E shtune, 03.12.2022, 04:31 PM (GMT)

Mendime » Çeliku

Kalosh Çeliku: Repriza e ''vëllazërim - bashkimit'

E premte, 20.05.2022, 04:39 PM


'REPRIZA E “VËLLAZËRIM – BASHKIMIT”

(Groteskë idilike)

NGA KALOSH ÇELIKU

Personazhet:

HEJSHA

ZONJA KUQEZI

KAMARIERJA

PATRIOTI I VONUAR

REGJISORI

DREJTORI I SHEKULLIT

PASHTERKËKUQJA

GJENIU I NËNËS PARTI

BOHEMI I LUMTUR

ZEKA I ZI

PORTIERI

LLUSTRAXHIU I KËPUCËVE

GAZETAXHIU

EHAZDISURA

BEQA I MADH

GAZETARËT dhe

KORI I KOPESË ME ZGJEBE i përcjellur

nga MAXHUPJA ME DAJRE, Pensionistë. Tregëtarë. Spiunë. Argatë të Nënës dhe Babës Parti. Rrospi Meshkuj. Reketarë. Trusakatë. Dhe, dy-tri bullgare në kohë krize, që shesin mallëra në “Bit-Pazar”…

Paranteza

Që në fillim ju falemnderohem për bashkëpunim, për rolet që do të ishte mirë t’i luani ju vetë o heronj të gjallë, që e gjeni veten në këtë groteskë idilike. Edhe aq më tepër për patriotët e vonuar, që vetëm ju mund t’i gjakoni me aq dashuri e besnikëri…

Ngutuni! Derën e keni të hapur krah më krah në këtë groteskë idilike. Ju prêt Regjisori, “na morët më qafë”. Mos u shtyni!… Shani… Intervenoni… Përlani rolet! Dhe, dilni në mejdan pa ferexhe… Ndoshta durtrokitjet më të merituara nga publiku dhe çmimet letrare do t’i merrni në këtë groteskë idilike… Nuk dihet… Befasitë dhe mrekullirat ndodhin në mesin tonë, në “Bit – Pazar”. Urime!...

Zoti u ndihmoftë!... Amen…

Paralajmërim i fatkeqësisë

Imzot, vijnë Trusakatët. Shpirt Tredhurit. Melezët. Kokat i kanë nën sqetulla. Këmbët në qafë. U pri para Buqa e Katundit. Veten e kanë shitur para Vetëshërbimit, në “Bit-Pazar”. Edhe, atë: vetëm për një asht. E lëpijnë. Përjagen. E nxjerrin gjuhën dy pëllëmbë para dere. Këlyshë me bishtin ndër këmbë. Që, i kërcejnë njëri - tjetrit në shpinë. Ndërsehen tinës. I turren pas Buçës së Katundit, t’ia bëjnë atë punë mbas ndonjë mullari. Lëmën të na e mbushin me këlyshë…. Çarshinë….Qytetin… Imzot, vijnë trusakatët. Kokat nuk i kanë në qafë. Mbyllni dyert! Dritaret. Mos na e ngjesin zgjeben… Trembin fëmijtë…Gratë… Lirinë… Rrezik! Ikni nga sytë këmbët! Ikni, e kanë zgjeben!...

Në vend të prologut

Matanë dritares e shoh Hënën e plotë kulaq. Ose, siç thoshte Nëna ime: sonte hana ka hangër darkë… Ia kam ngulur sytë, përpiqem ta zbres në verandë, pranë një qeriri, dy shtamave me verë. E shikoj në sy. Papritmas, më shfaqet portreti i Zonjës Di me një lot në sy. E heq shaminë. Ferexhen. E zbulon ballin. Dhe, më ulet në prehër…. Rrëfehet para azreti Aliut… O Imzot, marrëzira! Gjithë natën e mbaj zgjuar deri në agim pranë një qiriri. Dritë. Flakë që më lëpinte nga këmbët te koka… Zjarr… I hapa sytë. Para meje me dy shtama verë Cuca Boheme. Pi, më tha! E ngrita me fund njërën shtambë… Edhe tjetrën…. Dikur, me sa zë që kisha bërtita: Gji dua të pi!... Gji… Fuqi, edhe një herë të ngrihem nga varri! Luftën ta vazhdoj me penë…

KORI I KOPESË ME ZGJEBE:

( I përcjellur nga Maxhupja me dajre )

Vitet i humbi në këtë Qytet qyqesh

Ku gomarët shiten shumë shtrenjtë

E ujqërit i ndjekin. i vrasin

Pusi u vënë në rrugë. Te lumi.

Ky Qytet ia hëngër gjithë pasurinë

Që trashëgim ia la Babai kur vdiq.

Shkaku: ngase, kurrë nuk shkoi pas gomarit

Po, pas Ujkut. Tigrit. Luanit. Grave.

Vitet i humbi në këtë qytet qyqesh

Ku gomarët shiten shumë shtrenjtë.

E ujqërit i ndjekin. I vrasin…

Sprova e parë

Seanca dimërore.

Fryn. Dëbora e ka mbështjellur lëmsh Qytetin. E ka zënë për fyti. Kollitet. Vjell… Tym… Bardh. Rrugët. Çatitë. Drunjtë. Edhe një natë pa hënë. Edhe një lehje nëpër natë. Bërllok e bërllok nën borë. Kontinierët në gjumë. Një pushkë. Edhe një. Dy. Tri. Qyteti merr frymë. Të vdekurit zgjohen mes varreve. E marrin njëri tjetrin për dore nëpër “Bit-Pazar”. Bërtasin. Rrebelohen. Urraaaaa!... I thejnë xhamat. Flakën ua vënë dyqaneve. Rrugëve… Parolla kanë në duar. Armë. E tërheqin veten në Kala. Pusi vënë pas mureve. E ngrejnë flamurin kuqezi. E thirrin lirinë… Turma pa kokë e “luanëve” do ta kalojë Urën e gurit. Çarshisë së vjetër t’ia fusë zjarrin. Edhe “Çairit”… Një flakë, vaaap, ia dha mbi Kështjellë. Edhe një. Edhe një. Edhe një. U ndez qielli flakë. Hëna e plotë zbriti mbi Qytet. Frikë e trimëri… Fryn… Bie borë… Furtunë… Një qen leh nëpër natë… Ham-ham. Haaam…

1. DUKE PRITUR DREJTORIN

Në Klubin e Teatrit, në një tavolinë bisedojnë kokë më kokë disa aktorë. Në një tjetër, tre-katër aktivistë të Nënës Parti. Edhe dy bullgare me dy tregtarë që e kanë shtruar me pije e meze. Bohemi i Lumtur në një tavolinë me dy shtama verë e shfleton gazetën RRENA.

HEJSHA: Tungjatjeta, zoti shkrimtar! Siç duket, sot e paske humbur rrugën. Ose kërkon ndonjë personazh për librat e tu të rrezikshëm…

BOHEMI I LUMTUR: Jo. Vera iku. Vjeshta ia shkundi edhe gjethet e fundit Rrapit. E mua, ende nuk ka kush të ma zbresë armën nga dega, të ma zgjidhë Gjokun nën hije. Miken të ma sjellë me dy shtama verë. Erdhi dimri. Nëna Parti e theu qafën. Populli ia dha votat Babës Parti. E unë jam si ai ujku i uritur në male, që sa herë zbret në katund, zbret pas ndonjë rrunze ta hedhë në shpinë. Dhe, merr malet…

HEJSHA: E di. E di, e kuptova edhe ardhjen tënde në Klubin e Teatrit… Megjithatë, ke ardhur në momentin e duhur. Gjithë Trupa teatrore jemi duke pritur drejtorin…

BOHEMI I LUMTUR: Drejtorin?!... Me siguri është ndonjë kalorës i arratisur… Që, e kanë shaluar “vëllezërit” e Njerkës . Nëna Parti… I ka hipur në shpinë… E shpon me zingji… I bie me kamxhik…

HEJSHA: Po. Po, drejtorin. Vetëm se, këtë nuk e ka shaluar Nëna Parti… Por, Baba Parti… “Vëllezërit“ e Njerkës…

BOHEMI I LUMTUR: Hi-hi-hiii… E sa di unë, ju e keni drejtorin.Vitin e kaluar ua solli Nëna Parti. Edhe atë, hipur në kalë me shalë…

HEJSHA: Po. E solli vitin e kaluar. Por sivjet një tjetër edhe më të bukur, me pajton do të na e sjellë Baba Parti… Me struken krahëve… Tirqi me gajtana… Xhamadan… Nagant në brez… Mauzerr për qafe….

BOHEMI I LUMTUR: Hi-hi-hiiiii… Dhe, posa morën vesh patriotët e vonuar se në zgjedhje humbi Nëna Parti, të gjithë turr te Baba Parti…

HEJSHA: Po. E ku e di ti?!...

BOHEMI I LUMTUR: E si nuk e di. Gjeniu i Nënës Parti, që të mos e marrin vesh, ishte anëtarësuar në Kumanovë… Patrioti i Vonuar u shkon pas si dhelpëra dashit. Herdhet mos i bien udhës… Edhe Këlyshët e Aliçes u turrën mos përlajnë rrugës ndonjë sisë…

HEJSHA: Kot e kanë. Baba Parti ka informata të sigurta, i di mirë këta “patriotë” kuqezi. I kanë ndërruar deri më tani tri parti në pushtet…

BOHEMI I LUMTUR: Hi-hi-hiiiii… Gjithmonë pozitë…Vrasin e presin… Frikë ke të ndezësh televizorin… Hapësh gazetat…

HEJSHA: Edhe atë, tash kur dolën nga varri… I pushtuan mjetet e informacionit… Luftë bëjnë për postin e drejtorit… Vende pune…

BOHEMI I LUMTUR: Zoti u ndihmoftë! Po, unë nuk ua kisha dhënë as të çobanit… E sjellin ujkun te Stani këta këlyshë me zgjebe…

HEJSHA: Megjithatë, ata kanë ikur nga Nëna Parti… Tash i shkojnë pas Babës Parti mos i bien udhës…

BOHEMI I LUMTUR: Trimëri me vete. Nesër, ku do të ikin? Për ditë e lidhin veten për ndonjë huri, gardhi… E ngrejnë bishtin…

HEJSHA: Dihet, në tjetrën parti…

BOHEMI I LUMTUR: Shkaku?! Vallë, mos para se të antarësohen i tredhin?!... Në taxhi u qesin kripë…

HEJSHA: Ndoshta. E duan postin e drejtorit… Artin… “Flijimet” artistike…

BOHEMI I LUMTUR: Po, Nënën Parti?!... Buçën e Katundit, që pjell këlyshë të verbër… E na mbushi lëmën… Qytetin…

HEJSHA: Jo, Nëna Parti hëngër fiq dhe vdiq… Këlyshët i cofën në bark… Shtatë muajsh e fluku barrën…

BOHEMI I LUMTUR: Edhe Baba Parti, kështu siç i çon punët do ta hajë fiqin… Barku do t’i fryhet lodër… E ne, nuk do ta dimë me cilin e ka kopilin…

HEJSHA: E di, me Rrospitë Meshkuj. Po, Baba Parti ende nuk ka vdekur. E patriotët e vonuar i duan të gjallët… E jo të vdekurit…

REGJISORI: (Hyn në klub dhe drejtohet te tavolina e tyre). Lartmadhëria Juaj, tungjatjeta! (Ua zgjat dorën). E lirë, na morët më qafë?...

BOHEMI I LUMTUR: Për ty, patjetër. Ulu! “Na more më qafë”…

HEJSHA; Hë, çka kemi të re?

REGJISORI: Plot. U mbush Katundi e Qyteti… Vetëm të reja. Gra pa burra. Vejushka. Plakat nuk kanë vend në këtë parti. Numri i kandidatëve për drejtor sot kishte arritur deri më njëzetepesë… Na morët më qafë.

HEJSHA: Mos u tall?! Ne me gjithë portierë nuk jemi as njëzetë…

REGJISORI: E di. Prezentimin më të mire, se: kemi aq shumë drejtorë na e ka bërë Ramizi në Shqipëri. U kujtohet kur erdhën një grup artistësh nga Teatri Kombëtar i Shqipërisë dhe e kërkonin drejtorin, Ramizin… Ne shikonim njëri - tjetrin… I ngrenim krahët… Nuk dinim asgjë… Po, ja që kishim pasur aq shumë kandidatë për drejtorë… Na morët më qafë…

HEJSHA: E aktorë?!... Rolet kush do t’i luajë në skenë?!... Rolet?!...

REGJISORI: Na i jep Zoti… Baba Parti… Na morët më qafë…

HEJSHA: O Imzot! Të gjithë u bënë shkrimtarë… Regjisorë… Drejtorë… Zëvendësdrejtorë… Piktorë… Aktivistë partie… Patriotë… Hamama Hyre… Fatkeqësi kombëtare…  Melezët na prijnë në luftë… Liri…

BOHEMI I LUMTUR: Hi-hii-hiii… Edhe Pashterkëkuqja… Trusakati… Zëdhënës të partive politike… Masha shqiptare… E mua më ka marrë malli për spiunë… Nuk kemi spiunë… Të gjithë u bënë “patriotë” kuqezi…

DREJTORI I SHEKULLIT: (Hyn duke u përkundur, herë në njërën anë e herë në tjetrën). Tungjatjeta, patriotë! Çka e keni shtruar sot si burrat?!... Mos keni marrë ndonjë lajm të ri nga Baba Parti?!... Ose, Zonja Kuqezi…

REGJISORI: Po. Po, ulu njëhërë, he burrë! Merr frymë!... Lajmet e mira nuk priten më këmbë… Na morët më qafë…

DREJTORI I SHEKULLIT: (E fërkon mjekrën me dorë. Ulet). E ka qëlluar Bohemi i Lumtur. Krizë kemi për spiunë… Në komunizëm kishim edhe patriotë… Edhe spiunë… Në demokraci të gjithë u bënë patriotë kuqezi…

REGJISORI: Baba Parti ka vëndosur, që ti ta trashëgosh postin e drejtorit të Teatrit… Na morët më qafë…

DREJTORI I SHEKULLIT: Vërtetë?! (Ngrihet më këmbë dhe e përqafon Regjisorin). Ndihmo, o Zot!... Edhe një herë t’i hip në shpinë Gjokut!... Shpatën ta nxjerrë nga brezi…

HEJSHA: Po. Po, nuk e luan as topi… Edhe me shpatën e Babës Parti do të presësh koka... Kulturën shqiptare do ta nxjerrësh nga bërlloku…

BOHEMI I LUMTUR: Urime, shoku drejtor. Urime. Nxirre shpatën!... Populli ka nevojë edhe për trima pas lufte…

DREJTORI I SHEKULLIT: Faleminderit. U bindët tash se, unë kam vepruar tinëz me komandantët e UÇK -së edhe në komunizëm… Kamarier, shpejt ec këtu, sillna të pimë! Nesër do ta bëjmë Kosovë… Shypni…

KAMARIERJA: Erdha. Erdha, urdhëroni?

DREJTORI I SHEKULLIT: (I bie me shpullë bythëve). Me shëndet!... Pyeti, çka do të pinë miqtë! Ngase, sot kemi arsye të fortë. E kam fituar betejën...

HEJSHA: Për mua, verë të kuqe!...

BOHEMI I LUMTUR: E mua, dy shtama me verë!... Dhe, një Mike…

REGJISORI: Hi-hi-hiiiii… (I fërkon duart). E, për mua një uiski… Na morët më qafë…

DREJTORI I SHEKULLIT: Edhe mish qengji për meze! Bohemit të Lumtur, dihet: një Mike me dy shtama verë… Jam, apo s’jam drejtor… Patjetër, do ta bëjmë Kosovë… Shypni…

KAMARIERJA: Si urdhëroni, zoti drejtor. (Dhe, ik pas pijeve).

BOHEMI I LUMTUR: (Ngadalë i thotë në vesh Hejshës). Edhe sot e kalova një ditë… I nxora drekën dhe pijet. Edhe Miken… (Bërtet). Rroftë Kosova!… Rroftë Shypnia!...

HEJSHA: Epo, nuk e thua kot në poezi se, ty të udhëheqin Tri Meleqe. Njëra të pri para… E, dy të tjerat të mbajnë për krahu…

BOHEMI I LUMTUR: Edhe atë, m’i dërgon Zoti. Nëse më duhet verë, shtamat plot m’i dërgon nën Rrap. Nëse më duhen lekë, m’i dërgon pas dikujt nën hije… E nëse më duhet një Mike… Edhe një Mike ma dërgon me gjithë bereqet…

HEJSHA: E di. Edhe sot me siguri t’i ka dërguar Zoti…

BOHEMI I LUMTUR: Po, Zoti. Unë jam njeri i Allahut… Një Meleqe më pri para për në Baba Tomor… E dy të tjerat më mbajnë për krahu…

KAMARIERJA: (I sjell pijet dhe mezen, plot një tepsi). U bëftë mirë!...

DREJTORI I SHEKULLIT: Gëzuar! (E cakërron gotën me të pranishmit). Armiqtë le të plasin nga inati… Rroftë Shypnia!... Rroftë Kosova!...

REGJISORI: Gëzuar! Rroftë Shypnia!... Rroftë Kosova!... Rroftë Ilirida!... Dhe, urime zoti Drejtor! (E cakërron gotën ). Na morët më qafë…

GJENIU I NËNËS PARTI: (Hyn edhe ai në klub). O bini burrat e mejdanit! Unë lufto maleve gjoks më gjoks me armikun… Bullgaret… Ukrainkat… E ju lufto me qengja të pjekur në mes të “Bit-Pazarit”… Shtamat me verë…

REGJISORI: E po, kësaj i thonë luftë. Flakë më flakë… Tym për tymi… Poste më poste nëpër kabinete… Qeveri… Fondacione humanitare… E jo asaj të juajës me topa nëpër istikame… Trimat dalin pas lufte…

GJENIU I NËNËS PARTI: Po, e vërtetë. Vetëm, se: nuk e di çka festoni, cilën fitore… Betejë… Ditët e fundit m’i keni bërë bozë trutë… Kaçamak m’i keni bërë në kokë…

REGJISORI: Postin e drejtorit… E fituam pas një lufte flakë më flakë me patriotët… Tym për tymi… Na morët më qafë…

GJENIU I NËNËS PARTI: E më në fund vendosët si burrat. U përcaktuat për njërin, më patriotin… Apo, prapë që të gjithë jeni drejtorë…

REGJISORI: Po. Baba Parti e zgjodhi më të mirin… Asganin… Na morët më qafë…

GJENIU I NËNËS PARTI: Cilin?!

REGJISORI: Drejtorin e Shekullit. Edhe atë, njëzëri… Na morët më qafë…

GJENIU I NËNËS PARTI: Urime! Urime, zoti drejtor! E paskan zgjedhur më të

mirin…Gëzuar! (E cakërron gotën).

BEQA I MADH: E çka jeni sot? Përsëri e keni ndërruar partinë?!...

REGJISORI: Demokratë… Ballistë… Na morët më qafë…

BEQA I MADH: E nuk jeni komunistë?!...

REGJISORI: Jo. Se, na vret Nëna Parti… Tollosuni… Na morët më qafë…

BEQA I MADH: Edhe Baba Parti… Edhe Baba Parti jua jep hakun… U bie në din e iman… Muhamedi a. s. ka thënë: pa vatan, nuk ka iman… Nuk e ka pasur fjalën për shtëpi, po për shtet… Atdhe…

REGJISORI: Na morët më qafë… A s’ia marrim edhe një kënge?

BOHEMI I LUMTUR: Ia marrim. Edhe atë: MU TE TEATRI NË BYFE.

KORI I KOPESË ME ZGJEBE

(I përcjellur nga Maxhupja me dajre).

Mu te Teatri, në Byfe

Vijnë patriotët si rrufe.

Me kalë të bardhë e mushka

Shkrep arti – kërset pushka.

Mu te Teatri, në “Bit - Pazar”

Vijnë krijuesë, vijnë zagarë.

Veteranë që bëjnë politikë

Dje me Rusi, sot me Amerikë.

Mu te Teatri, mes bërlloku

Kultura jonë i ka hipur një gjoku.

Errësirës i turret e katandisur

E shalojnë kalorës të arratisur.

Mu te Teatri, para Vetëshërbimit

Kulturofagët i prijnë mjerimit…

(Errësira bie në skenë).

2. VIÇAT E PALËPI TË ZONJËS KUQEZI

Selia e Babës Parti. Para derës presin shumë njerëz… Patriotë të vonuar… Gjoksin e kanë të stolisur me plot dekorata lufte… Skënderbe… Flamur kuqezi… Dikur vjen me ferexhen krahëve edhe Pashterkëkuqja…

PASHTERKËKUQJA: (Hyn në skenë. Një burrë i madh i veshur me tesha të nuseve kërçovare). Mirëdita, zonjë!

ZONJA KUQEZI: Mirëdita! Urdhëroni, uluni! Çfarë halli u solli te ne, zonjë?!

PASHTERKËKUQJA: Erdha ta kandidoj veten për drejtor… Unë jam patriote kuqezi… Unë jam edhe ajo më e përshtatshmja për këtë kohë…

ZONJA KUQEZI: Mirë keni bërë, zonjë. Po, ne jemi përcaktuar në dy kandidatë: Hejshën dhe Gjeniun e Nënës Parti. Megjithatë, me çka mund të na befasosh ti si drejtoreshë?

PASHTERKËKUQJA: Hejsha është kurvë. Dhe, e paaftë për postin e drejtorit. E për sa i përket Gjeniut të Nënës Parti, ai ka qenë disa mandate me radhë. Dhe, mu ai e ka qitur Dramën shqipe në kokërr të shpinës…

ZONJA KUQEZI: Mirë de, mirë. Po, çka do të thuash ti për biografinë tënde? Aktivitetet e tua patriotike… “Flijimet” artistike…

PASHTERKËKUQJA: Unë pikë së pari jam një artiste e madhe. Gjeni. Dhe, e dua Teatrin Shqiptar. Gjithë jetën e kam kaluar në dërrasa të skenës. Vite me radhë kam punuar për “vëllazërim – bashkimin”. Arti nuk ka kufi. Disa shfaqje të “vëllezërve” i kam vënë edhe në skenë. E disa regjisorë “vëllezër” i kam angazhuar në Dramën Shqipe. Nuk ka prishur punë, pse ata nuk e kanë ditur gjuhën shqipe… Traditat… Kulturën shqiptare… Me rëndësi është, e kanë dashur Dramën Shqipe… Artin… Eksperimentet e para i kanë bërë në këtë Teatër. I kam marrë edhe disa shpërblime…

ZONJA KUQEZI: E di, të Partisë së Zarzavateve… Edhe honorare…  Tjetër!...

PASHTERKËKUQJA: Edhe, unë mendoj këtij Teatri t’ia kthej shpirtin… Ringjall… Në lokalet e tij t’i kthej të gjitha ato që kanë të bëjnë me kulturën: libraritë, klubin e artistëve, etj. Shkurt, do t’i mbyll këmbimoret, agjensionet turistike, barnatoret, çajtoret…

ZONJA KUQEZI: Mirë, zonjë. Do të të kemi parasysh. A ke edhe diçka tjetër? Ndonjë risi…”Flijim “ artistik... Luftë për liri…

PASHTERKËKUQJA: Jo. Për sot kaq. Nesër, shohim… Ndoshta na e kujton Zoti…

ZONJA KUQEZI: Jo Zoti , po Baba Parti !...

PASHTERKËKUQJA: Mirë de, më falni ! Gabova, Baba Parti …

ZONJA KUQEZI: Baba Parti nuk është hoxhë… Nuk jemi në xhami… Përpiqu mos

bësh më gabime!... Dhe, ditën e mirë!...

PASHTERKËKUQJA: Ditën e mirë! (E hap derën dhe del në koridor).

ZONJA KUQEZI: (E shfleton gazetën TYMI mbi tavolinë). Mjerim… Varfëri… Vërtetë ia hoqën bishtin, por nuk është problemi te gazeta. Problemi është te kulturofagët, që komunizmi i mori pa asnjëfarë kriteri shkencor nga rruga dhe i solli në rëdaksi… Edhe Nëna Parti… Tashti kohën e fundit Baba Parti… Fatkeqësi kombëtare… E sollën gazetën në këtë derexhe. E mbushën me tollumbaxhi. (E lenë  TYMIN, e merr  RRENËN. E shfleton). Katastrofë kombëtare… Botuesi i kësaj gazete, kurrë nuk bëri gazetë kombëtare. Politika e tij redaktuese, gjithmonë është shitur një torbë taxhi… E ka bërë veten si lulja e diellit, që sillet rreth diellit, ai sillet rreth e rrotull k… (Bie telefoni. E hedh gazetën dhe e ngre kufjen). Alo? Po. Kush, Ministri i Kulturës?! Urdhëroni! Ëhë, ëhë… Qe, posa doli nga zyra ime. Mirë. Po, pasi qenka aq i mirë, pse nuk e bëni drejtor në Veles?!... Prilep… Vallandovë… Tërt… Mërt… (U ndërpre lidhja telefonike. Në derë përsëri dikush troket ). Hyn!

DREJTORI I SHEKULLIT: (Hyn). Mirëdita, zonjë!

ZONJA KUQEZI: Mirëdita! Urdhëroni uluni! Po, juve çfarë zori ju nxori në këtë anë?! Mos jeni edhe ju aktor?!... Dhe, kërkoni të bëheni drejtor?!...

DREJTORI I SHEKULLIT: Po, edhe unë jam aktor. Vetëmse, jo tezgaxhi çarshie, po aktor me nam i Vetshërbimit në “Bit – Pazar”... Po, ku ia qëlluat se, edhe unë kam ardhë për postin e drejtorit.

ZONJA KUQEZI: Eh, fare lehtë. Zoti na ka dhënë djem… Vajza… Dhëndurë… E di se, ti je i njëzetegjashti?!...

DREJTORI I SHEKULLIT: Mundet. Për këtë kam merita edhe unë si ish drejtor… Shkaku, se: unë kam dhënë më shumë drejtorë se aktorë. Edhe atë, në komunizëm. E për sot, të mos flasim. Vitet e fundit kam dhënë edhe shkrimatarë… Regjisorë…

ZONJA KUQEZI: Ju lumtë! Po, sa di unë juve herën e parë u emëroi drejtor Partia e Zarzavateve. E tashti në demokraci Partia kuqezi Shqiptare…

DREJTORI I SHEKULLIT: Po, mbase e vërtetë. Gjenitë i do çdo parti politike… Partia

kuqezi Shqiptare…

ZONJA KUQEZI: E tashti, a e di se në pushtet është Baba Parti?! Unë… Që, nuk shkruaj më poezi… Po, do të merrem me politikë… Çështje kombëtare… Poezinë ua kam lënë kolegëve… Nuk e dua… I dua Rrospitë Meshkuj… ”Flijimet “ artisike…

DREJTORI I SHEKULLIT: Po, e di. Megjithatë, nuk heq dorë nga vendet e punës. I ke tri-katër vende pune… Ja, pse edhe unë jam anëtar i partisë suaj me gjithë familje…

ZONJA KUQEZI: Mjafton që hoqa dorë nga poezia… Gazetaria… Shkenca… Burri… Vendet e punës m’i ka dhënë shpërblim politika madhore… Edhe titullin e doktorit të shkencave… Kryetarit të Bashkisë… U binde tashti, pse do të merrem me politikë… E ti, ku je bërë anëtar i Babës Parti?!

DREJTORI I SHEKULLIT: Si ku? Dihet, në Kumanovë… Vatrën e krizës… Zonën e lirë heroike…

ZONJA KUQEZI: E pse në Kumanovë?! Sa di unë, ti jeton në Shkup… Kryeqytetin historik të shqiptarisë…

DREJTORI I SHEKULLIT: Në Kumanovë se, atje nuk e merr vesh Nëna Parti… Pastaj, i kemi ndarë veprimet stragjedike të luftës. Kumanovës ia kemi lënë luftën… Gostivarit qotekun… Dibrës dhe Tetovës politikën… Pushtetin… E Kërçovës, bajraktarllëkun…

ZONJA KUQEZI: E ti, a ke më edhe diçka tjetër të shtosh si partizan partiak?! Mjaft më lodhe me filozofi patriotike…

DREJTORI I SHEKULLIT: Po. Vetëm, unë e meritoj postin e drejtorit.  Hejsha është kurvë. Pashtërkëkuqja është antishqiptare…  Bashkëpunëtore e “vëllezërve” të Njerkës… E ka shitur veten për një asht… Një torbë taxhi…

ZONJA KUQEZI: Zotëri, të gjitha do t’i marrim parasysh… Mjaft më me këto zbulime strategjike!... I di punët e veta Baba Parti… Ditën e mirë…

DREJTORI I SHEKULLIT: Ditën e mirë! (del) .

ZEKA I ZI: (Hyn). Mirëdita, zonjë! Mirëdita, si jeni?... (I fërkon duart. Dhe, i rrotullohet rretherrotull). Zoti na paska dhënë mjaftë bereqet…

ZONJA KUQEZI: Mirë të themi. Zotin, lëre rehat! Mjaft m’u solle rrotull. I zgurdullove sytë…I fërkove duart… Po, ty kush të dërgoi tek unë?! Edhe ti me siguri ke ardhur për postin e drejtorit?!... Ose…

ZEKA I ZI: Po,  për postin e drejtorit. Tinës më dërgoi regjisori, “na morët më qafë”…

ZONJA KUQEZI: Shumë mirë. Ty të dërgoi Regjisori. Atë tjetrin, Ministri i Kulturës… Tjetrin, “ vëllezërit “ e Njerkës… Gjyshi Dimër… Të gjithë doni të bëheni drejtorë… E kush do të mbetet aktor?! Portierët?!...

ZEKA I ZI: (I fërkon duart). Beqa i Madh me kamxhik… Ramizi…

ZONJA KUQEZI: E kush na qenka tash ky Beqa i Madh?!... Ramizi…

ZEKA I ZI: Beqa i Madh, është Dexhalli me kamxhik në dorë… E Ramizi, portieri i

Teatrit… Ose, siç i thonë në Shqipëri, drejtori i Teatrit Shqiptar…

ZONJA KUQEZI: Ëhë… ëhë… E, çka do të bëje ti si drejtor i teatrit?!

ZEKA I ZI: Unë pikë së pari do të vendosja rend e rregulla në teatër. Parkingun do ta ktheja vetëm për nevoja të teatrit. Këmbimoren, agjensionet turistike, barnatoren, çajtoren… do t’i mbyllja me dry… Edhe qentë do t’i përzeja para dere…

ZONJA KUQEZI: Ha-ha-haaaa… Edhe, do t’i sillje buçat... Këlyshët… Kulturën shqiptare, ta shpëtojmë nga hamshorët… Melezët… Tjetër! Edhe diç tjetër!...

ZEKA I ZI: Asgjë. Ngase, nuk jam si kolegët e mi me nga dy-tri vende pune… Kokën në teatër, e bythën nëpër fondacione ndërkombëtare... SOROS… Nuk më kanë shëtitur “vëllezërit” nëpër kabinete… Poste… Qeveri…

ZONJA KUQEZI: Kaq, ë?!

ZEKA I ZI: Jo. Të gjithë drejorët tanë kanë ardhur për të marrë banesë. Edhe morën. Ndonjëri që fërkoi më shumë herdhe, na shiti lirë te “vëllezërit” e Njerkës, grabiti edhe pasuri të shtetit “përbashkët”. Edhe atë, në emër të kulturës shqiptare.Vetëm unë, nuk kam banesë. Dhe, mu për këtë dua të bëhem drejtor…

ZONJA KUQEZI: Shkëlqyeshëm!... U kuptuam… Ditën e mirë!...

ZEKA I ZI: Ditën e mirë! (Vetmevete): “Eh, nëse vij unë në postin e drejtorit, e di si ua ndreq samarin… Halldupët, i ngarkoj me dru… E ndez zjarrin… Oxhakut do t’i shkojë drejtë tymi nga qielli… (Del duke i fërkuar duart).

ZONJA KUQEZI: (Vetmevete). Dreqi e marrtë. E dija se kemi teatër. Kulturë. Ose, siç thoshte Kingu i Madh, gjysmë teatri me tre aktorë. E kur e pyetnim se kush janë ata tre aktorë? Përgjigjej: Një jam unë. Dhe dy gjysma janë: Hejsha dhe Gjeniu i Nënës Parti. Tre: portieri i Teatrit, Ramizi. Po, kurrë nuk më ka shkuar mendja se do të kemi njëzet e pesë drejtorë. O Zot! Edhe çka dëgjova e pashë me sy. (Dëgjohet telefoni. E ngre kufjen). Alo? Po. Ëhë… Ëhëëë… Përsëri, Ministri i Kulturës. Të lumët ne, “vëllezërit”sa e dashkan kulturën shqiptare. Kujdesen. Po, ta hajë dreqi, çka doni tash?!... Për cilin intervenoni?!... Si?!... Si, e keni emëruar drejtorin pa pajtimin tonë, vendimin e Babës Parti?! E ju, për cilin intervenoni?!... O Imzot, kurrsesi nuk vjen parasysh. Po, ai nuk ka as vendim pune. Librezën e punës e merr si drejtor. Askund në botë nuk ndodh një gjë e tillë skandaloze. Fshijeni! Hiqni vizë! Baba Parti i ka njerëzit e vet. Edhe atë, komandantë lufte. Dje në male, sot në qytet. Dje me pushkë, sot me penë. Ju, atë Pashterkëkuqen, pasi qenka aq shumë e mirë, dërgojeni në Vallandovë!... (E përplas kufjen me inat). Tërt…. Mërt…. Tërt…

(Errësira bie në skenë).

3. DRAMATIZIMI I ROMANIT TË

PATRIOTIT TË VONUAR

Përsëri Klubi i Teatrit. Aktorët e presin me padurim drejtorin e ri, nëpër tavolina me meze e raki rrushi. Uiski. Bisedojnë kokë më kokë. Qeshin. Në derë duket Drejtori i Shekullit me Pashterkëkuqen. Njëri me gunën krahëve e tjetri me ferexhen krahëve. Disa të tjerë rrinë në derë. Dhe, posa marrin informata, dalin jashtë. Një grup, në një tavolinë tjetër, festojnë emërimin e drejtorit të ri. Dikur, nis edhe kënga:

KORI I KOPESË ME ZGJEBE

(I përcjellur nga Maxhupja me dajre)

Të shanë, o drejtor – të shanë

Po ti nuk zbrite nga mushku.

O burra ta mbrojmë Kalanë

Urraaa, i joni është kolltuku.

Herë në televizor, herë në gazeta

Me shpatë në dorë dole në dyluftime.

Obobooo, i pavdekshëm në “Trumbeta“

Me kalorësit e arratisur – urime!

Gjakun e derdhe – përrua

Vetëm për kulturë e vatan.

Armët do të t’i varim në ftua

Të shanë o drejtor – të shanë…

HEJSHA: Dreqi e marrtë, na iku viti pa asnjë premierë duke e pritur drejtorin… Edhe atë,

gjithë ditën e gjithë natën në Klubin e Teatrit…

BOHEMI I LUMTUR: Dhe, ai si për inat, nuk erdhi. E ka humbur rrugën nëpër “Bit – Pazar”… Ose, e ka lidhur Gjokun përpara selisë, te Baba Parti…

HEJSHA: Baba Parti ka rënë në hall. Shumë kandidatë. Shumë intervenime… Shumë “Flijime” artistike… Trima pas lufte…

BOHEMI I LUMTUR: Ndodh, t’ua dërgojë ndonjë komandant me gjithë “kallashnikov” në krah… Ose, ndonjë kalorës të arratisur, që e kanë shaluar “vëllezërit “ e Njerkës pesëdhjetë vjet me radhë…

HEJSHA: Mundet. Në këtë Teatër përveç qenëve, njëherë ka ardhur edhe ujku…

BOHEMI I LUMTUR: Po. Po, në mes të qytetit. Edhe atë, në mes të ditës. E morëm dhe e dërguam në kopsht zoologjik…

PORTIERI: Urime, drejtorin! Urime… Më në fund erdhi…

HEJSHA: Cili?!... Vendosi më në fund Baba Parti?!...

PORTIERI: Po. Zeka i Zi…

HEJSHA: “Na paskan marrë më qafë“, siç thotë Regjisori… Megjithatë, do të lulëzojë Teatri… Drama shqipe…

BOHEMI I LUMTUR: Edhe do të pjellë këlyshë para dere…

HEJSHA: Urime! Ia pafshim hajrin… Gëzuar!... (E cakërron gotën).

ZEKA I ZI: Falemnderit, zonjë. (Ngrihet më këmbë ). Unë jam Zeka i Zi… Nuk udhëtoj për në Babilon, po për në Baba Tomor…

REGJISORI: Na morët më qafë… Rroftë Zeka i Zi!... Drejtori ynë i ri, që udhëton për në Baba Tomor…

ZEKA I ZI: Rroftë Baba Parti!... Kamariere, u jep të gjithëve të pranishmive, kush çka të dojë të pi!... Zeka i Zi nga një pushkë e qet përvjet… Herë me Kral e herë me Mbret…

KAMARIERJA: Siurdhëroni, zotëri. (U sjell të pranishmive të pinë. Në tavolinën e Zekës së Zi sjell edhe një tepsi me mish qengji).

PATRIOTI I VONUAR: (E ngre gotën dhe e cakrron me Hejshën). Rroftë drejtori!.. Rroftë Zonja KuqeZi…

HEJSHA: Rroftë!... Rroftë, edhe burri i saj melez!... Dhëndrri… Baba Parti…

ZEKA I ZI: Rroftë!...

LLUSTRAXHIU I KËPUCËVE: (Hyn me disa papuqe në dorë). Mirëdita!...

BOHEMI I LUMTUR: Zekë, nxirri këpucët, jepja llustraxhiut! Je drejtor, apo nuk je!...

ZEKA I ZI: (I nxjerr këpucët). Jam, si nuk jam. Ja, merri dhe pastroji mirë, ashtu si për drejtor!...

LLUSTRAXHIU I KËPUCËVE: (I merr këpucët. Ndërsa, Zekës së Zi i jep t’i mbathë papuçet. Del).

PATRIOTI I VONUAR: Tashti, për drejtorin e ri do të shkruaj një dramë. Edhe atë, çfarë drame se? Vetë të hipë shkallëve të Teatrit… Nuk është çudi ta dramatizoj edhe romanin tim, edhe pse nuk ka dialog…

ZEKA I ZI: E di ti, më. Dramë patriotike… Ose, siç thotë KritikZiu nëpër recensionet e tij teknefesqe, e “tabanit kombëtar”…

PATRIOTI I VONUAR: Moti e kam në kokë. Lufta e fundit në Maqedoni. Luftën, ku shkaut iu gërditë pushka… Edhe prijësit të Babës Parti, që i kam borxh gjithë jetën, do t’ia laj borxhin me një dramë patriotike…

ZEKA I ZI: Të lumtë! E meriton, më në fund të bëri shqiptar. Rolin kryesor do ta luaj unë… Regjisorin do ta marrim nga “vëllezërit “… E dini pse?! Jo, ë. Vetëm, “vëllezërit e duan kulturën shqiptare… Dramën shqipe…

BOHEMI I LUMTUR: Unë do të luaj rolin e atij Poetit rrebel, që gjatë luftës, Kryengritjes shqiptare në Maqedoni, Rrapin e shpalli zonë të lirë…

HEJSHA: Unë, atë të Mikes… Që, nën Rrap i jepte gji me shtama… Fuqi ta vazhdojë luftën me penë…

DREJTORI I SHEKULLIT: E unë, të atij Patriotit të Vonuar, që iku në Shqipëri… E zgjidhi mëzatin nëpër çarshi… I cili bëri shumë dëme gjatë luftës dhe e dënoi Nëna Parti… E vëllai i tij, pas katër vitesh, nga kamioni iu turr me brinja një politikani…

GAZETAXHIU: (Hyn me një torbë gazeta). Urdhëroni “Zekthin“. Numrin më të ri, ku Kalosh Çeliku ia ka dhënë Gani Xhafollit një Mike për 33 dashnore… Urdhëroni!...

EHAZDISURA: Djalosh, ma jep edhe mua një revistë!...

GAZETAXHIU: Urdhëro, zonjushë! (Ia jep revistën ).

EHAZDISURA: (E shfleton). E vërtetë qenka. E, çfarë do të jetë ajo Mike e Kalosh Çelikut, që i vlen sa 33 dashnore të Gani Xhafollit?!...

HEJSHA: Nuk e di. Melaqe. Në romanin e tij skandaloz: “Gratë e mia besnike “, thotë se është e pakapërcyeshme në shtrat…

EHAZDISURA: I çmenduri… Çka nuk i teket të shkruajë nëpër libra. I mbushi me “patriotë“ kuqezi… Kalorës të arratisur… Melezë… Rrospi Meshkuj…Thotë: I vijnë vetë Muzat nga toka e qielli… Ani… Po, çka i fut hundët edhe te gratë besnike?!... E kapërcej unë atë Miken e tij në shtrat… Edhe atë, vetëm gjatë një nate… Armët ia hedh për dritare… Ose, ia var pas dere, në një gozhdë…

HEJSHA: Vështirë. Thonë, se: Ajo i jep gji me shtama… Fuqi për luftë… Gjithë natën vret e pret “armiq” me shpatë…

EHAZDISURA: E, nëse i jap unë gji… Unë, atëhërë çka do të bëjë nën Rrap!?... Dihet, do të bytry si mëzat livadheve… Gurët i hudhë mbi shpinë… Sheshin  e bën istikam… Rrapit i sulet me brinja…

HEJSHA: Hesht! Vjen drejtori…

EHAZDISURA: Budallaqja. Po, nuk i kemi njëqind drejtorë… Erdhi njëhërë drejtori… Nuk do të na e dërgojë për çdo ditë nga një drejtor Baba Parti…

HEJSHA: Nuk dihet. Baba Parti e ndryshon vendimin brenda natës… Ku ta dish, nesërmëngjes na dërgon tjetër drejtor… Ramizin…

EHAZDISURA: Mirë thua, nuk i dihet Babës Parti… Nuk i zihet besë… Pse, a nuk na i dërgoi gjatë një muaji pesë drejtorë… Punemadhe, nëse na e dërgon edhe një “patriot” kuqezi…  Ne jemi mësuar më duke e pritur drejtorin… Hajt, gëzuar!... (E cakërron gotën ).

HEJSHA: Gëzuar, shoku drejtor!... (Ngrihet më këmbë).

ZEKA I ZI: Gëzuar! Rroftë, Zonja Kuqezi!... (Në ndërkohë hyn Llustraxhiu i këpucëve dhe ia mbathë këpucët drejtorit). Ja, merre shpërblimin! (I nxjerr disa lekë dhe ia jep llustraxhiut).

BOHEMI I LUMTUR: (E ngre shtambën me verë). Gëzuar, deri nesërmëngjes! Zonja Kuqezi nuk do të shkruajë më poezi… Tashti e tutje do të merret me politikë madhore… Lobin e kurvave partiake…

EHAZDISURA: Tybeistifa!... Mos ndjell kob!... E kush do të merret me Rrospitë  Meshkuj?!... Trusakatët… Zonja Kuqezi e do poezinë… Melezët… Artin… Babën Parti…

BOHEMI I LUMTUR: Nuk i dihet Babës Parti. Nesër, po ti teket na e dërgon edhe një drejtor të ri… Edhe atë, lidhur për brinjash… Ose, ndonjërin nga Lobi i kurvave… Që, më së shumti e ngre zërin për të drejta të barabarta të grave…

ZEKA I ZI: Hi-hii-hiii… Burrat duhet ta ngrejnë zërin për të drejta të barabarta… Liri… E, jo gratë… Në rrugë të dalin me parulla… Pankarta…

HEJSHA: Jo, o Zot! Mjaft për një muaj na i dërgoi pesë mëzetër të tredhur… Koha është të na e dërgojë edhe një kurviçkë…

BOHEMI I LUMTUR: E, ku do të ha unë drekë?!... Pi gji… Rrokullis shtama me verë bythekrye, nën Rrap…

HEJSHA: Ha, ku të duash… Pi gji, ku të duash… Rrokullisi sa të duash shtamat… Vetëm, nuk duam për çdo ditë drejtorë të ri… Mëzetër që i kanë tredhur “vëllezërit”  e Njerkës, në shtetin e “përbashkët”…

BOHEMI I LUMTUR: Doni, nuk doni zonjë, unë këtë e di… Po, nuk e di, a e di edhe Baba Parti?!... Megjithatë, drejtor më të mirë për ju se Ramizin, nuk e bënë nëna…

HEJSHA: (Ngrihet më këmbë dhe bërtet si e çmendur). Mjaft më, me këta drejtorë se më çmendët!... Mjaft!...

BOHEMI I LUMTUR: O bini burrat e mejdanit!... Gratë e burrave!... (U bie duarve shuplakë). Rrokni armët!... O vdekje, o liri!... Nesër, përsëri do të hamë mish qëngji… Përsëri do të pimë gji… Rroftë Zonja Kuqezi!... Rrofshin kurvat e Nënës Parti!... Rrofshin Melezët!... Rrofshin viçat e palëpirë!... Rroftë Baba Parti!... (Muzikë luftarake ).

(Errësira bie në skenë).

4. VAZHDIMI I PROVAVE

ME BEQËN E MADH

Përsëri Klubi i Teatrit. Aktorët si çdo ditë e presin drejtorin e ri në një tavolinë. Papritmas, në Klubin e Teatrit hyn Portieri dhe Beqa i Madh me kamxhik në dorë. Aty për aty bie heshtja… Qetësi varri… Drejtorit të Shekullit, Pashterkëkuqes dhe Gjeniut të Nënës Parti u bie të fikët… Rrëzohen në skenë…

BOHEMI I LUMTUR: (Turret drejtë tyre me një shtamë me verë në dorë. Përpiqet t’u japë të pinë). Ndihmë!... Ndihmë!...Thirreni Nënën Parti se vdiqën!... Nuk e pinë verën… Rakinë… Janë muslimanë… Turq, ehamdurla… Ujë!... Një kovë ujë!...

HEJSHA: O Imzot! Shpëtoi edhe kësaj radhe!... Nëna Parti nuk i merr në dorë… Pesëdhjetë vjet kanë qenë komunistë… Masha shqiptare…

EHAZDISURA: Largohuni! Prit, t’u jap unë gji… Vetëm, unë i çoj më këmbë… (E shpërthen një pullë, përpiqet ta nxjerrë njërin gji…) Kot. Edhe Muhamedi a. s. nuk i merr në dorë. Edhe pse, Ditën e Bajramit i shkruan letër: Ej, i dashuri i Allahut! Nuk e dinë ti çka bëjnë muslimanët e tu besnik. Ne, na vjen turp të të tregojmë në këtë letër. E kanë përqafuar kulturën e huaj të shkaut. Doket… Zakonet… Veshjet… Ujin e kanë zëvendsuar me raki… Xhamitë me shtëpi publike…

HEJSHA: Tybeistifa!... Qoftë rrenë!... (Vrapon me nje kofë më ujë). Mos u ngut! Prit, njëherë! E kotë. Nuk japin shenja jete… Tollosuni sikur u ka rënë me tokmak në kokë… Dexhalli me trumbeta u pri para për në Xhehnem… (Ua hedh kovën më ujë).

BEQA I MADH: (U bie me kamxhik). Zgjohuni, patriotë!... Mjaft fjetët më në skenë!... Baba Parti më dërgoi mua që t’ju zgjoj me kamxhik…

HEJSHA: Mëkot. E kanë gjumin e rëndë… Ja, disa vite shohin ëndrra… Flasin jerm nëpër skenë…

BEQA I MADH: Ëndrrat nuk shihen ditën…

EHAZDISURA: E natën e kanë frikë Lugatin… Tollosunin… Nusen me pashterkë të kuqe… Dexhallin me trumbeta…

BOHEMI I LUMTUR: Jo. Tollosunin nuk e kanë frikë… Edhe Zonjën Kuqezi me dy shamia lidhur për brezi… Thonë se i kanë miq… Vëllezër… Motra… Bashkë bëjnë art… Orgji patriotike… Politikë madhore kombëtare… I falin të pestë vaktet… Vit për vit shkojnë në haxhillëk… E vrasin Shejtanin me gurë…

BEQA I MADH: Art bëj unë më kamxhik në dorë… Baba Parti… Shihe si ua ndaj rolet në skenë!... (U bie me kamxhik). Zgjohuni!...

HEJSHA: Imzot, mjaft më!... U doli gjumi…

BEQA I MADH: Jo, ende… Flasin jerm… Brekët i mbajnë me dorë… U ngatërrohen nëpër këmbë… U shpëton shurra… I mbushin…

DREJTORI I SHEKULLIT: (I hap sytë). Ku ndodhem?!... Ç’po ndodh me mua?!...

BEQA I MADH: Në teatër… I ndajmë rolet… Unë jam regjisori… Muzikë! (Bërtet). Muzikë!... (Në skenë dëgjohet muzikë).

PASHTERKËKUQJA: Edhe unë e dua një rol!... E ngrej këmbën… I përdredh bythët… E hedh shaminë… E heq vallen… I bie dajres…

BEQA I MADH: Ndaleni muzikën! Nuk e do rolin e drejtorit?!...

PASHTERKËKUQJA: Jo. Baba Parti nuk ka besim në mua, nuk i do mashat shqiptare… Qysh para Vitit të Ri, dhash dorëheqje…

BEQA I MADH: Atëherë. Po, atëherë cilin?!...

PASHTERKËKUQJA: Rolin e Babadimrit!... Fëmijëve t’u shpërndaj dhurata… Parulla të thata… Patetikë…

BEQA I MADH: E ka marrë Baba Parti… Nesër është premiera…

PASHTERKËKUQJA: E, a e keni edhe për mua ndonjë biletë?!...

BEQA I MADH: Jo. Janë shitur që të gjitha…

PASHTERKËKUQJA: E, kur do të jepet repriza?!...

BEQA I MADH: Pas një jave… Natën e Bajramit… Hoxha kur do të hipë në minare… Muhamedit a. s. kur do t’i dërgohet letra e dytë nga imami i xhamisë…

PASHTERKËKUQJA: Me siguri atëherë do të ketë edhe bileta?!...

BEQA I MADH: Ndoshta… Të shpresojmë…

DREJTORI I SHEKULLIT: E unë, kur do ta shoh shfaqjen?!

BEQA I MADH: Atëherë, kur do të thotë Baba Parti…

DREJTORI I SHEKULLIT”: E, nëse nuk thotë?!

BEQA I MADH: Asgjë. Nuk thotë… Qofshim shëndoshë!... Allahu na pjektë në hajret!...

HEJSHA: Shuani dritat!... (Errësira bie në skenë).

EHAZDISURA: Ndizni dritat!... (Ndizen dritat).

BEQA I MADH: (Me kamxhik në dorë duke ecur nëpër skenë). Fillojmë me provat e shfaqjes Repriza e “vëllazërim – bashkimit“!... (U bie me kamxhik karrikeve. Dyshemesë). Muzikë, lëshoni në skenë!... Muzikë…

HEJSHA: Hë, erdhi drejtori!... Na shpëtoi Zoti… Erdhi drejtori… Erdhi drejtori… (Vrapon si e çmendur nëpër skenë).

BOHEMI I LUMTUR: Edhe Pashterkëkuqja…

HEJSHA: O Imzot! Ne e prisnim vetëm një shpërblim. Drejtorin na e solli Baba Parti… Po, Pashterkëkuqen kush na e solli?!... Kush?!...

BOHEMI I LUMTUR: Edhe Pashterkëkuqen na e solli Baba Parti… Mashat shqiptare… “Vëllezërit“ e Njerkës… I ngjallën lugetër komunistët e vjetër… Trusakatët… Rrospitë Meshkuj… Melezët…

HEJSHA: Shpëtona, o Zot!... Erdhën Trusakatët… Shpirt Tredhurit… Melezët… Edhe sa herë do të vdesin?!... Ringjallen… Shiten… Cofin…

BOHEMI I LUMTUR: Sa herë që të dojë Buça e Katundit… Kurva plakë, që pjellë këlyshë me zgjebe sokaqeve dhe na i le para dere…

HEJSHA: Po, Patrioti i Vonuar nuk është vizioner… Disident… Politikan… Këtë e ka dëshmuar disa herë me radhë. Kurrë , nuk ia ka qëlluar nëpër intervista. Gjatë zgjedhjeve e përkrahu partinë politike, që humbi në zgjedhje. I shpalli tradhtarë intelektualët shqiptarë. E në mjetet e informacionit, udhëheqësit e UÇK –së i shpalli spiunë të Beogradit…

BOHEMI I LUMTUR: E tashti hipi në shkam të na thotë, se: në mes të “vëllezërve” e shqiptarëve ka mirëkuptim… Dashuri…

HEJSHA: Hi-hii-hiii… Trim pas lufte… Me cilët “vëllezër“ ?!... Vëllezërit e vërtetë të fisit Ilir, apo me “vëllezërit” e Njerkës ?!... Lehtë e ka nga shkami i Qeverisë të na propagandojë “vëllazërim – bashkim“… Po, atë duhet ta bëjmë ne, që e kemi qe pesedhjetë vjet mbi kurriz. E jo Patrioti i Vonuar që e ka shitur veten për poste partiake, një torbë taxhi…

BOHEMI I LUMTUR: Është shitur lirë. Edhe atë, për pak lekë: botimin e ndonjë libri në një gjuhë mishmash, që është duke dhënë shpirt…

HEJSHA: Hi-hii-hiii… E siguroi një post te Baba Parti… Nesër edhe ndonjë çmim letrar… Zëvendësdrejtor në Radiotelevizion… Qeveri …

BOHEMI I LUMTUR: Bota nuk ha bar… Tashti më kujtohet, edhe pse aq shumë iu ngjitë për herdhesh prijësit të Babës Parti… Lasgush Poradecit…

HEJSHA: Lasgushi ishte i madh. Oborrit, kurrë nuk iu soll rrotull si këlysh, po si luan…

BOHEMI I LUMTUR: Tashti, më kujtohet, edhe pse në libër shkruan se: Lasgushi njëhërë kur e kishin vizituar në shtëpi u kishte thënë: nuk e ka çelësin e derës. Nafija e kishte mbyllur në shtëpi, dhe çelësin e kishte marrë me vete në pazar…

HEJSHA: Hi-hii-hiii… Gjeni ka qenë Lasgushi… Gjeni… Nuk ka dashur t’ua hapë derën, t’i pranojë në shtëpi…

BOHEMI I LUMTUR: Me siguri Patriotin e Vonuar e tërheq për dore Buça e Katundit… E dërgon te çeshma me shoshë… E këndej nuk i jep të pijë ujë…

HEJSHA: Akademia e Shkencave të “ vëllezërve “ do t’i japë edhe një çmim nderi… I ka pak si në huj melezët… Trusakatët…

BOHEMI I LUMTUR: Antologjike. E futën në një thes kanapi… Speca… Patate… Domate… Banane… Tashti duhet t’ia lidhin vetëm grykën me kordhë… Ta hudhin në kontinierin e Babës Parti…

HEJSHA: Fatkeqësi kombëtare… U mbush plot kontinieri. Bërlloku filloi të derdhet në rrugë. Qelbet… Edhe sa herë do të shitet?!... Ecë pas gomarit… Zgjidhë brekët…

BOHEMI I LUMTUR: Nuk e di. Edhe sa herë të ketë nevojë Buça e Katundit…

HEJSHA: Ende nuk përfunduam me provat?!...

EHAZDISURA: Jo. E presim Patriotin e Vonuar… Edhe ne t’i japim një çmim nderi… Duartrokisim… Teneqen t’ia lidhim për bishti…

REGJISORI: Hajde më, çka prisni?! Futeni në skenë edhe atë patriot kuqezi, se: na morët më qafë…

PATRIOTI I VONUAR: (Hyn hipur në gomarin të cilin e tërheq për kërpeshi DoktorZiu. Nga bythët e shtyn në skenë Rrospia Mashkull. Zonja Kuqezi turret dhe ia var për qafe një torbë taxhi…) I lumtur jam që gjendem në mesin tuaj, që keni mirëkuptim… Dashuri… E kalisni “vëllazërim – bashkimin“… E ringjallët nga varri… (Muzikë e tmerrshme).

EHAZDISURA: Ndaleni muzikën! Repriza e “vëllazërim – bashkimit“ është të shtunën e ardhshme… Me shëndet!... Ia pafshi hajrin!... Natën e mirë!...

5. FUNDI I GROTESKËS

SHUANI DRITAT

BOHEMI I LUMTUR: Pritni!... Ende nuk ka mbaruar premiera: Repriza e “vëllazërim – bashkimit“…  (Duartrokit). Shuani dritat!... (Errësirë). Nëpër gjysëmterr i sulet të Hazdisurës. E puth. Frymarrje e thellë… Piskamë… Oh… Oooh… Oooh… Edhe më fort!... Edhe më fort!... Ashtu… U çmenda… Vdiqa…

HEJSHA: (Bërtet). Ndizni dritat!... (Skena ndriçohet nga reflektorët. Në një kënd shihen të shtrirë qafë për qafe Bohemi i Lumtur me të Hazdisurën ). Heej, çka bëni atje ju të dy, jeni çmendur?!... Ende nuk kemi mbaruar me provat…

BOHEMI I LUMTUR: Po bëjmë orgji patriotike… Lënurim lesh harapi… Çorapë me një shtizë… Tollosuni na ka rënë me tokmak në kokë… Xhindet… Nusja me pashterkë të kuqe… Nuk na do Nëna Parti… Nuk na do as Baba Parti… Thonë: hajmali nuk kemi për qafe… Punemadhe, na do vera… Poezia… Dhe, Gratë besnike…

HEJSHA: Fatkeqësi kombëtare… Po, halli?!... (E merr në prehër duke ia përkëdhelur flokët… Ballin…) O Imzot, ty të paskan pushtuar të tërin xhindet!... Dorë më dorë të hedhin majë lisave… çati më çati…

BOHEMI I LUMTUR: Edhe më rrahin… Gjithë natën më ngopën dajak… Urdhërojnë… (Vazhdon ta puthë të Hazdisurën).

HEJSHA: Shpëtoje, o Zot!... Çka të thonë?!...

BOHEMI I LUMTUR: Marrëzira… Më detyrojnë Buqës së Katundit t’ia përzë xhindet… Këmishën e bardhë deri në fund të këmbëve t’ia hedh mbi kokë mbi varrin e Babashehut…

HEJSHA: Qyqja unë e mjera!... E paskan zënë natën duke bërë shurrën në sofër të xhindeve… Thirreni hoxhën!...

BOHEMI I LUMTUR: Hi-hii-hiii… Kot e keni… Nuk më zënë hajmalitë e hoxhës, po të grave… Moti u kam thënë, se: jam si ai ujku i uritur në male… Dhe, sa herë që zbret në katund, turet pas ndonjë rrunze ta hedhë në shpinë… Egërsisht ta rrëzojë pranë një burimi… Lumi… Piskama t’i shkojë për qielli… Edhe pas shtatë maleve t’i dëgjohet zëri…

HEJSHA: Tybeistifa!... Nuk paska shpëtim… E kanë pushtuar xhindet këmbë e kokë… Ku mbeti Regjisori “na morët më qafë“?!... Thirreni Regjisorin!...

BOHEMI I LUMTUR: E thirrëm, po nuk vjen patrioti… I turret pas Pashterkuqes… Zonjës Kuqezi… Babës Parti, mos i bien udhës… Ululuuu… Ululuuu… Ululuuu… Mmm… (I futet edhe njëherë të Hazdisurës. Dikur, e tërheq për dore drejt derës). Hë, erdhi!...

HEJSHA: Kush erdhi?!... Qyqja, ne të mjerat!... Kush erdhi?!...

BOHEMI I LUMTUR: Pashterkëkuqja… Pashterkëkuqja me ferexhen krahëve… Binu duarve shuplakë!... Shuani dritat!... Lëshoni muzikë!... Përdridhni bythët!... (Errësira bie në skenë. Muzikë nga Jimi Hendrix: Hey Joe)…

( P a s  p r e m i e r ë s )

Papritmas, në skenë ndizen dritat. Në holin e Teatrit, gjatë koktelit aktorëve ua urojnë sukseset të pranishmit. Gazetarët i sulen Patriotit të Vonuar, Zonjës Kuqezi, Regjisorit, Pashterkëkuqes dhe Bohemit të lumtur.

GAZETARËT: (I drejtohen Patriotit të Vonuar me diktafonë e kamera në dorë). Ju jeni autori i tekstit të dramës, sa jeni të kënaqur nga Regjisori dhe aktorët?

PATRIOTI I VONUAR: Jo i kënaqur, por i tejkënaqur. Edhe i befasuar. Tashti më në fund u binda se ne kemi regjisorë dhe aktorë të shkëlqyeshëm sa edhe bota të na e ketë lakmi. E kanë realizuar premierën me gjak e me shpirt. Tashti për tashti ky është edhe kulminacioni i artit të tyre para publikut…

GAZETARËT: (I afrohen Zonjës Kuqezi). Po, ju zonjë, çka mund të thoni për premierën?

ZONJA KUQEZI: E shkëlqyeshme. Edhe teksti edhe loja e aktorëve. Kjo do të thotë se, Baba Parti kur do mund të mirret edhe me art

GAZETARËT: (I turren Regjisorit me diktafonë e kamera në dorë). Zoti Regjisor, ju e keni pasur barrën kryesore në kurriz. Çka mund të thoni për premierën? Ndonjë problem?!... Ose, pse në këtë premierë vërehet qartë nepotizmi, familjarizimi, miqësia…

REGJISORI: Dihet. Vështirë është të vehen në skenë kësi temash problematike të së kaluarës moniste: Tradhtisë mes gruas dhe burrit… Problemin kryesor të popullit shqiptar… Megjithatë, unë iu rreka punës dhe arrita suksese. E shpëtova artin shqiptar nga partitë politike. E për sa i përket nepotizmit, familjarizimit, miqësisë… Mund të them se edhe ky është art më vete në shoqërinë tonë demokratike…

GAZETARËT: (E diktojnë në një kënd edhe Pashterkëkuqen ). Edhe ju keni një ndër rolet kryesore në këtë premierë. Ҫka mendoni, a ia arritët qëllimit?

PASHTERKËKUQJA: Plotësisht. Përderisa i kemi “ vëllezërit “, ne mund të bëjmë edhe art. Ҫ’atë ditë që vdesin “ vëllezërit“, ne duhet edhe t’i lajmë duart nga arti… Shpërblimet…

GAZETARËT: (Më në fund i sulen Bohemit të Lumtur, që është fshehur në një kënd pranë tryezës së koktelit me një shishe uiski në dorë). Edhe ju keni një rol kryesor në këtë premierë. Me çka mund të lëvdoheni ju, zotëri?

BOHEMI I LUMTUR: (Pasi e çon shishen dhe pi një gllënkë). Premiera, vërtetë ka qenë e shkëlqyeshme. Edhe teksti edhe rolet e aktorëve. Po, mbi të gjitha shkëlqeu vera e kuqe dhe e Ehazdisura…

GAZETARËT: Ju falemnderit. Suksese!...

(Errësira bie në skenë).

Fund

Shkup, 5 nëntor 2003

Nga Libri: Imzot, lehin qentë (Shkup, 2013).



(Vota: 14 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora