Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Shyqyri Fejzo: Monumente natyrore të Gramshit dhe muzika

| E marte, 03.05.2022, 07:00 PM |


Monumente natyrore të Gramshit dhe muzika

Nga Shyqyri Fejzo

Midis monumenteve te natyrës këngës dhe valleve popullore vihet re se ka një lidhje të fortë, por jo si  lidhjet e tjera,  Ato  janë nostalgjike, shpirtërore dhe të padukëshme. Kjo lidhje ndihet (nganjëherë dhe vetëm një moment) kur jemi përpara një monumenti natyror dhe në mendjen tonë, pa dashur, na shoqëron melodia e një kënge, valleje apo një pjese orkestrale, e cila pavarësisht kush e ka kompozuar, ku është ekzekutuar, na duket sikur është mpleksur me monumentin natyror në mënyrë të pazgidhëshmes që ne me të,” na është pjekur ylli”.  Kush nuk e ka provuar cfarë ka ndjerë kur ka shkelur në vendlindjen e tij? Kush nuk i ka ndier ato melodi të gërshetuara me zhurma të dallgëve të lumit apo erërave që fryjnë, ashtu sic kanë fryrë dikur, në fëmijërinë e herëshme.Je duke afruar pas shumë vitesh shtëpisë ku je lindur. Meloditë që të zhurmojnë në vesh duket sikur e kanë prishur rradhën. Ato, të gërshetuara duan të kujtojnë sejcila e para marmurimin e ujrave, flladin e lehtë që fryn nga veriu, tingëllimin e zileve e këmborëve të tufave që nisen në kullotë, buluritjen e ndonjë gjedhi, lehjen e ndonjë qeni, apo këngën e kaposhit. Pranvera gëlon me tërë forcën e saj. Për të qartësuar këtë kakofoni zhurmash e mendimesh, duhet të biem dakord me veten e të tjerët, për reduktimin e elementit kohë dhe të ngremë përfytyrime të reja, që për momentin ngacmojnë trurin tone.

Supozojmë për një moment krijimin e imagjinatës nëpërmjet përfytyrimit poetik për poezitë që shkruajmë, që lexojmë, me të cilat mbushen vëllime poetike. Me cfarë figurash nuk i kemi krahasuar poezitë!  Poezia, si gjini letrare, dihet se është   forma  tradicionale e artit të shkruarit, ku gjuha njerzore përdoret për ato cilësi estetike në të, ose në vend të përmbajtjes  të saj. Kësaj here poezitë e shkruara nga ana ime, nuk do i quajmë as “erë pranverore”, as “vullkan ndjenjash”, as “shpërthime poetike”.Të 20 poezitë për monumentet natyrore, të botuara   në vëllimin “Monumente njerëzore dhe natyrore”, i përfytyrojmë në një moment që cdo poezi është një valltar a valltare, ata të zenë dorë përdore do rrethonin malet për rreth, do merrnin e hidhnin valle. Vallet popullore shqiptare nga historia, dihet që janë aq të lashta sa vetë historia e popullit shqiptar. Vallet epike karakterizohen nga forca, burrëria, trimëria, karakteri luftarak, madhështia etj.  Në disa valle ka gërshetim të lirikës me epikën, vallet liriko-epike. Gërshetimin e valles epike me atë lirike do dëshëronim (pasi për një moment kam hedhur tutje modestinë) edhe për të kërcyer 20 poezitë e mia, të cilat janë krijuar posacërisht për monumentet natyrore të Gramshit.

Do e fillonim vallen me poezinë “Liqeni i Dushkut” E donte mali i Komjanit një liqen si ti/ Bukuroshi si kon e donte një pasqyrë/Dhe ti mbive atje ku dëshëronte ai/ Që në mëngjes të shihej në fytyrë./ Kur shikon këtë monument natyre e në sfond malin e Komjanit nuk ka si mos  të shoqërojnë në sub-koshiencë zhurmat që bëjnë erërat që fryjnë nga Guri I Topit.Tingujt magjikë të dudukut, ekzekutuar nga instrumentisti me nam latinoamerikani Pedro Eustache në Koncert Yanis në pjesën “Nostalgjija”. Vallja, nga Meca e deri te maja e Lisecit ku ndodhet monumenti tjetër i natyrës, “Krushqit e ngrirë të Lisecit”, shkon nëpër monopate e kodra të bukura, ku era e cajit të malit dhe rigonit, ndihet e fuqishme. Nuk ka si të mos na shoqërojë në këto momente kënga “Kujt i lanë amanetin? kënduar aq me pathos e ndjenjë njerëzore që ngjall mallëngjim nga këngëtari virtyoz  Ylli Baka. Mesazhi i këtij monumenti është sa i gjërë aq i thellë. Jetës i jepet jetë. Në se vallja do të vazhdonte, gjithnjë në të kundërt të akrepave të orës, do të hynte në valle një valltare tjetër, tepër simpatike, “Kanioni i Holtës”.Aty afër janë shtëpitë e fyelltarëve vyrtiozë Naim Sharku e Shaqir Sinani. Deri aty na ka shoqëruar “simfonia e fyejve të Gramshit” kompozuar e drejtuar në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës nga mjeshtri i muzikës  Alajdin Topciu.Të 17 “avazet” e trashëguara nga Pani i Lashtë me Gunë, janë shkrirë në një, që tani i shkojnë për shtat monumentit tjetër, “Karsti i Tërvolit” “Karsti krenar në dimër takijen me borë”… Ai pellg, midis Vinës dhe Kabashit cuditërisht mbart mbi shpinë disa monumente të natyrës, të cilët dallohen nga bukuria dhe mesazhet që japin. Ksisoj, vizitorit të këtyre zonave nuk i ndahen meloditë e pjesëve instrumentale të Limos Dizdarit  nga filmi “malet me blerim mbuluar.”  Por jo vetëm aq. Nuk ka një mendim të kristalizuar, që lumi mori emrin Holta, nga emri i mbretëreshës Holta që mbretëronte në zonë me seli në kalanë e Kabashit, apo mbretëresha mori emrin nga lumi Holta? Nuk mungojnë as  përrallat e legjendat për arkivin e thesaret e Skënderbeut apo Gjorgj Golemit. Ja, tani vallja ka mbrritur tek “Kanioni i Holtës” “Cdo vajzë a nuse që emrin Holta mban/ Emrin që ka një bukuri estetike të rrallë/  Të shkruar e dëgjuar, emër puro pagan /Kujton lumin Holta që zbret dallgë-dallgë.”Në valle tashmë është futur dhe “Shpella e Kabashit” Vargu i valltarëve nuk i trembet thellësisë deri 600 metro të kësaj Shpelle. E shikojnë me nostalgji dhe një nga valltaret e reja reciton strofën

“ Ka legjenda dhe amanete që si tret dheu

Në to e arkiva tregime, legjenda do të gjeni

Për thesare e arkiva  nga Skënderbeu   

Në këngë e legjenda feks Gjorgj Golemi

Zëri i saj përzihet me këngën “Toka ime” kënduar nga këngëtari I talentuar Ylli Baka me tekst të poetit të pa përsëritshëm Arben Duka.

Cuditërisht kalon në këto zona, ku po të shikosh lart, deri ku përfundojnë majat e maleve e gërxheve, të bie kapelja. Por jo vetëm kaq. Kur dëgjon zhurmën që bën uji në shtjellat e gropat, të shoqëron melodia imagjinare e poemit “Vëlltava” të Smetanës. Ajo përzihet me”Pergyntin” e famshëm të Grigut e të shoqëron deri në dalje të kanionit. Qershija mbi tortë qetësimit të ujrave të Holtës, shoqërohet  me pjesën japoneze “Marmurim i ujrave të pranverës” kompozuar nga Diku Si.

Më pas valltarët pasi kalojnë lumin e Devollit, marrin rrugën drejt qytetit të Kodrionit të lashtë. Pse të mos e bëjmë këtë ngjitje të lehtë duke dëgjuar në subkoshiencë pjesën orkestrale “Baresha” të ekzekutuar aq bukur nga violinist talent Shkëlzen Dobi. Bashkohen aty të veshur me kostumin e bukur Sulovar “Kanioni i  Sinecit”, “Dushkaja e Katër lisave”,Në këtë dushkajë shumë gjahtarë që e kanë frekuentuar për gjueti,i ka shoqëruar kënga “Do marr ciften të shkoj për gjah” ”Arra e Tunjës”, “Taraca e Ballollës”.Valltarët kanë dëshirë të clodhen e të hedhin një sy këtij monumenti të bukur. Ambientin e zbukuron kënga “Lulja e Sulovës” kënduar nga këngëtari i apasionuar për këngët popullore, biri i atij vendi Kastriot Braho.  Zëri i tij melodioz, me një kumbim të vecantë duartrokitet nga valltarët miq. Ata kërkojnë përsëritjen e këngës “Të këputi lemza”. Ju plotësohet dëshira dhe këngëtari e valltarët  hedhin vallen me ritmin e këngës. Monumenti natyrës “Taraca e Ballollës” nuk ka parë në historinë e tij kaq valltarë, orkestrën dhe Kastriotin duke kënduar.

