Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kastriot Dervishi: Vrasja e Avni Rustemit

| E merkure, 20.04.2022, 07:10 PM |


Vrasja e Avni Rustemit

Nga Kastriot Dervishi

Rreth orës 17.00 të datës 20 prill 1924 Avni Rustemi me disa miq të tij, po shkonte për të takuar në shtëpi ministrin e Arsimit, Fahri Rashit (Gjilani). Kur arrijnë në Varrezat e Pashës (aty ku është busti i tij sot) në çastin që takohet me Hoxha Kadriun, qëllohet me një plumb të vetëm nga mullixhiu Jusuf Reçi. Pas një qëndrimi dyditor në spital, Avni Rustemi vdiq më 22 prill 1924 (fotografia bashkëlidhur).

Sipas dëshmisë së Hoxha Kadriut, Avniu i ka thënë “Shkova me idhnim në Vlonë, pasi mora vesh se nuk më dhanë leje...”. Në këtë çast nga ana e majtë e tij nga prapa nga ana e murit të varrezave, i kaloi një njeri dhe me të shpejtë, sikur po kalonte rrugën, e qëlloi me një plumb të vetëm dhe ia mbathi menjëherë. Avniu kishte thirrur “ah ia q... nanën” dhe me të dy duar nxori koburen, të cilën e mbështeti në murin e varrezës dhe qëlloi 6 herë në drejtim të Reçit, pa mundur ta prekë atë. Pastaj shokëve që e rrethonin, kërkoi t’i sillnin doktorin.