E marte, 16.04.2024, 09:19 PM (GMT+1)

Kulturë

Reshida Çoba: Thomaidha Tanuçi - Petale drite

E enjte, 12.05.2022, 06:59 PM


VËSHTRIM PËR LIBRIN POETIK “PETALE DRITE“ TË THOMAIDHA TANUÇIT

Nga Reshida Çoba

Çdo poet a shkrimtar, që pretendon të shfaqë praninë e gjenit të talentit, e arrin këtë moment, vetëm nëse është i vëmendshëm ndaj lexuesve te tij, kritikës letrare. Këtë kërkon dhe poetja Thomaidha, duke na sjellë librin me titull “Petale drite“. Të gjithë titujt kanë të njëjtin fat, veshin pak fjalë, por atraktimin te lexuesi e kanë ndryshe. Ky libër e premton këtë. Në një libër Haiku nuk ka tituj poezie që t'i mbash mend. Mend do të mbahet kjo apo ajo ngjarje. Një hir letrar a ndonjë syth i fshehur drite, fotografuar nga poetja në momentin ekzakt të çeljes. Njeriu gjen gjithmonë mënyra për të përcjellë mendimet, idetë, estetikën. Prania e imazheve vizive ndaj një poeteje është e domosdoshme. Lexuesi zbulon njeriun që përfaqëson poetja, kjo thellon marrëdhënien e tyre. Këtë sjell dhe fotoja portet e poetes në këtë libër me një bluzë të thjeshtë pambuku të bardhë, përcillet estetikë, perceptim, vullnet për të ndjekur dritën.

Kërkova të flisja me poeten para se të filloja shkrimin, pyeta për gruan brenda poetes, mënyrën si ajo shkruan, kur dhe ku? Poetja thotë se shkruan kudo që është: shtëpi, rrugë, autobus; shkruan në copa letre, në pëllëmbë, shkruan gjithçka e për gjithçka. Kuptova se natyra e saj ishte më shumë e lumtur, se sa e trazuar në marrëdhëniet me veten.

Një libër Haiku, është një gjë serioz, sulmon me kufij e teknika ekzakte. Fillon thjesht, por kërkon të paktën 21 rregulla që përfshihen si pjesë e duhur, në çdo Antologji Haiku. Është formë poetike, por nuk është poezi, dhe vështirë të behet i yti, intim. Duhet shumë punë që të arrish stadin kur lexuesi të lexojë dhe të kuptojë se ky është Haiku i poetes sime. Tepër fanatik në ekstraktin primar të frymëzimit, vazhdon me habinë që vjen, e kortezinë e shkronjave që ndjek rrugës.

“Nëse një Haiku nuk plotëson rregullat e teknikat e tij, atëherë ai serviret si "Senryu", formë tjetër Haiku, kështu shprehet një nga të mëdhenjtë e Haikut, Blyth. Senryu, ndryshe nga Haiku klasik i lejon poetit stilin e lirë, lejon arsyetim, sens, ironi. Këtë dukuri lexuesi e takon te shumë poetë të Haiku, edhe në këtë libër të Thomaidhës.

Qysh herët më ka rënë në sy Haiku i kësaj poeteje; duket se krijon një sistem ndryshe me imagjinatën, mënyra si rrëmben momentin, si kërkon imazhin e dytë dhe si arrin të shpjegojë konfliktin, bashkëveprimin a një moment bosh midis gjërave. Kalon bukur nga procesi njohës në proces pasqyrues, kuron mirë tekstin e ngjarjes që ngjason me një rrufe në ajër.

Si poete e vëmendshme me një elegancë lirike, poetja jonë e bën librin e saj të parë me Haiku më shumë se një libër fillestar. Haiku ndihmon shumë progresin e të qenit shkrimtar, të ndryshuarit në mprehtësinë e vëzhgimit të momentit fillestar dhe në rezonancën e papritur “Aha” që iu krijon dy marrëdhënieve të ndryshme. Qëllimi i poetes në gjithë procesin e shkrimit është të tregojë se çdo gjë, sado e palidhur dhe e parregullt të duket, është e lidhur. Tinguj, ngjarje, njerëz, shenja, objekte; të gjitha janë të lidhura mirë si një unitet kompleks. “Petale Drite“ në këtë libër, janë përjetuar në shqisa poetike dhe do të vazhdojnë misionin e tyre. Lidhjet aq të dashura të poetes me elementet natyrore e substancën njerëzore, do të risjellin e rizbulojnë më shume vlera midis të thënave e të pathënave. Një Haiku i mirë e le lexuesin me një përvojë; lexuesi shton veten në gjendjet e krijuara, Haiku. Haiku është i pëlqyer në gjithë botën, aq sa dhe sushi japonez.

Janë të shumtë, e shumë të talentuar poetët e Haikut në Shqipëri; Betim Muço, Millianov Kallupi, Dritëro Agolli, Nasho Jorgaqi, Moikom Zeqo, Hamit Aliaj, Kujtim Agalliu, Ilirjana Sulkuqi, Lida Lazaj, Ilir Resnja, Ylli Demneri, Nexhip Ejupi, Xhemal Bytyçi,

Drita Ademi etj.

Haiku

Në perëndim dielli / sheh hënën që lind / askush nuk do të vdesë.

Poetja ka zgjedhur një moment ku përjetohen dy ngjarje kozmike në fenomenin e të kundërtave. Shohim diellin në perëndim, shtrirë matanë horizontit - hënën e stolisur me dritë në lindje. Këtu lexuesi fillon interpretimin... me siguri është fjala për Hënën e plotë, afër ekuinoksit, (pranverë -vjeshtë), sepse në këto periudha, hëna dhe dielli janë drejtpërdrejt, përballë njëri-tjetrit në qiell, (në fakt, neve tokësorëve na duket se i shohim në të njëjtën kohë, si njëri vendos të ngrihet e tjetri të ulet, dhe pse ekzaktësisht nuk ndodh kështu). Këtu lexuesi imagjinon poeten që ecën drejt diellit, papritur kthehet dhe sheh hënën që lind pas saj. Lexuesi bëhet kurioz dhe i emrit, ishte "Blue Moon" a "Blood Moon"? Në një Haiku tjetër, poetja përcjell dashurinë e thinjave të nënës... parafytyron krahët e mëdhenj të saj që i ngjajnë një engjëlli... engjëjt dinë të përkëdhelin.

Nëna e thinjur / engjëll i bardhë / m'i përkëdhel ëndrrat.

Por këtu, ndeshemi dhe me një nga teknikat Haiku… ka vetëm një folje e sa më pak folje, janë pjesë e vlerësuar e Haiku.

Shpirtrat tanë takohen / çdo ditë / natën bëjnë sikur flenë.

Këtu poetja gjen sekretin e bashkësisë erotike dhe ndarjen e pandashme. Mendimi i saj në këtë përvojë valëzohet me një energji tërheqëse, informacioni është në lëvizje, thjesht ndryshon formën në varësi të kohës. Asgjë nuk përjetohet shkarazi, ata jetojnë në dëshira jete.

Një Haiku interesant paraqitet në libër, ku poetja i këndon vetvetes; qukave të saj të brishta. E kanë shoqëruar plot sharm fytyrën e saj në fëmijëri, iu gëzohej si të ishin pika galaksie. I kujtohet lumi, kënaqësia e ujit mbi qukat. Lexuesit i mbetet të interpretojë emrin e lumit. Eshtë fjala për lumin Vjosa, Valbona?

Lumë shkumëbardhë / me emër vajze / përkund qukat e brishta.

TANKA

Tanka nuk është aq popullore sa Haiku, edhe pse është stil më i hershëm se Haiku, me një përbërje disi të ngjashme Haiku. Nga përvoja e të shkruarit të poezisë Haiku në anglisht kupton se të shkruash Tanka është më lehtë. Tanka lejon më shumë fjalë, ka 31 rrokje dhe lejon metaforën. Pra, nëse mendoni se poezia Haiku nuk është mjaft e gjatë për të shprehur frymëzimin tuaj, kthehuni tek Tanka. Erotika është më e suksesshme shkruar në Tanka se në Haiku. Kjo për shkak se në Haiku ka më shumë gjasa të dalë një poezi jo e sofistikuar, ku ndjenja subjektive shtrydhet në rrokje të kufizuara. Le të shohim tani perceptimin, fuqinë transformuese të imagjinatës poetike të Thomaidhës. Si shpjegon ajo natyrën e ngjarjeve, qenies që ka absorbuar.

Daravitet ngadalë / mjegulla / mbi luginë / e kuqërremta e gjetheve / përflak perëndimin.

Poetja do dhe sodit perëndimin... ai me siguri fsheh diçka të madhe e sentimentale për të. Bukuritë e tij në ndryshimin habitës të ngjyrave, ajo nuk ia dedikon diellit, ato janë thjesht fakte tokësore. Një nga elementet natyrore, që përflak perëndimin në këtë rast është e kuqërremta e gjetheve. Pra për poeten, çdo njeri që e do dhe ndjek perëndimin; ngjarja e 120 sekondave me bukurinë e tij tronditëse i ngjan një zjarri kozmik. E gjithë skena e këtyre sekondave mbetet një moment suprem bukurie e një akt sentimental mbi fytyrën e diellit, teksa vdes ngadalë, nga turpi i rënies matanë horizontit. Ja një Tanka mbresëlënëse:

Mes gjetheve të verdha / hepohet / humbohet / zgjat dorën e vockël / një kukull.

Ky libër i ri, i poetes Thomaidha, do ta çojë lexuesin në një udhëtim emocionues... në një botë ku dëshira, trupi, kujtesa, shikohen në dritën e ndritshme të gjuhës; asgjë nuk mbetet e mjegulluar. Ajo e do Haikun japonez; duket se ka veshur kimono japoneze e do të vrapojë në malet Fuji, ku mbledh petale drite. Nuk është lehtë të qëmtosh Haiku... nuk mund çdo Haiku të veshi taksidon dhe të jetë i ftuari elitar i librit. Thomaidha e di se nuk ka vetëm poezi "të skalitura" apo “shumë të bukura”, poezia shkruhet për mendime thelbësore. Ajo studioi e mësoi Haikun, i ndodhi çasti fluturak kur mësojmë një gjë të re, e krijohen aq sinapse në tru sa dhe yje në univers. Kur lexon librin e Thomaidhës duket se viziton një galeri ku nuk di akoma kë do të pëlqesh, ku do të kalosh shpejt e ku do mbetesh gjatë. Në këtë libër Thomaidha sjell poezi me një grumbull përthyerjesh, mbresash e përjetimesh konkrete...ndërton marrëdhënie, refleksione idesh me përditshmërinë e subkoshiencën e saj. Duket se lëvizja për Haiku-Tanka, është e papushueshme. Ajo shpik e rishpik sjellje të reja në rimendimin e gjërave. Bën marrëveshje me relativen e tretet në ngjarje shpirti që nuk ngjasin me asgjë tjetër. Por poetët dhe thyhen shpejt si prizmat me të kundërtat e tyre, ndaj presin lexuesin, kritikën të shpjegojë modelin e veprës së tyre.

Reshida Çoba

Los Angeles

April / 27/ 2022



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora