Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Bujar Leskaj: Ky ligj është gracka që politikën e re të PS-së do ta zërë brenda si laraska

| E enjte, 18.12.2008, 07:50 PM |


Bujar Leskaj
Bujar Leskaj
Ky ligj është gracka që politikën e re të PS-së do ta zërë brenda si laraska

Nga Bujar Leskaj

Forcimi i shtetit demokratik përmes lustracionit

Pati dy pasaktësi në fjalën e saj, kryetarja e gupit parlamentar të PS, zonjës Valentina Leskaj: Së pari, “harroi” pikën 11 të rezolutës së 30 tetorit të vitit 2006 të këtij parlamenti për dënimin e krimeve të kryera nga regjimi komunist në Shqipëri, e cila shprehimisht citon: “Kuvendi i Shqipërisë kërkon hapjen e dosjeve të ish-bashkëpunëtorëve të sigurimit të shtetit për politikanët, drejtuesit e instituicioneve kushtetuese, atyre të sistemit të drejtësisë, të administratës publike qendrore e vendore, si dhe të mediave kombëtare audiovizive dhe të shkruara.” Këtë e kemi votuar të gjithë ne tetor të vitit 2006.
Nga ana tjetër një pasakëtësi tjetër e kryetarës së grupit parlamentar socialist është spekulimi me rezolutat e vitit 1996 dhe 2006 të Asamblesë Parlamentare të Europës, po citoj këtu rezolutën nr 1096 e vitit 1996, e cila në fakt është rezuluta që merret mbi masat për të çrrënjosur trashëgiminë e sistemeve ish-komuniste totalitare, ka qëllim kryesor ndëshkimin në nivel kombëtar të krimeve të kryera gjatë regjimeve totalitare komuniste, në lidhje me dhumin e të drejtave dhe të lirive themelore të njeriut. Sipas pikës 7, të rezolutës në fjalë, Asambleja rekomandon procedim penal të akteve kriminale të realizuara nga individë të veçantë gjatë regjimeve komuniste totalitare dhe ndëshkimin e tyre, sipas Kodit penal në fuqi të shtetit përkatës. Procedimin dhe ndëshkimin e ndonjë personi, për ndonjë veprim ose mosveprim që megjithëse, theksoj, në kohën e kryerjes nuk ka përbërë ndonjë vepër penale sipas ligjit kombëtar, në fakt ka qenë konsideruar e penalizueshme sipas parimeve të përgjithshme ligjore të miratuara nga kombet e qytetaruara. Këtu pa dyshim rezoluta e Asamblesë Parlamentare bën fjalë për deklaratat dhe rezolutat e ndryshme ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
Megjithatë, përpara se të kaloj te diskutimi im, që për hir të së vërtetës e kam pak të gjatë, por natyrisht që do ta shkurtoj, duke respektuar kohën, sepse përpara se të filloj fjalën mu kujtua që këtu e 400 vjet më parë në vitin 1600 në mos gaboj, dramaturgu i madh Shekspir në tragjedinë “Hamleti” vë te goja e heroit kryesor të veprës, pasi një tentivë për të provokuar mbretin për të pranuar krimin e kryer, (Hamelti kërkon të realizojë këtë pohim përmes një dramë ose shfaqje), vë fjalët: “shfaqja është gracka ku shpirti i mbretit do të ngecet si laraska.” Dhe unë duke perifrazuar Shekspirin e madh, po them që ky ligj për pastërtinë e figurave është gracka që politikën e re të PS-së do ta zërë brenda si laraska. Kjo nuk ka nevojë për komente të tjera, se u provua nga diskutimi i kryetares së grupit, u provua nga qëndrimi që po mbajnë deputetët e këtij grupi në fjalë duke u larguar nga salla, u provua nga ajo tentativë që kanë këta, Partia Socialiste, për ta kaluar  këtë ligj në kalendat greke.
    Në funksion të kësaj do të më lejoni të nderuar deputetë, që të bëj një rezyme të shkurtër të historikut të kësaj çështjeje, duke qenë të vetëdijshëm të gjithë ne, se hapja e dosjeve në fakt vetëm lustracioni për zyrtarët e politikanët e lartë të zgjedhur e të emëruar, është kushti i nevojshëm, por jo i mjaftueshmë për  dekomunistizimin e shoqërisë shqiptare, i cili edhe sot 18 vjet pas diktaturës rezulton jo i plotë. Ky proces 18 vjeçar mund të ndahet në tri periudha: vitet ’92-’96, vitet ’97-2001 dhe nga viti 2001 e deri më sot. Kjo e fundit, ka edhe një nëndarje nga vitti 2005 e deri më sot. Në periudhën e parë ’92-96 kur ky proces po shkonte në ullinë e duhur, në rrugën e duhur, falë vullnetit të PD-së dhe presidentit të asaj kohë, Sali Berisha, përmes ligjit nr. 8043, datë 30.11.1995 Parlamenti shqitpar, politika shqiptare filloi punën që ishte nisur me akte normative nga Qeveria “Meksi” e pastrimit të shoqërisë, të administratës e të politikës shqiptare. Kjo falë edhe punës serioze të Komisionit të verifikimit të figurave, i drejtuar me kompetencë, me dashuri dhe me qetësi nga i ndjeri Hajri Mezini. Kjo punë për hir të së vërtetës u ndërpre në mënyrë zyrtare në vitin 1997 dhe vetë kryetari i komisionit të mëparshëm, i zgjedhur në gusht 1997 nga socialistët, avokat Nafiz Bezhani, pohon në kujtimet e tij “Mëkatarët” se “kryetari i komisionit zoti Mezini është nxjerrë përdhunshëm nga zyrat e Ministrisë së Brendëshme dhe dosjet, arkivat për një kohë të gjatë ngelën në mëshirë të fatit”. (Kureshtarët të lexojnë “Mëkatarët” e Nafiz Bezhanit, faqje 8 dhe 9). Në periudhën e dytë, gusht ’97 dhe deri në vitin 2001 kur ky proces u deformua për mendimin tim jo për fajin dhe përgjegjësinë  e avokatit Bezhani, për atë reduktim dhe deformim të ligjit për arsye politike nga socialistët nëpërmjet amendamenteve të janarit ’98, që ligji në fjalë pësoi.
Pra ligji u reduktua djallëzisht, duke e kaluar, mbartur në thelb problemin e krimit shtetëror të diktaturës komuniste të drejtesueve të lartë të sigurimit të shtetit, përmes vetëm dosjeve të bashkëpunëtorëve, duke arritur kryesisht, që nomenklatura e lartë krimininale e Partisë së Punës dhe sigurimi të ishin prezent në demokraci, këtë herë të frikshëm përmes mjegullës së fshehtësive dhe pisllëqeve. Ç’ka ësthë thelbësore, ta transoformonte krimin drejt bashkëpunëtorëve të cilët, gjithsesi për mendimin tim, fatkeq ose jo të detyruar në shtrëngesa, terror psikologj, asnjëherë nuk janë pa faj, më saktë, pa një pjesë fundore të tillë.
    Nisur nga vetë deklaratat, pohimet e zotit Bezhani, kushtet jo të plota të punës, ky proces “përfudoi” me verifikimin e dokumentaciont përkatës të 6 mijë zyrtarëve, nga të cilët figura të penalizueshme sipas ligjit tashmë të deformuar nga socialistët rezultuan 104 vetë. Ç’ironi, ç’maskarrallëk, do të thoshte ndonjë tjetër. Një ligj i deformuar në vitin 1998, automatikisht pastroi qindra mëkatarë drejtues së lartë të strukturave të hartimit e të zbatimit të dhunës komuniste të sigurimit të shtietit etj. Periudha e tretë, 2001 e deri më sot, që ndahet 2001-2005 dhe 2005 e deri në momentin që po flasim, për mendim tim flasin për paaftësi, miopi ose dashakeqësi e mirëkuptim të politikës, që bëri që ky problem të harrohet dhe  u la heshtje, të ndërgjegjshëm të gjithë autorëve dhe aktorëve të politikës qendrore ose periferike në parti politike ose OJQ, zyratarë e gazetarë, që kjo heshtje, harresë vetëm shëndoshjes së demokracisë, konsolidimit të saj përmes institucioneve dhe individëve të pastër nuk u shërben përkundrazi e dëmton rëndë atë. Pikërisht këtu është i rëndësishëm ai mirëkuptim, kjo pritje e dobishme për të pasur rezultate ky ligj, që këto tre vjet PD-ja bëri në pritje të konsensusit të PS, pavarësisht që kishte kartonat e duhur, duke depozituar ligjin dhe duke kërkuar një marrëvëshje xhentilmenësh me drejtuesit e lartë të PS-së, me qëllimin e vetëm që përmes këtij ligji të prodhojmë një politikë të fortë kombëtare. Ne të gjithë duhet të jemi të ndërgjegjshëm që pa politikë të fortë kombëtare, asnjëherë nuk do të ndërtojmë institucione të konsoliduara demkratike në legjisaltiv, ekzekutiv e gjyqësor. Pikërisht ky problem tani realizohet përmes këtij ligji i cili nga pengesat e drejtuesve të lartë socialistë është vonuar mbi dy vjet ose tri vjet në Parlament. Tashmë qëllimi  i ligjit që reflektohet edhe në nenin 1, i cili është të kontrollojë pastërtinë e figurës të çdo funksionari politik, të zgjedhur ose të emëruar, lidhur me pjesëmarrjen e tyre në strukturat politikbërëse dhe zbatuese të dhunës së diktaturës së proletaritatit, si dhe në strukturat e ish-sigurimit të shtetit për periudhën 29 nëntor ’44 deri në 8 dhjetor të vitit 1990, tashmë do të realizohet.
    Ne të gjithë jemi të vetëdijshëm që dekomunizimi si proces politik shoqëror përfshin para së gjithash vënien para përgjegjësive për krimet e kryera në të shkuarën, abuzimin me pushtetin, si dhe pasojat e padrejtësitë që janë bërë direkt ose indirekt edhe nëpërmjet mënjaminit, largimit nga pozitat drejtuese të titullarëve të ndryshëm të lidhur me krimin, ose me sigurimin para vitit 1990 në politikë, administratë, prokurori, gjyqësor e kudo që janë. Shumë bukur e konçiz e theksoi lideri i maxhorancës pak minuta më parë, se “Lustracioni nuk synon hakmarrje, por ndarje nga sistemi komunist”. Për ne sot garanci është që tashmë ky proces kërkohet edhe për integrimin europian ku ne të gjithë kërkojmë të aspirojmë të cilin do ta realizojmë edhe përmes këtij katarsisi. Asnjë nuk mund ta quajë tani kërkesë atavike, ose kërkesë folklorike të politikës së djathtë, për sa kohë që ky ligj, ky produkt i nxjerrë nga mendimi politik i drejtusve të lartë të PD-së shkon në sinkron me rezolutën e vitit 1996 dhe me rezolutën nr1481 të vitit 2006 për domodoshmërinë për dënimin  ndërkombëtar të krimeve të regjimeve totalitare komuniste.
    Ishte pikërisht pika 11 e rezolutës së Kuvendit që kërkon në tetor të vitit 2006, ku as kishte e as mendej Gërdec, nuk kishte short as me gogla, as pa gogla në Gjykatën e Lartë, ku me të drejtë theksohej edhe kërkohej kjo gjë, ky pastrim politik, administrativ e gjyqësor, nga PD-ja përmes paraqitjes dhe aprovimit në këtë kuvend të rezolutës në fjalë.
    Mua më vjen keq për një pjesë të deputetëve të rinj të PS-së që nuk i lidh asgjë me të shkuarën, me sigurimin e shtetit, që po detyrohen edhe këta deputetë sot të lënë sallën bosh, që të kalojnë në llogore të vjetra të politikës. Këta mbrojtës po e shfrytëzojnë këtë situatë sot dhe me sofizmat e tyre për ta kaluar këtë ligj për në kalendat greke. Ne duhet të jemi të gjithë të ndërgjegjshëm që lustracioni i zyrtarëve të zgjedhur dhe të emëruar, largimi  i ideatorëve, i ekzekutorëve në radhë të parë, por edhe i bashkëpunotërëve të sigurimit nga institucionet publike, përfshi rendin dhe ushtrinë i forcon këto struktura i fut natyrshëm në NATO ose në institucione të tjera. Për një sy të vëmendshëm, për një sy që di të lexojë e të kuptojë, të shikojë zhvillimet e këtij shteti, mund ta ketë të lehtë të dallojë që edhe te Gërdeci dhe te ish-drejtuesit e lartë të  MEICO-s, ose të Shtabit të Përgjithshëm kishte ose edhe mund të ketë ish-bashkëpunëtorë të sigurimit të shtetit, që përveçse e kanë penguar nuk kanë bërë gjë tjetër, këtë afirmim që kërkojmë ne, panvarësisht se këtë e arriti e realizoi, doni ose nuk doni ju, të nderuar socialistë,  politika e djathtë e PD-së, politika e anëtarësimit në NATO. Në këtë konteks dua të theksoj atë që qytetarët shqiptarë të jenë të ndërgjegjshëm se ky ligj do të rregullojë moralin e institucioneve të ushtrisë, policisë dhe gjyqësorit. Me këtë ligj që ne po kalojmë sot, ne dëshmojmë si maxhorancë e djathtë përpara qytetarëve shqiptarë se dënimin e të shkuarës së komunizmit nuk e kemi pasur dhe nuk e kemi as për sy e faqe, por e kemi dëshmi dhe dëshirë të fortë për institucione të forta për politikë europiane, për demokraci liberale. Ky ligj vjen sot si dëshmi e seriozitetit të politikës shqiptare.
     Në mënyrë simbolike, unë kisha një kërkesë që te nenet 6, 7 dhe 8 ku flitet për përbërjen e autoritetit të verifikimit në mënyrë simbolike anëtarë të këtyre komisioneve, pse jo edhe drejtues të tyre, të jenë njerëz që kanë vuajtur burgun politik. Përsonalisht do të mbështesja çdo veprim të kësaj maxhorance, që nga drejtuesit  e kryengritjes së Spaçit, e cila është krenari kombëtare e 21 majit dhe 23 majit të vitit 1973 të zgjidhen këta anëtarë, pse jo edhe drejtuesi i tyre.
    Si përfundim, për të mos u zgjatur, këtu kisha ndër mend të flisja edhe për 21 majin- Ditën e kujtesës historike dhe për ato që kryeministri Berisha ka premtuar në Konventën e Shoqatës Mbarëkombëtare të ish të përndjekurve politikë në qershor 2006, planet që ne nisëm për memorialin në qendër të Tiranës dhe muzeun historik të kujtesës së krimeve të komunizmit në Shkodër apo vendosjen e përmendores së Azem Hajdarit, Arben Brocit dhe heronjëve të tjerë. Këto të përfundojnë brenda këtij mandati, si dëshmi e konseguencës sonë politike.
Në mbyllje, në mënyrë simbolike do të thosha një citim të njërit prej heronjve të mendimit politik antikomunist përpara togës së pushkatimit, i cili deklaronte: “Rrnoftë Shqipnia edhe pa ne”. E citoj në gegrisht sepse ai ishte nga Veriu, megjithëse nacionalistë dhe antikomunistë të fortë dhe të shumtë ka pasur edhe nga Jugu.
Do t’u sugjeroja këtyre ish-sigurimsave që kanë lyer duart me gjak, atyre njerëzve që direkt apo indirekt, për hir të veprimtarisë së tyre, janë përzier dhe pozicioni i tyre është në papajtueshmëri me këtë ligj, detyrimisht ata të largohen nga administrata, nga politika, nga të gjitha. Atyre u përshtatet shprehja, le ta deklamojnë për vetveten: “Rroftë administrata. Rroftë politika shqiptare. Rroftë gjyqësori. Rroftë prokuroria edhe pa ne”. Le të vazhdojnë në punët e tyre private. Administrata, politika, gjyqësori, ushtria dhe prokuroria pastrohen dhe njëherësh forcohen përmes këtij ligji lustracioni demokratik.
Faleminderit!

*Fjala e mbajtur në Kuvend datë 15.12.2008, Për projektligjin: Për pastërtinë e figurave të zyrtarëve të lartë të administratës dhe të të zgjedhurve”

Vizitoni: www.bujarleskaj.com

G. 55