E enjte, 25.04.2024, 01:59 AM (GMT+1)

Mendime

Kostaq Xoxa: Nostalgjikët e diktaturës kërkuan gishtin, morën krahun

E merkure, 17.12.2008, 08:11 PM


Nostalgjikët e diktaturës kërkuan gishtin, morën krahun

Nga Kostaq Xoxa

Të entuziazmuar nga fitorja zgjedhore plebishitare e vitit 1992, mbase edhe për mungesë përvoje, opozita e asaj kohe u pa me një sy tepër mirëdashës nga Qeveria e demokratëve, e cila mbajti edhe një qëndrim lëshues ndaj pakicës së asaj kohe. Kuptohet se opozita u trajtua pa asnjë ndjenjë  hakmarrjeje, por koha  tregoi koha se ajo e kishte nën lëkurë prirjen për ta rimarrë pushtetin, qoftë edhe me dhunë. Veçse ishte koha kur doli e telendisur nga ato zgjedhje dhe sfidat i kishte lënë për më vonë, kur t’i vinte ujët në mulli.  Fituesit zgjedhorë, nga ana e tyre,  nuk kërkonin një opozitë të shpërpjesëtuar; mjaft më me një parti të vetme, kurse  tjetra sa për formë, si puna e Frontit Demokratik, që ishte vetëm levë!
Kjo neveri për atë fjalën përbuzëse monizëm, ka gjasa që të ishte njëri nga shkaqet për të pasur një opozitë efektive, konstruktive, jo inekzistente. Natyrisht lëshimet nuk mund të shkonin gjer aty sa të hapej oreksi deri në legalizimin e një partie komuniste. Por prapamendimet e të mirëtrajtuarve e jetësuan edhe këtë qëllim, kur u erdhi vakti, pasi u forcuan hap pas hapi dhe iu përveshën pa pengesa afarizmit të kuq. E, kur gjendeshin edhe në kushte të fuqishme ekonomike, tashmë, provokuan atë gjëmën e 1997-s, duke qenë të implikuar gjer në grykë në firmat huamarrëse, me kryetarë nga të tyret dhe me administratorë majtistë, në shumicën dërrmuese.
Si pasojë, pas këtij viti të mbrapshtë, kur opozita e atëhershme mori fuqinë, - ashtu si e mori, - u miratua, në kundërshtim me kriteret kushtetuese në dispozicion të ministrisë së Drejtësisë për krijimin e partive, jo vetëm PKSH-ja, por u promovua edhe figura mizore dhe antikombëtare e E. Hoxhës, açik - në muret e institucioneve zyrtare (siç ishte M. Jashtme me titullar P. Milon). Kontingjentet e krimit, të ruajtura nga PS-ja emërndërruar, ish-sigurimsat, gjyqtarët që kishin marrë pjesë në tortura gjer në shkallën sa t’u mbeteshin të pandehurit në dorë, prokurorët më të zellshëm për të dënuar të pafajshmit, arritën të krenoheshin ndërmjet shokësh, tani, se kishin ndihmuar diktaturën e proletariatit për të mbjellë terror e fatkeqësi të papara. Madje të marrin edhe  dekorime në demokraci, paçka se ç’qëndrim kishin mbajtur në kohën e diktaturës. Harbutëria politike arriti gjer në orgjitë, me të mitur e të mitura, përveç pleqve mëkatarë, në lëndinat e Pezës, nën patronazhin e Edvin Ramës. Ovacionet për të ringritur figurën e Enverit ishin në programin rehabilitues të E. Ramës, duke mos e përfillur aspak Rezolutën e  Asamblesë Parlamentare të KE-së të 25 janarit të vitit 2006, për dënimin e krimeve të komunizmit e të nazizmit.
Tani që erdhi koha të hapen dosjet, majtistët tanë po e shkelin sërish me këmbë atë Rezolutë që cekëm pak më sipër. Opozita është vërtet nën kompleksin e trashëgimisë kriminale të PPSH-së: Duhen ruajtur me çdo kusht kontingjentet! Prokurorët, duke filluar nga blofi i aksidentit Trebicka ( që nuk dashka të ishte aksident por vrasje!), gjë që u përgënjeshtrua nga faktet (por jo nga propaganda enveriste “fol, fol se do të mbetet diçka, - por ja që s’mbeti asgjë në këtë rast, kur dëshira për ta quajtur aksidentin vrasje(!) nuk u realizua...), prokurorët, po thoshim,  do të ishin ata që po zbulohen si bashkëpunëtorë të ligjshmërisë së Andrei Vishinskit. Dhe po të nxjerrësh një të dhënë në biografinë e tyre, na del se na shkelen parimet kushtetuese! Na thuhet edhe se duam të bëjmë hakmarrje! Dhe këtë e thonë ata që përfituan nga lëshimet, ata që janë personifikimi i hakmarrjes! Mirë që s’na vënë edhe Arianit Çelën, prokuror. Dhe, po të jetë i papranueshëm, do të ankohen sërish pranë faktorit ndërkombëtar se qeverisja e tanishme na qenka hakmarrëse!
Por a e dinë këta të përkëdhelur se ç’është bërë në Darmstadt të Gjermanisë për të zhdukur mendësitë naziste? A mund të imagjinojnë këta se në Gjermani jo vetëm që nuk mund të bëhet kurrsesi ajo që bëri Rama në Pezë, por edhe një shkrim i thjeshtë të ketë vetëm një fjalë pozitive për Hitlerin, shkruesi përballet me ligjin? Vetëm këtu te né dalin në ekrane herë Nexhmija, herë Ramizi për të “përligjur” të mirat e komunizmit! Lexojmë se një analist i majtë paska thënë se hetuesit mund të largohen, por jo në këtë moment! Kjo do të thotë që të dënohen njerëz të pafajshëm, pastaj le të largohen, s’ka rëndësi! Ky dënim njerëzish të pafajshëm iu është futur thellësisht në gene, që në kohën e diktaturës njerëzve shërbestarë të organeve “të drejtësisë” të asaj kohe, që na mbetën edhe neve peshqesh! Janë mësuar me kritere të tilla, që kur paranojaku E. Hoxha vriste edhe pa gjyq; por edhe kur i dënonte me vdekje, u bënte një torturë të fundit, para se viktimat e tij të ekzekutoheshin! Dokumenti me firmën e tij kundër Ll. Fundos është njëra nga provat. Por edhe këpucëve të viktimave u vinin thumba nga brenda, që të dënuarit prej atyre që sot mbrohen me zjarr, të mos kishin forcë të thoshin as “Rroftë Shqipëria” në vakt të xhanit! Këto tmerre të kujtojnë një rast të bujshëm të fundit të shekullit XIX, në Francë. E kemi fjalën për oficerin e forcave franceze, Alfred Dreifysin, që u dënua i pafajshëm. Por u ngrit kundër dënimit Emil Zolai me pamfletin e famshëm ”J’accuse”  (unë akuzoj) dhe me prova të njëpasnjëshme dëshmoi pafajësinë e Drejfysit, édhe kur ky kishte kaluar 5 vjet në Ishullin e Djallit në Gyijanën franceze, pas fillimit të kalvarit, më 5 janar 1895.  Atëherë dënime të të pafajshmëve ishin të rralla, edhe në një shtet të madh, si Franca. Tani kërkojnë të jetë domosdoshmërisht i cenueshëm Lulzim Basha, pikërisht se është nga ministrat më të suksesshëm të qeverisjes së sotme. Veçse po përsërisin versionin e aksidentit në vend të vrasjes, paçka se mbetën gojëmbyllur tanimë, duke na lënë vetëm shijen e keqe të tendenciozitetit të tyre të pafré! Kështu do të mbeten gojëmbyllur edhe për akuzat që përmëndëm, për të justifikuar prokurorët e tyre, kontingjente të krimet diktatorial,  të përlyer në prapësitë enveriste! Nga intervista në “Klan” me Blendi Fevziun, - ndonëse intervistuesi ishte përgatitur thellësisht si një hetues i paanshëm, - i intervistuari nuk mbeti në asnjë çast në pozitë të vështirë, duke i dhënë përgjigjet me argumente të incizuara në kujtesë, me argumente, fakta dhe data. Dhe kjo jo vetëm për hir të elokuencës së ministrit, por edhe falë pafajësisë së tij.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora