| E merkure, 25.05.2022, 08:51 PM |
Naim Frashëri bilbili i gjuhës shqipe
Ai
mbetet shkrimtari, poeti, atdhetari, mendimtari dhe veprimtari i shquar i
arsimit dhe i kulturës shqiptare
176-vjetori i lindjes - 1846-2022
Nga
Albert Z. ZHOLI
Naim
Frashëri mbetet figura qendrore e letërsisë shqiptare të Rilindjes, ai që u bë
shprehës i aspiratave të popullit për liri e përparim, si poet i madh i kombit,
ose siç shprehet populli bilbili i
gjuhës shqipe. Naimi lindi më 25 maj 1846 në Frashër, që ishte edhe një qendër
bejtexhinjsh. Mësimet e para i mori tek hoxha i fshatit në arabisht e turqisht.
Që i vogël nisi të vjershëronte. Studimet e mesme i kreu në Janinë, në
gjimnazin e njohur "Zosimea".
Aty
horizonti i tij kulturor u zgjerua së tepërmi, njohu letërsinë, kulturën dhe
filozofinë klasike greke e romake, ra në kontakt me idetë e Revolucionit
Borgjez Francez dhe me iluminizmin francez. Duke përvetësuar disa gjuhë, si:
greqishten e vjetër e të renë, latinishten, frëngjishten, italishten e persishten,
Naimi, jo vetëm që mori bazat e botëkuptimit të vet, por njohu edhe poezinë e
Evropës e të Lindjes. Të gjitha këto tradita poetike ndikuan në formimin e tij
si poet. Më 1870, pas mbarimit të shkollës, shkoi për të punuar në Stamboll,
por u prek nga turbekulozi dhe u kthye në Shqipëri në klimë më të shëndetshme.
Gjatë
viteve 1872-1877 Naimi punoi në Berat e në Sarandë si nëpunës. Kjo periudhë
pati rëndësi të veçantë në formimin e tij atdhetar e si poet. Ai njohu më mirë
jetën e popullit, zakonet, virtytet dhe aspiratat e tij, gjuhën e bukur e
shpirtin poetik të njerëzve të thjeshtë, krijimtarinë popullore, bukurinë e
natyrës shqiptare.
Ndërkohë
vendi ishte përfshirë në ngjarjet e mëdha të lëvizjes çlirimtare, që do të
sillnin formimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit më 1878, udhëheqës i së cilës
ishte Abdyli, vëllai më i madh i Naimit. Naimi dha ndihmesën e vet për krijimin
e degëve të lidhjes në Jugun e Shqipërisë. Përkrahu dhe përhapi programin e
saj. Më 1880, kur veprimtaria e Lidhjes ishte në kulm, ai shkroi vjershën e
gjatë "Shqipëria", në të cilën shpalli idetë kryesore të Rilindjes.
Me këtë krijim Naimi niste rrugën e poetit kombëtar. Më 1881 Naimi u vendos
përfundimisht në Stamboll, ku u bë shpirti i Shoqërisë së Shkronjave dhe i
lëvizjes së atdhetarëve shqiptarë. Gjithë forcat dhe talentin ia kushtoi
çështjes kombëtare. Punoi për ngritjen e shkollës shqipe dhe hartoi libra për
të, shkroi vjersha, përktheu e botoi vazhdimisht, duke ndihmuar për zhvillimin
e letërsisë sonë. Lëvizja kombëtare, idealet e çlirimit të Shqipërisë, të
përparimit e të qytetërimit të saj, u bënë faktori themelor, që ndikoi në
formimin e Naimit si poet e atdhetar.
Naim Frashëri vuri
themelet e letërsisë kombëtare shqiptare
Vepra
e tij shënoi lindjen e një letërsie të re me vlera të vërteta artistike. Ajo
shprehte aspiratat e shoqërisë shqiptare të kohës dhe ndikoi fuqishëm në luftën
e saj për liri e progres.
Naimi
krijoi traditën e letërsisë patriotike, qytetare, ai solli në letërsi botën
shqiptare, aspiratat jetike të popullit.
Dashuria
për Atdheun, popullin dhe njeriun, krenaria kombëtare dhe besimi në të ardhmen,
ideja e madhe e çlirimit, formojnë thelbin romantik të veprës së tij. Naimi e
afroi letërsinë me popullin, duke trajtuar tema të reja, të ndryshme nga ato të
letërsisë së vjetër, temat e problemet e kohës.
Në
formimin e Naimit si poet ndikuan disa faktorë, por faktori kryesor ishte jeta
e popullit të vet dhe lëvizja e tij për çlirim kombëtar.
Naimi
njohu disa tradita poetike të huaja, prej të cilave mori elemente, që u tretën
mjaft natyrshëm në veprën e vet. Por krijimtarisë së tij vulën e
origjinalitetit ia vuri jeta dhe tradita historike e artistike e popullit të
vet. Traditat poetike popullore, që përbën një nga burimet e formimit të tij si
poet, i dha shumë më tepër nga çdo traditë tjetër. Lidhja me të u shpreh jo
vetëm në gjuhën e poezisë së Naimit dhe në figuracionin e pasur, por, në radhë
të parë, në përmbatje dhe në frymën e saj.
Krijimtaria
Më
1886 Naim Frashëri botoi poemën e tij të famshme “Bagëti e Bujqësi”, “Dëshira e
vërtetë e shqiptarëve” – poezi greqisht (O alithis pothos ton Alvanon) dhe
katër libra për shkollat: "Vjersha për mësonjëtoret e para", "E
këndimit të çunavet këndonjëtoreja", (në dy vëllime, me poezi, lexime të
ndryshme, njohuri të para shkencore humanitare), si dhe një "Histori të
përgjithshme". Më 1888 vijoi me "Dituritë" (ribotuar më 1895 me
titullin "Gjithësia", - shkenca të natyrës). Më 1890 doli përmbledhja
e lirikave “ Lulet e verës, pastaj "Mësimet" (proza patriotike dhe të
moralit) dhe “Fjala flutarake” (vjersha) më 1894, së fundi më 1898 poema e
madhe epike “Historia e Skënderbeut” dhe poema fetare “Qerbelaja” etj.
Naim
Frashëri u shqua për lirikën e tij patriotike me temë aktuale (vjershat
"Gjuha shqipe", "Korçës" 1887, etj.), u këndoi me pasion të
rrallë mallit dhe bukurive të atdheut ("Bagëti e Bujqësia") dhe bëri
thirrje të fuqishme për çlirimin e tij (krijime të ndryshme, "Dëshira e
vërtetë e shqiptarëve"), si dhe për begatimin e vendit dhe një të ardhme
demokratike të tij. Ai i këndoi natyrës, dashurisë (poema "Bukuria",
një ndër kryesoret e tij, 1890), miqësisë, jetës intime (me brengën për të
afërmit). Poema "Historia e Skënderbeut"qe një kurorëzim i veprës së
tij, "testamenti i tij politik e poetik", me grishje të hapëta për
çlirim nga Turqia është shkruar sipas traditës së madhe barletiane. Në poemat
epike ai u ndikua nga historitë e vjershëruara të Lindjes dhe nga bejtexhinjtë
frashëriotë, po duke iu kundërvënë këtyre me shqipen e kulluar apo me
shkarkimin e dogmës fetare (në "Qerbelaja" dhe në veprat e tjera, që
i hartoi për afrimin e elementit besimtar në lëvizjen kombëtare).
Naim
Frashëri u shqua edhe për poezinë meditative. Nisi në shqipet poezinë
filozofike (vjersha "Perëndia" 1890). Shkroi dhe proza për të vegjlit
dhe bëri disa përshtatje mjeshtërore fabulash të La Fontenit. Botëkuptimi i
Naimit ishte në thelb panteist e idealist. Me admirimin e madh që kishte për
racionalizimin e Dekartit dhe si pasues i shquar i iluministëve francezë
Volter, Ruso, etj, me besimin e plotë në shkencat dhe në rolin e tyre
revolucionar në shoqëri (pranimi i teorisë Kant-Laplas dhe i darvinizmit, që i
propagandoi me guxim të madh për kohën), me demokratizimin e tij dhe
antimonarkizmin, besimin në aftësitë e pashtershme të popullit të vet për të
qëndruar, për t'u çliruar, për të vajtur përpara me hov, Naim Frashëri u bë një
veprimtar revolucionar në tërë fushat, si shkrimtar, njeri i mendimit, njeri
politik. E gjithë veprimtaria e tij letrare dhe kulturore ishte e lidhur
ngushtë me çlirimin dhe përparimin e vendit, me çlirimin shpirtëror dhe
ndriçimin e masave të popullit. Ai kishte besim të plotë në aftësinë e mendjes
për të njohur realitetin e për të vënë në shërbim të njeriut njohjen e ligjeve
të botës. Kërkonte arsimim për të gjithë, emancipimin e gruas, qeverisjen
demokratike, të vendit (një "demokraci prej pleqet", pra të një
ngjyre shqiptare), ngrinte lart vetitë e karakterit të shqiptarëve (besën,
trimërinë, bujarinë), traditat kombëtare që nga lashtësia pelazgjike. Bënte
thirrje për miqësi me fqinjtë në kushtet e respektit reciprok, shpallte
dashurinë në gjithë popujt e racat, ngrihej me forcë kundër Megali Idesë e pansllavizmit,
duke admiruar vetitë dhe kulturën e popujve të tjerë (poezinë përparimtare
lindore, atë greke, latine, rilindjen evropiane, romantizmin evropian, prej të
cilave dhe u ndikua).
Naim
Frashëri luajti, përkrah Samiut e pas Kristoforidhit, një rol themelor për
shqipen e re letrare, të cilën e shkroi me një pasuri të veçantë fjalori e
sidomos frazeologjike, duke u mbështetur kryesisht në gjuhën e popullit, e
shkroi të pastër dhe bëri një punë të dukshme për pasurimin e saj, duke e
ngritur atë në lartësinë e një gjuhe arti të zhvilluar dhe kulture.
Ndikimi
i Naim Frashërit, me gjallje të shkrimtarit dhe pas vdekjes, jo vetëm te
shkrimtarët shqiptarë të kohës, por edhe të periudhës së mëvonshme, ishte i
madh. Pas Çlirimit u vunë në pah dhe u çmuan gjerësisht meritat dhe vlerat e
punës dhe të krijimtarisë së tij, përmes studimesh të ndryshme. Ribotimet e
veprave të tij janë të shumta; përveç tyre janë bërë edhe disa botime kritike
shkencore të veprave të Naimit. Emrin e Naim Frashërit e mbajnë shkolla dhe institucione
të ndryshme. Për merita kulturore në Shqipërinë jepet urdhri që mban emrin e
poetit kombëtar.
Naim
Frashëri vdiq në lagjen Erenqoj të Stambollit, ku edhe u varros.