Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kastriot Dervishi: 'Punë e organizuar në Spaç'

| E premte, 22.04.2022, 07:53 PM |


“Punë e organizuar në Spaç”

Nga Kastriot Dervishi

Më 26.8.1978 Xhelal Koprenckës dhe Veiz Cecit, që vuanin dënimin në Repartin nr.303 Spaç, u dërguan dy letra sekretarëve të Komitetit Qendror të PPSH-së, Rita Marko dhe Hysni Kapo. Përmbajtja e tyre u gjykua si e rrezikshme nga PPSH-ja. Në Spaç u evidentuan me këtë rast tre grupe (dy janë bërë të njohura) e për këtë qëllim u kërkua të merreshin masa. Proceset u përsëritën dhe në fund pati dënime me ekzekutim dhe me burgim.

Me shkresën nr.2248, datë 29.9.1978 prokurori i përgjithshëm Rrapi Mino i dërgoi Drejtorisë së Parë të Sigurimit të Shtetit letrat e shkruara Xhelal Koprenckës dhe Veiz Cecit. Midis të tjerash, Mino shkruante: “Siç jeni në dijeni dhe armiq të tjerë kohët e fundit kanë shkruar letra me përmbajtje të tillë, të cilat të lënë të dyshosh për një punë të organizuar në Repartin e riedukimit të Spaçit. Ne kemi mendimin që pasi të analizohet në kompleks, kjo veprimtari edhe ndaj këtyre të fillojë çështja penale dhe hetimet të zhvillohen këtu”.

Por zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Feçor Shehu, vendosi që çështja të hetohej në Mirditë (në fakt u bënë në Lezhë) dhe jo në Tiranë.