Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Entela Binjaku: Nxënësit fierakë sjellin në skenën e Beratit dramën “Kush e solli Doruntinën?”

| E diele, 05.06.2022, 05:55 PM |


Nxënësit fierakë sjellin në skenën e Beratit dramën “Kush e solli Doruntinën?”

Nga Entela Binjaku

Prej disa ditësh ka filluar në Berat Festivali Mbarëkombëtar i Teatrove për Fëmijë. Ky është edicioni i dytë i këtij aktiviteti i titulluar “Një mbi një dritaret" që organizohet nga Bashkia e Beratit në bashkëpunim me Qendrën Kulturore të Fëmijëve. Aktiviteti po mbahet në Kalanë e qytetit dhe organizohet me mbështetjen e Bankës Botërore dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit. Fëmijë të moshave nga 8-16 vjeç, nxënës të shkollave nga 10 qytete të vendit janë duke u paraqitur para publikut ku tregojnë talentin dhe punën e bërë. Festivali nisi me nxënësit e Qendrës Kulturore të Beratit dhe do të mbyllet me fëmijët e Durrësit dhe gjatë këtyre ditëve do të luajnë  fëmijë të shkollave të Kukesit,Tiranes,Fierit, Vlores, Dimalit, Shkodres, Korçes, Elbasanit. Vlerësimi i është besuar jurisë e përbërë nga aktorët: Ndriçim Xhepa (pjestar I jurisë edhe në edicionin e parë) Anila Bisha, Zamira Kita.

Në natën e fundit kur kur do të interpretojnë nxënësit nga Durrësi juria do të ndajë edhe cmimet. Nga organizatorët është menduar të ndahet nga një çmim për çdo qytet për. Vlerësime do të jepen për aktorin më të mirë, aktoren më të mirë, do të ndahet çmimi për skenografinë më të mirë dhe për shfaqjen më të mirë.

Në mbrëmjen e së shtunës së 4 qershorit në skenën e Kalasë  u ngjitën fëmijët fierakë të cilët sollën në skenë dramën me titull: “Kush e solli Doruntinën?”.  Nxënësit e shkollës Jopublike “Flatrat e dijes"  me mbështetjen e Qendrës Kulturore të Fëmijëve të këtij qyteti interpretuan me përkushtim dhe seriozitet këtë pjesë shumë të dashur të shkrimtarit tonë të shquar Ismail Kadare. Vetë shkrimtari i shquar me siguri do të ndjehej i kënaqur po të shihte lojën e artistëve të vegjël. Doruntina, Konstandini, Kapiten Stresi, nëna e Doruntinës, Stanishi dhe të gjithë fëmijët në skenë, sollën për të pranishmit atmosferën dhe emocionet e një balade të njohur nga të gjithë. Për këtë garë teatrore nxënësit fierakë  përgatitën këtë pjesë me regji të Rajmonda Aliajt e mbështetur nga aktori dhe regjizori Klajdi Marku.  Në skenë për publikun interpretuan: Darlin Dimo (nëna e Doruntinës), Maria Mitro (Doruntina), Darling Vrenozi (Konstandini), Eljo Lalaj (Kapiten Stresi) Helios Feleqi (Stanishi).

Gara e artistëve të vegjël të skenës së teatrit vazhdon me të tjera shfaqje për t´u përmbyllur në mbrëmjen e datës 10 qershor ku edhe do të ndahen vlerësimet në prani të artdashësve madje edhe të vetë  kryetarit të Bashkisë së Beratit.