Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Frank Shkreli: Lamtumirë nga Amerika e largët!

| E diele, 29.05.2022, 08:15 PM |


PAPRITMAS DHE PARA KOHE, NDËRROI JETË PRESIDENTI BUJAR NISHANI

LAMTUMIRË NGA AMERIKA E LARGËT!

Nga Frank Shkreli

Mjerisht, kohët e fundit po na bjen shpesh herë që të marrim ose të japim lajme kalimi në amshim të miqëve, kolegëve, dashamirësve ose personaliteteve me të cilët, në udhëtimet e kësaj jete, kemi pasur rastin, nderin dhe privilegjin të njiheshim ose të takoheshim. Lajmi i fundit për një vdekje të papritur, ishte njoftimi i hidhur se ish-Ptresidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani ka ndërruar jetë.  Ndonëse ishim në dijeni të disa problemeve të tij shëndetsore, prap se prap, nuk mendojshim se Bujar Nishani do ndahej kaq shpejt nga kjo botë, përgjithmonë.  Me kalimin e tij në amshim, ai la në mjerim bashkshorten e tij dhe dy fëmijtë, familjen dhe farefisin më të gjerë, por edhe familjen e tij të madhe politike, Partinë Demokratike të cilës i përkiste, pa përjashtuar, natyrisht, edhe partitë e tjera dhe personalitetet politike shqiptare, si rrjedhim i të qenët president i Republikës për 5 vjetë dhe falë pjesëmarrjes së tij në arenën politike të 30-viteve të fundit, të tranzicionit post-komunist në Shqipëri.

Me shkuarjen e tij të papritur në amshim, përveç familjes së ngushtë dhe miqëve të shumtë në Shqipëri, Presidenti Bujar Nishani varfëroi edhe shumë miqë e dashamirë edhe në diasporë, sidomos këtu në Shtetet e Bashkuara, por edhe në mbarë diasporën shqiptare të përhapur, anë e mbanë botës.  Lajmi i zi për vdekjen e tij që u përhap si rrufe, na pikëlloi të gjithë ne në Shtetet e Bashkuara që e kishim njohur dhe që e donim dhe e çmonim President Nisahnin për qëndrimet e tia, sidomos për respektin që kishte për diasporën shqiptare në Amerikë, pa dallim, por sidomos për diasporën e vjetër të para vitit 1990, e cila, me aq sa ka dijtur e sa ka patur mundësi, ka luftuar për dekada për një Shqipëri, vërtetë të lirë e demokratike.  I ndjeri Nishani, takimet me diasporën shqiptaro-amerikane i kishte bërë traditë kurdoherë që vinte në Shtetet e Bashkuara.  Presidenti Nishani nderon një numër shqiptaro-amerikanësh (zeriamerikes.com).  E respektuam gjithashtu për qëndrimet e tija ndaj krimeve të komunizmit dhe për deklaratat e tija, të herë-pas-hershme -- si asnjë tjetër politikan shqiptar deri më sot -- për nevojën e doemosdoshme të Shqipërisë për t’u ballafaquar me krimet e komunizmit—megjithëse si individ i vetëm nuk mund të bënte shumë për këtë çeshtje pasi detyra e presidentit e kufizonte.

Mbi të gjitha, e kujtojmë sot Presidentin Nishani për nderimin dhe respektin që ka treguar gjatë viteve – sidomos kur ishte në detyrën e Presidentit -- për të gjithë ata individë, shqiptaro-amerikanë, por sidomos për respektin ndaj një numër personalitetesh të politikës dhe diplomacisë amerikane. Me fjalë dhe me vepra, Presidenti Nishani ka njohur kontributin dhe rolin e tyre në promovimin dhe fuqizimin e mëtejshëm të marrëdhënieve diplomatike midis Kombit shqiptar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Vlen të kujtojmë dekorimin e ish-Senatorit të ndjerë amerikan, Robert (Bob) Dole, me çmimin më të lartë të vendit, “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”, duke e cilësuar politikanin e njohur amerikan, si “përkrahësin e palëkundur të lirisë dhe Pavarësisë së Kosovës.”

Ia vlen të kujtojmë në këtë 100-vjetor të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara – rëndësinë që Bujar Nishani u kushtonte këtyre marrëdhënieve midis dy vendeve tona dhe respektin që ai kishte për diplomatët amerikanë -- si Ambasadori Christopher Hill – që ka shërbyer në Shqipëri në fillim të 1990-ave. Presidenti Nishani, në mirënjohje të thellë për punën e Ambasadorit Hill i ka dorëzuar atij, Dekoratën, “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”, me motivacionin: “Në vlerësim të kontributit të rëndësishëm që ky mik i çmuar i shqiptarëve ka dhënë në rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis Republikës së Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës; për përkrahjen dhe inkurajimin e palëkundur ndaj vendosjes së demokracisë në vendin tonë në fillim të viteve 1990-ta, si dhe për ndihmesën e vyer në konsolidimin e marrëdhënieve historike, strategjike dhe miqësore mes popullit shqiptar dhe atij amerikan”.

Më në fund, por jo me më pak rëndësi, unë dhe shumë malësorë në trojet tona dhe në diasporë, nuk harrojmë respektin që Presidenti Nishani -- kur ishte në detyrë dhe më vonë -- ka treguar ndaj trojeve shqiptare jashtë kufijve të Shqipërisë londineze – sidomos nderimin dhe respektin që ai ka treguar ndaj Malësisë së Madhe dhe sakrificave të atyre trojeve: “Malësia e Madhe ndoshta përbën shembullin më të gjallë, më jetësor dhe më domethënës të rrugëtimit historik përmes sakrificave, rezistencës dhe përmes ruajtjes së identitetit për gjithë kombin shqiptar”, ka thënë me një rast Presidenti Nishani për qëndresën historike të malësorëve ndaj pushtuesve shekullorë turko-sllav.

Për këto dhe shumë merita të tjera, kujtojmë sot jetëshkurtin ish-Presidentin e ndjerë, Bujar Nishanin, me zemër thellësisht të prekur nga rreziku i pashoq që preku familjen dhe farefisin Nishani. Largimi i parakohëshëm nga kjo jetë e Presidentit Bujar Nishani, ka lënë një zbrastësi të pazëvëndsueshme në gjirin e familjes së tij të ngusht e fisnike, farefisisn e tij pore dhe në bashkësinë shqiptare në pëergjithësi, përfshir diasporën shqiptaro-amerikane, pranë të cilës ai gjëndej shpesh.  I prekur thellësisht nga kjo humbje e madhe -- miqësisht i paraqes familjes së ngusht të Bujar Nishanit, farefisit brenda dhe jashtë Shqipërisë, si dhe të gjithë miqëve dhe dashamirësve të tij kudo – përdhimtimet e mia më të sinqerta, duke iu lutur Perëndisë që t’ju japë forcë e durim në këtë moment të vështirë të humbjes së njeriut më të dashur për ju.   Ngushëllimet e mia më të sinqerta,

Presidenti Nishani me ish-Senatorin e ndjerë dhe mikun e madh të shqiptarëve, Robert (Bob) Dole -- Washington Maj, 2017 --  Frank Shkreli/ Një nderim i merituar: Presidenti Nishani dekoron ish-senatorin Bob Dole | Gazeta Telegraf

Foto nga VOA - Presidenti Nishani me Ambasadorin Christopher Hill -- Tiranë, Tetor, 2016

Autori me Presidentin Nishani, New York City, Shtator, 2016

“Malësia e Madhe ndoshta përbën shembullin më të gjallë, më jetësor dhe më domethënës të rrugëtimit historik përmes sakrificave, rezistencës dhe përmes ruajtjes së identitetit për gjithë Kombin shqiptar”, ka thënë me një rast Presidenti Nishani. Në foto Presidenti Nishani me lahutarin e njohur shqiptaro-amerikan, Vasel Shkrelin, në Malësi të Madhe