Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Feti Tunuzliu: Gjurmëve të përmendores së pavdekshme

| E diele, 08.05.2022, 03:32 PM |


Feti TUNUZLIU

GJURMËVE TË PËRMENDORES SË PAVDEKSHME

(PROFESORIT TIM, BARDHYL ÇAUSHI I VRARË NGA BANDAT SERBE, MË 10 MAJ 1999, NË GJAKOVË)

U ngrite kolos shtigjeve gjembor ndër t’vrazhda mote,

duke lënë vragë të pashlyera kundër çdo lloj varësie

për popullin tëndë që - si të tjerë popuj të kësaj bote,

të stoliset deri n’palc me ngjyrë pavarësie, ...

Ndaje drejtësi në kohë shtërgatash e t’egërsisë,

n’respekt të simboleve të Justicia-s romake e Themis-it grek

dhe postulateve të qytetërimit: t’paanshmërisë, korrektësisë, …

sikur njeriu që mëton lartësitë e detyrës t’i prekë.

Këndimin e këngëve të ndaluara - po po – të dala nga afshi i zemrës !

e t’arratisura njëra pas tjetrës nën tingujt e ashpër t’sharkisë,

zëri yt me timbër t’kulluar i çoi peshë përtej mureve të greminës,

ndaj, armiku “t’zhvendosi” nga gjyqtari në pedagog t’rinisë !

Qëndroje vullnetfortë para plebejve të gjakut t’ri,

teksa gëlonin duke thithur dije t’drejtësisë romake

nga ligjërimet Tua magjepse me gjuhë bilbili, veç zell e gjallëri,

për t’depërtuar labirinteve juridike perandorake.

Ndërsa, krenar kujtoje bujarinë e mikëpritjes malësore,

besën e burrave pagëzoje: “vazhdimësi direkte iliro-shqiptare”,

këtë trashëgimi të shenjtë të kanuneve malore -

ngjizur ndër oda e kulla t’bekuara të trojeve tona amtare.

Le fërkemë pajtimtari gjaqesh, plagësh, … lëndinave të lotëve rrush –

- t’zemrave të gjakosura e të djersitura zjarrtë,

- t’zemrave mes ngazëllimit t’heshtur si varri e lotëve të nxehtë prush,

- t’zemrave me grishje legjendare: “Eja or mik, ta bëjmë krypën mjaltë” !

Por, n’heshtjen e rëndë të ditës s’errësuar,

tufë e zezë piromanësh ndërsyen harbueshëm pa u hetua,

me gjak zemre n’shkrumb e hi për t’shndërruar,

çerdhen familjare, … dhe Të drejtën romake - shkruar me duar tua !

N’majin e trazuar t’shuan n’Çabrat – O Zot ! zemërzezat e tërbuara,

e trupin t’a gllabëruan sakaq – hej ! prej mërisë, …

dhe n’arkivol t’kthyen … pas pesë pranvera t’pikëlluara !

Tani, pusho i qetë o martir, nën Dheun e Kosovës dhe Flamurin e Lirisë !