Bukurinë e kodrës e kap cdo sy  

Bukuri si e stolisur me dorë                 

Gjithëshka fle mbi të mirat ende aty

Që aty  Eduard Liri pikturoi Tomorrë

Por valltarët nuk mund të lënë pa shikuar dhe dy monumente të bukura të Tomorricës. Tomorri e Tomorrica me sa duket, namin dhe emrin ka lënë në Skrapar. Ujrat me bujari mali i Tomorrit i derdh në teritorin e Gramshit. Ja, si gurgullojnë dimër e behar  ujrat e”Burimit të Kërpicës”

Ujëra të shumta, shkumbë gjith jetën

Në Kërpicë gurgullojnë ato pa pushim

Mali i Tomorri aty ka hapur rubinetën

Krahina  e më tej të kenë ujë pa kursim

Aty, valltarët freskohen, pinë ujin e ftohtë të Kërpicës. Por, tek hieja e arrës ku po pushojnë plasi kënga e kënduar nga këngëtari popullor skraparli Nesim Meno, dhe pritësi, këngëtari vyrtioz i Gramshit Xhevair Bora. Të dy këta këngëtarë formojnë një cift të përkryer  për këngën popullore. Kur i shikon dhe dëgjon tek këndojnë aq bukur këngën “O Tomorr o mal i lartë”, qartësia e zërit të tyre i ngjan ujrave kristal të burimit të Kërpicës. Valltari i ri bashkohet me shokët duke u drejtuar  së bashku tek “Ujëvara e Sotirës”.Ky monument i natyrës ka bukuritë e veta të pa diskutueshme. Uji që kapërderdhet nga guva zgafellë e malit të Tomorrit, del me vërtik e derdhet poshtë shkëmbit gjithë shkumë. Stërkalat e ujit ar të kulluar në ditët me diell formojnë ylbere të mrekullueshëm. Në qiell ngrihet një shqiponjë krenare dhe fluturon drejt malit të Koshnicës. Në veshët e valltarëve ngatërrohet melodia “Shqipja e Andeve” me këtë panoramë kaq të bukur.

“Gjahu i malësorëve”, nuk u vu kot aty

Për malin e Tomorrit Kristoforidhi shkroi

Ai e ka shkelur me këmbë e parë me sy

Ndaj me vende të tjera nuk e ndërroi

Lart në qeta, mali me borë dingëz i fryrë

Përbrenda nga ujrat gjëmon dhe bucet

“Inatin” e nxjerr në Ujvarë duke shfryrë

Flak në humnerë ujrat, stërkala si det

Kërcimet e valltarëve i shoqëron kënga e bukur popullore “Ku mërzen cjapi me zile” kënduar nga vëllezrit Bashkim e Sefedin Cela. Me zërin shpellë ata zbukurojnë panoramën që shfaqet më lart Ujëvarës që kjo këngë aty shkonte bukur për shtat. Këngëtarët, duke u lindur e kaluar fëmijërinë në këtë zonë e njohin shumë më mirë se kush do dhe forcën burrërore të zërit dhe lajkatimin e këngës më mirë e saktë se ata zor se ka të dytë. Tek dëgjon këtë këngë, ison gurrë që shoqëron këngën, tingujt e jehona e saj shpërndahet e merr malin, të vjen të mendosh “Ah! Sikur të ishte dhe  Kristoforidhi dhe Mark Shalëgjati në këtë gëzim e hare!”

Vallja e poezive kalon lumin e Tomorricës, hedh hapat e para të saj në “Bishtin e Nartës”. Nga ky vend tek Objekti religjioz fetar rruga është pak e gjatë, por nuk ka shumë lodhje kur shoqërohet nga pjesa orkestrale e kompozuar nga Tish Daija, “Një ditë pikniku”. Aty valltarët i ka pritur monumenti “Gështenjat dhe pishat në Skënderbegas”.Për prezantimin e tij do të mjaftohej vetëm dy strofa.

