Mendime
Ibrahim Kabili: Burhani nuk ndahet nga Benda
E hene, 02.05.2022, 02:23 PM
Burhani nuk ndahet nga Benda...
Nga
Ibrahim Kabili
Intelektualin
dhe artistin e mirnjohur Buron Kaceli e kam njohur në vitet '80-të . Unë nuk
kam punuar me Buronin si koleg në arsim por për punën e tij si mësues dhe pasionin e tij për
pikturën më kanë folur kolegët e tij dhe kam opinione nga komuniteti. Shpejt u
njoha me të përmes veprave artistike të
tij. Në pikturë ai ra në sy me krijimet e tij në Vilëz dhe Bendë në vitet
1970-80. Edhe sikur të mos mjaftonte kjo, piktorin talent ma
"kujtonte" çdo ditë portreti i arrirë i Buronit kushtuar gjyshit tim,
emrin e të cilit mbaj edhe unë. Ky portret është i vendosur në pjesën ballore
të dhomës sime të pritjes. Për Buronin më foli dhe më tha fjalët më të mira
edhe babai im Zijai. Në vitin 2012 Buronin e ritakojmë në Tiranë bashkë me
kolegun Hysa, ku ai na dha të drejtën të vendosnim portretin e Zenel Bastarit
te libri "Benda në rrjedhën e historisë". Portreti qe bërë nga babai
i tij Sadik Kaceli, "Nder i Kombit". Një indicje për të bërë këtë
shkrim modest për të, qenë ndër të tjera edhe disa krijime për zonën tonë dhe
krijimtaria e gjerë artistike e tij...
Më
pret me dashamirësi në studion e tij në Tiranë më datën 14 dhe 19.04.2022.
Biseda qe shumë miqësore.
Buron
Sadik Kaceli lindi në Tiranë më 25.01.1948 në një familje me tradita
patriotike, atdhetare dhe kulturore. Familja Kaceli është me histori 300-400 vjeçare
në Tiranë dhe një nga familjet qytet formuese të saj. Familja e tij ka qenë
prezent në kohë në ngjarjet kombëtare dhe ka dhënë ndihmesën e saj. Ismail
Kaceli ka rënë dëshmor në mbrojtje të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Për këtë,
Buroni citon: "Fishta babait tim Sadikut, kur ky ishte nxënës, i ka
recituar vargjet:
...Merr
Kacel njëherë lahutën,
E
ma thuaj një kangë shqiptare,
S'majmë
na zi pa na qit fare...".
Gjyshi
i tij Osmani ka marrë pjesë në Luftën e Shkodrës. Familja e tij ka mbështet
edhe Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Buroni shton: "E mbështetëm
Luftën deri në mbledhjen e Mukjes. Pas kësaj familja u tërhoq mbasi nuk e desh
komunizmin".
Shkollën
fillore dhe shtatëvjeçare e kryen me rezultate shumë të mira në shkollën
"11 Janari" dhe "Misto Mame". Në vitet 1960-64 kryen
arsimin e mesëm pranë Shkollës së Mesme Artistike "Jordan Misja" në
degën e pikturës. Ai kujton me shumë respekt profesorët: Abdulla Cangonji, Zef
Shoshi, Janaq Paço, Abdurrahim Buza, Kel Kodheli, Llazar Nikolla etj.
Në
vitet 1965-1970 mbaron me rezultate shumë të mira Institutin e Lartë të Arteve,
dega pikturë. Ai kujton me shumë konsiderate dhe respekt pedagogët e pikturës dhe arteve, si:
Danish Jukniu, Sali Shijaku, Ksenofon Dilo, Vilson Kilica, etj. Për arsimin kujton:
"Ashtu
si në Lice edhe në Institutin e Lartë të Arteve kemi pasur pedagoge shumë të
mirë e të përkushtuar, por pedagogu im i veçantë dhe i pazevendësueshëm ka qenë
im Atë, Sadiku, i cili më ndoqi që nga fëmijëria ime e hershme e deri vonë për
sa kohë jetojë, deri në vitin 2000. E kisha pedagog, baba, por edhe si një shok
të mirë".
Pas
mbarimit të ILA-ve Buroni emërohet mësues vizatimi në Shkollën 8 Vjeçare në
Bajram Curr. Në vitin 1972 fillon punë
në Institutin e Monumenteve të Kulturës si restaurator dhe më pas
transferohet mësues në shkollën 8-
Vjeçare Zall-Bastar. Pas gjashtë muajve
e thirrin përsëri në IMK për restaurimin
e ikonave që do të ekspozoheshin në ekspozitën e artit shqiptar të Parisit në
vitin 1974. Më pas, përsëri do të vazhdojë të punoi si arsimtar në fshatin
Vilëz dhe në fshatin Zall Bastar deri në vitin1980. Duke u kthyer mbrapa në
kohë Buroni më flet për një trajtim të kujdesshëm nga autoritetet për këtë
periudhë të punës së tij në zonën e Zall Bastarit. -"Isha një piktor me
emër, isha antar i Lidhjes së Artistëve të Shqipërisë e kështu që gjatë të
gjithë kohës kam pasur mundësinë të kisha një ambient më vehte, ambient në të
cilin kisha mundësinë të zhvilloja krijimtarinë time artistike, pikturën. Në
Zall Bastar kam punuar me kolegë të përkushtuar si, Manun Ceka, Jani Drita,
Bedri Kamberi, Bahri Nela, Shaban Seiti, etj. dhe në Vilëz me një kolektiv po
kështu të përkushtuar pedagogjik si; Avdi Mali, Nuri Bumja, Fiqirete Sorra,
Minushe Hasrama, Nuri Gjoni etj. Krahas detyrës si mësues unë realizoja punime
artistike si; peisazhe, portrete, kompozime, etj. Edhe mbas mbarimit të vitit
mësimor, i shoqëruar nga miku im Nuri Bumja vazhdoja edhe përgjate pushimeve
verore të qëndroja në zonë e të vazhdoja
krijimtarinë time artistike. Isha i lidhur me jetën shoqërore atje dhe jam përpjekur të pasqyroj në art jetën e atyre njerëzve puntorë e fisnikë. Për
këtë dhe të tjera si këto e quaj veten edhe sot si banor i saj". Në ato
vite filluam punën edhe për ngritjen e disa muzeve".
Disa
nga krijimet e tij atje qenë: "Bariu" në Malin me Gropa, "Tokë
shqiptare", "Mbathja e kuajve", "Higjenizimi i
fshatit", "Aksioni i ndërtimit të fshatit të ri Zall-Bastar",
"Mensa e fshatit", "Nxënëset e mia", "Agronomi",
" Aksioni i ndërtimit të katit të dytë të shkollës së Vilzës",
"Mbledhja e brigatës", "Korrësit e grurit", "Tabllo
nga Vilza", "Në Malsinë e Tiranës Zall-Bastar", "Hedhësja e
farës" etj. Nga portretet veçoj: "Kërcimtar Hysen Hyra", "Kafja
te burrat" Qerim Beka; Ali Bumja; Aqif Beka; Nxënësi Halil Gjoka, etj. Ka
bërë edhe disa portrete të kolegëve të tij
mësues, banorëve si dhe disa portrete nxënësish. Krijoi mbi dhjetë punime artistike në pasqyrimin e ndërtimit të Zall-Bastarit të
ri. Njëra nga këto vepra ruhet në Galerinë Kombëtare të Arteve dhe është
ekspozuar edhe në Paris. Për këtë shprehet: "Realizova një ekspozitë me
këto vepra në Zall-Bastar ku erdhi një përfaqësi e Lidhjes së Artistëve me në
krye z. Kujtim Buza. Në Galerinë Kombëtare ruhet edhe një vepër tjetër e tij,
kompozimi "Tokë Shqiptare" e realizuar po në këtë periudhë. Kam edhe
një koleksion fotosh ku kam fiksuar jetën
dhe realitetin e kohës, materiale të vlefshme këto që do të mund të
pasurojnë një muzeum të mundshëm për këtë zonë të pasur me vlera historike dhe
kulturore, një muzeum që arsimtari Nuri Gjoni me përkushtim e ka filluar e që
shpresoj të mbështetet nga pushteti lokal i Zall Bastarit". Më tej vijon:
"Gjatë kohës që punova si mësues si dhe përkushtimit tim si artist unë
fitova respektin e atyre njerëzve dhe nuk u ndava më prej tyre. Edhe sot pas
40-45 vitesh mbaj lidhje me zonën, me shumë prej banorëve fisnikë të saj. Benda
është një krahinë që meriton shumë. Ka një pasuri të madhe folklorike, një
natyrë mjaft të bukur dhe vlera të mëdha morale të trashëgimisë sonë kombëtare.
Janë shumë arsimdashës dhe kanë një botë të pasur shpirtërore. Ruajnë traditat
e të parëve si; mikpritjen, besën, respektin për jabanxhijtë, janë njerëz të
edukuar dhe me zemër të madhe. Këto cilësi janë ruajtur dhe konservuar bukur në
breza".
Në
vitin 1980 Buroni transferohet në Tiranë por nuk e shkëputi zborin nga këtu. Ai
kujton: "Isha komandant toge. U lexova zboristëve të batalionit rezervist
artikullin mbi gjendjen politike në Kosovë, dhe për demonstratat e vitit 1981
të studentëve të Universitetit të Prishtinës. Ata u prekën shumë dhe ishin të
gatshëm të shkonin atje. I ndjeri Osman Hidri nga Bastar-Murriza, çohet dhe
thotë: Komandant, na jepni fishekë luftarak në vend të atyre manovër, dhe ne e
dimë vetë rrugën për në Kosovë. U preka shumë nga motivimi i tyre... Këto janë
banorët e asaj zone".
Nga
viti 1980 deri vitin 2013 ka ai punuar në SHBLSH si piktor ilustrator i librave
shkollore, Drejtor i Kulturës në Bashkinë Tiranë, Zv/kryetar i Bashkisë Tiranë,
Anëtar i Këshillit Bashkiak, Drejtor i Albafilmit, Zv/drejtor i Galerisë
Kombëtare të Arteve. Ka qenë i angazhur politikisht dhe ka qenë; zv/ kryetar i PD-së Tiranë, anëtar i
Këshillit Kombëtar të PD-së, dhe për një periudhë Deputet i Kuvendit të
Shqipërisë.
Eshtë
martuar me Magda Spahiun. Ajo ka mbaruar Konservatorin për kanto dhe ka punuar
gjithnjë në Teatrin e Operas dhe Baletit.
Kanë
lindur dy djem, Arbërin dhe Dajtin. Arbëri ka mbaruar arsimin e lartë për
Komunikim-Dizajn, dhe Dajti arsimin e lartë për Financë-Biznes.
Buroni
ka një krijimtari të madhe artistike dhe është një nga piktorët më me emër të
vendit dhe gjithë trojeve shqiptare. Ai ka konkuruar dhe fituar vlerësime dhe
çmime të ndryshme. Vepra të tija janë ekspozuar përveçse në trojet shqiptare
edhe jashtë, dhe në një ekspozitë të përbashkët me artistë italiane ka fituar edhe çmimin e kritikës italiane. Për
shkak të punës ai pothuajse ka vizituar të gjitha territoret ku banojnë
shqiptarët duke e pasuruar krijimtarinë e tij me mjaf vepra të gjinive të
ndryshme të arteve pamore. Aderon në disa shoqata ndërkombëtare të piktorëve
dhe artistëve. Njerëz si Buroni i bëjnë nder familjes, fisit, kombit të tij dhe
më gjerë...
Ibrahim Kabili
Tiranë më 21.04.2022