E merkure, 24.04.2024, 11:36 AM (GMT+1)

Kulturë

Sinan Gashi: Skënderbegasit e Gllogovcit zunë vendin e parë në kuizin e diturisë në Kosovë

E merkure, 25.05.2022, 07:22 PM


Drejtori i gjimnazit “Gj.K. Skënderbeu”, mr. Sinan Gashi, me nxënësit në Prishtinë, në solemnitetin e marrjes së çmimit për vendin e parë

FLETËZA NGA DITARI I PËRZHITUR (5)

SKËNDERBEGASIT e GLLOGOVCIT ZUNË VENDIN E PARË NË KUIZIN E DITURISË NË KOSOVË

Nga Sinan GASHI

Për ta freskuar sado pak jetën shkollore të nxënësve, të cilët përditë përjetonin skenat e dhunës e shtypjes emocionale nga sundimtarët serbë, Ministria e Arsimit e Kosovës kishte vendosur që të mbajë edhe kuize diturie në nivel shteti të Kosovës, në Prishtinë. Aty konkurronin të gjitha shkollat e nivelit te njëjtë dhe, para një jurie profesionale bëheshin vlerësime diturie, për t’u ranguar pastaj sipas dijeve mësimore shkollore.

Unë isha aq shumë i angazhuar në aktivitete edhe jashtë shkollës, sa me punën propagandistike në terren, me mbledhjet e LIDK-së, sa në një breg sa në tjetrin, si edhe kolegët e mi të kryesisë, aq edhe me sigurimin e mjeteve për mirëvajtjen e punës në shkollë, duke filluar nga shkumësat dhe gjërat e tjera elementare për mbajtjen e higjienës, (shkumësat mungonin në tregtore qëllimisht dhe shkova në fshatin Gadime me bisnesmenin Ramadan Bytyqin nga Arllati, i cili edhe i pagoi ata, ku poeti Faruk Tasholli kishte nis prodhimin me sasi të limituar të shkumësave, i cili na siguroi disa kuti, duke shpotitur se ‘këta janë prodhim i parë Made in Kosova’!). Pastaj radhiteshin problemet varg e varg, që dolën për udhëtimin e përditshëm të mësimdhënësve, 80 % nga të cilët ishin udhëtarë relacionesh të ndryshme, pagesën e harxhimeve të korrentit e tjerë.

Këso radhe duhet falënderuar firmat private të autobusëve, të cilët lëshuar bileta mujore fiktive, sa për të mos u nxjerrë problem pushteti serb i instaluar, që kontrollonte gjithçka, me qëllim që ta ngulfastë punën, jetën dhe si fund, projektonte dorëzimin te ai  pushtet antishqiptar.

Një ditë në zyre dëgjova një trokitje të druajtshme dhe thashë ‘hyrë!’, pa qenë fort i bindur se ishte kush. Unë isha duke rishikuar një raport pune, dhe pa e ngritur kokën, veç kur dëgjova praninë e një grupi nxënësish  pranë tavolinës.

-Mirëdita! - thanë njëzëri.

- Urdhëroni, uluni, - këshillova.

Te ata ndjehej një pasiguri në qëllimin e tyre, ngase kishin bërë një veprim kryenëvete, pa e ditur askush nga shkolla, madje as nga bashkëmocanikët e tyre. Ajo ashtu konsiderohej si aventurë moshore.

-Drejtor, - shpërtheu njëri, - Na kemi një lutje për ju, që të vini nesër me në Prishtinë, se do të na ndahet çmimi i parë për Kuizin e diturisë të shkollave të mesme të Kosovës, ku kemi marrë pjesë edhe na, një grup maturantësh, si përfaqësues të shkollës sonë.

Një habi me tromaksi për një çast.

- Qysh vendi i parë, kur, pse, pa e ditur askush, sqaromëni më gjatë.

- Duke mos deshtë që t’u rrezikojmë, se edhe neve e shohim dhe përjetojmë këtë dhunë të paparë nga milicia serbe, u organizuam dhe shkuam në emër të shkollës sonë dhe, pas disa seancave të kuizit, na shpallen fitues, pra me vendin e parë për dije shkollore të këtij niveli.

Një ngazëllim me një emocion të fshehur, më kaploi të tërin. Ngela i pa fjalë për një çast.

Edhe gëzimi i papritur po të krijuaka një stopim për një çast.

Të nesërmen mw 21 prill 1995 në ora 10, në oborrin e kafenesë private ‘Koha’, përballë Pallatit të Shtypit në Prishtinë, ishte organizuar solemniteti me pjesëmarrësit fitues të garës, pastaj përfaqësuesit e Ministrisë së Arsimit të Republikës së Kosovës, përfaqësuesit e të gjitha shkollave të mesme, Ishin mbushur tavolinat e oborrit, ku vërehej një hare e moshave të ndryshme.

Për atmosferë e argëtim, këndonte i talentuari Ilir Shaqiri.

Ai ishte një koktej i paparë, ndërsa ndjenja e lumturisë dhe krenaria e të parit, na bënte neve të fluturonim. Aq më shumë krenari na ngjalli kur  personeli zyrtar, pasi shpjegoj ecurinë dhe qëllimin e atij manifestimi, në këto rrethana të jashtëzakonshme, që ishte mbajtur për disa ditë në teatrin “Dodona”. thirri emrat e nxënësve dhe emrin e shkollës që  kishin fituar tri vendet e para.

Vendin i parë e fitoi  Gjimnazi “Gjergj Kastrioti - Skënderbeu” i Gllogovcit, me ekipin e nxënësve maturantë.

Sido që të jetë, kjo të krijon te një bindje se asgjë nuk shteron, por edhe në këso rrethanash të vrazhda, çelin filizat e diturisë, e kombëtarisë, e së ardhmes sonë në përgjithësi.

Edhe pse jo me zhurmëri, secili nxënës si dhe trupa arsimore e gjimnazit përjetoi çaste lumturimi dhe krenarie të ligjshme për dëshminë e punës së madhe e me sakrifica që po bëhej në një shtetrrethim të paparë. Në fakt ky gjimnaz për dy vitet e fundit ishte shpallur shkolla më e mirë, raportuar nga këshillëtari i presidentit Dr. Ibrahim Rugova, prof. Xhasvit Ahmeti në fund të viteve shkollore, por kjo ishte një festë e veçantë, ngase gara ishte tepër e fortë dhe konkrete.

Gjithmonë duhet provuar njeriu për të parë të vërtetën e forcës së tij diturore!

Jo më kot ka mbetur thënia e hershme:

‘Pa u provue nuk dihet trimi!’

Ekipi i nxënësve të gjimnazit “Gj.K. Skënderbeu” nga Gllogovci, Helidon Kastrati, Lirim Greiçevci, Samedin Krasniqi, Shpend Hajdini dhe Shaban Dobra,  gjatë garave të diturisë në teatrin “Dodona“ në Prishtinë



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora