Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ibrahim Kabili: Ymer Ramhoxha, patriot dhe atdhetar i flaktë i çështjes kombëtare

| E diele, 22.05.2022, 01:06 PM |


Ymer Ramhoxha, patriot dhe atdhetar i flaktë i  çështjes kombëtare...

Nga Ibrahim Kabili

Prej kohësh më ka tërhequr figura e patriotit dhe atdhetarit të flaktë nga Bastari, Ymer Adem Ramhoxha. Në kuadrin e studimeve dhe holumtimeve për të përgatitur librin "Benda në rrjedhën e historisë", së bashku me kolegun Hysen Hysa, kemi takuar një numër të madh të moshuarish, që ndërmjet të tjerave na kanë folur dhe sqaruar edhe veprimtarinë e Ymer Ramhoxhës. Të gjitha gojëdhënat tregojnë se ai qe një patriot dhe atdhetar i flaktë, qe një njeri shumë arsimdashës, bashkëpunoj me rilindasit dhe punoj me ta për çështjen kombëtare. Nga gjurmimet në biblioteka pothuajse nuk kemi gjetur materiale të shkruara për të. Nuk kemi gjetur pasi në atë kohë dokumentat shkruheshin në osmanishten e vjetër. Shqipja folej, nuk shkruhej dhe pikërisht për mësimin dhe shkrimin e saj punoj edhe Ymer Efendiu... Veprimtaria e tij  shihet, në kuadrin e  zhvillimeve të kohës dhe qe e ndikuar fuqishëm nga  rilindasit dhe idetë iluministe të tyre. Për këtë figurë janë bërë disa shkrime kohët e fundit. Mendova se edhe unë duhet të shkruaj patjetër për Të. Me datën 13.05.2022 bëj një bisedë me trashëgimtarin e emrit të Ymer Ramhoxhës, Ymerin e ri... Edhe shkrimi im do të mbetet një kontribut modest në ndriçimin sadopak të jetës dhe veprimtarisë së patriotit Ramhoxha.

Ymer lindi në Bastar në vitin 1843. Rininë e tij e kaloj në fshatin e lindjes, Bastar. Natyrisht qenë kohë të vështira pasi sundimi turk nuk tregonte kujdes për mirëqenjen e shqiptarëve, përkundrazi rriste taksat dhe shtonte varfërinë e tyre. Në këto kushte u rrit dhe u formua edhe Ymeri. Nga martesa e parë Ymerit i mbijetoj vetëm një vajzë dhe nga e dyta ai pati vetëm një djalë, Saliun. Për të mbajtur familjen ai largohet për në kurbet. Fillimisht shkon në Manastir ku e pret xhaxhai i tij, Aliu. Atje fillimisht bën punë të ndryshme. Pasi e mori veten nga ana ekonomike  ngriti një dyqan dhe një furrë buke. Ai ishte mjaft inteligjent. Qe nxënës mjaft i mirë dhe në përfundim të studimeve Ymer Efendiu arriti të bëhej mësues në shkollën Ruzhdije të Manastirit. Për këtë nipi i tij Ymer Ademi (Ramhoxha) shton: "Mua babai im Saliu, më ka thënë shumë gjëra për babain e tij Ymerin. Sipas tij: - Ymeri shkon në Manastir dhe regjistrohet atje me emrin Ymer Hamza Sofi. (Hamza dhe Sofi ishin vëllai dhe motra e tij). Atje ai u bë pronar ku kishte një dyqan dhe furrë buke. Po sipas babait, Ymeri atje punoi si mësues ruzhdije, ku pati edhe disa nxënës nga krahina jone, të cilëve ju dha mësim. Sipas shume gojëdhenave Ymeri ka mësuar në një klasë me Ismail Qemalin dhe e ka ndihmuar atë per çështjen kombetare. Periudha kur Ymeri emigron në kurbet në Perandorinë Osmane koinçidon me dobësimin  dhe rënien e kësaj perandorie. Me fillimin e reformave të Turqve të Rinj, u duk se shqiptarët do përfitonin prej tyre. Rrethet patriotike bënë maksimumin për të shfrytëzuar në interes të tyre reformat.

Ymeri ashtu si edhe shumë emigrantë të tjerë mësoi gjuhën turke, përfitoj nga kultura atje, mësoj me gramatikë shqipen dhe luftoj shumë për përhapjen e saj. Atje ai bie në kontakt me rrethet patriotike dhe bashkohet me to. Ai pati kontakte  edhe me rilindas të tjerë, midis të cilëve edhe me Abdyl Frashërin. Nga këta ai u njoh me përgatitjet që po bëheshin për Kongresin e Manastirit ku edhe u dërgua prej tyre për të ndihmuar në mbajtjen e tij. Kjo nuk qe e rastësishme për patriotin Ymer Ramhoxha. Ai më parë kishte marrë pjesë dhe ndihmuar edhe në mbajtjen e Lidhjes Shqiptare, të themeluar në Prizren. Ndihma e tij në këtë ngjarje të madhe ishte bërë e mundur falë njohjeve dhe lidhjeve të tij të mëparshme me Abdyl Frashërin dhe besnikërisë së treguar ndaj tij. Për këtë Ymeri, bazuar në thënjet e Saliut, shton: "Në Turqi Ymeri qe një përhapës i flaktë i gjuhës shqipe. Për rrjedhojë  përndiqej nga segmente të shtetit turk mbasi përhapte idetë përparimtare. Ai mundohej të mblidhte rreth vetes së tij mjaft patriotë dhe atdhetarë. Pasi erdhi në Shqipëri përsëri përndiqej dhe shihej me shumë dyshim nga autoritetet e kohës. Ata nuk e donin shqipen si gjuhë. Diktuar nga rrethanat e kohës shkoj Kosovë. Atje vendoset dhe bashkëpunon me patriotin Ahmet Kaçaku nga Prizreni. Qe periudha e madhe e përgatitjeve për Lidhjen e Prizrenit. Këtu ishte organizuar një mbledhje ku do të merrnin pjesë shumë patriotë, ndër ta edhe Ymeri. Plani i autoriteteve turke ishte eleminimi i tyre. Vjen djali i Ahmetit (Koçekut), dhe me porosi të të atit dhe i thotë: "Mos u fut në mbledhje dhe ecë dhe tako urgjentisht babën". Me kthimin e Ymer Efendiut, patriotet e tjerë ju shmangën rrezikut aty dhe e organizuan përsëri mbledhjen në një vend tjetër. Plani për masakrimin e tyre dështoi. Rreziku vazhdonte ende. Ahmeti e veshi gjyshin tim me kostum gjuetie i dha me vete një çifte dhe një qen gjuetie dhe e largojë nga rreziku prej aty. Shkoj në Dibër dhe u strehua tek Sadik Dariçi. Babai im Saliu e pati mik shtëpie Sadikun dhe e ruajti këtë miqësi në kohë, pasi i shpëtoj të atin, Ymerin . Pasi u rrezikua edhe në Dibër shkoi për në Bulqizë për pak kohë. Nga Bulqiza shkon në Gur të Bardhë dhe strehohet tek familja e Ali Lezhës. Më pas shkon në Xibër-Murrizë tek familja Dauti". E gjithë kjo veprimtari flet qartë për përfshirjen e Ymer Ramhoxhës në veprimtaritë me karakter atdhetar. Gjatë kohës në kurbet ai është marrë me punë si mësues ruzhdije ku mësonte fëmijët e kurbetlinjëve me kulturën e përgjithshme në gjuhën turke, me besimin islam dhe fshehurazi u mësonte edhe gjuhën shqipe. Krahas saj ai vazhdonte lidhjet me rrethet patriotike dhe kryente veprimtari atdhetare me interes kombëtar. Shumë herë e akuzuan se kishte ndërruar fenë duke e quajtur "kaurri" pasi gjoja kishte tradhëtuar fenë e kishte dalë nga "imani". E quajtën edhe si të pafe. Ata që përhapnin shqipen sipas tyre konsideroheshin si "heretikë". Natyrisht ato u gabuan pasi populli e njohu dhe e respektoj atë si Ymer Efendiu. Mësimi dhe përhaja e shkollës shqipe në atë periudhë qe një proçes i vështirë, me plot sfida dhe sakrifica por i pandalshëm. Edhe Ramhoxha dha kontributin e tij në këtë drejtim. Dhe pikërisht për kontributin e dhënë ai mbështetej nga bashkëkohësit, ish nxënësit e tij dhe rrethet patriotike në mërgim. Kujtimi i veprës së tij sot, tregon respekt, mirnjohje, dhe obligim për brezat e rinj, për ti çuar më tej arritjet dhe plotësuar më shumë amanetin e tij... Pasi qëndron për një kohë të gjatë në emigracion Ymeri në moshën 60 vjeçare kthehet në vendlindje, Bastar. Në kohën kur u kthye ai solli me vete shumë libra dhe dokumenta që i kishte marrë nga Turqia. Për këtë Ymeri i ri, shton: "Disa dokumenta të gjyshit tim u morën nga drejtori i Shkollës Bastar i Mesëm Sadik Kosova dhe u ekspozuan në muzeun e fshatit Bastar i Mesëm në vitet '70. Më pas muzeu kaloi në Qendër të zonës dhe u shkatërrua pas viteve'90".

Në Bastar ai ndërton një kullë tre katëshe dhe martohet për herë të dytë. Nga kjo martesë siç tham më sipër lindi, djali i vetëm Saliu. Edhe pasi u kthye në vendlindje ai mbështeti lëvizjet kundër Turqisë dhe u dallua për karakterin e tij kombëtar. Me disa persona të tjerë nga krahina jonë merr pjesë në ngritjen e flamurit në Tiranë më 26 Nëntor 1912. Thuhet se ka marrë pjesë edhe në ngritjen e flamurit në Vlorë...

Ymer Efendiu si patriot që ishte nuk u pajtua me pushtuesit por në forma të ndryshe ai doli kundër tyre. Vdiq në Bastar në vitin 1915 dhe përcillet për në banesën e fundit me nderimet që meritonte nga shumë miq, shokë dhe ish nxënës të tij. Ai vdiq por patriotizmin e tij e trashëgoj tek familja dhe djali i tij, Saliu. Për këtë Ymer Ademi, thotë: "Babai im Saliu pati shumë miq dhe shokë. Ai i ruajti dhe i mbajti miqtë e babait. Po kështu zuri edhe shokë dhe miq të ri. Pati miqësi me Luigj Filipin i cili ishte veprimtar i Lëvizjes Nacionalçlirimtare. Po kështu pati miqësi edhe me Rauf Ficon që ishte antikomunist dhe ish ministër i Zogut.

Në vitet 1945-1990 ne u persekutuam si familje. Babai im Sala, e ndërroi mbiemrin nga Ramhoxha në Ademi. Gruaja e tij Sajdeja qe e bija e Mehmet Tares, e vëllait të Dervish Tares. Dërvishi qe flamurtar në Luftën e Shkodrës. Djali i Dërvishit, Bajrami qe nacionalist dhe doli kundër komunizmit. Sajdeja nuk e mohoj kurrë Bajramin dhe për këtë asaj i hoqën edhe triskën e frontit. Saliu shpëtoi nga ndërrimi i mbiemrit".

Pikërisht ky është shkaku që Ymer Rammoxha i ri, si nip i Ymer Ramhoxhës, mban mbiemrin Ademi. Ymeri i ri ka mbaruar arsimin e lartë për Ciklin e Ulët në Shkodër në vitin 1990. Nga viti 1980 dhe në vazhdim ka punuar si mësues në CF, CL dhe dy vjet si drejtor shkolle, në Shkollën 9 Vjeçare Bastar-Murrizë. Eshtë martuar me Vjollca Kacën dhe kanë lindur e rritur pesë fëmijë. Enkelejda ka mbaruar UT në degën Juridik; Valentina ka mbaruar UT për Shkenca Politike; Sajdeja ka mbaruar UT për Gjuhë Spanjolle; Armela vazhdon studimet e larta me bursë në Debrecen të Hungarisë për inxhinieri kimike; Arselvi vazhdon klasën e shtatë me nota shumë të mira në Shkollën Pjetër Budi, në Tiranë. Kënaqësia më e madhe e të dy prindërve është se; pesë fëmijët e tyre kanë qenë ekselentë në të gjitha ciklet e shkollimit! Historia përsëritet në formën spiraleje, por duke u ngjitur në një shkallë më të lartë...

Ibrahim Kabili

Tiranë më 18.05.2022