E merkure, 29.06.2022, 02:46 PM (GMT+1)

Kulturë

Visar Zhiti: Lule të pranverës së vonë

E diele, 08.05.2022, 03:47 PM


LULE TË PRANVERËS SË VONË

Nga Visar Zhiti

Manjola në rrugën tonë, e askujt dhe e të gjithëve, ka lulëzuar bukur. Na befasoi atë mëngjes kur degët deri sipër i kishte mbushur plot me lule, i fotografonim, ashtu të qiellta si me pllanga dielli dhe ia çonim me mesazhe atyre që donim si kartolina urimi.

Dhe erdhi shumë shpejt një ditë tjetër kur vendi përreth trungut të pemës të mbushej plot me lule të rëna poshtê. Dukej sikur mbi bar të kishte bizhu me vezullime  diamantesh…

I fotografoja prapë me një si trishtim të përndritur dhe pyesja veten: pse ranë kaq shpejt kêto lule? I rrëzoi era? Ishin më të dobëtat apo aq donin të rrinin lart? Mos i mërzitën shpejt mendjelehtësitë e shoqeve-lule pranë, narcizizmat e tyre apo aq lumturi donin, por jo, jo, lulet s’kanë meskinitete si tonat, se ato dhe duke rënë poshtë në tokë mbase deshën me shpirt të zbukuronin atë copëz vend që mezi bleroi, i mardhur nga dimri, që nuk i iket, megjithëse e mbylli sezonin e vet. Sakrifica edhe lulet i bën po aq të lumtura. Duke u dergjur magjishëm poshtë, donin të dhuronin me petalet e tyre copëza qielli, të ngjyer me diell për rrugëzën tonë.

Nëse do të kishte një konkurs ashtu siç ka për poezitë, unë do të vlerësoja me çmim më të lartë lulet qē janë poshtë, që ranë për ne, që hapat tanë, sa më larg baltës, të kishin pranë lule, qoftë dhe për pak se asgjë nuk shpërblehet deri në fund, as e mira dhe as e keqja. Era që do të fryjë, kurrë s’do të bëjë qē lulet e rëna të ngjiten në degët e tyre, madje do të bien të tjera e të tjera lule prej andej, por ama ato së bashku vezulluan edhe lart përmes fërgëllimeve, por dhe poshtë, ku ishte e vështirë.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora