E marte, 16.04.2024, 07:33 PM (GMT+1)

Kulturë

Myzafere Mustafa: Poezia për fëmijë e Anton Çettës

E enjte, 28.04.2022, 09:05 PM


Poezia për fëmijë e Anton Çettës

Nga Prof. Dr. Myzafere Mustafa

Përmbajtje e shkurtër: Në punim bëhet fjalë për poezitë për fëmijë të shkruara nga Anton Çetta, i cili veprimtarinë e tij e kishte orientuar në mbledhjen, botimin dhe studimin e krijimtarisë letrare gojore, por  gjithashtu në fillimet e punës se tij krahas mbledhjes së folklorit ka shkruar poezi për fëmijë dhe është marrë edhe me përkthime nga frëngjishtja dhe italishtja. Si rezultat i punës në mbledhjen e krijimtarisë letrare gojore ka botuar disa vëllime me prozë dhe poezi. Në vitin 2020 u botua kompleti i veprimtarisë së tij në vëllime, si mbledhës i folklorit, studiues, poet për fëmijë, dhe prijës i pajtimit të gjaqeve, në trembëdhjetë vëllime, botim i Institutit Albanologjik i përgatitur në përkujdesjen e punonjësve shkencorë të Degës së folklorit të këtij  Instituti dhe dy vajzave të tij Donikës dhe Agatës.

Në vëllimin e parë të këtij kompleti janë botuar vjershat për fëmijë që profesor Antoni i kishte botuar për herë të parë në vitin 1955, në një vëllim të titulluar “Në prehër të gjyshes”. Këto vjersha për fëmijë i ka krijuar duke e pasur si frymëzim krijimtarinë letrare gojore e sidomos përrallën, gojëdhënën, kallëzimin, anekdotën si dhe format e vogla të krijimtarisë letrare gojore siç janë: gjëegjëza, enigma, fjalët e urta etj. Profesor Antoni ka lënë në dorëshkrim edhe një tufë poezish për fëmijë, të cilat i kishte titulluar  Vjeti gazmuer”.

Përmbledhja  Në prehër të gjyshes”është botuar dhe ribotuar disa herë, ndërsa poezitë e vëllimit “Vjeti gazmuer” si tërësi botohen për herë të parë. Të parat, duke qenë në qarkullim për një kohë të gjatë, janë mirëpritur nga lexuesit dhe kanë bërë ndikimin e tyre, ndërsa këto të dytat nuk janë botuar si tërësi në një vëllim të veçantë, me përjashtim të ndonjërës që ishte botuar në gazetat apo revistat e kohës.  Vjershat e vëllimit “Në prehër të gjyshes” ndryshojnë nga tematika dhe subjekti i trajtuar nga vjershat e lëna në dorëshkrim, prandaj edhe janë analizuar ndaras.

Fjalët kyçe: poezi për fëmijë, letërsi gojore, përrallë, gojëdhënë.

Hyrje

Anton Çetta e njihte thellësisht letërsinë gojore, vlerat letrare artistike, pasurinë gjuhësore, vlerat edukative dhe mesazhin që përçon kjo krijimtari. Tematikën dhe motivet e poezive të librit “Në prehër të gjyshes” i mori nga kjo krijimtari, duke e pasuruar sistemin e figuracionit dhe duke e përsosur senzibilitetin poetik  të personazheve, të cilat janë më afër botës dhe mentalitetit të fëmijës. Këto poezi lexohen lehtë dhe me kënaqësi, nxisin dhe zgjojnë kërshërinë dhe ndikojnë në formimin estetik  dhe në pasurimin e botës emocionale të fëmijës. Falë vlerave letrare artistike, përmbajtjesore, edukative, morale, etike, që janë të rëndësishme për formimin e personalitetit të fëmijës, kjo përmbledhje me vjersha ka hyrë si literaturë e obligueshme në programin shkollor të ciklit të ulët.

Para se të ndalem në analizën e poezive për fëmijë të Anton Çettës shkurtimisht do ta bëj një rishikim të disa shkrimeve, kritikave që janë shkruar me rastin e botimit apo ribotimit të tyre si dhe të disa punimeve të studiuesve të letërsisë. Është me rëndësi të theksohet se kritikat lidhur me këtë tufë vjershash janë shkruar në varësi të rrethanave politiko shoqërore dhe në frymën e kritikës letrare që ka mbizotëruar në kohën e botimit të tyre. Duke qenë se këto poezi u botuan dhjetë vite pas Luftës së Dytë Botërore, më 1955 kur Kosova kishte mbetur nën sundimin e Jugosllavisë, e cila i takonte shteteve të kampit socialist edhe letërsia e asaj kohe shkruhej në frymën e realizmit socialist. Sipas realizmit socialist tradita e mëparshme kombëtare dhe kulturore duhej të mohohej dhe çdo gjë duhej nisur nga fillimi për të glorifikuar vlerat  e “jetës së re” socialiste.

Meqenëse, Anton Çetta tematikën e poezive për fëmijë e kishte huazuar nga trashëgimia letrare gojore, kritika e parë e shkruar në shtypin e kohës në vitin 1956, vëllimin e poezive nuk e kishte vlerësuar aq pozitivisht. Një kritik, i cili ishte njohës i mirë i letërsisë, shkruante: “Në shkollë dhe përgjithësisht në jetën e sodshme fëmijt hasin në ma shum të vërteta jetësore dhe sod asht anakronike me dhanë vjersha me këso motivesh anakronike”.

Ishte kjo një kritikë ideologjike në frymën e realizmit socialist që i bëhej autorit dhe veprës së tij. Ai madje e kritikon autorin edhe për titullin e librit. Megjithatë, duke qenë i vetëdijshëm për vlerat letrare artistike, për tematikën dhe motivet universale, për gjuhën e pasur të vjershave dhe për mesazhin që e përçojnë ato, përkundër vërejtjeve që u bën, ai shkruan: “Sidoqoftë, libri i Anton Çettës ka mjaft anë pozitive sa me e marrë si kontribut të çmueshëm të letërsisë sonë fëminore. Si të këtillë duhet me theksue formën, vargun e rrjedhshëm, gjuhën e lehtë dhe të kuptueshme. Mandej në këtë libër ka poezi me të vërtetë të bukur, urtësi të lehtë, t’ambël, me të cilën duhet me mësue të vogjlit në formim, ka të vërteta artistike.”

Më 1964 ky libër me vjersha u ribotua nga ndërmarrja e atëhershme botuese Rilindja. Për këtë ribotim një kritik i asaj kohe, shkruante se autori i poezive e ka marrë subjektin nga përrallat dhe fabulat. Për të nënvlerësuar këto poezi ai fillimisht nënvlerëson përrallën si krijim letrar. Për përrallën shkruan: “S’do mend se rrëfimet fantastike të këtilla që janë krijue në kohë të ndryshme të zhvillimit të shoqnisë njerëzore, sot kanë ma shumë randësi historike se sa artistike e letrare. N’anën tjetër  çdo vepër e krijueme  ma vonë simbas  klisheve të këtilla klasike na duket si diçka e vonueme, si diçka që e ka shkelë koha...”.

Përkimet e krijimtarisë letrare të Anton  Çettës me krijimtarinë letrare gojore, kritikët e asaj kohe i konsideronin si anakronike dhe të pa vlefshme. Mirëpo, vlen të theksohet se nga krijimtaria letrare gojore u frymëzuan krijues të njohur të letërsisë botërore. Në letërsinë shqipe janë të njohur shumë shkrimtarë dhe poetë të letërsisë së vjetër, letërsisë së Rilindjes shqiptare dhe të letërsisë bashkëkohore që u frymëzuan nga letërsia gojore e sidomos nga përralla dhe gojëdhëna. Disa nga romanet me famë të Ismail Kadaresë, janë të frymëzuara nga gojëdhënat shqiptare. Shkrimtarët dhe poetët e kosovarë kanë shkruar romane dhe poezi të bukura, të frymëzuara nga krijimtaria letrare gojore.

Me tejkalimin e frymës së realizmit socialist ky libër me poezi u vlerësua pozitivisht nga kritika letrare. Deri në vitin 1989, këto poezi për fëmijë, u botuan shtatë herë. Në vitin 2004 përsëri u botuan nga Enti i Mjeteve Mësimore të Kosovës dhe me 2010 u botuan nga botuesi Piramida. Në parathënien e shkruar nga redaktori dhe kritiku letrar Shefqet Riza, ndër të tjera thuhet: “Krijimet janë të frymëzuara nga krijimtaria jonë popullore. Si njohës i mrekullueshëm i folklorit, A. Çetta krijimet për fëmijë i rrëfen nga prehri i gjyshes(...). Këtu përfshihen gjithsej shtatë vjersha apo poemtha(...). Vjershat e kësaj përmbledhjeje kanë vlerë edukative dhe letrare për fëmijë. Në to trajtohen me anë të vargjeve të bukura tema e bashkimit, tema e përtacisë dhe e punës, çështja e lakmisë(...). Secila nga këto shtatë vjersha shton interesimin dhe kërshërinë e fëmijës për t’i lexuar. Thënë shkurt, ky libër shënon  një kontribut të çmueshëm në fushën e letërsisë për fëmijë ”.

Në vitin 2001 Astrit Beshqemi në librin Historia e letërsisë për fëmijë shkruan: “Ky libër me përralla në vargje i Anton Çettës u drejtohet fëmijëve të grupmoshës së ulët shkollore. Përrallat që përfshihen aty trajtojnë motive për kafshët dhe për njeriun. Edhe pse të frymëzuara nga përrallat popullore, autori i ka ripunuar me kujdes ato. I ka zhveshur nga folklori i vjetër barbarizmat dhe i ka pasuruar me elemente të gjuhës artistike. Kësisoj ato na dalin krejt origjinale “.

Studiuesi i letërsisë shqipe Yrjet Berisha, për poezitë Në prehër të gjyshes shkruan: “Brumi i këtyre krijimeve mbështetet në përralla popullore, shkruar në formë medituese, që kanë motive shoqërore, filozofike, etike, etosi etj.(...). Poeti nuk lë anash edhe një lloj nënteksti artistik që estetët e quajnë lojë fjalësh ku në brendësi zbulohet bota komplekse medituese  e rrëfyer nga gjyshja  e zhdërvjelltë(...)”.

Sipas studiuesit të letërsisë gojore Anton Berisha “Krijimin e veprës  Në prehër të gjyshes  mbi bazën e krijimtarisë sonë letrare gojore e dëshmojnë jo vetëm tematika e motivika, ngjarje e objekte të ndryshme të njohura nga kjo krijimtari, por edhe mënyra e shtjellimit të krijimit letrar si strukturë gjuhësore  shprehëse, si metër e si ritmikë e vargjeve, pastaj përsëritjet dhe formulësimet etj. (...). Idetë kryesore të krijimeve të veta poetike, Anton Çetta i shqipton shpesh në formë përmbledhëse, që zakonisht marrin formën e urtive popullore (...)”.

Simbolika, vlerat letrare artistike dhe edukative, intertekstualiteti

Anton Çetta jo rastësisht vjershat e tij i titulloi “Në prehër të gjyshes”.  Prehri i gjyshes është simbol i ngrohtësisë dhe dashurisë së gjyshes, përkatësisht nënës për fëmijën. Qëllimi i poetit ishte që nëpërmjet këtyre vjershave ta përçojë ngrohtësinë dhe dashurinë për fjalën e bukur të traditës letrare gojore, të përçojë mesazh se vjershat e tij kanë lidhshmëri me krijimtarinë letrare gojore, përkatësisht me përrallën, kallëzimin, anekdotën dhe me zhanret e tjera, të cilën krijimtari gjyshet dhe nënat tona e kanë përcjellë nga një gjeneratë në tjetrën deri në ditët e sotme. Këto krijime letrare fëmija i dëgjon nga gjyshja apo prindërit në ngrohtësinë e prehrit. Prehri simbolizon lidhjen emocionale të fëmijës me gjyshen, përkatësisht nënën, e cila me dashuri dhe pasion e ka bartur dhe ruajtur traditën letrare gojore, ndërsa te fëmijët ka kultivuar dashurinë dhe ndjesinë për artin letrar.

Vjershat “Në prehër të gjyshes“ cilësohen para së gjithash me vlerat letrare artistike, me gjuhën e pasur dhe të zgjedhur, me mjetet apo figurat stilistike, të cilat kanë rol në formimin estetik të lexuesit, përkatësisht receptuesit të tyre, që letërsinë ta ndiejnë si krijimtari të nivelit të ngritur artistik, si krijimtari që krijon kënaqësi gjatë dhe pas leximit. Por duke qenë se këto poezi janë shkruar për fëmijë, autori ka pasur parasysh edhe komponentë të tjerë që kanë rëndësi në formimin e fëmijës e ata janë: komponenti edukativ, etik dhe moral, didaktik etj.

Vëllimi Në prehër të gjyshes përmban gjithsej shtatë poezi apo vjersha më të gjata të shkruara në formë të rrëfimit në vargje. Titujt e vjershave janë: Shtatë thuprat; Kush punon ha; Breshka; Urithi; Ditët e plakave; Unë i ngirë miku i ngirë; E Vërteta del nga pusi. Në këtë rast do t’i analizoj disa nga vjershat e kësaj përmbledhjeje të cilat reprezentojnë vlerat e këtyre vjershave.

Subjekti i vjershës Ditët e plakave është huazuar nga gojëdhëna popullore për muajin mars. Përmbajta shkurtër e gojëdhënës është: Një plakë, i gëzohet pranverës para kohe. Ajo vendos të dalë me dhi në bjeshkë, bashkë me burrin e saj, më herët se zakonisht, meqë ishte nxehur moti. Në rrugë e sipër prishet moti. Plaka dhe plaku ngrijnë nga acari bashkë me dhitë. Kjo ndodh sepse plaka sfidon natyrën me ngutinë dhe mendjelehtësinë saj. Sipas kësaj gojëdhëne marsi i huazon tri ditë nga shkurti e prish motin, shkakton ngricën dhe plaka bashkë me plakun dhe dhitë mbesin të ngrirë në rrugë. Autori e njeh mirë strukturën e gojëdhënës, prandaj edhe e mbindërton poezinë në frymën e saj. Në hyrje mjeshtërisht dhe me dell poetik përdor kronotopinë e përrallës  e pastaj të gojëdhënës. Poezinë e fillon me formulë hyrëse:

Në kohë të lashta (siç tregojnë të vjetrit) janë bërë ca ndryshime ndër muajt e vitit.  At’herë më i shkurti ndër gjithë shokët tjerë ish muaji i marsit i pari në pranverë.

Rrëfimin poetik e vazhdon në frymën e strukturës rrëfimtare të kallëzimit gojor, me një varg me ritëm dinamik : N’një shtëpi të vogël jetonin n’vetmi një plakë dhe një plak pa asnjë fëmijë. Pasuri e tyre ishin disa dhi.

Në vjershë dominon rrëfimi në veten e tretë, që është veçori e stilit narrativ epik i gërshetuar herë - herë me dialogun, i cili rrëfimit i jep një dinamikë dndërsa teksti fiton dramaticitet. Poeti e vë në funksion dialogun për të reflektuar gjendjen emocionale të dy personazheve të kësaj vjershe, të plakës, e cila me mendjelehtësinë e saj nuk e vëren rrezikun që u kanoset  dhe gjendjen brengosëse të  plakut që e parandien rrezikun nga të ftohtit: Paj çka t’ zinë ke Që rri zymtë o plak?  Pse kaq fort mendohesh| E nuk flet aspak? Pse je kaq i mrrolur, Fol,ç’të ka brengosur?(...........)

Pa rri urtë lum gruaja Mos me lodh me fjalë! Ky udhëtim kaq heret Keq do të na dalë.  N’fund të marsit, t’ ftohtit Krejt nuk është larguar;  Mund të kthehet bora  dhe era e tërbuar.

Për ta shqiptuar mendjelehtësinë e plakës poeti e vë në funksion figurën e personifikimit. Plaka i drejtohet marsit si një krijese të gjallë duke e shpotitur atë me ironi fëmijërore:

Tërci, tërci Mars i v’shtirë Në prill dola sh’ndosh e mirë. Shporru qafe, mars i mjerë! Tani jemi  në pranverë.

Vjersha përçon mesazhin se nuk bën të ngutemi e të marrim vendime para kohe dhe të nxitojmë pa pasur arsye, apo ta shpotisim dikë pa nevojë, se pasojave nuk iu dihet dhe çdo veprim duhet të bëhet në kohën e duhur pa qesëndisur e nënçmuar të tjerët. Poeti e përfundon  vjershën: Kur ndoj pune ia synojmë duhet mirë ta mendojmë. Mendjelehtas po t’veprojmë, Keq shpeshherë mund të mbarojmë. Kjo përrallë ka një mësim Që është lehtë të mbahet mend-

S’ duhen folur me nxitim fjalë t’pamira e pa vend.

Sikurse edhe në vjershën  Ditët e plakave, në poezinë Breshka poeti e ka huazuar subjektin nga gojëdhëna, sipas së cilës pula ka pësuar metamorfozë dhe është shndërruar në breshkë. Por shndërrimi, pra metamorfoza e saj ka një histori, që korrespondon me një ves të keq njerëzor e ai ves është grykësia. Gojëdhëna tregon se si kanë jetuar dy vëllezër së bashku duke çuar jetë të lumtur. Por njëra nga gratë e tyre kishte prerë një pulë për ta ngrënë fshehtas pa e ndarë me anëtarët e familjes. Rastis që burrat e shtëpisë, të kthehen në shtëpi më herët. Gruaja e fsheh pulën në magje duke e mbuluar me një enë të dheut të quajtur çanak. Kur shkon më vonë për ta marrë e sheh se pula ishte shndërruar në breshkë.

Vjersha fillon me një tablo të kontaktit të parë të çupës me breshkën, pastaj vazhdon dialogu në mes të çupës dhe gjyshes. Kureshtja e vajzës bëhet shkas i vazhdimit të rrëfimit, përkatësisht shpjegimit të historisë apo besimit lidhur me shndërrimin e pulës në breshkë. Vjersha është shkruar në veten e tretë, përshkrimi bëhet me fjalor të zgjedhur poetik nga leksiku i gjuhës popullore, vargjet tingëllojnë rrjedhshëm e bukur me një ritëm dinamik dhe të natyrshëm dhe me +-rimë të tipit AB, AB. Vjersha e artikulon natyrshëm gjendjen emocionale të vajzës, e cila e sheh për herë të parë breshkën:

Sa fort gjyshe| Jam frigua!| S’ish e madhe –| Sa ‘i çanak,| Mbi shpinë kishte| një kapak;  një rasë ashti kish nën bark. Rasë përfund, Rrasë përmbi-  Rrinte brenda  Si n’ kuti.

Nëpërmjet këtyre vargjeve shpërfaqet kureshtja e fëmijës për gjërat e panjohura, ndërsa përshkrimi i breshkës duket i ngjashëm me strukturën e gjëegjëzës. Madhësia e breshkës krahasohet me çanakun, enë kjo e dheut që është përdorur në kuzhinën shqiptare. Rrëfimi vazhdohet me përshkrimin e mënyrës së jetesës të bashkësisë familjare patriarkale, të ndarjes e punëve në mes të anëtarëve të familjes dhe të harmoninë familjare të idealizuar. Më tutje rrëfehet historia e besimit popullor, siç e thotë gojëdhëna, për shndërrimin e pulës në breshkë. Vjersha nëpërmjet një leksiku gjuhësor të pasur e pajis fëmijën me informacion për bollëkun e ushqimeve, për bulmetrat e shumta që gratë i kanë përgatitur nga qumështi etj.

Gratë e tyre bënin bashkë punët n’ shtëpi brendë e jashtë- ndërsa njëra rrinte n’ magje, bënte bukë dhe pogaçe ziente gjellën, mjelte gjënë vlonte qum’shtin për ta zënë djathë e kos, dhallë e hirë, gjalpë e mazë sa më mirë.

Nëpërmjet vargjeve të zgjedhura përçohet mesazhi lidhur me pasojat që sjell grykësia në familje dhe në shoqëri. Vjersha mbyllet me një frazeologjizëm popullore, se nusja “mbeti me gisht n’gojë”. Vjersha si tërësi përçon mesazhin se grykësia shkakton dëme  dhe në fund të lë pa asgjë.

Mbeti nusja Pa e kërkuar Dësh’roi vetë Ta shijojë, porse mbeti| me gisht n’gojë.

Poezia apo poemthi Urithi subjektin e huazon nga gojëdhëna popullore, sipas së cilës rrëfehet etiologjia e urithit apo transformimi (metamorfozimi) fatal i njeriut lakmitar në urith. Vjersha ka një hyrje të bukur të përshkrimit të atmosferës së ndejave familjare pranë vatrës, kur vëlla e motër bisedojnë në mes vete dhe kureshtja e tyre fëmijërore i bën të interesohen për gjërat dhe dukuritë që ndodhin rreth tyre. Bardhi e pyet motrën, a thua pse në pranverë çohet toka në disa vende. Që të dy përgjigjen e kërkojnë nga gjyshja, e cila gjithmonë është e gatshme t’u japë informacionin e duhur. Vjersha reflekton atmosferën e lumturisë familjare dhe gëzimin e fëmijëve.

Drita e Bardhi, me t’madh shend, N” prehër t’gjyshes shpejt zunë vend.

Gjyshja i merr në prehër fëmijët për t’u shpjeguar se toka në pranverë çohet, meqë atë e dëmton një shtazë e quajtur urith, e dëmshme për bujqësinë. Kureshtja e fëmijëve bëhet shkas që gjyshja t’ua rrëfejë gojëdhënën për urithin. Ideja  e vjershës është që fëmijët jo vetëm të mësojnë për urithin si shtazë dëmtare,  por të mësojnë të jenë njerëz të mirë dhe pasurinë ta fitojnë me nder e jo duke ua marrë të tjerëve me dhunë e mashtrime.

Rrëfimi poetik nuk fillon me historinë apo ngjarjen e metamorfozimit të njeriut lakmitar, por me prezantimin e familjes së dy vëllezërve lakmitarë. Rrëfimi ngjason me stilin këngës epike. Familja e lakmitarëve është e pasur dhe zotëron të gjitha të mirat:

Dy vëllezër motit rronin Me gjithë t’mirat që dëshronin- Kishin toka edhe shtëpi| Kishin vreshta, bagëti, kishin ara e livadh  Një zabel e kishin t’madh Edhe përmendeshin gjithkund Si shpi e pasur n’ katund.

Megjithatë, atyre nuk u mjafton pasuria e fituar me mashtrime e grabitje:

“Por edhe pse ishin t’ pasur, s’e ndienin veten të kënaqur” (......)

Kurrë këta të pamëshirë Me mall t’huajin s’ishin ngirë.

Rrëfimi vazhdon me shqiptimin e tipareve negative të këtyre personazheve, duke paralajmëruar edhe fatin e keq që i pret nga lakmia e tepruar. Më tutje rrëfimi vazhdon për familjen e vogël dhe të varfër fqinje. I zoti i shtëpisë e fitonte kafshatën e bukës me punë të ndershme, por fati e kishte dashur që ai të vdiste duke e lënë gruan me një djalë të vogël. Vdekjen e fshatarit poeti e trajton në stilin e baladës popullore:

Qau gruaja dhe fëmija për të qau miqësia. Mbasandej, si e varruan, Gruaja me djalin shkuan

Të jetojnë te prind’t e saj, Se s’ kish tjetër kush t’ i mbajë.

Me vargje të zgjedhura, të ngjashme me vargjet e këngëve popullore rrëfehet për dredhitë që i sajojnë dy vëllezërit e pasur për ta marrë pasurinë e fqinjit.

Sipas gojëdhënës popullore kontesti lidhet me megjën e fqinjit. Dy vëllezërit lakmitarë merren vesh ta hapin një gropë në megjën e fqinjit dhe të hyjë njëri nga ata në të e pastaj t’i thërrasin pleqtë e në prani të tyre ta pyesin tokën se e kujt është. Ashtu edhe veprojnë. Në prani të pleqve e pyesin tokën e kujt është toka, lakmitari përgjigjet se është e tij. Kur shkon vëllai për ta nxjerrë vëllanë nga gropa e sheh se ai ishte bërë urith, ndërsa ky shndërrohet në qokth. Gojëdhëna përfundon këtu.

Poeti e zgjeron dhe modifikon gojëdhënën me elemente të realitetit jetësor, për t’ia përshtatur botës emocionale të fëmijëve, me qëllim që ata të mos mbeten të zhgënjyer pas përfundimit të vjershës. Sipas poetit, vëllezërit lakmitarë e shfrytëzojnë për një kohë gjatë tokën e fqinjit, i cili kishte vdekur i ri, duke i gënjyer fshatarët se e kanë blerë nga ai. Kur rritet djali i fshatarit, shkon në fshat për ta kërkuar pasurinë e babait të vet, të cilën e shfrytëzonin fqinjët lakmitarë. Ai kërkon nga kryeplaku i fshatit që t’i kthehet toka e uzurpuar. Vëllezërit lakmitarë vendosin që  njëri vëlla të futet në tokë, për t’i mashtruar pleqtë. Kur shkojnë pleqtë ta pyesin tokën, ajo nuk përgjigjet, nuk flet. Lakmitari shndërrohet në urith, vëllai tjetër vdes nga mërzia, ndërsa djali i pronarit e merr tokën e vet.

Mesazhi i kësaj poezie  është të mos teprohet me lakmi se lakmia e tepërt  sjell fatkeqësi, ndërsa drejtësia mund të vijë, qoftë edhe vonë. Pronarit i kthehet pasuria, pas një kohe bukur të gjatë. Vjersha ka përfundimin sikurse të përrallës, ku pas shumë peripecive heroi del triumfues dhe shpërblehet, ndërsa kundërshtarët keqbërës dënohen. Në përrallë keqbërësit zakonisht dënohen nga njeriu, përkatësisht mbreti, ndërsa në gojëdhënë dënohen nga Zoti. Vjersha  përfundon  me komentin që i bëhet veseve të këqija të lakmitarit dhe fundit të keq që e pret atë:

Gjyshja përrallën e mbaroi mandej këto fjalë i shtoi “Kurrë nuk ngihet lakmitari, sa më shumë gjithnjë dësh’ron; për të gjëja, malli, ari janë idhujt që adhuron. Kur lakmia s’e lë t’qetë,  T’huajën, lakmon ta ketë;  Gropën tjerëve ua bën,  Por në të sharron ai vetë.

Subjekti i vjershës “Kush punon ha” ngjason  me kallëzimin gojor me të njëjtin titull. Në kallëzim trajtohet përtacia dhe pasojat e saj.  Sipas kallëzimit gojor një vajzë kishte arritur në moshë të pjekur pa u martuar, për arsye se ishte përtace. Rastis të vijë një mik i babait të saj për ta kërkuar për nuse për të birin. Babai i saj i tregon se e bija ishte përtace. Miku i thotë t’ia lërë atij këtë punë, se ajo do të bëhet punëtore. Martohet vajza, në ditët e para punon fare pak. Aq sa punonte aq edhe ia ndante bukën i zoti i shtëpisë. Nusja e pa që nuk mund të hajë pa punuar dhe u bë e vyeshme. Një ditë, kur babai shkon ta vizitojë ajo i del përpara dhe i thotë t’i marrë ca drurë për t’i bartur se nuk do t’i japin bukë pa punuar.

Vjersha ka një hyrje me strukturë të modifikuar të kallëzimit gojor, por edhe të këngëve popullore epike. Hyrja paraqet një tablo të jetës reale të një familjeje me dy djem dhe një vajzë. Duket se familja ishte e lumtur, sepse i ati kishte arritur t’i martojë të dy djemtë, por lumturinë e prishte vonesa e martesës së vajzës përtace.  Në hyrje  marrim informacion për familjen, por jo për kohën dhe vendin, sepse ngjarja mund të ndodhë në çdo vend e në çdo kohë, ashtu si në kallëzimin popullor apo në përrallë, prandaj edhe autori nuk e përcakton kohën dhe vendin ku zhvillohet veprimi.

Jetonte njëherë, (i dashur prej t’gjithve) Një fshatar i urtë Baba i tre fëmijëve. I kishte martuar dy djem si luana me dy nuse t’ reja t’ bukura si zana. Porse çka, e bija, n’ derë i kishte mbetur, se kish një ves t’ keq- të punojë nuk donte, ndonëse e shëndoshë dhe gjë se pengonte.

Për të bërë përshkrimin e djemve dhe të nuseve poeti e vë në funksion figurën e krahasimit, nëpërmjet të cilës cilësohen  personazhet e vjershës. Djemtë janë të bukur e të shkathtë si dy luana, ndërsa nuset të bukura e skofiare si zana, figurë kjo shumë njohur e mitologjisë shqiptare, e cila  i ndihmonte trimat e këngëve kreshnike, por edhe i ndëshkonte kur nuk i përfillnin rregullat e sjelljes të përcaktuara nga ajo.

Pakënaqësinë e familjes me gjendjen e vajzës përtace të pamartuar poeti e trajton me një varg metaforik nga frazeologjia popullore: “N’ derë i kishte mbetur”,vajza. Rrëfimi vazhdon duke paraqitur përpjekjet e kota të nënës për ta edukuar vajzën si dhe brengën e babait për vajzën kryeneçe me at ves të keq përtacie. Poeti e zgjat rrëfimin me vargje të bukura e të rimuara, për të dhënë një pasqyrë të pakënaqësisë të krijuar në familje. Këtë gjendje e ndryshon ardhja e një mysafiri. Gjithnjë në stilin e kallëzimit popullor, në vargjet që pasojnë, poeti e prezanton mikpritjen shqiptare, të njohur dhe shumë të çmuar në traditën tonë.

Por, një ditë prej ditësh erdh n’at fshat një plak,| te babai i çupës, si mik i  ra n’ konak.  Ishin shokë të vjetër| Nga mosha e rinisë. Kjo vizitë e g’zoi fort t’zotin e shtëpisë, Prandaj u mundua Mikut t’ i bëj nderë- Qengjin më të mirë, Për darkë shkoi ta therë.

Rrëfimi vazhdon me bisedën në mes mikut dhe të zotit të shtëpisë. Miku i tregon atij se kishte ardhur t’ia kërkojë të bijën për ta fejuar për djalin e  vet. I zoti i shtëpisë i tregon mikut për vesin e keq të përtacisë që kishte vajza. Vargjet reflektojnë sinqeritetin dhe brengën e të zotit të shtëpisë. Ai nuk do ta mashtrojë mikun, pavarësisht se kishte dëshirë ta martonte të bijën. Më tutje, vargjet sugjerojnë se sinqeriteti duhet të mbizotërojë mbi interesin personal. Poeti synon që këto vargje poetike të shërbejnë si mësim jetësor për fëmijët, se e vërteta gjithmonë duhet të thuhet troç, pa u hamendur, në të kundërtën pasojat do të vijnë më vonë.

Më mirë e vërteta I duhej treguar, Se më vonë me mikun T’ mbetej i turp’ruar.

I befasuar me sinqeritetin dhe burrërinë e babait të vajzës, miku i thotë:

“Prore faqebardhë o mik qofsh në jetë! Je treguar burrë Dhe mik i sinqertë.

Rrëfimi vazhdon në veten e tretë me pasqyrimin e fejesës dhe të martesës së vajzës. Pas përfundimit të dasmës, i zoti i shtëpisë vendos që nuses mos t’ia imponojë punën. Ai i sugjeron gruas dhe djalit ta lënë nusen të lirë,  që ajo vetë të vendosë se si do të veprojë:

Të shihnin njëherë Reja ç’ do t’ vepronte-  do t’ rrinte duarkryq  Apo do t’ punonte.

Sikurse edhe në vjershat e tjera edhe në këtë vjershë shohim rrjedhën e jetës familjare ku secili anëtar jep kontributin e vet.

Nëna tha se heret kishte mjelur gjënë kishte pjekur bukët, bulmet kishte zënë. Dy djemtë e mëdhenj kishin lëvruar arën dhe pas tyre, i treti, kishte hedhur farën. Reja e parë oborrin e kishte pastruar, kurse reja e dytë drunj kishte shkurtuar. Kjo nusja e re sall kishte ndrequr shtratin dhomën e kish fshirë dhe gjer n’gjysmë hajatin.

Atë ditë vjehrri  i ndan nuses fare pak ushqim, sepse kontributi i saj ishte i vogël. Të nesërmen nusja e hidhëruar nuk punon fare, vjehrri përsëri  i ndan edhe më pak ushqim.

Nga zemrimi,nusja S’ fjeti as një orë. Për inat, t’ nesërmen, S’preku punë me dorë. E, këtë herë, dhe plaku, darka kur ia mb’rrini,  Inat për inat,  si dha as gjeth purrini.

Hidhërimi nuk do t’ i zgjatë shumë nuses, ajo detyrohet t’i përvishet punës:

Përtacja e dikurshme e kuptoi më në fund, se asgjë në jetë s’ fitohet pa mund. Më nga ajo ditë, Të punojë s’ përtonte,  Prandaj në familje Secili e donte.

Vjersha ka përfundim të lumtur, sepse tematika e saj është e frymëzuar nga kallëzimi popullor. Krijimet e këtij zhanri, zakonisht kanë përfundim të lumtur. Në kallëzime personazhet mund të kenë vese të këqija apo mund të bëjnë veprime të gabuara, por veprimet e këqija apo gabimet mund të përmirësohen, derisa në gojëdhënë gabimet e personazheve sjellin pasoja fatale. Poeti e zgjodhi këtë tematikë për t’u sugjeruar fëmijëve se veset e këqija mund dhe duhet të eliminohen. Vjersha përçon mesazhin se veset e këqija sjellin pasoja, ndërsa eliminimi i tyre ndikon në lumturinë e individit dhe të familjes.

***

Vjershat e vëllimit  Vjeti gazmuer, të cilat Anton Çetta i ka lënë në dorëshkrim, duket se disa nga ato i ka botuar në revistat e gjysmës së dytë të shekullit njëzetë, mirëpo nuk e ka parë të arsyeshme t’i botojë në një vëllim të veçantë. Këtë e konstatojmë sepse dy nga poezitë e këtij dorëshkrimi i gjejmë të botuara në librin Antologji e poezisë shqipe për fëmijë, përgatitur nga poeti i mirënjohur i poezisë për fëmijë  dhe studiuesi i letërsisë Agim Deva, të botuar në vitin 1978. Në këtë antologji kanë hyrë poezitë Bora e parë dhe Marsi, të cilat janë të shkruara në gegërisht.

Vëllimi përmban shtatëmbëdhjetë vjersha. Për dallim nga poezitë e librit Në prehër të gjyshes, poezitë e vëllimit Vjeti gazmuer janë të frymëzuara nga jeta e përditshme e fëmijëve, nga jeta e rëndomtë në përgjithësi, nga dukuritë natyrore, loja e fëmijëve etj. Këtë e shohim nga titujt e vjershave dhe nga subjekti i trajtuar. Vjershat kryesisht u kushtohen stinëve të vitit, sidomos dimrit dhe borës, dordolecit, lojërave të fëmijëve gjatë stinës së dimrit, muajve të vitit, gjërave dhe objekteve të ndryshme etj.

Gjatë përshkrimit të lojës dhe veprimeve së fëmijëve, dominon toni optimist. Vjersha Bora e Parë karakterizohet me përshkrimin e bukur të natyrës gjatë rënies së borës së parë. Në vjershë hetohet kontrasti në mes të natyrës së qetë dhe dinamizmit të fëmijëve. Natyra përshkruhet e qetë dhe e bardhë në çdo anë, në përshkrimin e natyrës edhe vargu i vjershës ka një ritëm  të qetë:

Bie bora flokë- flokë  Në Qetësi  Mbi pullaze dhe në tokë Pa u ndi.

Veprimet e fëmijëve janë plot gjallëri dhe ritmi i vargut është më dinamik:

Oh! Sa t’gëzueshëm f’mija ngasin Me shpejti; Përmbi bor’ me sajna rrshasin O me ski. Disa tjerë me topa bore Po luftojnë.

Vjersha përfundon me një këshillë humane për fëmijët, që t’i ndihmojnë zogjtë me ushqim, meqë gjatë dimrit hasin në vështirësi:

Gjithë fëmijt janë të gëzim shënd e verë. Vetëm zogjtë janë të trishtuem E të mjerë Pse ushqimin për ta gjetë Hjekin v’shtirë T’i ndihmojmë pra zogjtë e shkretë O fmijë t’mirë!

Në vjershën Loja me topa bore me fjalor të zgjedhur poetik paraqitet loja e fëmijëve, e organizuar si një “luftë” në mes dy grupeve kundërshtare. Vjersha sugjeron se për të arritur qëllimin duhet të bëhet organizimi  i mirë. Ka një simbolikë në këtë vjershë, kur thuhet:

Bardhyli bërtitte ”Mbrojeni kufinin Mos me lshue truellin Kemi ba betimin”.(...) pastaj  Rrept me topa bore Rrijshin t’u përleshë, Thue se trima t’çartun n’mejdan jan’ t’u ndeshë.

Këto vargje na kujtojnë këngët epike të trimërisë kur trimat betoheshin për mbrojtjen e atdheut, ndërsa heronjtë e këngës karakterizohen me epitetin trim i çartun.

Vjersha Zogjtë në dimën është shkruar me frymë dhe ndjenja lirike. Vargjet e para fillojnë në formë pyetëse dhe brengosëse për zogjtë që s’po duken në natyrë, nëpër lisa e nëpër ara: Ku janë zogjtë që nuk po shihen Grumbuj si përpara? Kangt e tyne pse s’po ndihen  Nëpër pyje e nëpër ara?

Përgjigjja është se:

Por tash dimni asht ndër ne Era e bora s’dijnë m’u ndalë Çdo zog strukun në fole Jashtë në t’ftoftë s’guxon me dalë.

Vazhdon rrëfimi lirik për zogjtë dhe jetën e tyre që e kalojnë të strukur në fole, ndërsa kur dalin të kërkojnë ushqim atë e gjejnë me vështirësi. Prandaj edhe këshilla e urtë e poetit për fëmijët sikurse edhe në vjershën Bora e parë:

T’u ndihmojm’ pra pa kursim Tash në dimën zogjve t’mjerë. Kang’t e tyne me t’madh g’zim Do t’i ndëgjojm’  n’ pranverë.

Është kjo një këshillë e thënë me fjalor të zgjedhur. Fëmijëve u sugjerohet që t’i duan zogjtë, dashurinë e tyre ta shprehin duke i ushqyer ata, ndërsa në pranverë do të shpërblehen me cicërimën e tyre të këndshme. Vjershat që i kushtohen stinëve të vitit kryesisht karakterizohen me përshkrime të bukura dhe me sugjerime për fëmijët që të jenë humanë me veprimet e tyre.

Vjershat e vëllimit Vjeti gazmuer, siç u theksua edhe më parë, përgjithësisht lidhen me jetën  e përditshme të fëmijëve dhe me gjërat dhe dukuritë e jetës së përditshme. Një vjershë, bie fjala  është e shkruar për trenin, një tjetër për postierin, pastaj një tjetër për kthimin e fëmijëve  në shkollë pas gjysmë vjetorit të parë etj. Të gjitha vjershat janë të shkruara me një gjuhë të zgjedhur artistike, e cila jo vetëm që ka një ndikim në pasurimin e botës shpirtërore, por edhe në formimin e tyre edukativ.

PËRFUNDIM

Poezitë “Në prehër të gjyshes” janë të frymëzuara nga letërsia gojore, sidomos nga gojëdhëna kallëzimi,  përralla dhe zhanret tjera,  por poeti ka punuar në pasurimin  e sistemit të figuracionit dhe në përsosjen e senzibilitetit poetik me personazhe dhe gjuhë të pasur artistike dhe figura stilistike, të cilat janë më afër botës dhe mentalitetit të fëmijës. Ato lexohen lehtë dhe me kënaqësi, nxisin imagjinatën dhe ndikojnë në formimin estetik,  moral dhe edukativ. Nga poezitë fëmijët mësojnë për jetesën e mëhershme në bashkësitë familjare patriarkale, për organizimin e jetës dhe ndarjen e punëve në familje etj.

Struktura e rrëfimit ngjason me strukturën e këngëve epike, përrallës, kallëzimit, gojëdhënës etj. Rrëfimi në përgjithësi bëhet në veten e tretë, përshkrimi i veprimit të personazheve dhe i ndodhive bëhet me figura stilistike të zgjedhura dhe me tablo të pasura artistike si:  personifikimi, krahasimi, metafora. Dialogu në disa nga vjershat është i theksuar e dinamik .

Poezitë e vëllimit Vjeti gazmuer janë të frymëzuara nga jeta e përditshme e fëmijëve, nga jeta e rëndomtë në përgjithësi, nga dukuritë natyrore, loja e fëmijëve etj. Këtë e shohim nga titujt e vjershave dhe nga subjekti i trajtuar. Vjershat kryesisht u kushtohen stinëve të vitit, sidomos dimrit dhe borës, dordolecit, lojërave të fëmijëve gjatë stinës së dimrit, muajve të vitit, gjërave dhe objekteve të ndryshme etj.

Një ndër qëllimet e poetit ishte që ta vërë theksin në funksionin edukativ të poezisë, ky funksion  konsiston në qëllimin që te fëmija të ngulitet bindja se veset e këqija sjellin pasoja. Eliminimi i tyre i bën ata të jenë të lumtur, por edhe të tjerët të jenë të lumtur me ta. Fëmijët marrin mesazhin që të jenë të sjellshëm, ta duan njëri tjetrin, të respektojnë  mendimin e tjetrit, të evitojnë veset e këqija, të mos të marrin vendime të pamenduara, ta çmojnë punën, ta evitojnë grykësinë dhe dëshirën për përvetësimin e pasurisë së huaj.

BURIMET DHE LITERATURA

Çetta, Anton , Në prehër të gjyshes, botim i katërt, Rilindja, Prishtinë, 2010.

Çetta, Anton, Krijime poetike për fëmijë, Vëllimi I, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 2020.

Çetta, Anton , Në prehër të gjyshes, ETMMK, Prishtinë 2004, parathënie e Shefqet Rizës.

Bettelheim, Bruno , The uses of enchantment, The meaninng and Importance of Fairy Tales, Copyraight, by Bruno Bettelheim, 1975,1976.

Berisha, Anton, Përkime poetike, Rilindja, Prishtinë, 1978.

Berisha, Yrjet, Anton Çetta, Në prehër të gjyshes , në Anton  Çetta figurë poliedrike  e kulturës shqiptare, Instituti Albanologjik, 2011, i njëjti punim u ribotua në librin: Anton Çetta, Të tjerët për veprën e Anton Çettës, Vëllimi i XI, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 2020.

Bishqemi, Astrit, Hyrje në teorinë e letërsisë për fëmijë, Sejko, 2004.

Deva, Agim, Antologji e poezisë shqipe për fëmijë, Enti i teksteve dhe i mjeteve mësimore, Prishtinë, 1978.

Gega – Musa, Leontina, Përkimet e letërsisë gojore me poezinë e shkruar për fëmijë, Instituti Albanologjik, Prishtinë,  2004.

Lüthi, Max, Evropska Narodna Bajka, Beograd, 1976.

Lüthi, Max, Aspekti Märchen i predanja, Polja, Novi Sad,1987.

Mustafa, Myzafere, Përralla shqiptare – poetika dhe mitikja, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 2003.

Mustafa, Myzafere, Proza gojore-teksti dhe konteksti, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 2005.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora