetë më vasale e të majtëve se sa Theodhori Sollaku, përderisa akuzat politike të Edi Ramës i arkivon si akuza juridike dhe cakton për hetimin e tyre ish-prokurorët e diktaturës. E njëjta gjë po ndodh edhe me nënkryetarin e KLD-së, i cili para se sa të gradohej në këtë post ishte mjaft aktiv për reformimin e sistemit të drejtësisë dhe çlirimin e tij nga kthetrat e korrupsionit. Përshtatshmëria e tyre më mjedisin e vjetër të punës nuk është çështje darvinizmi, por çështje reformizmi. Njëshi mbetet “zero, ful” po qe se nuk reformohet institucioni dhe metoda e punës. Kjo është arsye që “njëshat” apo “dyshat’ e këtyre institucioneve shndërrohen në bishta partiak e tregojnë pafuqi ekzektutive apo njëanshmëri në kryerjen e detyrës. Në demokraci, vetëm reformat të bëjnë “Ante” vendimmarrës, ndërsa shkëputja dhe izolimi nga reformat të shndërron në satelit partiak apo në një meteor dështak.
Administrata jonë shtetrore e të gjithë niveleve është e natyrshme që të ketë në gjirin e saj mjaft kuadro e specialistë që të kenë punuar e milituar në periudhën e monizmit, pasi pluralizmi tek ne nuk është më shumë se 18 vjeçar. Por midis tyre ka nga ata që, edhe për shkak të vendit të punës, kanë sajuar akuza dhe kanë dhënë masa ndëshkimore ndaj një pjese të konsiderueshëm qytetarësh, të cilësuar si të papajtueshëm me ideologjinë e regjimit të kohës së komunizmit. Në shumicën e rasteve këto masa ndëshkimore kanë qënë të padrejta, pavarësisht se tani justifikohen nga autorët e tyre me pretekstin e “zbatimit të ligjeve të kohës”. Por në këtë mënyrë kanë çuar në gijotinë dhjetëra jetë njerëzish të pafajshëm; kanë masakruar, torturuar e dergjur në burgje apo interrnime familje të tëra; u kanë shkatuar atyre humbje të konsiderueshme pasurish, etj. Tani askush nuk po thotë që kjo kategori ish-hetuesish, ish-prokurorësh apo ish-gjyqtarësh të përgjigjen materialisht apo penalisht për bëmat e tyre në kohën e monizmit, por të përgjigjen moralisht, duke mos punuar më në të njëjtat vende pune edhe tani në periudhën e demokracisë. Nuk ka anë e udhë që ish-hetuesi, fjala vjen, të punojnë sot në një zyrë me ish-të pandehurin e tij në periudhën e diktaturës. Në mandatin e parë të demokratëve u bënë mjaft rinovime personeli të këtyre sektorëve të rëndësishëm të administratës shtetrore, por “revolucioni demokratik i vonuar” i 97-ës e mbushi prokurorinë dhe sistemin gjyqsor të të gjitha niveleve me ish-hetues, ish-prokurorë, ish-sigurimsa dhe ish-gjyqtarë mëkatarë të kohës së monizmit. Krahas masave të tjera që janë ndërmarrë në këtë drejtim për reformimin e institucioneve, do të ishte absurditet që një kërkesë të tillë të mos e përfshinte ligji “për pastërtinë e figurave zyrtare”. Kush më shumë se kjo kategori nëpunësish të administratës së monizmit janë ndotur nga kryerja me devotshmëri e detyrës “në përputhje me ligjet e kohës”? Askush! As sekretarët e parë apo ministrat e kohës së diktaturës, të cilët kanë dhënë vetëm direktiva Partie, por jo pretenca e vendime gjyqsore për dënimin e njerëzve. Megjithatë, opozita le të sugjerojë që edhe kjo kategori ishësh të klasifikohen si të papajtueshëm me administratën e sotme, dhe nuk besojë se një propozim i tillë s’do të pranohet nga mazhoranca.
Por opozita aktuale, siç ka dëshmuar qysh në ditët e para të funksionimit institucional të mazhorancës së djathtë, i është përkushtuar totalisht “satus quos” majtiste të Prokurorisë së Përgjithëshme dhe sistemit gjyqsor të të gjitha niveleve. Gjatë tetë viteve të qeverisjes majtiste, zyrat e këtyre institucioneve u mbushën me militantë dhe mëkatarë fanatik të kohës së monizmit, të gatshëm për t’u shërbyer përsëri eprorëve të dikurshëm partiak të tyre, tashmë jo me vendime gjyqsore për pushkatime, burgosje apo interrnim-dëbime të kundërshtarëve të rregjimit komunist, por me bashkëpunime politike për të ndëshkuar elektoralisht apo “kallashnikovisht” Sali Berishën dhe mazhorancën aktuale, të cilët po u prishin atyre rehatinë dhe karrierën personale. Për ta “në djall vafshin” anëtarësimi në NATO apo në BE, rritja ekonomike gati dyshifrore (9.9%), autostradat dhe veprat energjitike, mirëqënia e përgjithëshme qytetare, etj., mjafton që të rikthen në pushtet të majtët, për t’ju futur edhe një herë “me kazma e lopata” parasë publike dhe aferave korruptive. Dhe ky qëllim nuk mund të arrihet ndryshe përveçse njollosjes publike të figurës së kryeministrit, si në ngjarjet e’97-ës, me të vetmin ndryshim që ndërsa atëherë e akuzonin për “përvetësim të kursimeve qyteatre”, tani e akuzojnë për “korrupsion me paranë publike”. Kjo është arsyeja që këto ditë nuk kanë munguar zërat majtist, të cilët e konsiderojnë miratimin e “ligjit të dosjeve”, pretekst për fillimin e një tjetër “revolucioni demokratik të vonuar”. Thënia, “me këtë  ligj bie gjithë sistemi hetimor e gjyqsor në Shqipëri” është alarmuese dhe nënkupton krizë të thellë politike. Ajo mbjell panik sidomos tek qytetarët e thjeshtë që i marrin pa shumë arsyetim këto deklarata. Normalisht këto janë deklarta të blera ose të marra, pasi asgjë s’humbet drejtësia apo prokuria nga largimi i disa prokurorëve apo gjyqtarëve të inkriminuar në të shkuarën komuniste. Përkundrazi ajo që pëson çarje në këtë rast është uniteti majtist “Parti-Gjyqsor-Prokurori”, ndërsa insitucionet në fjalë freskohen dhe zhdërvjelltësohen në kryerjen e detyrës së tyre ligjore. Nga një frikë e tillë duhet të çlirohet edhe ndonjë diplomat i huaj, duke mos u mallëngjyer nga “lotët e krokodilit” të opozitës dhe shoqatës së gjyqtarëve, por të ndikojnënë mënyrë institucionale për të zbatur konventat ndërkombëtare për dënimin e krimeve të komunizmit, që në Shqipëri janë sa malet e Himalajeve.

G. 55