E shtune, 20.04.2024, 02:32 PM (GMT+1)

Kulturë

Përparim Hysi: Dashuria e parë

E diele, 05.06.2022, 11:00 AM


Dashuria e parë

(tregim)

Nga Përparim Hysi

Më mrekullon ideja  për të treguar dashurinë time të parë. Vetëm kur e nominoj"Dashuri e parë" më vjen ndërmend ajo ditë, kur e ndieva veten si më të lumturin në botë. Kisha arritur që të isha pak më i vëmendshëm, kur u hidhja sytë femrave në gjithë portretin fizik të tyre.  Me  lakmi lëpija gjuhën,  kur vështroja sa buzët, aq dhe tek gjinjtë.

Para meje u afruan të tria. Tek do flas më tej për to, dua me lexuesit të lidh një kontratë, Asnjërën prej tyre nuk do përmend me emër, qoftë dhe emër të sajuar, se, sa filloj dhe të tregoj,  kam frikë se mund të m'i  lexojë teskeretë nga xhepi ndonjë bashkëshokë apo qoftë ndonjë bashkëshoqe.

Ato të tria, në tregimin tim që nuk është hiç i sajuar,  do t'i gjeni me"Flokëzeza",  "Ajo me gërsheta" dhe"Flokëgështenja".Pra,  u afruan të tria dhe dëgjova FLOKËZEZËN që t'u thotë:- KY është nga vendi im! Unë veshët big dhe, kur dëgjova, ç'tha Flokëzeza, zura hamendësimet e mia. Domethënë, - thash me vete, - më ka marrë në  nishan!

Në "nishan" mua,  që unë nuk  kam nevojë për shtyrje, por për fre, Nuk  është se po i shihja së pari, por këtë radhë, ngaqë Flokëzeza më"kish marrë në nishan",  m'u kujtua ajo batuta shpotitëse: ha-ha bëjnë krushqit/ha-ha bën nusja. Dhe larg shpotive, u bëra serioz dhe, kur u hodha vështrimin që të triave, stacioni ku ndaloi treni im, qe FLOKËZEZA. Sado që " Ajo me gërsheta" kish gjinj  më të mëdhenj sesa të kësaj, FLOKËZEZËS,  unë këtë zgjodha si "EVERESTIN" tim dhe mos u çuditni me këtë  emërtim: dashuroja sefte dhe barriera që duhet të kapërcesh, kur dashuron sefte, është e lartë si EVERESTI. Nuk është fushë me lule. Epo shih me sy dhe drithëro me zemër.

*     *    *

Hamendësoja me veten se si do e ngjitja këtë"Everestin" dhe tek sillesha nëpër këmbët e

tyre, dëgjoj këtë"timen" që t'i thotë "asaj me gërsheta":- Ah,  sikur të kisha një bogaçe me gjalpë! Unë e di sa të shijshme janë, -tha Flokëgështenja që ishte elbasanase safi. Unë si  ARKIMEDI që bërtiti:Eureka!,  u vodha nga konvikti dhe me një frymë tek një nga furrat që i qante "bugaçet". E mbaj mend dhe emrin e furrit: Furri "SHëndeti-Vllazën PETI". I mora tri"bogaçet me gjalpë" dhe mend flutorova si zok, për në konvikt. I bëra zë"Asaj me gërsheta" dhe, kur ia dorëzova,  m'u duk sikur kisha ngjitur gjysmën e Everestit,  Do qe mirë që t'u merrja nga dy për kokë, por nuk bleva dot qoftë dhe një për vete.

Sa i lumtur ndihesha, kur pashë që ajo"imja" hante dhe shikonte nga unë. Nuk doja as të haja dhe as të pija fare.

Bie të fle, por gjumi nuk më zë. M'u kujtua kënga popullore:" Bie të flë/gjumi s'më zë/halli si t'i bënetë".Sikur i ka thurur për  mua këto vargje.

Pres të nesërmen. Qe e dielë dhe  do shkojmë në sallën e madhe të studimit. Unë po pres dhe"anijet" (ato të tria) po afrohen nga"deti im".

-Ç'kemi?  Është"imja" që pyetjen e bën në shumës dhe këtij"shumësit" unë i jap atribute të tjera.Në ajër sikur ndiej një valë elektromagnetike:diçka magjepse dhe mrekulluese njëherësh,  më turbullon gjakun. Një lumë ndjenjash vërshon drejt brigjeve të brishta të FLOKËZEZËS.  Vërshon dhe dua të mbytem bashkë me të. Një lëmsh m'u bë si komb në grykë dhe mezi fola:- Unë mirë, po ti?

- Të falnderojmë për ato"bogaçet" apo nuk qenë dhe të ngrohta!

-Bogaçet... unë isha gati( sikur të kisha para) t'i sillja gjithë Furrin"Shëndeti".Por.të jem i ndershëm, këtë sikur nuk ia thashë. Buzëqeshi dhe tek më vështroi me ata sy aq të ndritshëm,  m'u duk si një tulipan që ka çelur i plotë.Gati e humba pusullën.Tani, në studim, as e çaj kokën,  Mendja ime ka dalë nga burgjia dhe është zhvendosur atje: me FLOKËZEZËN. Sado që salla e studimit është e madhe, unë (po ku mbahesha unë në fre?), bëra si bëra dhe sikur diç kërkoja andej ku qe dhe ajo. Ashtu, si tangent, sytë e saj u ngulën mbi të mitë dhe, sikur nënëshkruan një pakt të fshehtë. Më fali një buzëqeshje rrezëllitëse që ma ngrohu shpirtin. E mora me vete buzëqeshjen e saj dhe, tek e deshifroja, më rezultonte:dashuri. Asnjë gjë tjetër dhe kaq më mjaftonte.

Të hënën nuk dihej se ç'bujashka sillte lumi. Kur po mbaronte dhe ora e pestë, në klasën tonë erdhi profesori i muzikës dhe lexoj 5-emra. Në ora tre, pasdite, -tha ai, - këta që dëgjuan emrat, do vinë në provat e korit. Për fat, qeshë një nga ata të korit dhe gëzimi im u bë më i plotë, kur mbrritën dhe këta të klasave të tjera, ku shquheshin dhe ato të tria. Ajo me gërsheta kish një zë si kantilenë dhe, po të kish patur pak përkrahje,  do ishte një nga solistet me emër, por qe jetime dhe humbi sikur nuk qe.Në kor, ne, djemtë, bënim jehonë të një kënge ruse për një komandant të Ushtrisë së kuqe. Sado që kanë kaluar mbi 60-vjet, ca vargje edhe sot më kujtohen:"... vij reparti bregut/nga luftimi i gjatë/.... kokën e ka lidhur/ gjaku i  kullon/ nëpër gjurmët e gjakut/bari kuqëlon. Solo e këndonte "Ajo me gërsheta", e shoqëronte zëri vajzave dhe pastaj si një kushtrim epik, buçisnim ne, djemtë:"....ej- ej, bari kuqëlon". Unë për të rënë në sy të Flokëzezës, mend kuqëloja, sikur qeshë futur në furrë. Dy orë të mira prova, tri herë në javë që, për mua, qenë orët më të bukura. Një ditë kish ndodhur diçka që ma kish rritur mua karizmën. Profesori kish lexuar në klasën e tyre një hartim timin. Na kish dhënë për temë hartimi"Glorifikimi i punës tek "Fausti" i Gëtes. As e dija seç kisha shkruar, por paskam thënë "që vetëm me punë fitohej lumturia", por jo vetëm kaq  :kisha zënë e prrallja për jetën dhe PROFESORI, i ndjeri BESIM QORRI,  kish thënë:"... merita e tij është se di të bëjë analogji të qëlluara, jashtë kësaj teme, kur përbri vë"Vajza dhe vdekja" të Gorkit. Dhe ato të tria mbrritën në klasën tonë, për të sjellë sihariqin, unë, sa i pashë, dola për t'i pritur, kur ajo, FLOKËZEZA, hodhi sytë djathtas meje drejt e tek tabela e Nderit. Aty ish emri  im, por mbi mua  Mitati. Ia pashë shkëlqimin e syve dhe as arrita t'i falnderoja. Tek po iknin, i ndoqa nga pas:-E pat?-tha FLOKËZEZA! Epo i dyti qe, se i pari ishte Mitati, -tha Flokëgështenja. Ajo me gërsheta, tha:- Epo sipas alfabetit:M... është para P... Jo, jo, -nguli këmbë Flokëgështenja, - i treti i klasës fillonte me A... Thoshte të drejtën, kjo elbasansja, por kush doli në kut që tha të drejtën?

Pak nga pak, lumi im i ndjenjave vërshoi mbi bregun e saj të brishtë dhe një nate maji, ne shkëmbyem puthjet e para. Maji është muaj që më bëri me krahë dhe kur zura qiellin e shtatë. Sa premtime drithëruese,  puthje të shpejta, si të të ndiqte dikush pas me shkop dhe mezi prisnim përfundimin e shkollës. Përfundimin e shkollës dhe nuk ka më barriera. Unë e ngjita Everestin dhe tani s'ka më pengesë të më ndalë.Por kot nuk thonë:"Rrushi i papjekur nuk hahet".

*      *     *

Sonila, kushërira ime, do më sillte lajmin që mezi prisja. FLOKËZEZA do bisedonte me familjen dhe, siç ishte zakon. të shkëmbenim kredencialet. Po kthehesha nga pushimet që kisha bërë tek dajot e mi në malësinë e jugut dhe, që të nesërmen, tek Sonila.Posta im Restane. Kjo, sa më pa,  m'u hodh në qafë dhe, tek më zgjati letrën, më tha me gojë. Ndodhi krejt papritur.Erdhi e motra,  e martuar në Durrës. Vëllai i burrit të saj merrte një detyrë për në një ambasandë.Kunati qe i pamartuar dhe vendi vakant nuk priste. Ua mbushi mendjen, brenda natës familjes dhe që të nesërmen drejt e në gjendjen civile: bën celibrimin dhe u nisën jashtë shtetit. Sonila kur më zgjati letrën, sikur pati një shpatë në dorë dhe ma nguli, sa më doli tej, matan. E hapa zarfin dhe kish shkruar vetëm kaq:- Më fal!  M'u kujtuan "Vaje" të Çajupit:"... doje dritë, o qiell/more dritën time".Dhe mund të kem qarë.

Mandej, kur u kthiella.më duket se gjeta ngushëllim tek një vjershë e HYGOIT.Dhe sot sikur më kujtohen:

"O shtigje, kur lirshëm valëvitet bari

Lugina.kodra dhe pylli që oshëtin

Çfarë është  me ju kjo heshtje varri

Për atë  që iku... dhe nuk  ka më kthim.

Dhe vërtet:jo vetëm nuk pati më kthim, por kurrë nuk dëgjova qoftë dhe një fjalë për të. Sikur e treti dheu.

*       *    *

Epilog

E shkrova këtë përjetim se një ditë prej ditësh me një mik të njohur, pashë që ai qëndroi tek një nekrologji. Paska ndërruar jetë nga covidi. U afrova dhe lexova emrin e burrit të të dashurës sime. Desh bëra blasfemi se ku ka njeri të ndjejë keqardhje për burrin e të dashurës, por, në fund të fundit, ç'faj pati ai. Nuk thashë asnjë fjalë më. Sidoqoftë, ngaqë ky tregim është përjetim,  u them lexuesëve se"Ajo me gërsheta", sado pati një dashuri të pafat, ka krijuar familjen e saj.Ajo, FLOKËGËSHTENJA (i kishte të zeza si të "asaj times", por unë ia ndryshova ngjyrën e flokëve nga"inati" se thoshte të drejtën, rron dhe e kam parë në fcb para nxënësve që flisnim me respekt për të.Dua që të buçasë jeta për to.

Tiranë, 29 maji 2022



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora