E premte, 19.04.2024, 05:18 PM (GMT+1)

Kulturë

Resmi Osmani: Me sytë e fëmijës (13)

E diele, 15.05.2022, 07:47 PM


Resmi Osmani

Roman-vazhdimi

ME SYTË E FËMIJËS

Trembëdhjetë

Fluturoja nga gëzimi.Përfundova klasën e katërt, atë që quhej shkolla fillore.Në ato vite zihej për e madhe dhe të hapte  udhën për më tej. Ne të klasës së katërt, u rreshtuam në oborrin e shkollës. Sikush veshur sa më mirë, vajzat me fustane lulushane dhe me fjongo në flokë, të gëzuara, ngjanin si flutura e cicëronin si zogjtë. Prindërit zunë vend anash nesh.Psherëtiva. Eh, po unë s’kisha babanë dhe e ndjeja sa shumë më mungonte.Nëna nuk mund të vinte dhe të dy vëllezërit ishin në punë. Dita ishte e bukur, drita e diellit ndrinte, dhe derdhej mbi kambanaren e lartë të kishës, kurorat e lisave dhe gjithë hapësirën, mu si vërshimi i një lumi drite. Qielli ishte fare i kaltër e i pastër si loti. Në sytë e shokëve dhe të shoqeve vija re atë dritësim që buron nga një gëzim i brendshëm, por edhe një mallëngjim që do të ndaheshim nga shkollë që na qe bërë aq e dashur për katër vjet.  Brenda mureve të saj, si në një kuti magjike , mbylleshin gjithë ato kujtime të fëmijërisë sonë, herë të gëzuara e herëv të trishtuara, të cilat s’do të na shlyheshin kurrë nga kujtesa, e që do të ktheheshin në sytë e mëndjes, si hije, sa herë t’i thërrisnim. Ato vite  ku në çdo ditë mësonim një gjë të re, na ngjalleshin shpresa e dëshira dhe ëndërra të bukura për jetën. Mësuam se kishte një jetë tjetër, ndryshe nga ajo e përditshmërisë sonë. Për ne bota ishte bërë më e madhe, më e bukur, më e njohur, ishin hapur horizonte të tjera  dhe përfytyrimi ynë vegonte një jetë ndryshe, si të ëndërrt.

Qe si ditë feste. Kori i shkollës këndoi këngë partizane, ndërsa nga vajzat pati recitime të vjershave të bukura të Naimit, Çajupit dhe poetëve të tjerë. Për mësuesit tufa me lule. Drejtori i shkollës, mësues Ilia, mbajti fjalën e rastit. Edhe ai dukej i mallëngjyer.Na shihte me dashuri, e njihte secilin nga ne, por edhe si me një keqardhje që po ndahej prej nesh. Na tha: se ne sapo kishim hedhur hapin e parë në rrugën e dijes. Se rruga ishte ende e gjatë, nuk duhet t’i ndaheshim shkollës, se dituria do të na hapte gjithë portat ku do të trokisnim dhe do të na ndryshonte jetën. Pastaj na thirri emrat, një nga një dhe na dha dëftesat, shoqëruar me një fjalë urimi. Imja me të gjitha pesa! Mua edhe fletë lavdërimi dhe një libër dhuratë.

Kur u ktheva për në shtëpi, të parin që takova ishte Hajdëri. Ai e kishte mbaruar filloren një vit para meje, dhe i kishte mbyllur llogaritë me shkollën. E pa me kërshëri fletëlavdërimin, e ktheu par’ e mbrapsht dhe më tha me të tallur: “Zieje dhe piji lëngun tri herë në ditë, e do të shërohesh nga çdo sëmundje!”- Nuk më erdhi mirë, biles më hipi inati dhe u zemërova. Më kishte prekur mu atje ku s’mbaja. Mbarimin e shkollës,  e quaja gjë të madhe dhe veten daha më të ditur! Librin me tregime, që titullohej “Gruri nuk  u dogj” që e kishte shkruar shkrimtari Fatmir Gjata, më tha që pasi ta lexoja, t’ia jepja dhe atij.

Të shtëpisë nuk ishte se u gëzuan kushedi çfarë, se isha i pari në familje që mbarova shkollën fillore. “Mirë e mbarove, po më tej?” Më dukej se më thoshin. Tani më i rritur, kisha mbushur njëmbëdhjetë vjeç dhe hyrë në dymbëdhjetë, isha i lirë dhe mund të merresha me ndonjë punë për t’i ardhur në ndihmë nënës.Në moshën që kisha tani, të dy vëllezërit u pajtuan hysmeqarë që të na  siguronin bukën e gojës. Dhe punë kishte sa tëduash.

***

E quanin Vangjel, por nuk e di pse i kishin ngjitur nofkën “Patrik”. Ishte në moshë më i madh se mua dhe e bënte shkollën në Fier,rrinte te ca fis i tij. I ardhur për pushimet e verës, kishte nxjerrë, si edhe unë,  delet për kullotë në Shesholl. Iu afrova. Ishte përhumbur mbi një libër që e mbante hapur me të dy duart dhe fliste me zë ca fjalë që mu dukën të çuditshme se ishin të pakuptueshme. Kur hija ime ra mbi të, e ndërpreu leximin.

- Hë, ç’kemi?- Më pyeti.

Koka e Patrikut, flokëkashtë, syhirrë, hundësqep, fytyrëhequr, ngjante  si kokë zogu. Përherë i buzëqeshur edhe kur fliste dukej sikur cicërinte.

- Ç’e ke atë libër? Po të dëgjoja por s’kuptoja gjë nga ato që thoshje me zë.

Ai i dha rëndësi vetes, e hoqi atë buzëqeshjen dashamirëse.

- Si t’i kuptosh mor mik, janë gjuhë e huaj, është rusisht.Kemi filluar të mësojmë bashkimsovjetikçe, gjuhën e mikut tonë të madh. Hajde bir hajde! lere se ç’vete. Do që t’i dish ca fjalë? Ja dëgjoji: Karandash-lapsi; tetrad-fletorja; knjiga-libri; mat-nëna; atjec-babai e plot të tjera. Edhe shkronjat, që u thonë bukva, i kanë ndryshe nga tonat por mësohen kollaj. E pyeta si u thoshin në atë gjuhë deleve, qenit, tokës, diellit, hënës e yjeve, por Patriku më tha të mos bëja pyetje të vështira,  se ende s’i kishin mësuar, por me siguri do t’i mësonin vitin tjetër.

- Do të të recitoj edhe një vjershë?- Dhe pa pritur pohimin tim  ia nisi:

Otkrëjvaesh knjigu tëj,

Shelestjat evo listvëj,

Na listjah, za rjadom rjad

Çjornëje bukvëj stojat!

Nashti dëgjoje shqip: kur ti hap librin, fletët e tij fëshfërijnë dhe në ato fletë, rresht pas rreshti, qëndrojnë shkronjat e zeza! Bukur hë? Si thua.

Ngrita supet. S’dija se ç’ti thosha.Ajo vjersha nuk mu duk kushedi se çfarë, se vjershat tona për abetaren ishin më të bukura, apo Patriku nuk diti ta përkthente tamam.

- E mbarove klasën e katërt?

- Po.

- Ç’ke menduar të bësh?

- Nuk e di. Nuk e kam menduar.

- Dëgjomë mua, mos ju ndaj shkollës. Kujt i hyn në punë me katër klas shkollë? Zere se s’ke bërë fare shkollë! - O dreq, më kishte trazuar mu aty ku më dhembte.

- Shkolla është në Fier, daha larg, pastaj ne jemi ngusht, mezi i ngrysim ditët  dhe s’ja kemi vaktin salltanetev të shkollës.

- Fieri larg? Jo mor mik, një vrap pele. Po ti ngasësh këmbët mirë, as një orë. Dy orë - vajtje ardhje. E ç’janë dy orë për një djalë si ti? Hiçgjëfare, po të mendosh përfitimin. Pastaj, mund të jesh i varfër, po mjafton që je nga mëndja i pasur. Kjo mjafton, mor mik.- Patriku bënte ç’bënte e përdorte fjalën “mik”, duket që ishte mënyra si I drejtoheshin njeri-tjetrit qytetarët.

Më pas, më foli për shkollën shtatvjeçare“Naim Frashëri”, që ishte e re, me tulla të kuqe, ndrinte nga pastërtia, e mësuesit s’kishin të numruar, se për çdo lëndë kishte një mësues. Aty vinin nxënës nga fshatrat rrotull por edhe qytetarë. Shkolla kishte korin dhe grupin teatral që jepnin shfaqje, në gazetën e murit shkruanin vjersha. Pastaj, lere,lere vajzat qytetare, të bukura , t’i pije në kupë, veshur, nisur e stolisur, jo si këto tonat, Nora e llazit dhe Tilja e Vasilit me shoqe, që vishen me cibunë të thurur me shtiza e bien era shurrë!

Nuk më erdhi mirë për të dy vajzat që i zuri ngojesh, ato ishin shoqet e klasës sime. Patriku e kishte ngritur hundën ca si shumë përpjetë.

-Kur të rritesh, ç’ke dëshirë të bëhesh?

- S’e kam menduar, po do të më pëlqente mësues.

- Çka, s’ është dhe keq,sido që nxënësit të çajnë kokën.

- Po ti?

- Do të shkoj në shkollën “Skënderbej”, i ke parë begsat sa uniforma të bukura kanë? Pastaj do shkoj në shkollë për pilot, që të fluturoj si zog në qiell!- dhe tundi krahët e hapur si të donte vërtet të fluturonte.

Shqeva sytë tek e shihja. Pa shih ku i kishte shkuar mëndja! Patriku dukej se besonte në atë që thoshte.

Kur shtrëngoj vapa, delet u mblodhën  xhumbë, kokë më kokë që t’i shpëtonin diellit që digjte, ne u ndam  dhe i çuam delet për të mrizuar.

Patriku iku, por më futi xanxën e shkollës që po më bluante së brendshmi e s’më linte të qetë.

Më bëri të mendoj e ëndërroj.

***

E diela e fundit e qershorit. Ishim të gjithë në shtëpi.Gjylon, nëna e dërgoi të merrte një porosi te Zeli. Ishte e menduar, na shihte me radhë dhe dukej se diç donte të na thoshte. Pasi heshti një valë herë, nëna, disi e mallëngjyer e me zë të drithëruar na dha  lajm: Gjylon, e kërkonte për nuse, një djalë nga krahina jonë që rrinte në Fier. Nuk mu duk se e gëzonte kjo kërkesë , dukej e trishtuar dhe e pavendosur,si për një gjë të papritur e të parakohshme. Për të parë Gjylon, se në ato kojhë djali dhe vajza nuk shiheshin, kishte ardhur e motra e djalit dhe vajza i kishte pëlqyer. Për të parë atë që do të ishte dhëndërri shkoi Damani. Tha që ishte goxha djalë, nga shtëpi e mirë e punonte në ndërtim, për të mësuar zanatin e muratorit. Gjylua sapo kishte hyrë në të  gjashtëmbëdhjetat. Ishte ca si shpejt, po nëna tha se një ditë nga ditët kjo do të ndodhte, se vajza e ka nderin në shtëpi të burrit. Ta bënim fejesën e nga vjeshta dasmën.  Ne nuk tham gjë. Vendimi i takonte nënës që na kishtye lindur e po na rriste.Më shumë se ajo s’na e donte kush të mirën. Me Gjylon do të bisedonte vetë ajo.

Meqënse ishim të gjithë, unë u thashë se dëshiroja të vazhdoja shkollën. Kjo kërkesë imja i zuri si papritur, ngaqë nuk e kishin menduar. U fol gjer e gjat për vështirësitë: shkolla ishte në Fier, vajtje-ardhjet përditë më këmbë, pa do të vinte dimri, me shira e të ftohtë, po duheshin edhe lekë për libra dhe ushqimin e përditshëm, e plot gjëra të tjera. Sikush e kishte nga një fjalë për të thënë, e dukej se nuk pajtoheshin me dëshirën time. Por, prapëseprapë, unë e kisha vendosur dhe këmbëngula: “Për hir të shkollës do t’i duroj të gjitha: edhe vajtje-ardhjet më këmbë edhe të ftohtit dhe shirat, makar edhe urinë! Damani me Sadiun, më thanë: ”Ti e di,  po ta ha syri dhe i del për zot, shko, ne nuk  të bëhemi pengesë”.

Këshilli i familjes e vendosi: Idrizi të vejë në shkollë, se shkolla të hap sytë. Por duheshin ca të shkreta lekë, a mund të punoja gjat verës për t’i fituar? Po, do të punoja!

***

Binak Sadria,në mëallën e kosovarëve, kërkonte një bari për tufën e deleve të veta. Damini bisedoi me të dhe unë u pajtova bari për muajt e verës. Një palë opinga , dy vakte bukë dhe  njëmijë lekë në muaj. E po për mbarë qoftë!

Binaku, në mesmoshë, ishte shtatlartë dhe i plotë, në kokë një plis kosove e nën hundë mustaqe të plota. E shoqja, Fazlia, kishte në fytyrë zbehtësi prej hëne,me ca sy të përlotur, që i ndrinin si në ethe, e ligur, ankohej për pafuqi dhe dhimbje  të paprerë koke. Nanlokja e Binakut, trupshkurtër, e rrudhur, rrëgjuar nga pleqëria, kishte veshje që mu duk disi e paparë dhe e çuditshme: këmishë pëlhure të bardhë deri te gjunjët, jelek, dy përparëse me vija të kuqe, të endura në avëlmend, një përpara dhe një prapa, shallvare të futura në çorape leshi me lule. Në kokë një si lloj çallme që i linin të dukeshin flokët e thinjura. Nanlokja ishte shpuzë e gjallë e gjithmonë në lëvizje.Dukej që ajo komandonte në atë shtëpi. Kishin vetëm një fëmijë, si thonë në këto raste laj-thaj, vajzën. E  quanin Ilmije. Fazllia s’kishte lindur fëmijë tjetër e  siç mësova më pas, Binaku e kishte maraz një djalë. Ilmija ndoca shtatë-tetë vjeçe, e bukur si kukull, flokëverdhë, bardhoshe, sykaltër fytyrëbukur, lozonjare e nazelie si një kotele, I jepte gjallëri shtëpisë. Më mbetën sytë kur e pashë. Dukej që nga sjellja e veshja se ishte e llastuar.

Shtëpia, si gjithë shtëpitë e fshatit ishte përdhese, por kishte një hajat, streha e tij mbështetej  mbi binarë të trashë druri të vendosur mbi ca gurë katrorë. Qëndrova në këmbë,me ndruajtje dhe turp, në pritje që të dilte i zoti i shtëpisë. Befas në ballinë të murit, pashë si të  më fanepsej nga brenda shtëpisë, një djalë që rrinte më këmbë dhe mi kishte qepur sytë. Ishte figura ime që shfaqej në pasqyrën e varur në mur. E pashë me kujdes: flokëkashtë, ndarë me një vijë krehur anash, balli i gjerë, vetullat të harkuara, cepat e syve paksa të tërhequr, mollzat e faqeve të spikatura, fytyrën të pjekur nga dielli, këmisha pa jakë nga ato që qepeshin në shtëpi, pantallonat e shkurtëra, i hollë e i hajthëm, por që kishte hedhur shtat. I shkela syrin.Të njëjtën bëri edhe ai.Nga pasqyra më sodiste djali që s’ishte më fëmijë, por edhe fëmija që s’ishte bërë endë djalë! Vetsoditjen ma ndërpreu Ilmija:

-Po kqyr vedin?

- Po. - I thashë e u  skuqa se më zuri në  befasi.

- A të pëlqeu?

- Jo.

- As mua- tha ajo dhe fugoi përjashta duke u kukurisur.Sja mora për të keq.

Binaku, më çoi në vathë dhe  nxorëm dhentë. Më rrëfeu se ku duhet t’i kullosja: prapa pyllit të Tafil beut, në çairet ku ai kishte arat e tij, njera hamull, pas korrjes së grurit, tjetra e mbjellë me luledielli dhe ca më tej çairet. E dija ku ishte vendi. Ai i numuroi delet, pastaj më tha:

- Shiko mos bësh zarar dhe t’i sjellësh kaqë sa i more!

Nanlokja, se ku gjeti një palë shoje dhe me spango, nyje pas nyje më thuri opingat.Më rrinin mirë dhe të paktën nuk më shponin gjembat.

Nxirja përditë delet në kullotë. Mërzi e madhe. Isha vetëm. Mora për të rilexuar librin dhuratë”Gruri nuk u dogj, sa zere se e mësova përmenç dhe librin e këndimit të shkollës. Personazhet e atyre që lexoja, ishin ashtu siç do të doja të isha edhe unë, por ç’edo që nuk isha! I përkisnin një tjetër bote, një tjetër jete. Kur më merrte urija, haja bukën dhe djathin që Nanlokja më jepte me vete: djathi i mbështjellë me gjethe pjergulle dhe buka në një gazetë. Isha hatërmbetur nga Nanlokja : të shumtat e herës, misërnikja ishte bajate dhe djathi i zverdhur e pashije. Eh, buka e botës, buka e hysmeqarit,bukë e hidhur! Por kur s’ke tjetër, do hash atë që të japin, si i thonë: kur ske pulën do hash sorrën! Drekave më ulnin në sofër, por një rast më mbeti gozhdë.Hanim në një çanak. Një tas bakri, ishte mbushur me tarator, në dhallën e hollë kishin shtirë pak trangull të grirë. Që të më binte ndonjë rriskë trangulli në lugë unë e krodha në mes të tasit të përbashkët. Binaku më bëri vrejtje: “Mos e gjezdis lugën, ha në vend tënd!” Mbase kishte të drejtë, por se desha veten, kafshata më mbeti në fyt.

Ditët mezi shtyheshin. Fundi erdhi parakohe, dhe ja si ndodhi: Po shtrëngonte vapa, delet ishin në çair. U ula në hije të shelgut, me shpatullat mbështetur pas trungut dhe pa dashur më zuri gjumi. Nuk e di sa fjeta, por kur u zgjova, ishte në të perënduar të diellit, delet nuk ishin aty. Kur hodha sytë nga ara e lulediellit, ato kishin ngrënë gjethet deri ku u arrinte koka,me kërcejtë e zhveshur ngjanin si gjelat qafërjepur. U tmerrova. Delet nuk dukeshin gjëkundi. Mos m’i kishin grabitur, apo kishte rënë ujku? Bobo ç’më gjeti! Ndoqa gjurmët. Ato e dinin rrugën, të ngopura, kishin shkuar në shtëpi. Zura vrapin, dhe kur arrita pashë që delet i kishin vathuar.Sido që ndihesha në faj, mora frymë i lehtësuar.

Binaku më hodhi një vështrim përbuzës.Ula kokën dhe shihja këmbët e mija të pluhurosura, se s’dija ç’ti thosha.

-Na bane marak. Kjesh tu dale  me t’kërkue.Të zuni gjumi?

-Po, mixha Binak. Nuk e di si më ndodhi. Zëri më dridhej dhe isha gati të shkrehesha në lot. I pranoja qortimet, por pata frikë se mos më jepte ndonjë dru. Por gjë e tillë nuk ndodhi. U rrëfye i njerëzishëm.

-Puna jote mbaron këtu- tha ai- nesër mos hajde,  s’je për këtë punë. Gabova që të pajtova.

Po më zbonte.Edhe pse ishte në të drejtë të tij, më hipi inati. Hoqa opingat, i flaka me përbuzje në hajat dhe këmbëzbathur ja thera vrapit pa ditur ku po shkoja.

***

U gjet një punë tjetër. Ma gjeti Hajdëri. Në fshatin fqinj, grumbullonin dhe e vendosnin në qepi, (që u thoshin edhe kavaleta) barin e thatë për kuajt e ushtrisë. Hajdari bisedoi me oficerin përgjegjës dhe ai i tha të më merrte dhe mua me vete.

Kur u paraqita, oficeri i tha hajdwrit:”po ky qwnka kalama! Unë fryva gjoksin ngrita supet dhe u krekosa që të dukesha më i madh. - Neise, tashti që erdhi, le të qëndrojë.Punoni bashkë”

Më së shumti punonim natën. Barin e korrur në livadhe, pasi thahej, e sillnin me karroca. Burra që e kishin për zanat, formësonin kavaletat. Me Hajdërin shpërndanim me sfurqe dhe ngjeshnim me këmbë, fort e më fort barin dhe qepia lartësohej nga ora në orë esa vinte ngushtohej.Puntorët ngrinin skela dërrase dhe bari nga përdheu në skelë e nga skela sipër. Netët ishin të bukura, qielli i kthjellët, hëna mbyste natën medritën e florinjtë, sa të thoshje se ishte ditë. Pas perëndimit të hënës, qielli stolisej nga yjet, e para herë që shihja aq shumë yje, një nga netët u shkëputën aq shumë duke lënë prapa një bisht të ndritur, sa u duk sikur nga qielli po binte shi yjesh. Bari i thatë, trifili dhe trëndelina kishin aromë mjalti , të pikërt, dehëse, që të zgjeronte gjoksin dhe lehtësonte frymëmarrjen. Nga pluhuri I barit qëllonte që edhe teshëtimin, po kjo s’na prishte ndonjë punë. Ndaj të gdhirë, kur nata mugej e freskohej, merrnim një sy gjumë, atje lart,të fundosur në shtratin e butë të barit, më dukej vetja si mes tokës dhe qiellit. Flija dhe shihja ëndërra të bukura. Zgjoheshim në të aguar,kur këndonin gjelat e pare, pak të mardhur e të notitur nga vesa. Sefte, isha si i përhumbur dhe hutuar. Ngado që të hidhje sytë fushë, nga të katër anët fushë, nuk orientohesha dot nga ishte lindja e nga perëndimi dhe më dukej se bota ishte aq e madhe sa se kisha menduar asnjë herë.Më vinte në ndihmë dielli që niste kuqëlimin e horizonit në lindje. Punonim edhe disa orë në mëngjes sa shtrëngonte vapa, pastaj iknim në shtëpi.

Sido që lodheshim, djersinim dhe në fytyrë e trup mbi djersë na ngjitej pluhuri i barit, sa ngjanim me ca zezakë të laturisur, kjo punë më pëlqeu dhe vijuam deri në mes të gushtit. Kavaletat I mbyllnim kur arrinin lartësinë, si kulmin e një çatie, pastaj hapnim një mushama që të mos u hynte shiu. U rreshtuan njera pas tjetrës gjashtë kavaleta me formë të rregullt.

Puna jonë mbaroi. Na bënë pagesën. Ishin një dorë para, që do të më mjaftonin për librat, fletoret, lapsat e takëmet e tjera të shkrimit, por edhe për të blerë ndonjë veshje.

Po prisja me padurim shtatorin.

Vazhdon

Maj 2022.

____________

C.V.  LETRARE E RESMI OSMANIT

(Me rastin e 82 vjetorit të lindjes)

Ka lindur në Mazrek të  Çamërisë më 5.5.1940. I diplomuar agronom. Prof.dr.me kontribute në kërkimin shkencor bujqësor.

Në fushën e letërsisë, ka filluar debutimin  pas vitit 2004, por me denduri më të madhe pas vitit 2010 e në vijim. Lëvron prozën në gjinitë: romane, kryesisht romanit historik, novela, tregime, esse, monografi, estetikë dhe studime e kritikë letrare.

Në opusin e krijimtarisë së tij përfshihen librat:

Romane:

1 Mbretërimi i Pirros së Epirit,                                   2010

2.Mbretëresha Olimpia,                                              2012

3.Koha e çudirave                                                          2013

4.Teuta e Ilirisë,                                                              2014

5.Pas Trojës                                                                    2019

6 Andrea Topia dhe princesha Helena,                       2019

7.Me sytë e fëmijës, ne proces                                   2022

Novela:

1.Ditët e sprasme të mbretit Gent,                               2014

2. Kukulla e pallatit të Mermertë,                                  2015

3.Kenga e tokës.                                                               2017

4. Udha e dhimbjes                                                         2016

5.Kur dashuronte poeti,                                                   2021

Monografi

1.Bisedë me shokët                                                         2009

2.Bedri Lumani                                                                2004, 2015

3.Lule në gur.                                                                    2008

Ese dhe studime

1.Ëndrrat e ngrira të Enver Kushit                                  2012

2.Aleksandri iMadh i Maqedonisë-Miti dhe njeriu.     2011

3.Rrugëtime letrare.                                                         2022

4. Kumte nga kohë të largëta                                          2008

Vëllime me tregime:

Ka shkruar 130 tregime, pjesa më e madhe e të cilëve është permbledhur në librat e mëposhtëm.

1.Edhe yjet vdesin                                                               2011

2.Fain e kishte hëna                                                            2014

3.Letër Mbretit,                                                                  2015

4.Burrat shkojnë në luftë,                                                  2021

5.Trëndafili i zi(pritet te dale)                                           2022

Romanet “Mbretërimi I Pirros së Epirit”, “Teuta e Ilirisë”, “Mbretëresha Olimpia”, Eseja historike “Aleksandri i Madh i Maqedonisë” monografia për Bedri Lumanin dhe vëllimi me tregime “Edhe yjet vdesin”, kanë patur nga dy botime.

Objekt i vëmëndjes së tij ka qënë edhe  studimi dhe vlerësimi me një cikël shkrimesh i krijimtarisë së Ndre Mjedës, Vath Koreshit, Enver Kushit, Arben Kondit, Hekuran Halilit, Istref Haxhillarit, Kristaq Turtullit,Namik Selmanit, Agim Vincës, Skënder Brakës, cikli i shkrimeve për folklorin e Çamërisë dhe Eposin e Kreshnikëve, poeteve Mimoza Çekiçi-Rista, Vjollca Tiku-Pasku  etj.

Ka publikuar në gazeta dhe revista letrare”Nacional” “Muzgu”

“Metafora”,”Telegraf””Republika” etj. dhe në portalet elektronike, kryesisht te “Fjala e Lirë”.

Krijimtaria e ketij autori, ka qënë objekt vëmendjeje, shqyrtimi dhe vlerësimi me shkrime i stdjuesve dhe shkrimtarëve Prof.Agim Vinca, Moikom Zeqo, Shpendi Topollaj, Vladimir Muça, Illo Foto,Enver Kushi,Ahmet Mehmeti,Namik Selmani, Vasil Vasili,  etj.

Të shumtët e tyre, këtë autor, e konsiderojnë një rast të veçantë, pasi ai ka nisur të shkruajë letërsi cilsore,në atë moshë, kur të tjerët thuajse e ndërpresin atë veprimtari!

Tiranë, më 4.5. 2022.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora