Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Marin Sirdâni: Në çka fajësohet Skanderbegu? (II)

| E merkure, 17.12.2008, 09:54 PM |


Në çka fajësohet Skanderbegu?

Nga Marin Sirdâni

Pjesa II

 

Posë katër djemve, Gjon Kastrioti pati edhe pesë vajza: Marën, Vlaikën, Angjelinën, Jellën e Mamicën. Të katër vajzat e para ky i martoi me princat aleatë: Marën me Shtjefën Cernoviqin, princin e Zetës; Vlaikën me Gjin Muzakën; Angjelinën me Vladan Arjanit Komnen Golemin, princin e Çermenikës; Jellën me Pal Stres Balshën, princin e Misjes (Arbnisë a Jallisë). Mamica, ma e vogla, qëndroi afër prindve e u martue me Karl Muzak Topinë, mbasi ktheu Skënderbeu prej pengzimit.

Me ketë martesë, mbas Gjon Muzakës, Skënderbeu u ba fajtor para Zotit e para robit, sepse nxiti princin Karl Muzak Topinë me nda te motren e Gjon Muzakës, Princeshë Zanfinën, për t'i dhanë për grue të motrën e vet, Mamicën. Kështu jau përshkruen të bijve Gjon Muzaka këtë divorc: "Edhe ju them se Skenderbeu e nxiti Princ Karl Muzak Topinë të dajë Zanfinë Muzaken, pa marrë para sysh as Perëndi, as gja tjetër, as bijt qi kishin e i dha të motren Zojen Mamicë me të cilën pati katër djelm e dy vajza; djemt u banë të gjithë turq.  Me fjalë tjera, donte me thanë se, Skënderbeu e pati ndëshkimin prej Zotit per të zezën që bani. Por, mbas tij, nuk mbaron puna me kaq: "Zanfina e divorcueme martohet me Moisiun i cili hidhet kah ana e Turqve edhe i bjen Skenderbeut, per t'i marrë gjakun së shoqes edhe të fitojë Dibrën e rrembyeme. (2)

Po të mundte njeri me u mbështetë në dëshminë e mbitregueme, Kreshniku jonë nuk kishte me mujtë kurrsesi me u justifikue për një vepër të tillë, tue rezultue prej mbrendisë s'atij shkrimi, se Gjon Muzaka jo veçse nuk asht i paanshëm por anmik i hapur i Skënderbeut e i Kastriotve, e se gjithmonë e sjellë ujin nga mullini i vet, të gjitha thanjet e tija do të merren fort me rezervë

Vlen me u dijtun, para se të hymë me rrahë këtë çështje, se Gjon Muzaka iku prej Durrsit vjetin 1479 e u vendos në Napoli. Aty, tuj e pa se po gatohej në vjetin 1510 një kryqzatë e madhe kundra Turqve, e ishte gjasë e madhe të çlirohej Shqipnija, shkroi një memorandë për t'u tregue të bijve ç'vise ishin të princnisë së Myzeqesë edhe kështu t'i kërkojshin e t'i merrshin (3). Këtë princni ky jau ndan tre të bijve me testament.

Me ketë shkrim, si shihet qartas, donte n'at rast Gjon Muzaka me gjuejt n'ujë të turbullt. Çdo krahinë a qytet që e kanë pasun princët e ndryshëm të Myzeqesë në kohë të kalueme, ky e kërkon si të vetën. Nëse ndonjë tjetër princ e ka pasun ndonjë ndër këto krahina a herët a së voni, ky a nuk e cekë fare, a e quan uzurpator atë princ. Prej friket mos të shtinte në dorë Gjon Kastrioti II krejt princninë që ia kishte lanë trashëgim i ati, lëshohet në Skënderbeun tuj e përshkrue si njeri egoist, uzurpator e të pa ndërgjegje.

Tuj lanë me e shkoqitë në një numër tjetër aserten e tij se Skenderbeu, qe egoist e uzurpator, po hymë me shqyrtue pale a njimend Kreshniku jonë, “pa marrë para sysh as Perëndi, as gja tjetër e nxiti Karl Muzak Topin të bajë divorc".

Si dihet, në vjetin 1445, me 26 Kallnduer, Mamica, motra e vogël e Skendërbeut, u martue me Karl Muzak Topinë. Princat e krenët e Shqipnisë të grishun n'at dasëm, erdhën të gjithë me dhurata të veta 'me u përgëzue me dhandrrin e ri. (4)

Për si thotë Gjon Muzaka, Karli i nxitun prej Skënderbeut lëshoj gruen e parë, Zanfinë Muzakën, e 20 mori Mamicën: domethanë, lëshoj gruen me kunorë e mori tjetrën në të lidhun. Pra, mbas tij, Skenderbeu, me ketë akt do t'u anmiqsonte me familjen princore të Muzakajve, e tuj dhanë motrën në të lidhun, do të bjerrte simpatinë e popullit të krishtenë e mbrojtjen e klerit katolik e të Papës. Por gjendja e Skenderbeut kundrejt popullit të krishtenë, klerit e Papës nuk ndryshon me atë martesë,.prandaj nuk mundet me u pranue ashtu qorras porsi një ndër të vërtetat të pakundërshtueshme mbrendija e asaj memorande. Arsyeja e këtij ngurrimit tonë asht pse në qoftë se ai burim i vetëm na paraqet Skënderbeun si një njeri që punët e fesë nuk i merrte ndorë kur s'i shkoj shin per shtat, burime tjera e përfytyrojnë krejt ndryshe, si njeri fort fetar e mik të përzemërt të klerit e të papës, e që meritoj me u quajtë “Atleti i vërtetë e mprojsi luftar i krishtenimit." (5)  Kështu, një zani na e përshkruajnë të gjithë biografët e vjetër të tij.

Po t'kishte qenë njimend çka thotë Gjon Muzaka, arsyeja e lyp që përpjekjet e korrespondencat e klerit e të papës me Skenderbeun do t'ishin këputë a s'pakut rrallue, në, sa në vjetin 1446 Papa Eugjeni IV i dërgon ambasadorë të veçantë që t'a përgzojnë për ngadhnimet e tija, t'i blatojnë ndihmën e Kishës Katolike, t'a sigurojshin se do të bante çmos për të bindun mbretnitë e krishtena t'a ndimojnë kundra anmikut të përbashkët (6). Skënderbeu, mandej, në shkëmbim të këtij nderimi i dërgon ambasador Emzot Pjetër Perlatin e At Pal Kukën me dhurata të ndryshme (7). Korrespondencat e perpjekjet miqsore, ende, të thuash familjare, fort të shpeshta të Skëderbeut me klerin e naltë e me Papën, vijuan të pakëputuna deri në ditën e mbrame të jetës së tij, megjithëkëtë ndër dhjetë vjetët që Mamica ndejti me burrë pa kunorë, për si thotë Gjon Muzaka, nuk diktohet as tërthorazi, ndonjë pakënaqsi ndërmjet tyne. 

Ndër të gjitha rastet, Papët shprehin një shpresë të madhe e besim të ngulët në burrni, në fuqi e në zell të Skënderbeut për mbrojtje e lulzim të fesë. Papa Eugjeni IV, në vjetin 1446, i blaton ndihmën e Kishës Katolike (8); Ka1isiti III i shkruante ndër tjera në një letër vjetin 1457: “S'ka nieri në botë, i cili mos të dij trimnit qi kini ba, e të mos u naltojë me lavde të mëdha deri në qiellë, e të mos flasë për trimnin t'ande si per nji atletë e kryeprojs të vërtetë t'emnit të krishtenë”. (9) Papa Piu II, tuj mos mujtë me e kondendue si i dëshiroj te zemra, në vjetin 1460, shprehet me këto fjalë:” ... qi prej qindresës së punve të mëdha të bame per fe na ishte dashtë me i çue në vend.”(10), e gjetiu:" se aj ishte i vetmi qi meritojte me u vu në krye të Kryqtarvet”.(11)  Nuk do harrue me u ba ballë Turqve; u kujdesën t'a kunorzojnë mbret e sajuan me e ba kryetar kryqzatet mbi të gjithë krishtenimin. Biografët e tij mandej veprat e tija jo vetëm trimnijet e zotsijet, por edhe virtytet e zellin e tij për fe i naltojnë deri në qiell. Mbi këtë pikë mund të shkohet gjatë e gjatë, por tuj mos ia pa nevojën, po citojmë vetëm Dhimitër Frangun. Kështu e përshkruan ky Skënderbeun per kah përshpirtnija:  “Qenë cilsit e këtij Princi aq mirë të përshtatuna, sa vishtirë me u a gjetë kund shoqet n'at kohë. Kje i krishtenë shum i mirë, i divoçëm, i ndalun, i pastër, mik i fortë i virtyteve e anmik i keq i veseve. Kje puntuer i palodhshëm, e kurr s'u gjet ngaeshëm, pat kujdes me majtë ligjët e krishtena, me ruejt vendet shejte e nierzt e dhunun mbas pershpirtnijet, kje zemërgjanë e i dhimbshëm me të gjith t’krishtenët, e ndërtoj shum manastire e banesa për rregulltarë e rregulltare e ata i pajisi me shum të hijme". (12) 

Megjithkëto arsye që i bien ndesh asertës së Gjon Muzakës, provizorisht po e pranojmë tezën se, Skenderbeu e nxiti Karl Muzak Topinë të lëshojë gruan me kunorë e të martohej me të motrën e tij, Mamicën.  Por ma parë do të gjejmë shkaqet, që kanë shty Skënderbeun të bajë një hap të tillë.

Shkaqe financiare nuk mund të kenë qenë kurrsesi, pse Skënderbeu e kishte aneksue princninë e tij, e për të nuk dihet se pat prona personale aq të mëdha sa të kishte pse të priste Skenderbeu në ditë të ngushtë ndonjë ndihmë prej tij.

Por edhe ma pak kanë mujtë me qenë shkaqe politike, për arsye, se këto janë ma të fortat që na shtrengojnë për të rrëzue hipotezën e pranueme provizorisht. Asht krejt e kotë të besohet se Skenderbeu të zinte një mik, i cili nuk ishte i ndamë në shenj as për pasuni, as për zotsi, as për trimni, e të humbte simpatinë e popullit të krishtenë, mbrojtjen e përkrahjen e klerit e të Papës e t'u anmiqsonte me familjen princore të Muzakajve. Pazotsinë e vet e diftoj haptas Karli, sidomos në luftën e Beratit në vjetën 1455, ku la edhe kryet. (13)

Me ba at hap ka mujtë me e shty Skenderbeun edhe nevoja. Kjo ka mujtë me ndodhë po t'kishte qenë Mamica një zonjëz, e cila për mungesë cilsishë a prej moshet mos të mundte me gjetë një burrë si i përkitëte. Por asnjani ndër këto supozime nuk mund të pranohet, për arsye se Mamica edhe mbas dhjetë vjetve që jetoj me burrë, ndonse me gjashtë fëmijë nëpër kambë, qe e lypun shumë prej princave për grue, po refuzoj të martohej për së dyti. Si trashëgimtare e të shoqit, qeverisi princninë e Topiajve, n'emën të bijve ende të vegjël, me një urtsi e zotsi të çuditshme deri sa diq. Ishte ma e zoja ndër të gjitha princeshat e derës së Kastriotve e Skenderbeu u këshillojte me të për çfarëdo pune me randsi. (14)

Deri këtu kemi parashtrue shkaqet që kanë mujtë me e shty a me e pengue Skanderbegun të bajë një hap për të cilin e fajson Gjon Muzaka, të shohim tashti a thue i përshkruen Gjon Muzaka faktet historike ndryshe se ishin në realitet.

Qe si ua përshkruen Gjon Muzaka të bijve rritjen e familjes së Kastriotve: “Dijeni se gjyshi i Skanderbegut nuk kishte veç dy fshate, Sinjën e Gardhin e Poshter (Hopf, 301); i biri i tij Skanderbegu, mbassi mori Matin, shtetin atnuer, u ba Zot i Krues, të cilen nuk e pati i ati (Hopf, 299): edhe mbassandej u ba Zot i Dibres, i Brinjes, i Tomonishtës, i Misjes e i krahinës së Gjonmit deri në breg të detit (Hopf, 298.9)."

Nuk lypet me qenë i thelluem në historinë kombëtare tonën për me u kujtue se sa të pamatuna janë thanjet e Gjon Muzakës. Po t'ishte e vërtetë se dera e Kastriotve nis me u mkambë me gjyshin e Skënderbeut që s'kishte veç dy fshate, si asht e mundun që në vjetin 1389 kastërgjyshi i Skënderbeut, Gjergj Kastrioti I, në luftën kundra Turkut në fushën e Kosovës, të bajë propozime në këshillin e luftës të kryesuem prej Llazarit, mbretit të Serbisë? A thue nuk ia kishte ndie zanin Gjon Muzaka atij Gjergj Kastrioti megjithse ai vetë e përshkruen at luftë? Sa për Krujën vërtetë nuk dihet se kur kaloj prej Topiajve a prej Turqve në duar të Gjon Kastriotit, por të gjithë historjanët e vjetër, si Barleti, Biemmi, Anonimët, Lavardin e Dhimitër Frangu, na thonë se e kishte. Kronikani i Raguzës, Luccari, e thotë në vjetin 1423" Giovanni Castrioto Signor di Crui”. (15) Mbas të gjithë historjanve që u përmendën më sipër, Skënderbeu mori përpara Krujën e jo Matin, si thotë Gjon Muzaka.

Tradhtinë e Moisiut, Gjon Muzaka e motivon kështu: “Skanderbegu i rrembeu Moiziut shtetin e tij, qi ishte në Dibër; mbas kësaj Moiziu i zemruem del kahë ana e Sulltanit, i cili e dergon me nji ushtri kundra tij, atëherë Skanderbegu i çon fjalë të këthehej se do t'a dojte si vlla; edhe Moiziu, tuj e dijtun se nuk kishte ndonji siguri pranë Sulltanit edhe tuj dashtun t'i rritëte fuqin Turkut me gjakun e të krishtenve, u këthye prapë (Hopf, f. 300)."

Edhe këtë fakt historik Gjon Muzaka e bjen ndryshe nga historjanët tjerë t'asaj kohe. Të gjithë një zani thonë se Skenderbeu mori prej Turkut Krujën e mandej Matin e Dibrën. Nuk ia rrëmbeu pra Moisiut. As nuk e diftoj Moisiu zëmrimin e vet për këtë punë për vite e vite. Ai luftoi si një ndër ma të mirët e besnikët gjeneralë të Skënderbeut, edhe ndër kohë ma kritike, prej vjetit 1443 e deri në vjetin 1455. Nuk qe pra shkaku i tradhtisë së tij pse i rrëmbeu Skënderbeu Dibrën, por do të ketë qenë ndonjë send tjetër në thes. Barleti e Biemmi na thonë se mbasi u ba Moisiu me Turqtë, Skënderbeu i konfiskoj pronat, ose properitetin personal, edhe këta ia dorzoj mbasi u pendue e ktheu dalë. Puna e Zanfinës në këtë rast nuk asht as per t'u zënë në gojë, për arsye se një kreshnik si qe Moisi Golemi, nuk do të kishte nevojë me shkue mbas shtimeve të grues. Shkaku i tradhtisë së tij dihet se qe krenija. Ai e dinte vedin të madh, pse i derës princore të Komnen Topiajve. Vlera e zotsija që ai kishte diftue ndër lufta e në qeverimin e dy Dibrave kishte shkue tuj ia rritë mendjen dhe donte vedin mbi tjerë. Me çue në vend këtë aspiratë deshti me përfitue prej rrethanave. Venediku, që shikonte me sy të keq lidhjen e Alfonsit mbretit të Napolit me Skënderbeun, mezi që priste me ia shtue këtë llastim, e Sulltan Mehmeti nëpërmjet komandantit të Sfetigradit, i kishte blatue kunorën e Shqipnisë, po të hidhej nga ana e tij. Moisiut iu rritën veshët prej këtyne premtimeve, edhe me diftue pëlqimin e vet lajmoi Sulltan Mehmetin edhe komandantin e Beratit në vjetin 1455 për planet e Skenderbeut e për rrezikun që ndodhej ajo fortesë. Me këtë tradhti u ba një shëmtim i madh n'ushtrinë shqiptare në Berat, e Mojsiu iku në Stamboll. Prej andej Sulltani e dërgoj me një ushtri kundra Skënderbeut, por qe thye keqas. Moisiu atëherë i mundun prej Skënderbeut, i përbuzun prej Turqve, edhe i rrahun prej ndërgjegjes, iku prej Stambollet, erdhi në Shqipni, i ra përmbys ndër kambë Skënderbeut, edhe me lot për faqe i lypi të falun për fajin e tmerrshëm që kishte ba. Skënderbeu i ngjiti dorën, e ngriti në kambë, e fali, edhe i dha gradën që kishte pasë ma parë n'ushtri kombëtare; ma tepër dha urdhën mos të guxonte kush me e zanë në gojë at tradhti. S'vonoj mandej e i ktheu edhe pronat e konfiskueme. Kështu e difton Biemni (16) e historjanë tjerë t'asaj kohe, tradhtinë e Moisi Golemit.

Ç'ndryshim prej kallximit të tyne e të Gjon Muzakës!

Tashti, para se t'i japim fund këtij shkrimi, e shohim me udhë me diftue mendimin tonë mbi çeshtjen e Zanfinës. Për çka duket, puna e asaj do të ketë qënë kështu: Tuj i pasë vdekë Zanfinës burri i parë e mbetë e vejë me do jetima, në sa ishte kjo ndër fjalë me u martue me Karl Muzak Topinë, ndërhyni Skënderbeu e i dha motrën për grue, e ajo atëherë u martue me Moisi Golemin e Dibrës.

Kaq tregime mjaftojnë sa me pa se sa të pa peshueme janë asertat e Gjon Muzakës, prandaj, kisha me thanë se sa per thanje të tija, Skënderbeu nuk asht për t'u mbajtë as ma i mirë as ma i keq se e përshkruajnë biografët e vjetër të tij.