E enjte, 28.03.2024, 05:33 PM (GMT)

Mendime » Radovani

Fritz Radovani: Imzot Nikoll Tusha

E enjte, 28.04.2022, 08:00 PM


Nga Fritz RADOVANI:

Pjesa Nr. 24,  Zamak i Flamurit…

IMZOT NIKOLL TUSHA

Perherë të parë emnin e Imzot Nikoll Tushës (Noga), (1895 – 1946), Klerik katolik Shqiptar e kam ndigjue nga një mik dhe bashkpuntor’ i Tij, nga Cafo Beg Ulqinit, kur fliste per ngritjen e Flamurit të Pavarsisë në 1940 n’ Ulqin. Per këte akt Atdhetar, Imzot Nikoll Tusha asht pushkatue nga malazezët me 14 Nanor 1946. Doemos se, Ai i hoqi një copë tokë të bukur “miqve tanë”!

Asht le në fshatin Shirokë pranë qytetit Shkodres në vitin 1895. Mbasi kryen shkollën fillore në vendlindje, shkon në Sarzana, Itali, ku kryen gjimnazin dhe fakultetin e filozofisë, ndersa, ma vonë në Gjenova Ai ka perfundue teologjinë. Shugurohet meshtar në vitin 1919. Në shenjë nderimi ndaj “Zojës së Këshillit të Mirë“, e cila njihet si Pajtorja dhe mprojtsja e gjithë Shkodranve, Meshën e parë e tha në Gjenacan t’Italisë tek Fuguria e Zojës.

U kthye në Shqipni e emrohet Famullitar në Dush të Pukës, ndersa ma vonë në Qelëz. Këtu, sëbashkut me Dom Gjon Gazullin, organizojnë Opozitën popullore për Pukën. I ndjekun nga xhendarmaria e Zogut la vendin e vet dhe strehohet në Mal të Zi, në Argjipeshkvinë e Tivarit, tek Imz. Nikoll Dobreci, (1912- 1955), i cili në vitin 1927 e emnon famullitar në Këllezën, që qendron deri në vitin 1933. (Ndersa Don Gjon Gazulli, bashkepuntori i tij, kapet nga xhandarmëria e Zogut dhe varet në pazarin e Shkodres.)

Imz Tusha sherben si famullitar në Këllezën, Shën Gjergj, Selcë e së fundi, në Ulqin. Në vitet 1931-1934, administron edhe famullinë e Shën Gjergjit, buzë lumit Buna. Per kontributin e Tij si meshtar i zellshëm, në vitin 1933, Selia e Shenjtë e nderon me titullin “Imzot“ që do të thotë, kapelan i Papës së Rromës. Në kohën kur rreth e përqark përgatitej zjarri i luftës së Dytë Botnore, Imz. Nikoll Tusha sherben me perkushtim në Salc.

Në vitet 1940-1945, kur gjithkah lufta shperthyei, Ai sherben në Kishen e Ulqinit. Njëherit kur del në skenë Partia komuniste, e cila si ideologji njihej per ateizmin, apo zhdukjen e popujve të vegjel dhe per internacionalizmin proletar, në 1940, në krye të mateper se pesë mijë malësorve të krahinave të Ulqinit, sëbashku me Cafo Beg Ulqinin, merr pjesë në luftime dhe bashkë me Popin vetshpallin autonominë e Ulqinit dhe të Tivarit nga Jugosllavia,  tue ngritë Flamurin Shqiptar mbi kompanjelin e Kishës së Ulqinit.

Në atë kohë Imz. Tusha asht pastor i pjesës katolike Shqiptare të mbetun përtej kufinit, që administronte Malin e Zi mbas Traktatit të Paqës. Ma vonë, mbas 24 nandorit 1944, aktivistët u shperndane dhe mbas qinda e qinda kërcënimesh me vdekje nga komunistët malazez, detyrohet me ikë prej Ulqinit dhe me u strehue tek kushrini i tij Don Pjeter Tusha në Juban, si dhe me drejtue qelen e Gajtanit, afer Shkodres. Tradhëtisht arrestohet në pabesi nga sigurimi i shtetit komunist shqiptar dhe i dorzohet komunisteve serbë, të cilët e nxjerrin në “gjyqin e popullit” atje në Ulqin, sëbashku me Kryemyftiun dhe Popin e vendit, me Vaso Filipin nga Pistulli, Ali Beqirin nga Krytha, Lekë Macin etj. Me 4 nandor 1946, në Bijelashka (Fier Bardh), i bahet ekzekutimi i Tij sëbashku me të tjerët, tue i dhanë tjera fakte që flasin kjartë per bashkëpunimin e diktaturës mes shqiptarve dhe malazezve, si dhe provat që flitshin per besnikrinë ndaj mësusit, padronit e mikut të Ever Hoxhës dhe Josif Broz Tito, ku merrshin udhëzimet si me veprue.

Kjo do të vazhdonte gjatë, mjerisht në pafundsi krimesh edhe mbas prishjes së mardhanjeve mes dy Sigurimeve kriminale të shteteve komuniste.

Eshtrat e Tij, humbën megjithë kerkimet e vazhdueshme të familjarëve.

Imz. Tusha asht vorrosë në një gropë të perbashkët, si e kanë vra me 17 a 18 të dënuem të tjerë në Bjeloska, brij malit Lovcen. Identifikimi nuk ishte i mundun se nuk lejohej me u afrue njeri aty. Thohet se per arësye që Ai ka dashtë per me mërrijtë  me ngritë Flamurin Shqiptar mbi kompanjelin e kishes s’ Ulqinit, atdhetari Dom Nikoll Tusha (Noga) asht konsiderue patriot i Nderuem i Popullit Shqiptar. Qendrimi i tij në fund të jetës, mund të konsiderohet si virtyt i vertetë i Tij dhe i vepres së madhe heroike.

Ndersa në fshatin Bogë kleriku antifashist At Lekë Luli në shenjë proteste kunder pushtuesit fashist në prani të 300 malsorëve me 5 prill 1941, ngriti Flamurin kombëtar Shqiptar. Me 12 maj të vitit 1941 (rreth një muej mbas pushtimit të Jugosllavisë nga fashizmi) nga trojet e Malësisë së Madhe të mbetuna nën pushtimin e Malit të Zi, përgatitet një Memorandum, që kerkonte bashkimin e këtyne trojeve me Shqipninë. Malësia e Madhe, ndonse vuente pasojat e pushtimit fashist si pjesa tjeter e Shqipnisë, ju krijuen disa premisa të favorshme per bashkëpunimin e trevave të saja të ndame në vitin 1913. Fashizmi per qellime edhe propogandistike me dekretin e 7 gushtit të 1941 shpalli ribashkimin e Trojeve Shqiptare.

Ato i mbanin të pushtueme para tyne edhe Serbo-Malazezët. U bashkuen me Shqipninë shumica e trojeve të Kosovës, Dibres, Tetovës, Gostivarit dhe u rikthye Malesia e Madhe Etnike. Por megjithë ketë fakt që solli ribashkimi i Trojeve Shqiptare, Malësia dhe gjithë Shqipnia e urrente fashizmin si ideologji dhe si pushtues, që si per çudi solli kushtet e favorshme që emisaret jugosllavë nën kujdesin e Titos me agjentët Mugosha e Popoviç, të krijojnë Partinë Komuniste Shqiptare (8 nentor 1941), për të cilen B. Jovanoviqi, i deleguemi i Titos në një takim me partizanet malazez në Kopilaj të Piperit me 23 maj 1942, do të dekleronte: “Partinë Komuniste të Shqipërisë e kemi në dorë ne malazezët dhe atje kemi dhe organizatorët tanë, që i drejtojnë dhe i komandojnë, poashtu si edhe në Kosovë. Të mos harrojmë se na janë vra në luften Ballkanike njëmbëdhjetë mijë malazezë në rrethinat e Shkodres, atë çfarë nuk e perfituen etrit tanë atëherë me luftë, jemi duke e fituar ne!” Në këto kushte per me ruejtë Malësinë e Shkodren, lindi nevoja e rikthimit të Kuvendeve dhe Beslidhjeve historike, të cilat ato vertetojnë se kryengritja e parë antikomuniste në Shqipni dhe në të gjithë Europen, që e kishte zanë kjo lengatë, nuk ka kenë një revoltë e rastësishme, por e mendueme dhe e organizueme nga Malësorët Shqiptar, që ishin nga ma nacionalistët, që e dinin se shka do të thotë me sundue komunizmi, apo ma saktë u percaktue me fortunë e stuhi Sllave të druzhe Josif Broz Titos. Me 30 maj 1943, në Tuz u zhvillue Beslidhja e parë që kishte si synim e që kerkonte zbatimin e Beslidhjes. U dalluen si veprimtar; Mul Deli Bajraktari, Gjelosh Luli, Anton Përdoda, Prek Cali, Llesh Marashi, Dodë Nikolla, Nik Gjelosh Gjoka.  Me 26 korrik (1943) në Çesme të Koplikut u organizue një Kuvend që në histori njihet me emrin Lidhja e Çesmës, që kishte si qellim ruejtjen e qetsisë së Malësisë me Rrnxat. Në këte kuvend ranë në sy edhe dy klerikët atdhetarë At Çiril Cani dhe At Gjon Shllaku. Malësia e Madhe nuk kishte kenë gjatë pushtimit fashist e izolueme. At Lekë Luli nga Kastrati kishte marrë pjesë si nacionalist e antifashist në takimin përgaditor të datës 26 korrik, ku pranohet si një konsulent i këshillit të përgjithshëm nacional-çlirimtar. Ndersa në konferencen e Mukjes së 1-2 gusht 1943, At Lekë Luli merrë pjesë si vezhgues me vote konsultative.

Kjo marrveshje e përbashkët e nacionalistave dhe partisë komuniste nuk ju pelqeu Popoviçit, Mugoshes e Stojniçit, mbasi Mukja kishte pasë program edhe “pika” të bashkimit të Kosovës me Shqipninë dhe trojet të tjera shqiptare që ishin nën pushtimin serbo-jugosllav, ndaj Popoviçi jo vetem e grisi marrveshjen dhe ja holli në fëtyrë Everit dhe, kështu sllavet u rebeluen se Serbia, mund të humbte Kosovën. Ketë fakt e pohon vet E. Hoxha shumë vite ma vonë në librin e tij “Titistët” ku shkruen sesi: “Stoiniçi e kritikoi qëndrimin sektarist ndaj Mukjes, ndërsa Miladini tha gjithë zemërim Kurrë! Kjo do të ishte tradhëti ndaj partisë, mbasi nuk luftuem të ndanim pushtetin me “reaksionin”.

Mbas kapitullimit të Italisë fashiste me 8 shtator 1943, hyni në vendin tonë Gjermania Naziste, e cila megjithse konsiderohej kalimtare njihej si shumë ma e egër prandej, per t’ ju shmang ndonjë reprezalje të mundëshme lindi nevoja e një Beslidhje tjetër. Edhe ajo u realizue me 12 nandor (1943) në oborrin e Xhamisë së Koplikut.

Kjo beslidhje në histori njihet me emnin BESLIDHJA E MALËSISË MADHE, RRANXAVE DHE POSTRIBËS. Në krye të burrave të mbledhun qendronin si gjithnjë Mul Delia, Llesh Marashi, Dodë Nikolla, Gjelosh Luli, Prekë Cali, Gjon Martin Lulati, Mirot Palok Kokaj, Gjok Dode Broqi, Pjeter Gjokë Bajraktari, Nikollë Preka etj,, të cilët u betuen të parët me dorë në Flamurin Shqiptar që ishte vendosë mbi një tavolinë, sëbashku me dy armë të kryqzueme, mandej u betuen të gjithë përfaqsuesit tjerë të Hotit, Grudës, Shkrelit, Kastratit, Kelmendit Selcës, Vukel, Nikç e Bogë, të Trieshit, Kojës, Tuzit, Vranës, Vllanës, Reçit, Lohes, Rrjollit, Grizhës, Gruemirës, Koplikut, Buzë Ujit, Postribës (Drisht, Boks, Sumë), Hotit Ri, Grudës së Re dhe Vrakës. Vendimet ma të rendësishme duken ato që ndalojne trevat e Beslidhjes që të bahen strehë e komunistave, si dhe ndalimin e gjakmarrjes dhe të tjera vepra që prishin bashkjetesën e popullsisë. Per me ndjekë e zbatue vendimet e Beslidhjes u miratua Këshilli i Pergjithshëm. Ky Këshill mështetej edhe nga disa forca vullnetare. Simbas disa dokumentave të kohës mësohet se në trojet e Malësisë ishin mbledhë 2164 forca vullnetare të “ndame” në dy komanda; e para ishte nën komanden e Major Mul Deli Bajraktarit, që kishte 1664 forca vullnetare, ndërsa tjetra nën komanden e Prekë Calit me 500 forca vullnetare, ku banin pjesë edhe Paria lokale.

Vlen të kujtohet se diten e Beslidhjes (me 12 nandor) banoret e fshatrave të Luharit, Fundnave e Kojës zhvilluen një betejë të përgjakshme me Çetnikët dhe forcat partizane Jugosllave, të cilat kerkonin të friksonin keto troje Shqiptare. Kjo Beslidhje në Pranverën e vitit 1944 ishte perkrahë edhe nga Trevat e Dukagjinit, Gurit Zi, Anës së Malit, Malit të Kolajve dhe thuejse nga e gjithë Nënshkodra me në krye Berdicën dhe Trushin. Shkodra me 13 maj 1944 shpallë Beslidhjen e vet, që në histori shkruhet LIDHJA E SHKODRËS.

Kohëzgjatja e pushtimit sllavokomunist nder Trojet tona Shqiptare tregon se historia e atyne krahinave aq të randsishme dhe aq të organizueme, asht errsue dhe transformue gati gati krejtësisht, sa mos me u njoftë prej nesh.

Ka disa shenime dhe fakte të lanuna të shkrueme nga Imz. Pjeter Perkoliq e Don Jakob Vresk, të cilët tregojnë gjendjen e mjerueshme të Imzot Nikoll Tushës (Noga), i cili jo vetem, nuk kishte bukë per me ngranë, po as cingare me mbytë kohen e merzitëshme që e kishte robnue deri në palcë n’ at burg.

Ajo që më ka ba pershtypje të madhe asht kenë dita e fundit e Tyne!

Don Jakob Vresk tregon në letren e vet se i kanë tregue edhe oren e vrasjes së Imz. Nikoll Tushës, po vendin nuk e di njeri mbasi vrasja asht ba sekret e papjesmarrje të ndonjë personi që mundet me ju tregue vendvorrosjen.

Po mbushen plot 80 vjetë që komunistët shqiptarë dhe jugosllavë, i kanë mbushë disa qindra e mija “Gropa pa Emna” me të mbytun e të pushkatuem dhe, mesa duket as nuk e kanë nder mend me tregue vendvorrimet e Atyne fatzezëve që, “u zhdukën nga kjo jetë pse deshtne aq shumë Shqipninë”!

E bijtë e vrastarëve t’ Atyne Atdhetarve, që ngriten Flamurin e Shqipnisë, po, me andje pranojnë se “u takon me mbajtë frenat e diktaturës barbare komuniste”. E shka asht ma e keqja, tue i duertrokitë ambasadat e hueja!!

Le ti nderojmë me respekt Zamakët e Flamurit të Kastriotit – Skenderbe!

Melbourne, 28 Prill 2022.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora