E enjte, 28.03.2024, 04:14 PM (GMT)

Shtesë » Historia

Marin Sirdâni: Në çka fajësohet Skanderbegu? (III)

E enjte, 18.12.2008, 07:32 PM


Në çka fajësohet Skanderbegu?

Nga Marin Sirdâni

Pjesa III

 

Gjon Muzaka në memoranden e vet shkruen se Skënderbeu" ... pak kohë mbassi u ba kryegjeneral i princave të Shqypnis, pati nder mend të bahej zotnues i krejt vendit; u rrembeu Balshajve shtetin, që ishte ndermjet Krues e Lezhes, domethanë Misin (Arbnin); i rrëmbeu Moisi Komnen Topisë Dibrën; na rrëmbeu edhe neve Tomonishten, domethënë Myzeqenë e Vogël, kur vdiq im at; gjithashtu u rrëmbeu krahinat e Komit e të Rondecit disa princave tjerë të cilët nuk kishin çka të bajshin, pse ai kishte ushtrinë në dorë, edhe Turku na rrinte mbi krye në çdo orë; e shpresa iu shtue edhe ma tepër, kur Papa Piu II deshti të bante kryqzatën; por mbassi vdiq Papa i sipërthanun, nisi t'a bjerrë atë shpresë, edhe te e mbramja Turku na i mori neve edhe atij të gjitha, pse kështu i pëlqeu Perëndisë për mëkatet tona." (1)

Kur shkruem mbi martesën e Mamicës me Ka.r1 Muzak Topinë (2) patem provue se sa fort i bien ndesh së vërtetës thanat e thashat e Gjon Muzakës, prandaj na duket fare e kotë të vihemi me hedhë poshtë njëpërnjë t'thënat e tij, që nuk pajtojnë kurrsesi me shkrimtarë tjerë t'asaj kohe. Na e merr mendja se për sqarim të çeshtjës në fjalë, mjafton të paraqesim kufijtë që përfshinte princnija e Kastriotve në kohën e Gjon Kastriotit; e si u shtuan ata kufij në kohën e Skanderbegut, e ashtu me nxjerrë në shesh a vërtetë qe uzurpator apo jo Skënderbeu?

Mbas Gjon Muzakës, i ati i Skënderbeut, Gjon Kastrioti, qeveriste vetëm Matin (3); përkundra, Barleti, Biemmi, Laoniku, Frangu e Anonimët, rrethin e shtetit të tij e diftojnë shumë ma të hapët.

Biemmi, nuk e cakton krahinën që qeveriste Gjon Kastrioti, veç thotë se ishte" Princi i një pjesë së Shqipnisë s'epërme;(4)" por Dhimitër Frangu e Anonimët e thonë "Princ i asaj pjesë Shqipnijet e cila edhe sot quhet Emathja e Vumenestia (Humeshi?) (5). "Barleti, Lavardin, Luccari, e historjanët që u përmendën tashti më sipër, dëshmojnë se zotnojte edhe Krujen.

", ... ngjitas me mbretninë e Bosnjës, shkruan Laoniku asht princnija e Stefanit, të birit te Sandal Hraniqit (Kelmi Novipazari i sotshëm), ndërmjet kësaj e Epirit janë disa qytete të Venedikut e princnija e Gjon Kastriotit, mbas së cilës zgjatet princnija e Arjanit Komnenit, ma e shumta e së cilës asht anës së detit e mbmerrin deri në Gjinokastër." (6)

Por kufijtë e princnisë së Gjon Kastriotit dalin në shesh prej fortesavet që zotnojte. Këto, mbas Barletit e Biemmit, ishin: Kruja, Petrela, Petralba (Guri i Bardhë), Stelushit, Sfetigradi (Grazhdani) e Tornaçi. Kishte pra në sundim dy Dibrat, ku kishte fortesën e Stelushi, të Sfetigradit e të Tornaçit; Matin, ku kishte petralben; Kurbinin, ku kishte Krujën, e Arbninë ose Misinë, ku kishte Petrelen.

Kurbinin me Krujën e Arbninë e patën një herë Topiajt e mandej Balshajt, por rreth vjetve 1394 -1396 ranë në dorë të Turkut për një kohë të shkurtë, me disa vise tjera të Shqipnisë.

Mbas vjetës 1402, tuj pa princat shqiptarë se Turku e kishte punën përnjimend ngusht me Timer1engun, u çuen peshë kundra tyne e i nxorën jashtë. Ka gjasë se në këtë kohë Gjon Kastrioti i çliroj ato dy krahina prej Turkut e i bashkoj me princni të vet. Këtë aneksim duket se nuk e mori për të keq princi i vendit, Pal Stres Balsha, i cili u martue me Jellën, të bijën e Gjon Kastriotit, dhe e qeverisi vendin nën hijen e tij. Një provë se Arbni qysh n'at kohë ishte në dorë të Gjon Kastriotit e jo në dorë të Balshajve, asht protesta që ky ban kundra Ipeshkvit të Lezhës në vjetë 1407, pse ai donte me aneksue dymbëdhetë kisha, që qysh motit i përkitshin Ipeshkvisë s'Arbnit. Aneksimi i atyne kishave, thote ai, do të përtrinte ngatrresa të mëdha në kler, ndër bujarë e në popullin mbarë (7). Se këta princa t'Arbnit nuk kishin me të vertetë aq randsi e provon edhe Biemmi, kur në Mbledhje të Lezhës, vjetin 1444, e ven në rend të "Signori di minor nome” (8) e Frangu nuk u përmend as emnin. Si do të ketë qenë puna, Balshajt qysh në këtë kohë nuk përmenden ma si princa indipendenta. Sa për Kurbin e Kruje nuk ka fije dyshimit se i pat Gjon Kastrioti, por nuk dihet me siguri se në ç'vit i shtini në dorë. Luccari, në vjetin 1423, Gjon Kastriotin e quan "Signor di erui" (9) 

Nuk qe pra Gjon Kastrioti vetëm një princ i pa randsi i Matit, si don me e paraqitë Gjon Muzaka, por edhe i disa krahinave tjera, si u diftue më sipër, e që njihej një ndër princa shqiptarë ma me randsi t'asaj kohe. Ai qe që i nxorri punë Turkut shpesh që prej vjetës 1402 e deri 1430, e Republika e Venedikut, e ajo e Raguzës, u munduan disa herë me lidhë miqsi me të e me e pasun për vedi. Frangu e Anonimët thonë se: "Qe burrë I fortë, shpirtmadh, e në mjeshtri ushtarake fort i stërvitun e praktik” (10); e Biemmi (11) thote, “ ... burrë i fortë, i urtë, e që pemjimend ishte i denjë me pasun at farë djalit”. (11)   "Republika e Venedikut tuj u gjetun në luftë me Serbi në vjetin 1442, i dërgoj këtij një ambasador të veçantë për me ia mbushë mendjen të prishte aleancën me Turk e t'a siguronte se ai në sy të Republikës kishte at nderë, që kishte pasun Kont Nikitë Topija i Krujës, domethanë e zinte si të parë ndër princa të Shqipnisë. (12)

Por mbasi vdiq Gjon Kastrioti në vjetin 1442, Sulltan Murati thej besën e dhanun me dërgue njanin ndër djem të tij me marrë trashigimin atnor, e me dredhi, kinse me sigurue qetsinë e vendit deri n'ardhje të trashëgimtarit, dërgoj garnizone turke, nën kryesi të një renegati shqiptar, ndër të gjitha kështjellat e princnisë së Kastriotve. Tradhtija nuk vonoj me u diktue e krenët e vendit morën e dhanë me Skënderbeun, e ky një vjetë mbas dekët së t'et, 1443, kthej në vendlindje, e mbrenda një muaji jo vetëm shtini në dorë shtetin atnor, domethanë Krujen, Petrelën, Petralben, Stelushin, Tornaçin e Sfetigradin,  por u shty edhe përtej Drinit e mposhti fushën e Mokrenës, ndërmjet Dibret e Gostivarit, banorët e së cilës e njihshin flamurin e Kastriotve qysh me kohë. (13)

Për me e sigurue Skënderbeu pozitën e vet e me i vu një pritë të qëndrueshme sulmeve turke, grishi në Lezhë, vjetin 1444, të gjithë princat e krenët e Shqipnisë, të cilët tuj pasë shpresë të gjallë në zotsinë e tij, e tuj e pa nevojën e një marrveshje rranen me shumicë. Ma në shenj ndër ta qenë Gjergj Arjanit Komneni, princi i Kaninës; Andre Topija, stërnip i Karl Topisë, princ i krahinës ndërmjet Krujës e Durrsit; Teodor Koronë Muzaka, princ i Beratit, me disa princa tjerë të Myzeqesë; Pal Stres Balsha, princ i Arbnit; Pal e Nikollë Dukagjini, princa të Pultit t'Epër, princnija e të cilve zgjatej prej Drinit në Kosovë e deri në kufij të Serbisë; Lekë Zaharija, princ i Dejës; Pjetër Shpani, princ i Pultit të Poshtër; Lekë Dushmani, princ i Zadrimës; Shtjefen Cernoviqi, princ i Zetës, edhe princa tjerë toskë e gegë. Në këtë mbledhje u formue Lidhja e Princave Shqiptarë e Skënderbeu u zgjodh një zani kryetar i saj e kryegjeneral i ushtrisë së federatës. Gjergj Arjaniti u lidh me i pague kryevjeti trillash të caktueme, mbas fuqisë që kishin, U fol me u caktue edhe ndihma ushtarake, por Skanderbegu u shpreh se nuk donte me i randue mbasi mundi me perba prej nënshtetasve të vet një fuqi të mjaftueshme me i ba ball Turkut; ndihmën e tyne e donte vetëm ndër raste të jashtzakonshme. (14)

Pak mbas kësaj mbledhje Skënderbeu, bashkoj ushtrinë në Kashar, katund në Tiranën e Vogël, e ba rasenjen, gjeti se numri i tyre mbrrinte në pesëmbdhetë mijë, domethanë gjashtë mijë kambësorë, e shtatë mijë kalorës të mbledhun prej vendeve të shtetit të vet, e dy mijë, gjysa kambësorë e gjysma kalorës të dërguem prej Aleatve. Sigurisht se po të donte, kishte mundë me bashkue edhe aq ushtarë prej shtetit të vet, që kishte gëzue paqen për do vjet të mira e prej princave që kishin vu shpresë të madhe në të, por me aq ushtri ai e dinte vedin ngadhnjyes mbi Turki.

Ushtrija e tij e zakonshme në rast lufte mbrrinte deri në tetëmbëdhetë mijë vetë, gjysa kalorsi e gjysma kambësori, posë një numrit të mirë që linte në roje të fortesave e për siguri të qetsisë së vendit. Tri të katërta të kësaj ushtrije ishin nënshtetas të tij, tjetra gjithfarësh. Në zyra të nalta ushtarake ishin edhe shumë djem, princash e zotnish, që vullnetarisht kishin hy në shërbim të tij, si Dukagjinas, Shpanaj, Muzakaj, Topiaj, Gropaj e Balshaj. Këta të gjithë, si edhe ushtarët, ishin të rroguem mirë, mbas gradës që kishin, e kur ndonjani u ndante në shenj për trimni a besnikni, Skënderbeu i lshonte edhe prona të mëdha.

U shmangëm pakëz çeshtjes që kemi marrë me zhvi11ue sa me jau futë lexuesve ndër mend stimën që kishin princat shqiptarë ndaj Skënderbeut e randsinë e pushtetin e tij.  Tashti po kthejmë rishtas në vijimin e saj.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora