E shtune, 20.04.2024, 04:41 AM (GMT+1)

Mendime

Brixhida Foti: Hapja e dosjeve, që Zamir Shtylla të mos bëjë më gjyqe publike, si në 1987 në Lukovë

E enjte, 18.12.2008, 08:48 PM


Hapja e dosjeve, që Zamir Shtylla të mos bëjë më gjyqe publike, si në 1987 në Lukovë

Pa këta njerëz mëkatarë në poste drejtuese, Shqipëria bëhet më e mirë dhe ecën shumë herë më shpejt përpara, drejt Europës 

Nga Brixhida Foti

Pluralizmi në Shqipëri mbushi 18 vjet dhe në këtë periudhë të gjatë të tranzicionit, emrat dhe mbiemrat e njohur të nomenklaturës komuniste akoma vazhdojnë të jenë në poste të larta shtetërore. A thua ky vend nuk paskësh pasur më njerëz dhe fise para mbirjes së farës së kuqe? Për një takëm, Shqipëria u krijua kur në pushtet erdhën komunistët. 1944 në këtë vend u bë si periudha të cilës i referohet gjithë bota, para lindjes së Krishtit dhe pas lindjes së Krishtit. Në këtë periudhë të ligësisë, u bënë në “emër të popullit” krime nga më makabret. Në këtë vend u pushkatuan pa gjyq njerëz të pafajshëm, u internuan me fise nga plaku e deri tek foshnja, në këtë vend u bë lufta e klasave më e pashembullt në historinë e njerëzimit. Që nga 1944 e deri në 1990, sa fëmijë mbetën pa shkolla, pavarësisht se rezultatet e tyre ishin shumë herë më të mira se të atyre që baballarët i kishin hetues, prokurorë, operativë sigurimi, Sekretarë të Parë apo Kryetarë Komitetesh.
Dhe…sot pas 18 vjetësh ose ata, ose të bijtë e tyre i kemi prapë zv/prokurorë të përgjithshëm, etj nëpër institucione të larta shtetërore.
Shkas për këtë shkrim u bë deklarata e zotit Zamir Shtylla, pasi në Parlamentin shqiptar u lakua shumë herë emri i tij, si një nga ish-ët e shumtë të hetuesive, prokurorive dhe gjykatave famëkeqe në poste të larta drejtuese të Prokurorisë së Përgjithshme. Zamir Shtylla nuk duhet të dalë as si figurë nëpër televizione, pale më të japë intervista. Ky njeri, që edhe kur flet shikon dyshemenë, e jo bashkëfolësin, ka pafytyrësinë, që edhe pas gati 20 vjetësh të na bëjë moral për drejtësi e hetime të pavarura profesioniste. Zamir Shtylla ka ngelur në mendjen e sarandiotëve si një nga hetuesit më kriminalë, i cili jo që s’duhet të ishte më në organet e drejtësisë e të prokurorisë, por me dosjet dhe faktet e shumta të bëmave të tij duhej të ishte në bankën e të akuzuarve për krime kundër njerëzimit. Metodat kriminale të Zamir Shtyllës në vitet ‘80 dhe deri në vitin 1990, janë të panumërta. Gjyqet e hapura në mes të fshatrave për internime e dënime (besoj se e kujtoni qershorin e vitit 1987 në Lukovë), tërheqjen zvarrë të lidhur me tela me gjemba të djemve sarandiotë në verën e vitit ’90, burgosje të djemve të Bregdetit dhe minoritetit për gjoja tentativë arratisje dhe agjitacion e propagandë kundër shtetit.
Pse duhej të qëndronte kaq gjatë në Prokurorinë shqiptare ky individ? Kur erdhi nga Saranda, nga frika e ndonjë hakmarrjeje të mundshme (sipas mentalitetit të tij), jetoi në një nga zonat periferike të Tiranës në një apartament parafabrikat. Sot ka një vilë trekatëshe, të cilën e ka ndërtuar me paratë e atyre që u ka bërë hetime “profesioniste të pavarura, duke zbatuar vetëm Ligjin”, fëmijë që i studiojnë në universitete jashtë Shqipërisë dhe padyshim edhe ndonjë biznes, që si zakonisht mund ta ketë në emër të nënës plakë ose të vëllezërve.
Dhe ne, kudo që të vemi, duket se jemi prapë të varur nga të shumtët e Sigurimit, gjykatave, hetuesive dhe prokurorive politike të kohës së Enverit. Ku janë sot ata që drejtuan Hetuesinë e Përgjithshme? Ku janë ata gjyqtarë dhe prokurorë që u bënë gogoli i shqiptarëve për 50 vjet? Operativët e Sigurimit që përgjonin njerëz çfarë bëjnë sot? Askujt nuk i hyri gjemb në këmbë, siç thotë populli, por janë më të pasur, me poste më të larta dhe më të sofistikuar se më parë. A mund të rrinë në poste të larta akoma hetuesit që në vitin ’86 kanë masakruar dhe vrarë njerëz? Si mund të presësh drejtësi nga Fehmiu e i biri, si dhe nga shumë të tjerë si këta? Por sa si këta që përmenda me emër kish Shqipëria dhe të gjithë janë këtu e na bëjnë karshillëk. Fëmijët e tyre janë po gjyqtarë dhe prokurorë, ndaj drejtësia dhe prokuroria në Shqipëri janë në këtë gjendje. Gjyqësori shqiptar është bërë monopol fisesh të inkriminuarish.
Të gjithë këta që pas rënies së komunizmit u fshehën brenda e jashtë vendit, hoqën emrat nga dyert e shtëpive, u kthyen në hije. U desh revolucioni komunist i 1997 që t’i rishikonim. Fillimisht i pamë si organizatorë të protestave dhe “Komiteteve të Shpëtimit”, por më pas erdhi rasti i shpërblimit. Gjithë operativët e Sigurimit famëkeq, hetuesit, prokurorët, gjyqtarët dhe të gjithë ish-ët e tjerë të nomenklaturës na mbinë si kërpudhat dhe sot janë akoma kudo, në administratën civile, prokurori, polici e gjyqësor. 
Për të pasur qetësim të shpirtrave të atyre që vuajtën nga këta njerëz, të cilët besuan se një ditë do të ketë drejtësi pa hakmarrje, duhet të miratohet Ligji për hapjen e dosjeve, që këta persona, minimalisht të mos jenë më në detyra shtetërore. Le të jetojnë jetën që u ka falë Zoti, ashtu siç e gatuan vetë, plot me mëkate. Atë që ua morën e përdhosën të tjerëve.
Prehje në paqe shpirtit të të gjithë atyre që, të masakruar nga duart e këtyre xhelatëve humbën jetën, në hetuesitë dhe burgjet e diktaturës së kuqe. Pa këta njerëz mëkatarë në poste drejtuese, Shqipëria bëhet më e mirë dhe ecën shumë herë më shpejt përpara drejt Europës.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora