Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Redi Gjuzi: Edi Rama dhe urrejtja ndaj komunizmit

| E merkure, 17.12.2008, 07:37 PM |


Redi Gjuzi
Redi Gjuzi
Edi Rama dhe urrejtja ndaj komunizmit

Nga Redi Gjuzi

Sa herë që diskutohet për ligjin e dosjeve, aq herë gjenden artifica për t’i devijuar, zbutur, mbuluar dhe nganjëherë edhe justifikuar krimet e komunizmit. Në Shqipërinë e 18 viteve pluralizëm gjithçka është normale, për sa kohë në tavolinat e Kuvendit ulen edhe firmëtarët e vrasjeve, edhe ata që kanë dalë nga burgu komunist. Janë gjetur me dhjetëra justifikime për të mos patur një shpëlarje kombëtare nga komunizmi dhe ata që e kryen komunizmin në popull. Janë shpikur edhe përplasje juridike, mbrojtje e të drejtave të njeriut, apo paradokse të tjera të kësaj natyre, vetëm e vetëm që ky ligj (jo vetëm ai që propozohet nga maxhoranca) të mos pranohet, të shtyhet, të mos jetë kurrë efektiv. Në të gjitha këto shpikje, që kanë lënë për 18 vite rrotull politikës dhe brenda saj (të majtë e të djathtë), komunistë dhe persekutorë gjakatarë, nuk është përmendur kurrë frika e prekjes së moralit të këtyre të fundit. Asnjëherë nuk është përmendur, as nga ata vetë, apo përfaqësuesit e tyre, alibia, se miratimi i një ligji të tillë do të prekte ndjenjat e sigurimsave, spiunëve apo pushtetarëve komunistë. Se morali i këtyre njerëzve ka vdekur ditën që ata urdhëruan, firmosën apo ekzekutuan politikisht një tjetër shqiptar në emër të komunizmit. Por dje, në mes të ditës, fatmirësisht pa diell, kreu i partisë më të madhe të opozitës, përmendi pikërisht moralin dhe frikën e persekutorëve si një arsye madhore për të mos votuar një ligj kundër spiunëve.
Duke iu referuar diskutimeve të të djathtëve, apo atyre që hiqen si të tillë, para dy ditëve në Kuvend, Edi Rama, mbrojti moralisht familjen e tij dhe të atij lloj soji para derës së selisë së PS-së. "Nuk jam unë i pari që duhet të përjetoj shijen e hidhur të kësaj politike të ndyrë urrejtjeje dhe që duhet të qetësoj nënën e djalin tim", u shpreh dje Rama. Një ditë më parë, një gazetë e pozicionuar qartë djathtas, botoi një dokument të firmosur nga Kristaq Rama, babai në atë kohë i Edvin Ramës. Në këtë dokument, anëtari i Presidiumit të Kuvendit Popullor të Partisë së Punës, bashkë me pak deputetë të tjerë, kishin firmosur ekzekutimin e një të riu. Firma datonte në vitin 1988, vetëm pak kohë para rënies së komunizmit me arsyetimin e qartë politik: "Armik i betuar i pushtetit popullor". Mbi firmën për ekzekutimin e tij ishte edhe kërkesa e prindërve, ku kërkohej falja e jetës. Firmëtarët vendosën të kundërtën, vdekje. Në rast se ky dokument është i vërtetë, atëherë Edi Rama nuk ka asnjë moral të kërkojë sot qetësi për familjen e tij. Nuk ka fjalë që ta qetësojnë nënën e djalit, babai i të cilit ka qenë një firmëtar vdekjeje. Nuk ka fjalë, sot, që të mund ta justifikojnë moralisht atë veprim. Moralisht, firma që të çon nën dhe si "armik i pushtetit popullor", nuk mund të mbrohet, as me thirrje poetike, se po mbillet urrejtje. E kundërta do të ishte fatkeqësi, në rast se njerëz të tillë nuk urrehen. Në rast se njerëzve të tillë nuk iu thuhet përditë e përditë, derisa të plotësohen të gjitha ditët e ndërprera të jetës, të mbyllura në internime apo të shkatërruara politikisht, që veprimet e tyre ishin të urryeshme. Por fjalimi i djeshëm i Ramës nuk ishte vetëm për familjen e tij. Kjo do të kishte qenë e keqja më e vogël. (Gjithkujt do t'i vinte keq për gabimet e babait të tij, edhe pse para 18 vitesh, ishin fëmijët që denonconin prindërit apo e kundërta dhe i çonin të afërmit drejt litarit, në emër të pushtetit popullor). Ai nënvizoi dje se janë me miliona ata që kanë frikë nga urrejtja e një ligji kundër sigurimsave. "Unë jam këtu sepse kjo politikë që hyn çdo mbrëmje në shtëpitë e shqiptarëve për të mbjellë urrejtje, për të trazuar mendje e zemra prindërish e fëmijësh me egërsinë e saj, për të rënduar shpirtërisht e moralisht miliona njerëz që duan shpresë, zgjidhje për hallet e tyre, perspektivë për fëmijët e tyre, duhet të marrë fund". Llogaria e djeshme e Ramës ishte e gabuar. Nuk janë milionat ata që rëndohen shpirtërisht nga deklaratat kundër komunizmit dhe kriminelëve që e mbollën atë. Janë shumë pak. Janë miliona ata që vuajtën dhe këta të fundit nuk kanë frikë nga dosjet. Shqipëria nuk ka patur kurrë ndonjë "hall më të madh" se sa komunizmi dhe nuk ka për të patur derisa soji i atyre që mbrojnë krimet e 50 viteve me gjithçka mënyrash, ta lejë të qetë këtë vend. Fjalia e djeshme me shumë shifra e Ramës është tipike e postkomunistëve: "Në atë kohë të gjithë ishin spiunë". Dhe kjo propagandë duhet urryer. Sot kombi shqiptar është i lirë të urrejë dhe të pëlqejë kë të dojë. Por nuk do të jetë kurrë i lirë të zgjedhë, në rast se nuk i tregohet se kush ishin individët, apo ata dhjetëra individë që e morën peng për 50 vite. Dhe këta, pavarësisht se do i "trazohet shpirti", duhet të urrehen, bashkë me ata që sot përpiqen të gjejnë artifica për t'i shmangur emrat e përveçëm të tyre.
Frika e Ramës për hakmarrje, sot 18 vite pas rënies së diktaturës është qesharake. Nga 1990 e deri në vitin 2008 asnjë i përndjekur nuk ka kryer hakmarrje. Sepse të përndjekurit nuk kanë luftë klasash, nuk kanë armiq pushteti, por opozitarë. Ky është dallimi. Janë soj tjetër nga gjakatarët e 50 viteve të shkuara. Por, njeriu analizon dhe mendon si do kish vepruar vetë dhe, kjo ndoshta është një arsye për kreun e PS-së, që të mendojë se do të ketë hakmarrje. Sidoqoftë, sot pas 18 vitesh ka një fakt, më domethënësi nga të gjithë në rastin e kreut të PS-së, që vërteton se të përndjekurit nuk hakmerren. Në rast se do të kishte hakmarrje, sot ju Edi Rama dhe shumë të tjerë si ti, si djali i një ish-anëtari të Presidiumit të Kuvendit Popullor, duhet të ishit duke lyer fasadat e Tiranën, dhe jo duke i urdhëruar të tjerët ta ngjyrosin me ngjyra plot jetë arkitekturën e komunizmit. Dhe ndoshta ky është fati më i keq që i ka ardhur shqiptarëve nga pasuesit e komunizmit. Njerëzit njihen kur kanë pushtet. Të gjithë para se ta marrin pushtetin janë të mirë dhe patetikë. Ti dje zgjodhe. Dhe zgjodhe anën e paraardhësve të tu. Ty të erdhi keq për moralin e familjeve të ish-persekutorëve. Një shprehje e vjetër thotë: nëse sheh një të keqe, mundohu ta ndreqësh me dorë, në rast se nuk e ndreq dot me dorë, mundohu ta ndreqësh me fjalë, në rast se nuk e ndreq dot me fjalë mundohu ta ndreqësh me zemër. Por dje, edhe zemrën e peshove në duart e atyre që kanë shkrehur plumbat, që kanë tërhequr këmbëzën e armëve, apo kanë firmosur që këto t'i ndodhin ish të përndjekurve.

G. Panorama