Monument i befasive je

Të ty shikosh në hartë

Trupin si krokodil e ke

Nga Koshnica në Nartë

Teqja, objekti religjoz fetar  

Pranë pyllit krenar qëndron

Mbi gjysmën e rrethit mbarë

Prej aty rrok syri dhe shikon

Në sheshin  e teqesë vëlon kënga e vallja. Prej aty syri kap një pjesë të mirë të krahinës së Vërcës, Gramshin dhe ujëmbledhësin e HC/Banjës, Sulovën, Tomorricën, malin e Tomorrit, më madhështor e më afër se kurrë. Kënga “Dielli i zemrës” e kënduar nga këngëtari popullor i zonës Neki Xhupani  dhe kantautori i talentuar Abedin Murati përhapet lart në qetat e malit të Koshnicës. Këta këngëtarë vazhduan të këndonin këngën “E vogël, e bukur” dhe e mbyllën me “Rapsodi për flamurin”.

Valltarët tani, pas asaj shlodhje dhe argëtim tek Teqja e Shëmbërdhenjit, përgatiten të kalojnë Devollin dhe të dalin në Qafën e Dushkut. Vendi dhe rruga për të udhëtuar e hedhur valle ka vështirësitë e veta. Por kompozimi i Nikolla Zoraqit “Një ditë feste”, valltarëve sikur u a hoqi lodhjen me dorë. Aty mbyllet një rreth i madh i valles, mbasi  fare afër është monumenti i natyrës “Liqeni i Dushkut” prej ku jemi nisur. Por rrethi I valles së madhe nuk do të mbyllet këtu. Valltarët tani hedhin vallen mbrapa malit të Komjanit. Kënaqësi dhe freski ju bën pyllii pishës, deri tek Kroi i Bardhë. Aty mbaron pylli dhe fillojnë livadhe e lëndina të bukura të veshura me lule gjithëngjyrëshe. Vallja tani hidhet në majën më të lartë të kodrinave nga ana e majtë e të cilave hapet horizonti I Vërcës dhe shikimi përfundon në malin e Lisecit. Nga e djathta hapet tjetër horizont. Shënepremtja shtrihet si një stadium gjigand natyror e rrethuar me male. Prapa Shkëmbit të Kopacit  sa të ha syri shtrihet Grabova, horizont i së cilës tretet natyrshëm në malin e Valamares. Pikërisht këtu ndodh ajo që nuk pritej. Melodinë e fyejve e “mbyti”kënga e Lenies kënduar nga Neki Shuli shoqëruar me orkestër. Grabova ka pasur madhështinë e vet. Nuk po ndalim në historinë e saj të cilën e ka lëvruar historian i talentuar Mecan Hoxha me librin që ka botuar për të me titull “Grabova e bukur me arumunë”, por aty na bashkohen valltarë të tjerë, si “Liqenet e Valamares”,” Mocalet e Grabovës” dhe “Rrobulli i Valamares”. Këta valltarë i japin freski e bukuri të vecantë valles. Nga “Rrobulli i Grabovës” shkëputim.

Grabova dhe ti jini ekzemplarë

Sejcili kapedan në rolin e vet

Mbushe 400 vite, kurrë nuk je qarë

Emira në cdo hap të ndjek e të gjet

Në “Mocalet e Grabovës” valltarët nuk shkojnë   si “Cobankat që shkojnë zallit”,por hedhin vallen mbi tapetin e mocaleve të cilat janë:

Poshtë sfungjer, burime plot

Lart qilim me  c’mban natyra

Mocalet kështu janë sot             

Nur të vecantë u lëshon fytyra .

Rrëzë Mocaleve grabovarët kanë ndezur zjarre e po piqnin mishrat. Era e mishit të pjekur u cponte hundën. Nga arti kulinar ka dalë mësimi se “ushqimet janë shumë të shijshme kur gatuhen aty ku prodhohen.”Këtë e provuan valltarët, me mishin e pjekur, djathin e skuqur dhe mjaltin e sapo nxjerrë.  Grabovarët mikpritsa nuk rreshtnin së kënduari këngën e “Llaj, llaj cobanit”.Valltarët tani drejtohen për në Shënepremte duke zbritur nga qafa e Kuratës.

Ata të lodhur, por të kënaqur takohen përzemërsisht me katër fyelltarët e Shënepremtes, të cilët do të bëjnë orkestrimin e valleve në Dritaren Tektonike të Lenies. Afëz Tacja, Sefkë Bici, Shahin Hasa dhe Yzeir Ibra, me fyejt prej druri në dorë, si Pani i Lashtë me gunë tokin valltarët një për një. Aty kishte dalë dhe Neki Shuli dhe Abedin Murati, ky i fundit autor i “këngës të Lenies”. Më tutje është këngëtari i njohur i këngës popullore, Avni Lushka, nip në këtë fshat. Gjëmon zëri i tij tek këndon këngën “Atje lart tek Guri i Bardhë”.

Programin, skenën dhe mundësitë teknike për “të hedhur vallen gjigande” ato poezi praktikisht janë të pamundura. Ndaj më mirë se kudo ato do të luheshin në “Dritaren tektonike te Lenies”,e cila përfshin 5 fshatra në një lartësi mbi nivelin e detit nga 1100 metro deri 2373 metro (Maja e Valamares).dhe një sipërfaqe mbi 150 kilometra katrore.Fyelltarët Sefkë Bici, Yzeir Ibra Afëz Tacja Shahin Hasa i japin vijën melodike valles me një nga 17 avazet qe nxirnin me fyejt e tyre.  Ata me fyejt e drurit në duar, si Panii Lashtë me gunë, janë gati  për të filluar vallen e poezive. Sapo futen në fshat përpara valltarëve del lumi i bukur alpin që vjen nga Grabova.

Ja si bucet lumi dhe s’ndal

Ushi dhe mëlleza era i përkul

Dallgët i con lart si mal

Plot stërkala dhe prap i ul

Kujtesën e lumit ngacmojnë

Dhjetra liqenj lart maleve

Qielli ndizet flakë dhe prushi

Shuhet në shkumbën e valëve.

Zhurma e lumit alpin përzihet me tingujt e këngës “Oh kjo anë e lumit/ka bilbila shumë” kënduar nga  këngëtari Avni Lushka. Duke lënë pas këto bukuri, valltarët vazhdojnë vallen drejt fshatit Bicaj.Kthejnë kokat mbrapa si për tu përshëndetur me “Shkëmbin e Kopacit”

Të le pa mend shkëmbi i carë

Po kërkojmë nëpër legjenda

Si ka ndodhur e si ka ngjarë

Cfarë misteri e mban brenda.

Vallja vazhdon më tej. Tani valltarët janë afruar një lumi tjetër alpin që burimin e ka nga Liqeni i Zi.  Cuditërisht tingujt që lëshon daullja po përforcohen. Ritmi i valles sikur rritet e rritet.   Është zhurma e ujit që ve në lëvizje turbinën e mullirit të fshatit, janë “trakalaqet” e mullirit përzier me melodinë e fyejve e daulles. Vargut të valltarëve u shtohen dhe dy të tjerë. Ata nuk e kanë moshën si të valltarëve. Janë dy bilbilat e këngës të Shënepremtes, Rrapo Hyka dhe Tefik Hyka që po hedhin valle me të tjerët si të ishin të rinj. Ata sot nuk e kënduan atë këngën që fillonte:’C’kini gjunjë që u pretë?/Sëmurë jini a bëni vetë./ Kur kishin kapur për dore “Dardhën rrumbullake…” “fajin e ka kënga”,në zemrën e shpirtin e tyre pleqëria kishte marrë arratinë.

Në krye të fshatit, afër Qafës së Shënepremtes ka shtëpinë intelektuali i shquar Ramadan Bici. Ai, me punën e vet ka ndërtuar shtëpinë (Si e ka lënë amanet i ati) por edhe një kompleks prodhues disa hektarësh me arra,lajthi, gështenja, dhe qindra koshere bletësh. Ai u del përpara valltarëve,(Sic u dalin krushqeve kur marrin nusen) i uron për mesazhin që cojnë e bartin dhe i gostit me pije e prodhime tradicuonale.

Rruga për në malin e Lenies dhe Liqenin e Zi është pak malore, por kjo nuk e ul ritmin e valles. Pak të lodhur, valltarët ulen në sheshin pranë “Krorëve Binjakë”, pinë ujë, freskohen, kur pa pritur këngëtari Neki Shuli dhe Avni Lushka ja kanë marrë përsëri “Këngës së Lenies.” Rruga drejt monumenteve të natyrës të “Liqenit të Zi” kalon nëpër livadhe të bukura të veshura me bar dhe lule gjithë ngjyrëshe. Pyjet e ahut më lart, pa dalë në kullotat alpine, krijojnë hije e  freski. Kolona zanore e filmit “dimri i fundit”; shoqëron në cdo hap valltarët. Ja. Më në fund valltarët kanë dalë në “Qafën e Mushkës”.Aty ndan kufiri me qarkun e Korcës. Lartësia e kësaj qafe rreth 2 mijë metro mbi nivelin e detit, lejon të shihet me sy të lirë treva e Korcës me fushën e saj gjigande, Mali i Thatë, Mali i Ivanit e më djathtas maja e Ostrovicës. Përzihen mjaft melodi, kollona zanore filmash, këngë e rapsodi. Dominon një pjesë e simfonisë nr.5 të Kristo Konos. Duket sikur distanca nga  “Burimi Cardakut” tek  “Qafa e Mushkës” është shkurtuar fare. Valltarët pastaj mbajnë majtas dhe pas pak shikojnë monumentin e shumëpritur, “Liqenin e Zi”. Ende pa ulur tek sheshi ku ndodhet “Burimi i Ftohtë i Liqenit të Zi.” dëgjohen orkestra të cilat ekzekutojnë valle të tjera. Qindra vetë vallëzojnë në dy rrathë valltarësh të mëdhenj. Në njërin nga rrathët muzikologu vyrtioz i klarinetës Aleks Xhelili me shokë kanë mbërthyer veglat muzikore dhe tingujt e Pogonishtes mbushin ambientin e bukur për rreth. Në rrethin tjetër të valles ekzekutohet “Pajtushka”.Vargu laragan i të rinjve e të rejave të Prespës duket se nga shpejtësia do e fitojë kësaj rradhe garën me valltarët e Pogonishtes. Papritur të dy orkestrat e vallet pranë pusit ku bëhen banjot baleare, heshtin.Ka dalë në sfond daullja me katër fyelltarët e Shënepremtes dhe vargu i gjatë i valltarëve, koka e të cilit po i afrohej burimit të Ftohtë të Liqenit të zi dhe fundi ende ishte afër Qafës së Mushkës.

Liqeni i Zi jo vetëm që ndodhet në një lartësi të konsiderueshme mbi nivelin e detit, por është si një pikë trigonometrike ku kryqëzohen kultura, zakone e tradita të vecanta si dhe folklor karakteristik i komuniteteve që e rrethojnë. Të rinj e të reja të Pustecit kanë gjuhën e tyre, muzikën e folklorin e tyre. Nga komuniteti arumen flitet arumaneshtja. Greqia nga ana e saj ka gjuhën dhe folklorin e vet, që vec vendasve sot i kanë përvetësuar dhe shumë të rinj e të reja shqiptare të cilët kanë punuar e punojnë në Greqi. Kjo mpleksje traditash, gjuhësh dhe folklori shikohet dhe tek ky monument interesant i natyrës. Dihet, se miku, sado larg të jetë, zgjidhet.  Gjitoni (komshiu) nuk zgjidhet. Është ai me të cilin kemi fatin të bashkëjetojmë. Më drejtohet një cift grek. Me ata ishte dhe një djalë nga Shënepremtja i cili i kishte ftuar të vinte familjarisht në Shqipëri dhe luante rolin e përkthyesit. “Për festën e Panagjisë kam ftuar shumë miq shqiptarë nga Shënepremtja, Voskopoja, Pendavinji, Boboshtica. Dhe ne në Katerinë me këngë e valle festojmë. Me valle të kënduara tamam si tek ju, ngjitemi në malin e Olimpit.” Në altoparlantin e hapur me zë të lartë, pas këngës “Baresha” të kënduar nga  Pagarusha, soprano Shqipe Zani këndon këngën “Margjelo” të kompozuar nga Prenkë Jakova më pas  dëgjohet kënga greke “Roza” kënduar nga këngëtari grek Mitropano. Jemi në Ballkan. Këngën nuk e ndajmë nga shpirti.

Shyqyri Fejzo

Pendavinj, Prill 2022