Zemra Shqiptare

  http://www.zemrashqiptare.net/


Jozefina Topalli: Ne nuk mund të harrojmë

| E merkure, 17.12.2008, 08:06 PM |


Jozefina Topalli
Jozefina Topalli
Ne nuk mund të harrojmë

Nga Jozefina TOPALLI

Jemi mbledhur, me përgjegjësi të plotë, për të shkuar drejt mbylljes së një historie të errët të së kaluarës së vendit tonë. Për shqiptarët, komunizmi ishte një regjim i imponuar nga një grup politik, që u vetëshpall pronar i së vërtetës, një regjim totalitar, që lindi nga dhuna dhe deri në fund vazhdoi me dhunë. Ishte një regjim opresiv, që na shpronësoi pesë dekada të historisë sonë, që nëpërkëmbi çdo parim, vlerë morale dhe detyroi qytetarët të jetonin në gënjeshtër, mashtrim e frikë.

Unë uroj që të ngrihet një institut për të analizuar çdo komponent të sistemit totalitarist, të institucioneve qëndrore që bënë të mundur këtë tragjedi dhe të personazheve kyçe që forcërisht zbatuan e u implikuan në këtë sistem. Për ne, për fëmijët, për të rinjtë fatlumë që nuk e jetuan këtë kohë, duhet t'i tregojmë përmes një analize se çfarë ishte komunizmi në Shqipëri. Duhet t'u themi çfarë ndodhi në sferën ekonomike, se si ekonomia e komanduar prodhoi konseguencat që ende janë të dukshme, t'u tregojmë çfarë ishte kolektivizimi dhe si u imponua ai, t'u tregojmë si dëboheshin njerëzit, si persekutohej, kush rezistonte, t'u shpjegojmë si e shkatërruan elitën dhe sistemin tradicional të edukimit, t'u flasim për persekutimin e besimeve fetare, për arrestimet e personaliteteve të fesë.


Një demokraci pa memorie është një demokraci në vuajtje

Komunizmi është rasti i regjimit ilegjitim, i bazuar në ideologji fanatike, fondamentaliste, një idologji që sistematikisht kultivoi urrejtje, regjim për të cilin "lufta e klasave" dhe "diktatura e proletariatit" simbolizonin esencën e progresit historik. E importuar nga Serbia, Jugosllavia, Rusia, kjo ideologji justifikoi sulmin ndaj shoqërisë shqiptare, kundra pluralizmit politik dhe ekonomik, justifikoi asgjësimin e partive demokratike, shkatërrimin e tregut të lirë, shfarosjen nga vrasjet, dëbimet, internimet, punën e detyruar, burgosjen e mijëra shqiptarëve. Pas maskës së "socializmit" u konceptua dhe u realizua goditja më e thellë e qënies njerëzore si individ.

Regjimi komunist ishte i jashtëligjshëm dhe kriminal. Regjimi komunist kishte natyrë anti-patriotike. Ajo shiti edhe Kosovën e s'pyeti për çamët. Regjimi komunist ushtroi terror në mënyrë direkte dhe indirekte mbi çdo gjë dhe mbi gjithkund.

Nocioni i lirisë humbi krejt kuptimin.

Represioni, intimidimi, poshtërimi, mashtrimi, korrupsioni ishin "vlerat" e tij. Likujdimi i pronës private, asgjësimi i vlerave tradicionale, urrejtja për civilizimin europian e amerikan, kontrolli metodik i hapësirave të shoqërisë dhe i jetës private të njerëzve ishin konseguencat e dogmës së tij. Sfera private ishte totalisht e aneksuar nga partia-shtet.

Çdo ditë e jetës nën komunizëm ishte invaduar nga propaganda e kontrolluar e diktuar nga partia. U demonizua prona private, u kriminalizua çdo lloj disidence apo rezistence. Sigurimi ishte instrumenti përmes së cilës vendimet e partisë viheshin në jetë. Aksionet kryesore kriminale ishin:

1) Tradhtia e interesave të Shqipërisë

2) Instalimi i regjimit komunist ilegjitim dhe të detyruar përmes mashtrimeve masive.

3) Tradhtimi i interesave themelore shqiptare. Ndarja e Kosovës ishte puna e parë e tij. Pushkatimi i Patër Anton Arapit, Lef Nosit, Bahri Omarit dhe firmëtarëve të tjerë të Aktit të Pavarësisë qenë aktet e para.

4) Sovjetizimi i detyruar dhe i plotë i Shqipërisë

Në 1948, komunistët që kishin fituar pushtet absolut përmes terrorit dhe mashtrimit, filluan të instalonin sistemin e tyre ekonomik dhe social, në përputhje me atë të përcaktuar nga Lenini dhe Stalini.

Në 1948, praktikisht gjithë institucionet shtetërore u ri-formuan sipas modelit rus: gjyqësori, sistemi i edukimit, Akademia, besimet fetare.

Komunistët vazhduan të vinin në lojë sistemin juridik, përmes shfaqjeve të gjyqeve politike dhe nënshtruan qytetarët përmes një propagande të bazuar në gënjeshtra. Vënia në lojë e drejtësisë dhe nënshtrimi i qytetarëve me anë të propagandës mund të konsiderohen si veti të përhershme të regjimit komunist.

U themelua Partia e Punës së Shqipërisë si "partia e vetme e klasës punëtore" dhe organi më i lartë drejtues i shtetit (shtetit partiak). Drejtuesit kryesorë të besimit u zevendësuan. U vendos që gjithçka të shtetizohej (gjithçka që nga fabrikat deri tek dyqani më modest i një këpucari. Në fshat, u kopjua sistemi sovjetik i kuotave të detyruara të drithrave, sikurse edhe ndarja e fshatarëve në tri kategori "të varfër", "të mesëm", dhe "kulakë". U bënë me mijëra arrestime të rinjsh antikomunistë. Shtypi i lirë u ndalua. Akademia u zëvendësua në masë me të privilegjuarit e regjimit komunist. Mësimi i besimit u ndalua me ligj. Pjesëmarrja në parakalimet komuniste u bë e detyrueshme dhe në shkolla ikonat u zëvendësuan me fotografi të udhëheqjes komuniste.

5) Egzekutimi me paramendim i qytetarëve përmes veprimeve të Sigurimit dhe formave të tjera represioni

" Sigurimi, kërkoi të likuidonte të gjithë kundërshtarët e mundshëm të regjimit. Kështu u shpik "arresti" pa urdhër arresti, pa hetim apo gjyq. Me pretekstin e "ri-edukimit përmes punës", qindra mijëra vetë u dërguan në kampet e ndryshme të punës, ku ato u bënë viktimë e shfarosjes masive si rezultat i urisë, lodhjes dhe mungesave. U bënë arrestime mbi baza politike përmes propagandës ose komplot kundër regjimit, makinacione kundër rregullit shoqëror etj.

" Ju besoj se keni dëgjuar për Maliqin, Burrelin, Spaçin, për internimet dhe persekutimet.

" Nuk e di se kush merret me atë që dënoheshin në Maliq, ju e dini mirë se ç'ka qenë Maliqi.

" Po ju them një histori personale. Kam qenë e vogël dhe në shtëpi dëgjoja gjithmonë për Maliqin. Atje ishin arestuar të afërmit e familjes sime.

" Babai më thoshte se si një ditë kishte shkuar në Maliq për t'i çuar ushqimin dy vëllezërve të tij, që ishin arrestuar kur ishin 30 vjeç dhe po priste që ata të dilnin të merrnin ushqimin.

" Një njeri dilte nga pjesa e brendshme e rrethuar me tela dhe vazhdonte t'i afrohej dhe t'i buzëqeshte dhe përsëri s'e njihte.

" Vetën në atë moment u kujtua që ishte i vëllai. Ishte me skelet, ishte një kufomë.

" Sigurimi konceptoi një program sistematik të indoktrinimit të masave dhe të manipulimit, përmes thashethemeve, intrigave, makinacioneve, krijimin e konflikteve midis segmenteve të ndryshëm të popullsisë, censurës dhe shtypjen e shenjës më të vogël të pavarësisë nga ana e intelektualëve. Shenjat e këtij dhunimi të ndërgjegjes kombëtare akoma edhe sot vazhdojnë të jenë pjesë e mendësisë popullore.

6) Zhdukja me paramendim e të burgosurve politik ë

" Numri i të burgosurve politikë vlerësohet më e larta në Europë në % me popullsinë (shifra maksimale). Gjatë regjimit të Hoxhës, numri i të burgosurve politikë ishte thjesht mijëra. Shifrat e vërteta kamufloheshin si shifra të burgosurish për krime apo si pacientë në spitale psikiatrike, këta të fundit trajtoheshit me elektroshok dhe droga të ndryshme.

" Në Shqipëri janë të panumërta vendet e burgimit politik, kjo që përfshin hetuesitë dhe vendet e seleksionimit, burgjet si dhe kampet e punës së detyruar. Nëse përfshihen edhe zyrat qëndrore të Sigurimit, ku të burgosurit dërgoheshin pas arrestimit që t'i nënshtroheshin hetimit (pyetjeve). Kishte disa spitale psikiatrike që përdoreshin për qëllime politike, ku të burgosurit i nënshtroheshin "ri-edukimit".

o Kisha Katolike konsiderohej "çerdhe e imperializmit", "fole spiunësh dhe tradhtarësh" etj, për shkak të lidhjeve të tyre me botën e huaj. Një varg gjyqesh politike përfunduan me dënim apo përjashtim. Si në rastin e sundimeve të tjera, shkollat katolike romake u mbyllën dhe priftërinjtë "reaksionarë" u arrestuan, u vranë dhe u persekutuan.

o Besimet e tjera u persekutuan njëlloj, në bazë të faktit që ata "kontrolloheshin nga jashtë".

o Regjimi ndëshkimor për të burgosurit politik ishte regjimi i shkatërrimit të ngadaltë, kryesisht nëpërmjet urisë, të ftohtit, formave të ndryshme të torturës, mungesës totale të kujdesit shëndetësor, mungesës së higjenës, etj. Para se të mbërrinin nëpër burgje, të burgosurit politikë torturoheshin rregullisht duke përdorur metoda të mizorisë ekstreme gjatë marrjes në pyetje të Sigurimit. Të shumtë kanë qenë ata që kanë vdekur në hetuesi. Në burg tortura vazhdonte në forma të tjera. Të burgosurit që konsideroheshin si të pabindur, izoloheshin në errësirë të plotë, të lidhur tek një unazë në qendër të qelive të tyre. Ata futeshin në qeli lakuriq dhe këmbëzbathur. Racionet ushqimore ishin reduktuar në gjysëm. Në errësirë dhe në të ftohtë, duke vdekur nga uria ata i detyronin të rrinin në këmbë gjithë ditën dhe gjithë natën.

Në kampet e punës, të burgosurit asgjësoheshin nëpërmjet mundimeve fizike mbinjerëzore, vdekjes së ngadaltë nga uria (nga 500 deri në 1000 kalori në ditë krahasuar me 2000 deri në 2500 kalori që ka një dietë normale), mungesa e mjekimit dhe standartet çnjerëzore të akomodimit. E gjitha kjo zakonisht kombinohej me tortura nëse nuk plotësohej norma e punës.

Pas përfundimit të dënimeve të tyre, shumë të arrestuar internoheshin, në kushte të mjerueshme; pas dy-tre vitesh zakonisht pasonte një dënim i ri, duke sinjalizuar kështu rifillimin e torturave deri në asgjësim pothuajse të pashmangshëm.

o Fenomeni i sulmit ndaj rinisë

Në vitet 1949-1951 pothuajse kishte përfunduar shkatërrimi i elitës së shoqërisë: intelektualët, diplomatët, priftërinjtë, oficerët, gjykatësit, policët dhe politikanët e "regjimit të borgjezisë - pronarë të tokave" ishin burgosur, fshatarët më të industrializuar ishin dëbuar në kampet e punës së detyruar. Ata të gjithë, në mënyrë kolektive dhe individuale quheshin "armiq të popullit". Tani mbetej asgjësimi i forcës së paparashikueshme të rinisë. Për këtë të fundit u shpik eksperimenti që quhej ri-edukim. Metodat më barbare të torturave psikologjike përdoreshin për të burgosurit e rinj "kokëfortë", me qëllim që t'i detyronin ata që në mënyrë reciproke të poshtëronin njëri - tjetrin, të abuzonin fizikisht me njëri-tjetrin dhe të torturonin mendërisht njëri-tjetrin. Viktimat shndërroheshin në skelete; të burgosurit torturoheshin nga shokët e tyre, nga bashkëvuajtësit e tyre. Qëllimi: "ri-edukim" nëpërmjet shkatërrimit fizik dhe psiqik, kthimi i të rinjve në ateistë, në spiunë të shokëve të tyre.

o Puna e detyruar

Puna e detyruar - do të thotë, përdorimi i të burgosurve politikë për punë në miniera ose në projekte të ndryshme ndërtimi - përdorej gjerësisht gjatë periudhës komuniste dhe qëllimi i saj ishte asgjësimi masiv.

o Gratë në burg

Kishte disa burgje të rezervuara vetëm për gratë: Maliqi. Lindja e fëmijëve dhe kujdesi ndaj fëmijës merrnin dimensione krejt të ndryshme në burg. Nënat shpesh ndaheshin në mënyrë tragjike nga fëmijët e tyre.

7) Asgjësimi i grupeve të përkrahësve të rezistencës antikomuniste në male (1945-1962)

Rezistenca ndaj komunizmit filloi të manifestohej menjëherë pasi komunistët erdhën në pushtet. Jo vetëm ato që i kundërviheshin komunizmit në mënyrë të drejtpërdrejtë arrestoheshin, merreshin në pyetje dhe dënoheshin, por edhe të afërmit e tyre, motrat, vëllezërit dhe prindërit. Të përballur me këtë valë masive agresioni personat e vënë në shënjestër u arratisën. Propaganda komuniste i quajti "banditë". Terrorizimi në hetuesi i familjeve dhe të afërmve të atyre që ishin nëpër male, përjashtimi i fëmijëve nga shkolla dhe përdorimi i mënyrave brutale kundër tyre bënë që shumë të arratisur të dorëzoheshin, në mënyrë që njerëzit e tyre të dashur të mos torturoheshin. Ata dënoheshin me burg për shumë vite dhe u konfiskohej e gjithë pasuria, për "krimin e makinacionit kundër rendit social". Shumë prej tyre u vranë.

8) Shtypja e Kishës. Arrestimi ose asgjësimi i atyre që iu kundërvunë komunizmit (1948-1989)

Regjimi komunist kërkonte të çrrënjoste besimin fetar dhe të impononte ateizmin.

o shumë priftërinj vdiqën në rrethana të dyshimta, të tjerë u arrestuan ose ishin në "arrest shtëpie" nëpër manastire. Gjatë kësaj periudhe, me qindra priftërinj u arrestuan. Për më tepër, një numër i madh murgjish dhe murgeshash u arrestuan. Disa manastire u evakuuan me forcën e armëve. Me qindra priftërinj u arrestuan, me justifikimin që ata përhapnin misticizmin, predikonin kundra materializmit dialektik ose me justifikimin që i kundërviheshin sistemit socialist.

9) Arrestimi, vrasja, dënimi politik ose internimi i fshatarëve, të cilët i bënë rezistencë kolektivizimit (1949-1962)

Në brendësi të "luftës së klasave", fshatarët u ndanë në tri klasa: "të varfër", "të mesëm" dhe "kulakë". Lufta kundër "të lëkundurve", "kulakëve" dhe "fshatarët e mesëm", të varfrit duheshin të "shkolluar" për të mirën e kolektivizimit. Shumë fshatarë humbën jetët dhe lirinë. Rreth 96 përqind e sipërfaqes së punueshme u përfshi në strukturat e kolektivizimit.

10) Internimi me objektiv shfarosjen

11) Shkatërrimi i kulturës. Arrestimi i intelektualëve kundërshtarë (1945-1989)

Sapo erdhi në pushtet regjimi komunist, Partia imponoi orientimin pro-sovietik të kultit proletariatit në të gjithë fushat kulturore. Bibliotekat dhe libraritë u spastruan nga titujt që ishin të padëshirueshëm për diktatorin (mbi 8.000 tituj). Asgjë nuk mund të publikohej apo shfaqej pa pasur miratimin e tij. U morën masa për të zhdukur çdo gjë që ishte e lidhur me traditat evropiane apo kombëtare. Historia u ndryshua. Traditat kombëtare u zëvendësuan me kulturën e "realizimit socialist". Shumë njerëz që merreshim me kulturë u burgosën, ndërsa të tjerëve iu ndalua të botonin veprat e tyre. Ky ishte një genocid i vërtetë kulturor, pasojat e së cilës kanë lënë akoma gjurmë në ndërgjegjen e popullit.

12) Shtypja e kundërshtarëve dhe bashkëpunëtorëve komunistë në vitet 1970 deri 1989

13) Pasojat kriminale të "politikës demografike", për të cilat nuk kemi folur më përpara

Gratë në moshën e fertilitetit i nënshtroheshin vizitave të detyruara gjinekologjike, në mënyrë që nëse ishin shtatzënë të regjistroheshin. Gratë që nuk donin të çonin deri në fund shtatëzëninë, i nënshtroheshin abortit klandestin në një forme shumë të rrezikshme dhe primitive. Është e llogaritur që mijëra gra vdiqën nga përpjekje të tilla, për të ndërprerë shtatzëninë.

Shumë fëmijë të padëshiruar nga prindërit lindën me probleme serioze shëndetësore. Gjatë kësaj periudhe, u rrit vdekshmëria foshnjore; në mënyrë që shifrat zyrtare të rezultonin më të ulëta, lindjet regjistroheshin më vonë, ose nuk regjitroheshin fare.

14) Konceptizimi komunist i frikës dhe i varfërisë morale dhe materiale qartë apo në mënyrë të nënkuptuar, si instrumente për mbajtjen e pushtetit.

Të gjithë format e shtypjes fizike apo mendore, të gjitha format e varfërisë morale dhe materiale të përmendura më sipër, ishin instrumente të programuar për të shtypur dinjitetin njerëzor, për ta poshtëruar, çnderuar, përulur, degraduar dhe terrorizuar. Të gjitha këto futën në psikën shqiptare një mosbesim ndaj vetes dhe të tjerëve, gjeneralizuan frikë, dëshpërim, zemërim, një ndjenjë kotësie, frikë dhe dyshim ndaj të tjerëve, - ndaj kolegëve, fqinjëve, shokëve, madje edhe të afërmve. Të gjitha përfaqësonin mënyra të vazhdueshme për përjetësimin e regjimit komunist dhe nënshtrimit të popullit shqiptar.

Këto janë vetëm disa nga arsyet pse duhet dënuar komunizmi 18 vjet pas rrëzimit të tij nga qytetarët shqiptarë dhe nga Partia Demokratike.

Asnjë parti në Shqipëri nuk duhej të distancohej e aq më pak ta politizonte aktin e dënimit komunist.

Megjithatë, komunizmi i importuar që na eksperimentuan në jetën e prindërve tanë për pesë dekada është një plagë e hapur, për sa kohë që në krye të disa institucioneve vazhdon të kemi xhelatë të këtij regjimi. Sadizmi nuk ka cak kur ata ngrenë zërin për të drejtat e njeriut ose për drejtësi. Flasin për të drejtat e njeriut ata që kanë vrarë, që kanë varur, që kanë internuar, që kanë dëbuar. Kjo qenka shkelje e të drejtave të njeriut, se nuk duhet të jesh në krye të institucioneve të shtetit të sotëm demokratik? Është shkelje e të drejtave të njeriut se nuk mund të jesh më në Gjykatën e Lartë, Gjykatën Kushtetuese dhe në Gjykatat e tjera? Është shkelje e të drejtave të njeriut që prokurorët e atij regjimi që kryen të gjitha këto kategori krimesh, duhet të jenë përsëri në krye të Prokurorisë së Përgjithshme? Jo, jo.

Po si duhet të flasim? Çfarë duhet të themi ne për të drejtat e atyre që i lanë pa prindër, për të drejtat e atyre që i lanë pa shkollë, për të drejtat e atyre që i poshtëruan, që i sakatuan, që i lanë pa familje pa asnjë të ardhme, që nuk i linin të mendonin, që nuk i linin të shpreheshin, të lexonin librin që dëshironin, që nuk të lejonin që të këndonin këngën që dëshiroje, që nuk të linin të shikoje filmin që dëshiroje? Apo për ato që nuk i lanë më kurrë të shihnin vëllanë apo motrën që ishte jashtë Shqipërisë?

Për çfarë të drejte flasin këto? Për çfarë të drejtash të njeriut flet opozita?

Unë personalisht ndihem jashtëzakonisht e nderuar që jam Kryetare e këtij Parlamenti, që e ka vendosur në axhendën e tij këtë ligj kaq të rëndësishëm. Natyrisht, mendoj se vetëm kaq nuk mjafton.

Ne duhet të marrim hapa të tjera të rëndësishme. Por ajo që unë mendoj është se ka ardhur koha që të ndërtojmë një identitet kombëtar mbi themele dhe institucione të pastra dhe të forta pa hetues, që i shërben politikës së re aq sa i kanë shërbyer regjimit fondamentalist, pa prokuror që urdhërohen nga kryetari i ri, si dje nga daja e tij, pa gjykatës që bëjnë gjyqe politike sot, siç kanë bërë dje.

Natyrisht jam e para që jam kundër hakmarrjes. Kurrë në familjen time edhe pse i kam pasur të gjithë të internuar, të burgosur, të persekutuar, të pushkatuar. Kurrë nuk kam dëgjuar fjalën hakmarrje. Kurrë nuk kam parë në sytë e tyre urrejtje. Dhe këtë jo vetëm në familjen time, por kurrë në qytetin tim, qyteti më i persekutuar më i vuajtur. Këtë nuk e ka pasur as pjesa tjetër e të gjithë shoqërisë shqiptare, nuk ka pasur asnjë akt hakmarrje gjatë këtyre 18 vjetëve për atë pjesë të shoqërisë për atë kasë që ushtroi dhunë terror frikë mashtrim gjatë gjithë kësaj periudhe.

Unë mendoj se ky ligj, ndonëse i vonuar për shkaqe që nuk vareshin nga ne ose Partia Demokratike, në vitin '95 e bëri dhe e zbatoi atë zoti Ngjela. Filloi ta zbatojë zoti Ngjela. Po ndodhi 97-ta dhe në 98-ën u ndryshua. Ky ligj, avokat do të zbatohet për Parlamentin, për Presidencën për qeverinë, për Gjykatën Kushtetuese, për Gjykatën e Lartë, për Prokurorinë e Përgjithshme dhe për të gjitha institucionet që ky Parlament ka votuar në ato kushtet e vitit '97, '98, '99 kur nuk kishte ligje.

Unë falenderoj të gjithë kolegët që kanë punuar për ligjin çek, një ligj i standardeve, një model europian që plotëson kërkesat e Këshillit të Europës, një ligj që në një farë mënyre vendos, ose punon më shumë drejt palës sociale.

RD