E marte, 19.03.2024, 11:04 AM (GMT)

Faleminderit

Prend Buzhala: Ernest Koliqi dhe Kosova

E diele, 22.05.2022, 05:10 PM


ERNEST KOLIQI DHE KOSOVA

(Fletëza memoriale: Ernest Koliqi, në 119-vjetorin e lindjes)

Kur Ernest Koliqi, posa bëhet ministër arsimi, më 1941, në Kosovën “ e çliruar” nuk formoi lëvizje fashiste, as nuk dërgoi brigada naziste, as nuk organizoi pogrome apo gjyqe… por dërgoi fillimisht 200 mësues e më vonë ata u bënë mbi 700 sish.

Nga Prend BUZHALA

1.

Për herë të parë në Kosovë po vendoseshin themelet e arsimit shqip ... ishte kjo  brigada më emancipuese në histori dhe më e emancipuara gjatë historisë, më e pathyeshmja, që e shpëtoi Kosovën prej shumë murtajave: prej analfabetizmit kronik e anakronik, prej terratisjeve të injorancës shumëshekullore serbo-aziatike, prej rrezikut të shpërbërjes nga identiteti kombëtar, prej zhbërjes si komb. Ndryshe, po qe se mungonin këto forma të ngrijtes arsimore e kombëtare, ti as nuk mund të hysh në radhën e kombeve moderne e as të qëndrosh si komb. Këtë e thoshte shpesh në shkrimet e tij E. Koliqi. Në Kosovë, ai e dinte  se ishte një ambient epik, i mbarsur me luftëra qëndresash, epik në trimëri e në këngë, në tradita e zakone...  madje epik qoftë edhe te ninullat dhe pagëzimet e fëmjëve (ripërtëritja e emrave  të të  parëve)...

Për herë të parë shqipja po mësohej në të gjitha trojet etnike shqiptare. Ai kishte një vizion tjetër nga lëvizjet radikale e totalitare të kohës: përpara politikës, armëve, gjyqeve, më e rëndësishmja ishte çështja e arsimit. Në trojet nën ish-Jugosllavinë e Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene, u hapën 511 shkolla shqipe, me 19 200 nxënës, me 487 mësues kombëtarë. Në mesin e tyre kishte 78 mësuese. U hapën normalja në Prishtinë e Gjakovë, liceu në Prizren e Tetovë, gjimnazi e Instituti Teknik Bujqësor në Pejë, (sipas: Abdylaziz Veseli: “Shkollat dhe arsimi shqip…”).

Më vonë, pas luftës, regjimi pushtues  serbokomunist, nën firmën e përparimit socialist, vrau dhe vari në litar 25 mësues, 252 mësues shqiptarë u dëbuan për në Turqi, Greqi e Australi, gjithnjë në badhkëpunim me regjimin e ri, komunist, që u instalua në Shqipëri.

Gjatë asaj kohe, sa qe ministër Koliqi, u botuan 37 tekste shkollore, 13 për fillore e 14 për shkolla të mesme, ndërsa 14 libra të tjerë ishin nga fusha e letërsisë dhe historisë.

Më 1948 regjimi serb dëboi nga Kosova për në Shqipëri 714 mësues. U ndërmorën fushata zhbërëse e armiqësore kundër arsimit shqip. Gjithçka po bëhej me programe shfarosëse që të zhdulkej nga faqja e dheut. Mirëpo, fara ishte hedhur, ajo po jepte frytet e saj dhe nuk mund të zhbëhej me kurrfarë dhune, përndjekje apo varje në litar. Tashmë Gjergj Kastrioti, Lidhja e Prizrenit, Pavarësia e Shqipërisë më 1912, si dhe personalitetet tona historike, të anatemuara nga Serbia e regjimet totalitare, ishin mishëruar në qenien kombëtare të Kosovës dhe po frymonin me shpirtin e emancipuar kombëtar. Ishin bërë pronë e dijes së pazhdukshme, përkundër luftës për t'i zhbërë të vërtetat tona.

2.

Koliqi përdori shumë forma të veprimtarisë së tij jetësore, kulturore, publicistike, arsimore, e, sidomos, letrare për ta formuar, ngritur e forcuar këtë vetëdije kombëtare. Te vepra e tij “Gjurmët e stinave” më 1933, ai thotë:

“Jo krenija nuk më verboi aqë sa me kujtue se un vetëm isha i paracaktuem prej fatit me thye heshtjen e nji kombi mbarë. Zane tjera, të forta e depërtuese, ishin çue. Nata e jonë ushtonte me klithme të tyne. Por mendova pse nuk majfton nji za, as dy zane, as dhetë zane me zgjue shqipet e fjetuna majë maleve. I thojshem vetes se lypeshin shum kangatarë, mbasi kombi ynë kishte heshtë gjatë shumë qindvjetave. Sa ma tepër bylbyla cërcërrisnin në terr të natës,  aq ma fort afrohet agimi i pritun.”

Edhe sa ishte në mërgim pas Luftës së Dytë Botërore, në Itali, në revistën  e tij “Shejzat” e në shtypin e mërgimit, ai mbronte Kosovën. I afirmonte vlerat kulturore e letrare shqipe këtu.

Te letrat e tij dhe te veprimtaria e tij, bota shqiptare është kryesorja. Gjithsesi aty vjen arti i së bukurës, fin, me delikatesë e intelekt të rrallë krijues. Ai merrte frymë me fatet e njerëzve të kombit të tij, duke i ndarë me ta frymëzimet, dijet, fatin e tij.

Së këndejmi, le ta kuptojmë se në Kosovë, tashmë dashuria ndaj Atdheut, dashuria për kulturë e arsimin, për gjuhën e Të Parëve, ishte ngritur në kult të ri historik, kurse qëndresa e sakrifica nuk munguan asnjëherë.

(20 maj 2022)



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora